Një gjykatë në Egjipt ka dhënë 75 dënime me vdekje dhe 47 të tjera me burgim të përjetshëm.

Në fund të seancës së saj kishte mbi 700 të pandehur, përfshi këtu edhe ish-udhëheqësit islamik.

Ata që dolën përpara gjykatësve akuzohen për trazirat e shkaktuara gjatë protestës pro “Vëllazërisë Myslimane”, pas rrëzimit të ish-presidentit Mohammed Morsi në vitin 2013.

Të pandehurit akuzohen konkretisht për shkelje të lidhura me sigurinë, përfshi “nxitje dhune”, “vrasje” dhe “organizim protestash të paligjshme”.

I dënuar rezulton edhe gazetari fitues i një çmimi për “fotografinë”, Mahmoud Abu Zeid, i njohur edhe si Shawkan, me 5 vite burg.

75 vendimet me vdekje ishin dhënë që në korrik, por konfirmimi i kësaj të shtune i atyre dhe i vendimeve të tjera, shënon fundin e gjyqit.

Gjyqi është cilësuar nga grupi i të drejtave të njeriut “Amnesty International” si “jashtëzakonisht i padrejtë” dhe në shkelje të Kushtetutës së Egjiptit.

Shpërndaje artikullin në: