PAGËZIMI DHE MARTESAT SHQIPTARE
Beqir Elshani-Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë Kaloi koha kur Bibla dhe Kurani lexoheshin në gjuhët origjinale. Tani këta libra të shenjtë botohen të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Sot lipset që populli shqiptar t´i pagëzojë fëmijët me emra vetjake shqiptarë. Gjuha shqipe, jo vetëm që është një ndër gjuhët më të vjetra në Ballkan dhe në Evropë, por ka edhe fushë të gjerë antroponimike. Shqiptarët le të shkojnë edhe në xhami, edhe në kishë, por të obligohen që fëmijët e tyre të pagëzohen me emra vetjake të gjuhës dhe kulturës shqiptare, sepse mbi të gjitha siç shkruan Vaso Pashë Shkodrani: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Institucionet fetare duhet të bashkëpunojnë me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë rreth pagëzimit të fëmijëve me emra të antroponimisë shqiptare.
Emrat vetjake shqiptarë mund të botohen si shtesë edhe në fjalorët e ndryshëm të gjuhës shqipe. Si ndihmës literature është edhe libri me emra shqiptarë i botuar nga autorët Qamil Batalli dhe Hasan Hasani: “Si t´i pagëzojmë fëmijët”. Këtë libër është kënaqsi ta ketë çdo familje shqiptare, i cili njëherit kryen funksionin e leksikonit nga fusha e antroponimisë së trashëgimisë iliro-shqiptare. Vetëm nga emri i mbretit ilir Genci mund të përfitohen emra të ndryshëm, siç janë: Genti, dhe Gentiani të gjinisë mashkullore, kurse Genta e Gentiana të gjinisë femërore. Pastaj nga emri i vjetër i qytetit ilir Theranda, mund të përfitohen emra të ndryshëm po aq edhe të bukur: Erandi dhe Eranda. Jo vetëm kaq, emrat e gjuhës shqipe janë elastik, që vetëm nga emri i përgjithshëm drita të gjinisë femërore mund të krijohen emra të ndryshëm të përveçëm, siç janë: Drita, Dritana, Dritare, Dritëza, Dritime, Dritona, Dritore, Dritushe, të gjinisë femërore dhe, Dritani, Dritëro, Dritimi, Dritoni, Dritori, Dritoshi, Dritushi të gjinisë mashkullore; por edhe emra të përngjitur Dritjona dhe Dritjoni etj. Sipas librit “Si t’i pagëzojmë fëmijët” (me emra të renditur alfabetikisht), i cili është i ndarë në dy gjini kryesore: mashkullore dhe femërore, shihet se emrat në gjuhën shqipe të gjinisë mashkullore marrin mbaresën e trajtës së shquar ~i dhe ~u; psh.: Artan~i, Sokol~i, Astrit~i, Gjerak~u, Zambak~u; kurse emrat e gjinisë femërore marrin mbaresën e trajtës së shquar ~a: Alban:ë~a, Erlet:ë~a, Abetar:e~ja, Ilir:e-ja, Lul:e~ja etj.
Duhet patur parasysh se këtë veçori karakteristike me mbaresa morfologjike që kanë të gjithë emrat e përveçëm në gjuhën shqipe nuk e kanë emrat e huazuara nga gjuhët e huaja, siç janë emrat mashkullorë: Nikoll:ë~a, Gjok:ë~a, Tom:ë~a, Mustaf:ë~ai, Zek:ë~a, Ram:ë~a, Dem:ë~a, Xhem:ë~a, etj. Dëshirohet që fëmijët e prindërve shqiptarë të kenë emra të trashëgimisë kulturore shqiptare, pa marr parasysh bindjet e tyre fetare; në mënyrë që emri Drita dhe Dritani të jetë i barabartë për të gjithë fëmijët e ardhshëm shqiptarë pa dallim feje. Është fjala vetëm për pagëzim me emra të fjalorit të gjuhës shqipe, pa i cenuar normat fetare. Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë me emra të trashëgimisë autoktone iliro-shqiptare është detyrë e shenjtë ndaj gjuhës dhe ndaj atdheut. Kundërshtimi fanatik i pagëzimit me emra shqipe, njëherit do të thotë kundërshtim me Biblën dhe Kuranin shqip. “Zakonet e lindjes janë shumë të vjetra dhe i takojnë stadit të paganizmit. Prandaj fetë e reja, krishtere dhe muhamedane sado që kanë prekur e kanë ndikuar në ritet e lindjes, prapëseprapë nuk ia kanë dalur në krye ta zhdukin elementin pagan, i cili madje edhe dominon,” shkruan Dr. Demush Shala në librin e tij universitar “Letërsia popullore”. Ne kemi patur raste kur disa fëmijë shqiptarë ankoheshin tek prindërit e tyre: përse nuk quhen Teuta, Agim apo Dardan, por Osman dhe Zarife, ose Pjetër dhe Katarina. Me anën e këtyre emrave jashtë leksikut të gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë krijohet një kompleks me pasoja psikologjike. Gjatë mësimit të gjuhës suedeze mësuesja praktikonte që në tabelë të shkruante emra të ndryshëm të nxënësve sipas përkatësisë së tyre kombëtare, ku në klasë ishim dy shqiptarë me përkatësi të ndryshme fetare, atëherë ne detyroheshim që të tregonim emra vetijak shqiptarë, dhe jo fetare siç janë: Vjosa, Lindita, Gëzimi, Artani etj. Për çdo kritikë është edhe pagëzimi me emrat e personaliteteve të ndryshme botërore, siç janë: Albert, Elvis, Robert, Indira, Elizabeta, Suzana, që janë krejtësisht të huaja dhe kumbojnë si emra karrieristë të kozmopolitizmit. „Si shenjë e kësaj vazhdimësie, fëmijëve shqiptarë kur lindin, u vihen emra ilirë, – shkruan studjuesi anglez Robert Elsie. – Ndonëse pa dyshim kemi një element subjektivizmi, nuk ka kurrfarë dëshmish që shqiptarët të jenë të adhur në atdheun e tyre të sotëm nga gjetiu. Prandaj mund të supozojmë se trungu ilir përbën një element bazë të qenies së tyre.” (Robert Elsie: Historia e letërsisë shqiptare. – Dukagjini, Tiranë – Pejë, 1997). Sa i përket emrave historikë të kulturës, letërsisisë dhe historisë kombëtare, siç janë të: Sami dhe Naim Frashërit, Mihail Gramenos, Sevasti Qiriazit, Bajram Currit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Adem Jasharit, Fehmi Lladrovcit etj. janë emra personalitetesh të shquara kombëtare që populli shqiptar i nderon, me emërtimin e rrugëve të qyteteve, objekteve shkollore, klubeve si dhe shumë institucioneve të ndryshme kulturore.
Duhet të kemi parasysh dashurinë e tyre të madhe ndaj Nënës Shqipëri, prandaj dëshirohet që fëmijët të pagëzohen vetëm me emra të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Konkretisht porosia ime e fundit që do t´ju lë fëmijëve të mi është që emri im Beqir të nderohet si personalitet familjar, por jo të trashëgohet, sepse nuk i përket fjalorit të gjuhës shqipe; kurse emrat e fëmijëve të mi, për të cilët kam bërë një luftë kundër ndikimit fetar: Arben, Dritan, Dardan, Adriatik dhe Genta janë emra shqiptarë, ndaj mund të trashëgohen brez pas brezi. Kujtoni fjalët e poetit të madh, Naim Frashërit: Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë. Vetëm me këto vargje atdhedashurie obligojnë që çdo shqiptari t´i dali zot çështjes sonë të madhe kombëtare. Pagëzimi i fëmijëve të porsalindur me emra bashkëkohorë shqiptarë, njëherit do të thotë emancipim kombëtar të cilën kuzhina serbe me çdo mjet e ka penguar. Mbiemrat e bukur me burime shqiptare Ashtu siç është e pasur gjuha shqipe me emra të bukur njerëzish, është e pasur edhe me mbiemra të bukur dhe të vjetër fisnor: Krasniqi, Kuqi, Berisha, Gashi, Thaçi, Kastrati, Elshani, Kodra, Lumi, Malaj, Zogu, Drini, Anamali, Fusha, Bjeshka, Sokoli etj. Duhet patur parasysh se fusha e antroponimisë së mbiemrave shqipe nuk është e varfër, përkundrazi është shumë më e pasur se mbiemrat e mbarë popullit gjerman me prejardhje të fisit kelt. Kjo është për shkak se të gjitha fiset e vjetra ilire janë shkrirë në bërthamën e vetme shqiptare.
