Bardhyl Mahmuti-Të dashur miq,
Pas publikimit të raporteve të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari”, Flamur Blakaj, njëri nga anëtarët e Komisionit Mjekësor që ka bërë autopsinë dhe raportin e autopsisë për këtë rast, deklaroi për “Gazetën Express”: “Ju e keni raportin e autopsisë. Mjeku ligjor nuk del me deklarata. Ne në raport të autopsisë nuk kemi deklaru as që është vetëvrasje e as vrasje. Ne e kemi kry punën kur është dashur, në mënyrën më të mirë të mundshme. Mendimi i tyre dhe i yni përputhen në pjesën dërmuese”.
Të gjithë ata që kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e mia rreth kësaj teme e dinë sesa të paqëndrueshme janë pohimet e tilla.
Nesër do ta publikoj pjesën e parë të shkrimit “Betimi i Hipokratit dhe fytyra e hipokritit”, ku do të trajtohet përgjegjësia e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit.
Faktet që kanë përmbajtur shkrimet e publikuara deri tani, lidhur me këtë temë, i kam konsideruar si të rëndësishme dhe që duhet t’i dijë çdo njeri që është i interesuar të ndriçohet rasti “Astrit Dehari” dhe që nuk ka pasur mundësi të njihet me raportin e ekspertizën zvicerane në gjuhën frënge . Prandaj në publikimet e mia kam shënjuar (bërë TAG) një numër miqsh të Facebook-ut, për të cilët kam menduar se mund t’u interesojë kjo temë. Meqenëse në shkrimet që do të vijojnë shpreh edhe mendimet e mia lidhur me përgjegjësitë që bien mbi ata që u përpoqën të fshehin krimin më të rëndë që nga çlirimi i Kosovës, nuk do të shënjoj (bëj TAG) asnjërin, që të mos ndihen keq për shkak të raporteve profesionale, miqësore apo politike që kanë me njerëzit që do të apostrofohen në këto shkrime.Çdo njëri është i lirë ta lexojë, ta shpërndajë apo të mos i hedh syrin fare.

Shpërndaje artikullin në: