GAZETA AMERIKANE: JA PSE PO NGRIHET BAZA E NATO-S NË SHQIPËRI
Gazeta e ushtrisë amerikane, “Stars and Stripes” i ka kushtuar një shkrim lajmit se NATO ka nisur punën për ngritjen e një baze ajrore në Shqipëri.
Gazeta thekson se qëllimi i ngritjes së kësaj baze është kundërvënia ndaj influencës ruse në rajon.
“NATO pritet të zgjerojë prezencën në Ballkan- ku Perëndimi dhe Rusia janë ngërthyer në një betejë për ndikim- ndërsa Shqipëria përgatitet për të pritur të parën bazë ushtarake të aleancës në rajon”.
“Zyrtarët shqiptarë dhe amerikanë shënuan të enjten nisjen e fazës së parë të projektit prej 58 milionë euro për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës në qendër të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të jetë në përputhje me standardet e NATO-s”.
Në shkrim theksohet se Shqipëria nuk ka avionët e saj dhe se prej vitit 2009 kur u bë pjesë e Aleancës, hapësira ajrore është monitoruar nga Italia dhe Greqia.
Më tej theksohet se investimi erdhi pasi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri një vizitë në Pentagon ku kërkoi ngritjen e një baze të SHBA ose të NATOs në rajon për t’iu kundërvënë ndikimit rus, por edhe interesave të vendeve si Kina dhe Irani.
“Rajoni ka qenë sheshbeteje për ndikim mes Perëndimit dhe Rusisë, e cila ka kritikuar lëvizjet për të zgjeruar anëtarësimin e NATO-s në këtë rajon, duke theksuar se kërcënon sigurinë rajonale,” thekson shkrimi.