Dihet që populli shqiptar nuk ka fise të pastërta fetare, por vetëm fise me burime shqiptare. Për shembull fisi Berishë dhe Krasniq në Kosovë është i përzier në dy konfeksione fetare: katolik dhe mysliman. Në bazë të mbiemrave vetiake shqiptarë të njerëzve ne mund të zbulojmë më lehtë përkatësinë kombëtare, sidomos në diasporën shqiptare. Nëse në derën e banesës së shqiptarit në diasporë shkruan me emër dhe mbiemër sipas përkatësisë fetare, bashkatdhetari e ka vështirë të konstatojë në është shqiptar. Në anën tjetër, të rinjtë shqiptarë me emra dhe mbiemra të traditës shqiptare shumë lehtë mund të identifikohen si shqiptarë në diasporë. Kur dikush paraqitet me emër dhe mbiemër shqip Lulzim Kabashi, padyshim shihet se ky nuk është askush tjetër pos shqiptar pa dallime fetare. Njëkohësisht, me anën e emrave dhe mbiemrave të kulturës kombëtare, rinia shqiptare identifikohet shumë lehtë se është me burim shqiptar.
Është e pamundur që familjet shqiptare të jenë pa mbiemra fisnorë të qytetërimit shqiptar, shumica e pleqve janë në gjendje të identifikohen me burim të djepit shqiptar, të cilët më vonë kanë marrë mbiemrin e ri mysliman sipas kryeplakut. Si vazhdim i traditës së kulturës iliro-shqiptare dallohen edhe bujqit shqiptarë, të cilët bagëtinë e tyre e thërrasin me emra të antroponimisë shqiptare, siç janë: Murroja, Kuqoja, Bozhurja, Gala, Gjeraku, Rudina, Sokoli, Syska etj. Prandaj do të ishte krim po të thërrisnim bagëtinë shqiptare me emra sllav dhe turk. Krahas transformimit të gjuhës shqipe duhet të transformohet edhe antroponimia e emrave dhe mbiemrave shqiptare.
Dihet që gjuha shqipe është më e vjetër se kultura e pushtuesit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane, prandaj nuk jemi të detyruar që në mënyrë fanatike t’i përmbahemi mbiemrave sipas diktatit turk, e cila bie në kundërshtim me normat e gjuhës dhe traditës shqiptare. Ngjashëm porsi pushtuesi turk që me anën e emrave dhe mbiemrave turk u mundua të asimilojë popullin autokton shqiptar, të njëjtën gjë e zbatoi edhe pushtuesi serb.
Pushtuesit serb nuk i pengonin emrat dhe mbiemrat me prejardhje turke, edhe pse antroponomia shqiptare është e djepit të kulturës evropiane, por donte që nën vellon e kësaj shqiptarët t’i merrte për turq dhe në fund t’i dëbonte për në Anadolli. Psh. emri themelor bunar është fjalë e gjuhës shqipe që rrjedh prej fjalës burim (bunim), mirëpo për inat të shqiptarëve fjalorët sllavë shkruajnë se është me prejardhje turke. Këtu shihet se si me anën e emrave dhe mbiemrave të huaj ishim objekt i torturimit dhe i ndjekjes nga ana e pushtuesve të ndryshëm. Këtë atmosferë të zymtë me mbiemra orientale e përjetuan sidomos shqiptarët e Kosovës verilindore, dhe të Maqedonisë.
Sa i përket pagëzimit të fëmijëve me emra shqiptare Shqiperia ka përparuar dukshëm, mirëpo në fushën e mbiemrave me përkatësi fetare është treguar fanatike. Me mbiemra turko/myslimane manovruan kryesisht serbo/malazezo/maqedonët, të cilët mbiemrin Hasani e ndryshonin në Hasanoviq dhe në Hasanovski. Prandaj ashtu siç dallohen popujt sllavë me anën e mbaresave -viq, -ski, suedezët -son (i biri), duhet të dallohen gjithë shqiptarët pa dallime fetare me mbiemra të etnogje-nezës ilire, sepse është në të mirën e kombit dhe atdheut tonë. Plisi i bardhë dhe tungjatjeta Shovinizmi serb shkoi aq larg, saqë këndoi hymne raciste kundër pasthirmës tradicionale tungjatjeta – që është përshëndetje karakteristike shqiptare, po aq e vjetër, siç është vetë plisi i bardhë dhe kostumi ynë kombëtar. Policia jugosllave në bashkëveprim me burokracinë shqiptare, e cila në Kosovë njihet si viti i inkuizicionit serb, bëri edhe një lojë të ndytë duke dënuar dhe larguar shumë të rinj shqiptarë nga shkolla dhe puna vetëm pse e bartnin plisin e tyre të bardhë tradicional. Në anën tjetër, derisa në Beograd fotografitë e Titos shkarraviteshin dhe përfundonin nëpër nevojtore publike; në Kosovë bëhej tmerr dhe panik po qe se në librin shkollor të nxënësit nuk figuronte fotografia e Titos.
Ky ishte një lloj karremi inkuizicionist për torturimin psikik të popullit shumë të vuajtur shqiptar me përmasa tragjike, ku si pasojë e torturimit psikik ra viktimë nxënësja e shkollës fillore në Gjilan. Kjo është një dukuri e rrallë në botë, që për shkak të mungesës së fotografisë së “qenit”, siç e quante populli shqiptar në atë kohë, ia larguan babain nga puna, ku pas kësaj e bija bën vetëvrasje. Kjo ngjarje tronditëse të përkujton fshatarët trima zviceranë, ku sipas dramës “Vilhelm Teli” të Fridrih Shilerit detyroheshin të nderonin kësulën e mbretit austriak të vendosur mbi një hu, përndryshe vriteshin dhe u merrej pasuria. Këtu mungonte edhe angazhimin e personelit arsimor, që sipas normave pedagogjike ta pengonte komitetin komunal (inkuizicionin e kuq), që të mos ndërhynte në procesin mësimor të shkollës.
Pra vet shkollat duke treguar tolerancë ndaj komitetit satrap ishin fajtorë për shkeljen e etikës dhe normave pedagogjike, edhe pse ishte gjysmëvjetori dytë i vitit shkollor, gjë që është normale që librat gjatë përdorimit dëmtohen. Më në fund, librat ishin pronë private e nxënëses, dhe kurrsesi të shkollës, apo të bibliotkës. Ky ishte një nga mjetet e torturimit fashist në mënyrë që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës të jetonin nën ankthin e frikës dhe tmerrit sipas diktatit të obskurantizmit jugosllav. Ngjashëm veprohej edhe me anën e lojës së ndytë serbofashiste, e cila burgoste rininë shqiptare me plisa të bardhë. Kështu që rinia shqiptare mund të dilte me çfarëdo kapele në rrugë, pos plisit të bardhë, meqë kjo nuk i pëlqente Serbisë, por edhe burokracisë së Kosovës në pushtet. Ashtu siç nuk munden serbët të shikojnë diellin me sy, po ashtu edhe nuk mund ta shikojnë plisin e bardhë tradicional shqiptar. Sa i përket plisit të bardhë tradicional sot, shqiptarët e Kosovës në krahasim me shqiptarët në Shqiperi dhe në Maqedoni janë më të qëndrueshëm. Duket sikur disa shqiptarë po “evropianizohen” duke flakur plisin e bardhë, dhe kjo është gjë e gabuar. Kurse për shkak të ndikimit fetar shqiptarët e Maqedonisë bartin kapela arabe duke shkelur plisin e bardhë tradicional, që njëherit do të thotë mohim i gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare. Po kështu disa të rinj shqiptarë për interesa të ngushta komerciale e ndërrojnë emrin e tyre me anën e së cilës i shkelin normat e etikës kombëtare dhe fetare, dhe kjo ndodh më së shpeshti në Greqi, atje ku rrënjët e fundamentalizmit ortodoks janë më tendencioze. Po ashtu në Kosovë dhe në Shqiperi me ndikim të fesë islame disa vajza shqiptare rivishen me ferexhe. Ku po na shpie ky fanatizëm i zymtë?! Ne kemi veshjen tonë tradicionale shqiptare. Xhelozia ndaj ferexhes domethënë mohimi i veshjes popullore shqiptare, mohim i traditës kombëtare shqiptare që është trashëgim qysh nga të parët tanë. Kjo dukuri e fanatizmit bie në sy edhe në diasporën shqiptare, ku rendin disa të reja shqiptare të veshura, apo të mbuluara me ferexhe të zymta fetare. Këtu mund të ndihmojnë edhe organet fetare shqiptare duke ua përcjellur të rinjve shqiptarë se ne kemi veshjen tonë tradicionale shqiptare sa të pasur, po aq edhe të mrekullueshme, të cilën tërë bota na e ka lakmi.
