Fati ynë dhe politikanët tanë “tërpijana”!
Nga Naser Pajaziti
Zoran Zaevi dhe Hristijan Mickoski do ta bëjnë përhajr marrëveshjen për t’ia lidh kismetin Katica Janevës dhe shoknisë së saj. Ata i kanë gati 114 vota dhe pa një therrë në këmbë ladrojnë e bëjnë çka të duan. Dy hanxhinjtë sigurisht se deri në pikën e fundit i kanë matematikat për hesapet dhe favoret e tyre, ndërsa formula e trullosjes së partive shqiptare në fund do të jetë në stilin “votoni se ndërkombëtarët po thonë…NATO dhe BE, e përralla të tjera! .
E çka politikanë tanë, sërish po mbeten jashtë loje, “voajerë” të dyshes në dhomën e mbyllur dhe “tërpijana” për pushtet e allashverishe. Kjo katandisje pikë e pesë është falë tërpisë nga grazhdi i dyshes së lartëpërmendur. Nëse nuk thua mjaft, atëherë fundi është një shpërthim që nxjerrë vetëm jashtëqitje lopësh të padobishme me kundërmim të rëndë. Dhe ky do të jetë fundi fatal që i përshkruhet spektrit politik shqiptar të molisur. Është shumë e qartë se Zaev ka rregulluar hesapet me partnerët e tij shqiptarë të koalicionit, por është e çuditshme se përse opozita të mos jetë më shpërthyese, të paktën duke dalë në protestë, qoftë edhe me 20 veta para Kuvendit në ditën kur hanxhinjtë Zaev – Mickoski po kuvendonin për tia lidh fatin edhe shumë proceseve të montuara si “Monstra”, “Lagja e Trimave” e shumë e shumë raste tjera që kërkojnë një revidim të plotë, sepse kemi njerëz që edhe pafajësisht po vuajnë dënimet. Por, realiteti më vrasës se kjo “tërpi” dhe katandisje çdo ditë po zbrazë vendbanimet tona!