Anthony Joshua rimer titullin botëror nga Andy Ruiz Jr
Gjashtë muaj pas meçit që e tronditi botën e boksit, Anthony Joshua i është hakmarrë Andy Ruiz Jr, duke i rifituar titujt e tij të kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda në boks – WBO, WBA edhe IBF. Andy Ruiz Jr ia rrëmbeu Anthony Joshuas tre titujt e tij të kampionit botëror në boks, mirëpo tani britaniku i ka rifituar këta titujt, duke e mposhtur Ruizin me vendim unanim të gjyqtarëve, raporton Gazeta Express.
Në rundin e parë, Joshua ishte dominues, duke ia shkaktuar një çarje mbi syrin e mjatë Ruizit me një goditje të fortë.
Joshua e vazhdoi meçin me të njëjtën rrjedhë edhe gjatë rundit të dytë, duke e goditur disa herë fuqishëm Ruizin, i cili gjithashtu arriti t’ia shkaktojë Joshuas një të çarë mbi sy gjatë rundit të dytë.
Edhe rundi i tretë kaloi me pothuajse të njëjtën rrjedhë, ndërsa goditje më të fuqishme ndodhën në rundin e katërt, kur Joshua u tregua më i ashpër, ndërsa edhe Ruizi ia ktheu me të njëjtën monedhë në momentet e fundit.
Joshua ishte më i mirë në rundet vijuese, mirëpo u zemërua kur Ruiz e goditi pasi ra zilja për herë të dytë në dy runde radhazi. Në rundin e tetë, Ruizi arriti t’ia japë disa grushte më të fuqishme Joshuas, i cili dukej ende i zemëruar.
Rundi i tetë dhe i nëntë i takuan Ruizit, mirëpo Joshua u kthye më fuqishëm sërish në rundin e dhjetë, duke lëvizur më shumë në ring dhe duke mos e lejuar Ruizin ta grushtojë atë, por duke i përdorur duart e tij të gjata si epërsi për ta goditur rivalin.
Në rundin e 11-të, Joshua ishte sërish më i miri dhe u bë e qartë se Ruizi kishte nevojë për nokaut për ta fituar këtë rimeç, pasi që Joshua kishte grumbulluar më shumë pikë gjatë 11 rundeve paraprake.