Më në fund, ne jemi qytetarë evropian dhe duhet të vishemi në stilin evropian. Kam patur një rast, kur unë një nënes me foshnje ia lirova vendin në autobus duke pandehur se është qytetare arabe, përkundrazi ajo më falenderoi shqip. Ajo grua ishte e re, shqiptare, banon në Malme të Suedisë dhe të vishet me rroba të fanatizmit fetar, të bën që nga habia të flasësh me vetveten. Dikur asaj i kisha dhënë mësim në shkollën fillore, prandaj më kishte njohur. Kjo dukuri dallohet edhe tek disa të reja suedeze, apo polake të cilat i nënshtrohen ndikimit të bashkëshortit me fe myslimane dhe rivishen me ferexhe. Nuk ka gjë më e tmerrshme se femra suedeze të mbulohet me shami për hir të bashkëshortit të fesë islame, derisa në Kosovë femra shqiptare kaherë e ka flakur ferexhen. Tungjatjeta, apo merhaba, është çështja sot! Nuk është fjala për përshëndetjen reciproke “merhaba” në mes të shqiptarëve, boshnjakëve dhe arabëve, por shqiptarët në mes vete. Nëse shqiptarët në vendlindje dhe në diasporë vazhdojnë ende të përshëndeten me pasthirrmën orientale “merhaba”, atëherë përshëndetja jonë tradicionale shqiptare “tungjatjeta” do të shuhet. Kjo dukuri e keqe duhet mënjanuar dhe shqiptarët të përshëndeten shqip – tungjatjeta, pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre fetare si dhe vendin ku jetojnë. Përshëndetja jonë tradicionale shqiptare tungjatjeta është jo vetëm autoktone dhe e vjetër, por edhe aq e bukur dhe poetike që do të thotë t´u zgjattë jeta – konkretisht përshëndetje reciproke me anën e së cilës i dëshiron jetë të lumtur e të gjatë.
Shumë suedezë janë kurreshtarë për të mësuar se si përshëndetet shqip, por edhe kuptimin e fjalës poetike tungjatjeta. Me shqiptarët në diasporë tungjatjetohen edhe boshnjakët, edhe kroatët. Shqiptarët nuk duhet lejuar vetveten që të bien viktimë e kulturës dhe gjuhës së huaj orientale, përkundrazi duhet të bëhen faktorë për përhapjen e kulturës dhe gjuhës kombëtare kudo që jetojnë. Toleranca dhe martesat shqiptare Martesat shqiptare me fe të ndryshme nuk duhet të pengohen. Mbi të gjitha duhet të respektohet dashuria e tyre reciproke. Familjet shqiptare duhet të selitin traditën e miqësisë shqiptare, qoftë myslimane, katolike, apo ortodokse.
Nëse neve nuk na pengon martesa e disa të rinjve shqiptarë me suedeze dhe gjermane, por edhe martesa në Kanadanë e largët, sidomos të veja etj, atëherë pse të mos pranojmë martesën brenda shqiptare me fe të ndryshme – martesë që ka mbështetje autoktone dhe flitet vetëm shqip; kur dihet se në historikun tonë shqiptarët janë tolerantë ndaj fesë. Ka raste kur fundamentalizmi i disa prindërve vie në atë shkallë saqë ta mohojë – anatemojë bijën po qe se martohet me djaloshin shqiptar të fesë katolike – myslimane. Përkundrazi, që, për ato familje me qëndrime ekstreme ku parësore është feja. “Historikisht – shkruan shkrimtari ynë Petro Marko – identitetin e vet shqiptari nuk e ka mbështetur edhe aq te feja sesa te gjuha, historia, origjina dhe humusi kulturor i përbashkët. Ndaj edhe mes bashkësive fetare s´ka pasur probleme madhore. Prandaj edhe Shqiperia nuk mund të quhet vend mysliman, as ortodoks, as katolik. Është Shqiperi.” Gjatë aksionit të Pajtimit Kombëtar në Kosovë që i printe plaku dhe intelektuali kombëtar prof. Anton Çetta, populli shqiptar fare nuk ka dyshuar në bindjen fetare të Anton Çettës, por ka treguar respekt ashtu siç ka treguar respekt edhe ndaj Plakut të Maleve – Bajram Currit. Ç´prej kohës së Bajram Currit dhe deri më sot askush nuk ka pasur respekt dhe nderim më të madh nga populli shqiptar sikur prof. Anton Çetta.