Azem Hajdari nuk është heroi im!
Bedri Islami -Në ditët e fundit, duke marrë shkas nga përvjetori i 20-të i vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, u bënë aq shumë manifestime dhe përkujtesa, sa që mund të mendoje se gjithçka në këtë muaj vjeshte është e lidhur vetëm me emrin e tij. Ish presidentë dhe presidentë, ish kryeministra e shefa qeverie, ministra e sejmenë, të urtë dhe të çartur, të hedhur tej dhe të futur rishtas në politikë, njerëz që kanë pasur miqësi me të dhe të tjerë që thanë, “na u lirua një vend”; ata që e kanë mallkuar dhe që e kanë dashur, ata që e përbuzën sa ishte gjallë dhe që fërkuan duart pas vdekjes; ata që e quajtën sharlatan dhe spiun i sigurimit të shtetit dhe ata që e deshën përnjëmend, familjarë e të largët, të gjithë u ndalën, në atë shumësi sa ishin, për t’u betuar, për të shenjuar një luftë të re, kësaj radhe me çdo çmim, edhe pse çmimi që pagoi Hajdari ishte tepër i lartë për të dhe familjen e tij.
Mbrëmë në darkë, duke hyrë 14, pra dita e sotme, disa do të kujtojnë grushtin e shtetit që desh realizuan, disa do të kujtojnë se si arkmorti i shkretë u përdor si dash i mesjetës për të shembur dyert e Kryeministrisë; dhe, vetëm më të afërmit do të kujtojnë se si ky arkmort u braktis në shkallët e qeverisë, sapo u dha “kushtrimi” se u rrëzua qeveria dhe se si, thujase asnjëri nga këto që derdhin lotët e shumtë sot, nuk ishte në aktin e varrimit të të ndjerit.
Nuk ishte as Berisha, që mori urdhrin për të futur bishtin ndër shalë, dhe, si nuk e kishte pritur, për të kthyer prapsht taborret që çirreshin “duam babë Saliun”,nuk ishte as ai Spahia i legalistëve, që u bë pjesë e një pakti republikan; nuk ishte, jo që jo, Basha, që asaj kohe mund të ishte duke llogaritur punët në Rinas; nuk ishte as Meta që po i drejtohej postit të zevendeskryeministrit; nuk ishte as Kryemadhi, sepse atëherë Azemi ishte njeriu i rrezikshëm i tyre, të cilin, megjithatë, herë pas here, e përdornin si top, majtas e djathtas…; nuk ishin e nuk kishin se të ishin as këta pinjollët e rinj të pëdëistëve, që tani rrahin gjoksin dhe duan të bëjnë një “revolucion të vonuar pëdëist”.
Më 14 shtator Azemin, deri tek shkallet e qeverisë, e përcollën qindra vetë; në krye të tyre ishte Izet Haxhia, që nuk e dinte se duke shkuar drejt shkallëve të qeverisë me këtë arkmort, po i përgatiste një të tillë jetës së tij; ndërsa, nga shkallët e qeverisë dhe deri tek vendpushimi i fundit, e përcollën vetëm miqtë tij të ngushtë, që, pavarësisht se si e kishin njohur atë, ndjenin dhimbje.
Ndoshta shumë njerëz e kanë harruar, por në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Azemi ka qenë kanditat e më pas deputet i qytetit të Shkodrës. I lagjes Guerile, apo si i thonin me të vjetrën, Kiras. Çuditërisht, pikërisht në atë lagje ku edhe kanë ndodhur shumë krime e janë ngritur shumë enigma pas vitit 1990. Edhe vrasjet e fundit kanë ndodhur në atë lagje, por banorët e qetë të Kirasit, nuk janë të fajshëm për këtë.
Ka qenë pikëpyetje e madhe nëse Shkodra do e pranonte Azemin si deputet të saj. Shkodra dikur nuk kishte pranuar si deputet një figurë të shquar si Bajram Curri, të cilin e kishte dashur e nderuar mijëra herë më shumë se Azemin, gjithnjë me arsyetimin se, Curri është burrë i shquar, atdhetar i madh, por Shkodra ka njerëzit e saj. Nejse, Bajram Curri, me elegancë dhe finesë, ishte refuzuar, Azemi ishte pranuar.
Në njërin nga takimet me banorët, Berisha, asaj kohe në fillimet e agresivitetit të tij të mëpasmë, i merakosur nëse Azemi mund të fitonte, mori përgjigen e pamenduar nga një banor i vjetër: “Edhe Nexhmijen, po e solle ti, e pranojmë. Vetëm të jetë e ytja”.
Pra, nuk kishte pasur lidhje me njeriun, por me pritshmërinë. Koha kishte ndërruar. Ishte e mjaftueshme të kishe vetëm një shenjë partiake dhe askush nuk do të pyeste se cili je, çfarë bën, i kujt je.
Në të gjithë rrethin e Shkodrës fitoi PD-ja në marsin e vitit 1991, vetëm në Koplik fitoi Çun Jonuzi. Një komunist i vjetër, shumë më libral se të gjithë demokratët deputetë sëbashku.
Për herë të parë Azemin e kam parë në Shkodër me 1 prill 1991. Ai kishte qenë edhe më herët, por nuk më kishte rastisur. E pashë në ballkonin e selisë së PD-së në Shkodër, që asaj kohe ishte në qendër të qytetit. I kreshposur, i nervozuar, emocional, deri në shkallafatje, si i thonë në Shkodër.
Ishte një ditë e bukur. Shkodra ishte zgjuar e shqetësuar, një nerv i pagjetur, por i ndjeshëm rridhte mes trupit të pritjes njerëzore dhe askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. Lajmet ishin kontradktorë. Qytetet i kishte fituar PD-ja, që disa ditë më parë kishte bërë një meting dhjetra e dhjetra mijra vetësh; fshatrat i kishte fituar PP, pas një metingu në pallatin e Kongreseve dhe një fjale të vakët të Ramiz Alisë.
Në sallën e pallatit të Kongreseve, mezi e mbushur, njerëzit ishin të angështuar, me kostume, shumica të zinj, kollare dhe këmisha të bardha.
Në sheshin e PD-së liderët ishin me pardesy të bardhë. Të gjithë, njëri pas tjetrit, si një shenjë njohjeje.
Edhe Azemi kishte veshur pardesynë e tij. Në mëngjes kisha takuar edukatoren e tim biri që po qante e ngashëryer. I kishin thënë se disa qindra vaporë të mëdhenj po prisnin në Bari e Brindizi, plot me ndihma, nëse do të kishte fituar PD-ja. “Na iku shansi, – më tha”. Vaporët po kthehen prapsht”. E kishte aq seriozisht, sa që nuk arrita t’i thoja asgjë, megjithëse ishte motra e një mikut tim të afërt. Kishte filluar koha e marrëzive. Sapo kishim dalë nga një çmenduri, po shkonim drejt një tjetre.
Me kolegun tim, Jani Malo, dolëm nga zyrat e gazetarëve të shtypit qendror në Shkodër dhe u ndalëm. Azemi po fliste. Poshtë brohorisnin dhe pse nuk e dëgjonin mirë. Kur bëhej qetësi, zëri i tij ngrihej. U shtanga. Ai bënte thirrje për përmbysje, për gjak, për ngritje, për gjithçka që një njeriu normal, sidomos në fillim prillin e vitit 1991, as që i shkonte ndër mend.
-Po ky hajvan, çfarë thotë? , i mëshova Janit. Kërkon të përmbysë Shkodrën? Për cilët kërkon shkatërrim e dhunë?
Jani më tërhoqi krahun dhe më tha të mos flas, se njerëzit janë të acaruar dhe se mund të ndodhte gjithçka.
Azemi vazhdonte të fliste dhe u tregoi njerëzve rrugën nga duhej të demonstronin, pasi votat u ishin vjedhur, pushteti u ishte grabitur, se komunistët po përgatiten për grusht shteti etj.
Njerëzit u vunë në lëvizje. Njëri pas tjetrit. Radhët po shtoheshin dhe shkuan aty ku i ftonte deputeti i sapozgjedhur. Deputetët e tjerë, të gjithë banorë të Shkodrës, nuk ishin aty. As Pjetër Arbnori dhe Ali Spahija nuk ishin. Kur turma lëvizi kërcënueshëm, por ende e pakët, Azemi nuk u duk më.
Në darkë kishte qëndruar në shtëpinë e një mikut tonë, Markut. Kishte ngrënë tri vezë dhe fasule dhe, pasi ishte mbështjellë nën një fustan të zonjës së shtëpisë, ishte struktur në sediljen e pasme të automjetit dhe kishte udhëtuar drejt Tiranës.
Askush nuk e di se çfarë është biseduar me disa nga drejtuesit e PD-së në heshtjen kohore mes mitingut në sheshin kryesor të qytetit dhe deri tek largimi i tij në mesin e natës.
Në mëngjes ai kishte qenë në njërën nga kafet kryesore të qytetit, ndërsa, në të njëjtën orë, në Shkodër kishte filliuar dy prilli.
Dhe fundi i 2 prillit dihej. Katër të vrarë, të gjithë të rinj, më i moshuari Nazmi Kryeziu dhe më i riu Arben Broci.
Arbeni ishte varë i pari. Sipas raportit të komisionit parlamentar, të prirë nga PD-ja, Broci ishte vrarë nga një armë e prodhimit artizanal. Autopsia e tij nuk është bërë asnjëherë. Azemi e harroi shpejt shokun e tij student, ashtu si shumë fillestarë të tjerë e harruan Azemin.
Ndoshta jam i pasaktë, ndoshta jam i gabuar: por që asaj dite kam pasur e vazhdoj të kem bindjen se e keqja në Shkodër, e që nuk po ndalet, filloi pikërisht nga 1 prilli i vitit 1991, që nga çasti kur Azem Hajdari bëri thirrjen e parë të hapur për përmbysje, për dhunë dhe marrjen e pushtetit përmes rrugës.
Që nga ajo ditë, e cila çuditërisht është filmuar vetëm nga TV i Malit të Zi, ardhjet e Azemit në Shkodër ishin të pakta. Nuk ishte më deputet i qytetit. Sa herë që prishej me të vetët, me këta që sot i ngritën dy monumente, ia përmendin 2 prillin dhe e akuzonin se pikërisht ai qëndronte pas vrasjeve të asaj dite.
Azem Hajdari nuk është heroi im. Nuk mund të bëhem kaq qaraman dhe pabuks, sa që të bëj një njeri të zakonshëm, i cili edhe nga të vetët është akuzuar dhjetëra herë që në dhjetor 1990 u dërgua nga Sigurimi i Shtetit, me patllake në xhep, një hero të jetës sime apo statura e një njeriu nga i cili duhet të marrim shembull.
Vdekja e tij e parakohshme ishte e pikëllueshme. Njeriu që e vrau ishte si ai, i zakonshëm, hasmëruar me gjysmën e qytetit të tij.
Komunistët kishin ideal Qemal Stafën, dhe, kur dua të krahasoj dy jetët, më merret fryma, pasi asnjë krahasim nuk qëndron. Qemali, Brutusi i letërsisë, njeriu i një zjarri të jashtëzakonshëm, mund të ishte ideali i një rinie që po lulëzonte gërmadhash.
Kushdo le ta ketë atë heroin e tij. Është në të drejtën e secilit.
Por unë kujtoj gjithnjë një letër që para shumë viteve më ka dërguar një njeri i shquar i gjithë diturisë sonë, mes të cilës më shkruante se “Azem Hajdari është fillim i kriminalizimit të Shkodrës”.
Të jetë e vërtetë?
Nuk dua të kem hero një njeri, të cilin, edhe të vetët, sa ishte gjallë, e kriminalizuan dhe kur e nxorrën në pritë, e bënë hero.