Departamentit Amerikan(DASH), kritika të ashpra Maqedonisë së Veriut-Institucionet e korruptuara
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 vë në pah faktin që korrupsioni “lulëzon” në çdo sektor të vendit, edhe atë në qeveri, burgje, gjykata dhe ngjashëm. Në raport thuhet se edhe pse ka përpjekje për të përmirësuar situatën, ka sektorë në të cilat qytetarët përballet me diskriminim të skajshëm, trajtim çnjerëzor, korrupsion, dhunë dhe kërcënime.
Sipas raportit, kundrejt të burgosurve dhe të ndaluarve ka pasur raportime për torturë, dënime dhe trajtime jo-humane nga ana e policëve. Deri te Avokati i Popullit, kanë arritur gjithsej 103 denoncime për raste të tilla, 51 më shumë se vitin e kaluar.
Përpos dhunës policore, të arrestuarit i presin kushte jo-humane edhe në burg. Në raport thuhet se kushtet në burgje janë të këqija për shkak të mbipopullimit, mungesës së ushqimit të mjaftueshëm, higjienës jo-adekuate, stafit të korruptuar ndërsa në disa qeli në idrizovë qëndrojnë nga 16 deri në 19 të burgosur. Vetëm 5 nga 11 burgje kanë të punësuar mjekë me orar të plotë. Kushte nuk janë më të mira edhe në burgjet për fëmijë, të cilëve sipas raportit, u jepet dozë e tepruar e ilaçeve. Kritikave nuk iu “shpëtoi” as gjyqësori.
“Në Kushtetutë parashihet gjyqësor i pavarur, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjykatësve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e popullit në sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në raport duke cituar Këshillin Gjyqësor, thuhet se besimi tejet i ulët i qytetarëve në gjyqësor vjen për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm në gjyqësor, shtyrjes së seancave për të mundësuar vjetërsim të lëndëve, sidomos kur të akuzuar janë biznesmenë dhe politikanë dhe ngjashëm.
Korrupsioni është radhitur ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, gjithsej 357 denoncime për korrupsion kanë arritur deri te Komisioni Antikorrupsion. Ky institucion, ka shqiptuar 356 gjoba kundër zyrtarëve publik për shkelje të ndryshme, nga të cilët vetëm 220 kanë paguar gjobat në afat të caktuar.
Statistikat e personave pa shtetësi vijojnë të ngelin shqetësuese, mesatarisht 584 persona figurojnë pa shtetësi ndërkaq sipas raportit, Ligji për Shtetësinë i votuar në vitin 2020 ka ngecje në implementim. Pre e këtij lloji të diskriminimit por jo vetëm, më së shumti janë romët.
Shqetësues sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit ngelin edhe statistikat për dhunë në familje, nga janari deri në qershor janë regjistruar 662 të mbijetuar nga kjo dukuri ndërsa kompetentët jo gjithmonë marrin masa në kohë. /Alsat.mk