Bardhyl Mahmuti-Nuk mbahet një minutë heshtje për nazistët që kryen gjenocid
Serbi, Pozharevac, Burgu «Zabela»
Maj 1985
Për çdo përvjetor të vdekjes së satrapit Josip Broz Tito organizohej rituali i mbajtjes së një minutë heshtjes. Më 3 maj 1985, një ditë para përvjetorit, në çdo pavijon të burgut u lexua urdhëresa e drejtorisë së burgut për nderimet që duhej t’i bëheshin atij që ishte i zhytur deri në fyt në gjakun e dhjetëra mijëra shqiptarëve të ekzekutuar pa gjyq.
Në momentin kur duhej të binte sirena që shpallte fillimin e ritualit Afrim Zhitia ishte në dhomën e paraparë për vizitat e kontrolluara të të burgosurve politikë shqiptarë. Gardiani i burgut kërkon nga Afrimi që të ngrihet në këmbë dhe të respektojë minutën e heshtjes. Afrimi refuzon t’i bindet gardianit dhe nuk pranon të mbajë heshtje për vdekjen e Titos.
Në të njëjtën kohë, në pavijonin numër 6, në paradhomën e bllokut ku flinim ne ku ishte i vendosur televizioni dhe mund të shërbente si sallë leximi, hyri gardiani përgjegjës. Në momentin kur ra sirena të gjithë të burgosurit e përkatësive të ndryshme etnike u ngritën në këmbë dhe filluan të mbajnë minutën e heshtjes. Unë, Fetah Shemsiu dhe Kadri Luzha ishim të vetmit shqiptarë të burgosur politikë në atë bllok. U kërkua nga ne që të ngriheshim në këmbë por refuzimi jonë ishte kategorik.
Me 9 maj, si çdo të premte, ftoheshin të burgosurit që kishin shkelur rregulloren e burgut në ballafaqim disiplinor.
Në këtë ballafaqim ishim së bashku me Afrim Zhitinë, Fetah Shemsiun dhe Kadri Luzhën. Drejtori i burgut, që kishte qenë pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore, e hapi ballafaqimin me një akuzë drejtuar nesh: «E di që e konsideroni armik, por është dashur të respektoni për shkak të rolit të madh që ka pasur si gjatë luftës ashtu edhe pas saj. Gjatë luftës, kur vritej ndonjë nazist që kishte funksione të larta shtetërore në Gjermani, ne mbanim një minutë heshtje».
Përgjigja jonë ishte e prerë: Ne nuk jemi të tillë që mbajmë një minutë heshtje për nazistët dhe ata që i kanë duart e përgjakura me gjak shqiptari!
I tërbuar nga zemërimi, drejtori na komunikoi vendimin për dënim me nga një muaj vetmi!
Nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se tri dekada. Kosova është e lirë e në themelet e lirisë së Kosovës është edhe gjaku i Afrim Zhitisë, Hero i popullit!
Themelet e Kosovës së lirë janë të përgjakura edhe nga gjaku i Fatmir Mustafës, Skender Paqaradës, Avni Abazit, Mehmet Sefarit, Isa Mustafës, Xhemshit Smajlit, Behxhet Ferizit, Mentor Mehanës, Shefki Kosumit dhe shumë viktimave të ekzekutuar nga Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Sa aktuale më duket qëndrimi që kemi pasur në burg e Pozharevacit, në qytetin e lindjes së Millosheviqit. Vërtetë nuk mbahet një minutë heshtje për nazistët që kryen gjenocid dhe që i kanë duart e përgjakura me gjak shqiptari..