Fjalimi i plotë i Messit, pasi e fitoi Topin e artë
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, tha se ai shpreson se do ta vazhdojë ta shijojë futbollin për edhe disa vite të tjera pasi e fitoi Topin e Artë të hënën, mirëpo pretendoi se momenti i pensionimit është duke iu afruar.
Lionel Messi e mposhti mbrojtësin e Liverpoolit Virgil Van Dijkun dhe sulmuesin e Juventusit Cristiano Ronaldon në garën për Topin e Artë, duke u bërë lojtari i parë që arrin t’i fitojë gjashtë Topa të Artë në ceremoninë e ndarjen së çmimeve të hënën në Paris, transmeton Gazeta Express.
“Së pari dua t’i falënderoj të gjithë gazetarët që votuan për mua. Natyrisht edhe bashkëlojtarët e mi, si në klub, ashtu edhe në ekipin kombëtar, që e kanë bërë këtë vit të mrekullueshëm, qoftë në disfatë apo fitore”, ka thënë 32-vjeçari.
“Unë e mbaj mend Topin tim të parë të Artë në Paris, kur mbërrita këtu me tre vëllezërit e mi. Isha 22-vjeçar dhe kjo ishte e pabesueshme për mua”.
“Tani, dhjetë vjet më vonë, unë e fitova Topin e Artë për herë të gjashtë, në një moment plotësisht të ndryshëm. Ky është një moment shumë i veçantë në jetën time personale, me bashkëshorten dhe tre fëmijët e mi. Unë jam me fat që ata janë këtu me vëllain tim dhe njërin nga nipat e mi”.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, unë kurrë s’kam pushuar së ëndërruari, kurrë s’kam pushuar së rrituri dhe le të shpresojmë se unë mund të vazhdoj ta shijoj atë që e kam dashur që kur isha 1 apo 2-vjeçar”.
“Jam i vetëdijshëm se sa i vjetër jam dhe po i shijoj këto momente kaq shumë sepse e di se momenti i pensionimit tim është duke ardhur”.
“Është e vështirë, e di se më kanë mbetur edhe pak vite. Koha fluturon dhe gjithçka shkon shumë shpejt. Unë shpresoj të vazhdoj ta shijoj futbollin, familjen time dhe gjithçka tjetër në jetën time”.