Nga Skënder Minxhozi– E bëri dy vjet më parë dhe e pamë si doli. Po e bën dhe sot, në një mënyrë edhe më joserioze dhe më qesharake se atëhere dhe mund të supozojmë pa shumë vështirësi sesi do të jetë fundi i rrugës. Protestat e Lulzim Bashës nisin gjithmonë me pretendimin për të rrëzuar qeverinë dhe mbarojnë me dilemën kombëtare, sesi të nxjerrim vetë Lulin nga gafat politike që sajon me duart e veta.

Ndodhemi në të njëjtën situatë edhe sot, dy vjet pas Çadrës, kur fryma e protestës thjesht nuk egziston dhe kur destabilizimi i qeverisjes së majtë nuk ka ndodhur. Opozita ka vendosur prej disa javësh që të testojë nervat e disa mijëra drejtuesve të makinave, duke e quajtur bllokimin e rrugëve kryesore të vendit me disa qindra protesutes në çdo udhëkryq, “përshkallëzim i protestës” ose “marshim opozitar”! Mos u gënjeni nga termat, nuk ka as përshkallëzim dhe as marshim. Ka pasur vetëm ambulanca me të sëmurë brenda të bllokuara, shoferë të acaruar që shanin dhe rëndesë trafiku që nuk e ka spostuar asnjë milimetër nga vendi qeverinë, por vetëm sa ka dëmtuar qarkullimin e automjeteve.

Megjithatë, ajo që pasqyrojnë ekranet televizive nuk ka asnjë lidhje me përshkallëzimin apo me marshimin. Nga rrethrrotullimi Shqiponja e më pas në Durrës, Fier, Elbasan e Shkodër ose Gjirokastër, nuk bëhen më shumë se disa mijë opozitarë, të gjithë të sjellë nga strukturat partiake të PD e LSI, të cilët bllokojnë trafikun, duke penguar burra, gra e fëmijë që të shkojnë aty ku janë nisur.

Dy muaj e gjysëm pas protestës së 16 shkurtit, kur gjithçka dukej më kërcënuese e sfiduese, kriza e mandateve të opozitës dhe e protestave politike që ajo ka vënë në lëvizje, po merr trajta gjithnjë e më pak serioze. Pasi gjuajti me shtizë derën e kryeministrisë dhe shkuli pllakat rreth Parlamentit, opozita po i nxin jetën shqiptarëve që lëvizin në rrjetin rrugor kombëtar. Në emër të gjetjes së një pune për veten, pasi kanë dalë me vullnet pa punë rrugëve, PD-LSI pengojnë ata që kanë punë dhe janë nisur për diku.

Është një eksperiment ky i rrugëve, që nuk i ka ndezur asnjë opozite në të shkuarën, por mesa duket po shohim shterrimin e surprizave dhe të fantazisë opozitare. Pasi i erdhën rrotull godinës së qeverisë, pasi bënë xhiro nëpër Tiranë duke mos ditur si të shtyjnë orarin e protestës, pasi panë sesi Bindja e Patozit shpalli hyrjen në zgjedhje dhe një listë gjithnjë e më e gjatë opozitarësh po hyjnë në Kuvend, nën apelin e ndërkombëtarëve për t’u regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita zyrtare po përjeton krizën e nismës së mandateve, që vuri në lëvizje dy muaj e gjysëm më parë.

Bilanci i kësaj krize thuajse tre mujore po shkon përherë e më shumë nga dramatikja tek farsa. Në shkurt pritej me orë rënia e qeverisë aktuale, kurse tani në maj mësojmë sesi krijohen qeveri tranzitore në letër, tamam si ato kështjellat prej rëre që ndërtojnë kalamajtë në breg të detit. Opozita e futur në flluskën e përjetimeve, të frustrimit dhe pafuqisë së saj, ka mbërritur në stacionin e fundit të udhëtimit. Duhet të vijë dikush për ta nxjerrë nga rruga pa krye ku e futi veten nën tam-tamin e protestave. Të cilat, dihet, kur mpaken e dobësohen pa mundur të hedhin në tokë kundërshtarin, kthehen e rrëzojnë organizatorët.

Shpërndaje artikullin në: