Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Është vështirë e përfytyrueshme, por, në të njëjtën kohë, e vërtetë. Të gjitha vrasjet dhe ngjarjet e rënda, që kanë pasur si shkak një kahje politike, kanë ndodhur duke qenë e pranishme ajo pjesë e saj që ka lidhje me opozitën e tanishme.

Ndoshta fillesa e saj ishte e tillë që nga ajo e ndodhur në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, menjëherë pas vendosjes së pluralizmit, ngjarja e Fushë Arrësit, ku banda të lidhur me politikën, disa të ardhur nga zonat afër qytetit të vogël, dogjën magazinat, dhe së bashku me to edhe shumë njerëz; shkatërrimi sistematik i gjithë pasurisë së shtetit shqiptar në 40 vite, me uzina, fabrika, kombinate, vreshta, plantacione, miniera; teoria e Çekut të Bardhë dhe e fillesës nga zero; kompozicioni drejtues ,“ ne qeverisim, bota na ndihmon”, vrasjet e 2 prillit 1991, ku nga vetë selia e tyre u akuzua si organizator një ndër njerëzit e saj më të besuar, Azem Hajdari;  ndodhitë në dërmimin e protestës së të majtës në vitin 1996, gjendja e jashtëzakonshme e vitit 1997 dhe dërgimi i forcave të mobilizuara të metingashëve të Veriut për të dërmuar banorët e jugut të Shqipërisë, shpejtësia me të cilën desh të hidhej në erë ura e Mifolit, vrasjet e ndodhura në qytete të ndryshme, satistikat e dhimbshme dëshmojnë mbi 3.800 të vrarë, rrahja e gazetarëve dhe djegia e selive të tyre, grushti i shtetit i shtatorit 1998, nxjerrja në pritë e Hajdarit, marshimi i falangistëve mbi godinat qeveritare, masakra e Gërdecit për hir të një pjese të familjes kryeministrore, vrasjet e 21 janarit….për vetë pushtetin kryeministror, vrasja e një militanti të së majtës në zgjedhjet politike të vitit 2021, krijimi i grupeve naziskine për mbrojtjen e votës, dhe tani, vrasja e një oficeri të policisë, pikërisht nga njëri nga naziskinët e opozitës, i cili, për më tepër, merret në mbrojtje nga deputeti i zonës.

Përse ndodhi kështu?

Asnjë nga ngjarjet e mësipërme nuk është zbardhur deri në fund, të gjitha kanë mbetur anonime. Megjithëse gjithëherë janë ditur fajtorët, përsëri nuk ka pasur të dënuar, e, për shumë prej tyre, as të hetuar.

Askush nuk është hetuar deri tani përse u hodhën në erë gjithë pasurië e krijuara, e së bashku me to edhe ato të forcave të armatosura, një pasuri që kishte vlerë miliarda dollarësh. Nuk ishte një vlerë  e krijuar nga nomenklautura e lartë komuniste, por nga njerëzit e zakonshëm, që i ishin përkushtuar vendit të tyre.

Njëjtë si me hidrocentralet që, kur nuk u hodhën në erë ose nuk u shkulën nga rrënjët, aty ku mundën, u shitën. Njëjtë si me minierat , që pasi u mbyllën, ato që mbetën, shkuan në duart e oligarkëve. Njëjtë si me fushat e naftës, që, nga pasuri e të gjithëve, u bënë para gjaku për një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin.

Pa u bërë një vit nga ngjarjet e 2 prillit 1991, në pushtet erdhën pikërisht frymëzuesit, organizatorët e ndoshta aktorët e vrasjeve të 2 prillit. Asgjë nuk u zgjidh, asgjë nuk u zbulua. U dënuan disa të pafajshëm, vetëm për të qetësuar njerëzit dhe për të fshehur fajtorët e vërtetë.

Pushteti i PD-së bëri heronj ata që kishin djegur dhe nuk zbuloi ata që kishin vrarë. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, atëherë do të dihej adresa e tyre, ashtu si edhe frymëzimi i tyre. Raporti i mbajtur nga deputeti i PD-së, Emin Musliu akuzonte drejt për së drejti njerëzit që, përmes armëve të prodhuara në mënyrë artizanale në uzinën e dikurshme mekanike “ Drini”, kishin bërë vrasjen e Arben Brocit. Kush e vrau atë? Askush nuk e di, edhe ata që e dinin, tani mund të mos jenë më në jetë, ose të larguar që nga viti 1992 jashtë Shqipërisë. Ndonjëri prej tyre ende nuk ka riardhur në Shqipëri.

Ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në Shqipëri kanë pasur gjithnjë autorë, por gjithnjë të mbetur në heshtje, enigmë e ditur, por e pa thënë, ku nuk kanë mundur të futen as prokuroria, as hetuesit, as gjykatat, që të gjitha të lidhura me pushtetin, përfitues nga pushteti dhe të korruptuar si ai.

Përse e djathta është vazhdimisht pjesë e këtyre ngjarjeve dhe shpesh herë autore e saj?

Gërdeci është njëra prej tyre. Shpërthimi nxori në dritë fatalitetin e pushtetit të lidhur me krimin dhe kryqëzoi pushtetin kryeministror. Ai dëshmoi se afër Tiranë,s një fshat ishte kthyer në geto, ku punonin edhe fëmijët duke luajtur me vdekjen. Sikur asgjë tjetër të mos kishte ndodhur, sikur as një shërthim të mos kishte pasur, vetë fakti i shfrytëzimit të fëmijve për një kafshatë bukë, çka ngjante vetëm në romanet e Dikensit, kërkonte ndëshkim meritor, pavarësisht se kush fshihej pas tyre, djali i kryeministrit apo vajza e një zëdhënësit të tij meskin. Krimi kishte emër, por emrin nuk guxoi ta përmendë askush.

Ndodhi 21 janari. Tani dihen të gjitha çfarë ndodhën. Shteti i doli zot krimit, dekoroi she shpërbleu vrasësit, kurse drejtësia, edhe pas rënies nga pushteti të Berishës, u bë palë me krimin. Heshtja është shenjë e pranimit të disfatës, aq më tepër në një rast të tillë. Çfarë ndodhi brenda selisë kryeministrore në 21 janar? Kush dha urdhër?

Në shkrimin e tij redaksional të ditës së djeshme, analisti i njohur Mero Baze, duke trajtuar vrasjen e një polici në detyrë, nga një pjesëtar i Mbrojtjes së Votës dhe deklarimet e deputetit opozitar Baçi në mbrojtje të tij, shënon se , “ Ky në të vërtetë është stili i Berishës, i cili kurrë nuk implikohet direkt në urdhërim vrasjesh apo dhunimesh, por u del zot kriminelëve që e bëjnë këtë më pas”.

Zoti Baze është nga njohësit më të mirë të Berishës. Për shumë vite ai ka qenë alter ego i tij dhe kishte një kohë kur nuk dihej se kush qeveriste, ai apo zoti Berisha. Ai e njeh mendësinë e tij, botën shpirtërore, mënyrën e qeverisjes. Por a implikohet direkt Berisha në urdhër dhënie vrasjesh apo dhunimesh?

Ekziston një inçizim nga metingu në Tropojë, që hapi siparin e një shumësi vrasjesh të djemve të kësaj zone. Në këtë inçizim zanor dëgjohet kreu i Rithemelimit, duke thënë për një nga vllezërit Haklaj se ,“ e dua gjallë ose vdekur”. Ndoshta për dikë nuk është implikim direkt, por çfarë mund të jetë?

Beson kush se gardistët kanë qëlluar vetëm me udhër të Ndrea Prendit, që ishte sy nxirë në atë moment, për të qëlluar drejt trupave njerëzorë? E vështirë të besohet? Mund të mendojë kush se këtë urdhër e ka dhënë Lulzim Basha? Lulzim Basha ka zot vetëm paratë e asgjë tjetër, asnjë trimëri, asnjë forcë, vetëm nëse është puna për të dekonspiruar apo sajuar , si në rastin e Shtëpisë së Verdhë! Mund të mendohet se vrasjet janë bërë pa një urdhër mbi shefin e gardistëve? Vështirë të besohet!

Po ashtu, vështirë të mendohet se lëvizja grusht shteti e shtatorit 1998 është bërë pa urdhër, ose zaptimi i RTSH është vetëm nga Spahiu i legalistëve! Mendon kush se Remzi Hoxha u zhduk se ashtu deshti Sefgjini? E vështirë të mendohet!

Ajo që ndodhi në qytetin e Elbasanit në 2021, edhe ajo që ndodhi para ak ditëve në një fshat të Fierit kanë për autorë dy njerëz, që, edhe pse mund të mos njihen me njëri tjetrin, kanë një farkues të përbashkët : Gazmend Bardhin. Njeriun që i ideoi këto grupe, të mbrojtjes së votës, si grupe desante, që, përmes armës kërkonin të ishin pjesë e pushtetit. Berisha vërtet i mbron këto njerëz pas krimit, por kush i dërgon drejt krimit?

Kush u jep forcë atyre dhe u premton mos ndëshkimin?  Se njerëz që janë të gatshëm të nxjerin armën, qoftë mes qytetit të Elbasanit, qoftë në një cep rruge të humbur, kanë një burim, një shtysë drejt krimit, që nuk është thjeshtë i ideuar nga një njeri i vetëm, por nga një sistem anti vlerash, që duhet të marrë fund.

Para se të jetë një bankën e të akuzuarit apo në burg njeriu që qëlloi në Elbasan, edhe ai ish punonjës i forcave të rendit në kohën e Berishës, apo i riu në Fier, nga një famlje e lidhur me vrasjet, metingash i opozitës, duhet të jetë njeriu që ideoi këtë strukturë, e pajisi me mjete, e joshi përmes pushtetit të së ardhmes, e mbrojti pasi kreu krimin dhe u bë palë me krimin.

Sepse një kriminel mund të dënohet, por, nëse nuk ndërpritet forca që marrin , joshja që u jepet, shtytja që kanë pas vetes, krimi mund të përsëritet.

E ngritur në sistem, dhuna është tipar i lëvizjes politike opozitare që në krye të herës.

Vitet nuk e larguan nga sistemi i ngritur, megjithëse forca nuk është e njëjtë.

Që të mos përsëriten gjërat duhet shembur sistemi. E mbani mend, dikur filloi me falangat në emër të Azem Hajdarit, veshur në të zeza, që u shnderruan pastaj në falangat e mbrojtjes së votës, që hedhin molotovë sot mbi një seli shtetërore, që nuk është shtëpia e askujt, që pasi vrasin, mbrojnë krimin, dhe që nesër, nëse do të jenë ndonjëherë në pushtet, do e amnistojnë atë.

Burimi

Gazeta Dita

https://gazetadita.al/a-implikohet-direkt-berisha-ne-urdher-dhenie-vrasjesh-apo-dhunimesh
Shpërndaje artikullin në: