“Berishës dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në SHBA!”
Kryeministri Rama në seancën e sotme në Kuvend ‘thumboi’ Sali Berishën, kur e pyeti: ‘N’ mundsh a e kalon Oqeanin?’ duke lënë të kuptohet se ambasada i ka hequr vizën për në SHBA. Gazetari Artan Hoxha u shpreh në Report Tv se sipas burimeve, Berishës dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në SHBA.
“Ka pasur një lajm që ka qarkulluar që para dy javësh që ka një vendim nga DASH. Vendimin e merr DASH, në të gjitha rastet e deri tanishme e merr ky institucion. Është folur se është marrë një vendim edhe për ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij. Por në rastin konkret kjo qarkullonte si një lajm i pakonfirmuar. Në seancën e së hënës në parlament, nëse e kujtoni Rama bëri një insinuatë, i tha Berishës që të ka trullosur mesazhi që të ka ardhur, por nuk e vazhdoi më tej. E tha, mesazhi që të ka ardhur, ti e di nga të ka ardhur. Kjo është gjuha e koduar që përdorin politikanët.
Tani, sot kryeministri bëri kriptimin, publikoi atë që e hodhi javën e kaluar dhe pyetja që iu bë Berishës, n’ mundsh a e kalon Oqeanin? Duke lënë të kuptohet që SHBA e ka ndaluar udhëtimin e Berishës. Gjëja që më bëri të dyshoj ishte reagimi i Berishës, shpjegimi që nuk udhëton se nuk përfaqëson më zyrtarisht PD-në. Rama i tha: ti ke qenë në Bundestag. Informacioni është që DASH ka bërë një listë, që politikanët shqiptarë nuk do ta kenë kaq të lehtë këtë radhë. Çdo njeri që ka penguar reformën në drejtësi do të ketë masa. DASH e ka bërë publik vendimin në rastet e kaluara, ne nuk e kemi marrë vesh ditën kur është marrë. Burime thonë se ky vendim është marrë, por ne nuk e kemi parë.
Duke pasur parasysh eksperiencën e vendimeve të para, merret vendimi, merret pak kohë më pas publikohet. Deri tani njerëzit e ndaluar kanë qenë ata që kanë penguar reformën në drejtësi apo kanë pasur lidhje me afera kriminale. Vendimi thuhet se është marrë për familjen Berisha, por kjo gjë vërtetohet kur të dalë vendimi në faqen zyrtare. Nëse Rama e ka marrë përmes kanaleve diplomatike dhe e ka hedhur për lojë politike, mua nuk më duket shumë korrekte. Nuk do të doja të merrej një vendim i tillë, Berisha ka qenë dominuesi i politikës shqiptare për 30 vite, ka marrë të gjitha pozicionet më të larta. Por nëse është e vërtetë, kemi hyrë në fazën kur SPAK-u ka nisur betejën”, deklaroi Artan Hoxha.