Pikësëpari më lejoni të përshëndes idenë e Drejtorisë së Seminarit të UT-së për ta bërë temë qendrore të këtij tubimi shkencor temën: “Kontributi i Rexhep Qosjes në letërsinë dhe kulturën shqiptare”.

Arsyet për këtë janë të shumta dhe nuk ka nevojë të shtjellohen posaçërisht.

Profesor Rexhep Qosja është pa dyshim një nga figurat më të mëdha të kulturës shqiptare. Ai është figurë poliedrike në kuptimin e plotë të fjalës. Vepra e tij letrare dhe shkencore, por edhe intelektuale e njerëzore, është e madhe dhe e një rëndësie të veçantë për kulturën tonë kombëtare dhe për Kombin shqiptar në përgjithësi, kudo që jeton.

Njeri me dhunti të madhe krijuese dhe me kulturë erudite, që e shquan edhe përkushtimi i madh ndaj punës, akademik Rexhep Qosja ka botuar, duke filluar nga viti 1967, kur e botoi librin e vet të parë e deri më sot, rreth dyzet vepra letrare, shkencore, publicistike e të tjera, që përbëjnë një opus gjigant, aq sa duket gati e pabesueshme që kjo vepër të jetë krijuar brenda një jete njerëzore.

Ka shkruar kritika, recensione, sprova, trajtesa, studime dhe monografi historiko-letrare; tregime, romane dhe vepra dramatike; artikuj publicistikë e polemikë, por edhe libra me karakter shoqëror e politik; ka shkruar e botuar, veçanërisht në vitet e fundit, edhe ditarë e kujtime, çfarë është libri në nëntë vëllime Dëshmitar në kohë historike dhe kushedi çka tjetër, që nuk ka dalë ende në publik dhe që mund të gjendet nesër në sirtarët e tij në Institutin Albanologjik apo në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Profesor Rexhep Qosja vazhdon të shkruajë e të botojë ende (libri i tij më i ri sapo ka dalë nga shtypi), duke iu përmbajtur, si rrallëkush tjetër ndër ne, parimit të njohur të Faradejit: «To work, to finish, to publish» (Të punosh, të përfundosh, të botosh).

Rexhep Qosja është në radhë të parë kritik letrar dhe historian i letërsisë (ky është profili i tij kryesor), i cili me shkrimet e tij të shumta teorike, kritike, eseistike dhe historiko-letrare, por edhe me punën e tij shumëvjeçare në organizimin e jetës shkencore dhe të studimeve letrare në Kosovë, mund të quhet lirisht themelues i një shkolle të studimit të letërsisë ndër ne, të shkollës që mbështetet në koncepte teorike e metodologji moderne, por pa hequr dorë prej traditës pararendëse. Puna e tij në studimin e letërsisë shqipe është e gjerë dhe e shumanshme, por kontributi i tij më i madh në këtë fushë është studimi me themel i letërsisë së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht Romantizmit Shqiptar, që është fushë e specializimit të tij.

Veprat e tij kapitale Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi I, II, III (1984-1986), sikurse  edhe monografia për Poetin Kombëtar, Naim Frashërin, Porosia e madhe (1986), paraqesin sinteza të mëdha shkencore dhe si të tilla janë të pakalueshme për këdo që do të merret me studimin e letërsisë shqipe të kësaj periudhe. Nuk mund të shkruash për asnjë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, nga De Rada e këndej, pa e konsultuar më parë veprën e Rexhep Qosjes. Nuk mund të shkruash për asnjë problem të rëndësishëm të letërsisë shqipe, përfshirë këtu edhe problemin kompleks të periodizimit të saj, pa iu referuar studimeve të thelluara të këtij autori.

E shoh të udhës të ndalem pak te një çështje, për të cilën spekulohet mjaft: çështja e metodës që përdor ky autor në studimet e tij për letërsinë. Deri vonë është thënë se metoda që aplikon Rexhep Qosja si kritik letrar është e ashtuquajtura “metodë integrale”. Dhe ky pohim, ç’është e vërteta, nuk mund të quhet i pabazuar. Krijues që është formuar në frymën e traditës së madhe humaniste të letërsisë evropiane; që ka lexuar veprat e Ipolit Tenit, të Sent-Bëvit, të De Sanktisit, të Bjelinskit, të Gustav Lansonit, të Plehanovit dhe të shumë kritikëve e historianëve të tjerë letrarë të shekujve të shkuar, ashtu siç ka lexuar edhe veprat e Hegelit, të Kantit, të Volterit, Paskalit, Montenjit, Vikos, Kroçes, Hartmanit, Ingardenit etj., Rexhep Qosja ka mësuar nga vepra e tyre dhe ka asimiluar atë që mund të quhet me vlerë dhe e gjallë në krijimtarinë e këtyre kolosëve të mendimit kritik, estetik e filozofik. Por, ai nuk ka mbetur aty. Përkundrazi. Ka ecur tutje, drejt së resë. Për të nuk janë të huaja as metodat dhe konceptet e estetëve, kritikëve dhe teoricienëve bashkëkohorë francezë, anglezë, amerikanë, gjermanë, italianë, rusë, spanjollë e të tjerë, çfarë janë, fjala vjen: Rolan Barti, Henri Xhejmsi, Elioti, Riçardsi, Rene Uelleku, Nortrop Fraji, Jakobsoni, Bahtini, Llukaçi, Sartri, Adorno, Lotmani, Umberto Eko e shumë të tjerë, prej të cilëve ky autor ka asimiluar atë që e ka konsideruar të nevojshme për mënyrën e leximit dhe të interpretimit të veprës letrare si strukturë gjuhësore artistike. Është i paqëndrueshëm dhe arbitrar, prandaj, mendimi i një poeti nga Tirana se Rexhep Qosja “ka bërë studime sociologjike letrare”, sikurse edhe mëtimi i një kritiku nga Prishtina se Qosja “u rri larg metodave moderne të studimit të letërsisë”.

Le të shohim për një çast se ç’thotë vetë autori lidhur me këtë çështje. Në parathënien e veprës Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi, duke ua paraqitur lexuesve metodën e tij të punës, Profesor Qosja shkruan: “Në këtë vepër të bazuar në parimet e poetikës strukturale historike letërsia e romantizmit shqiptar studiohet në rrafshin sikronik dhe diakronik, kurse hetimi i ligjësorive të zhvillimit të brendshëm të strukturës letrare përcillet me hetimin e marrëdhënieve të saj jashtëtekstore”, për të shtuar se “vetëm studimi i gërshetuar i rrafsheve tregon përpikmërisht stilin e epokës”.

Qëndrimi i këtij studiuesi ndaj metodës së historisë së letërsisë dhe shkencave historike në përgjithësi kristalizohet qysh në veprën Prej tipologjisë deri te periodizimi (1979), ku autori citon një mendim brilant të Kurciusit, në të cilin thuhet se “Shkencat historike do të përparojnë kudo ku harmonizohen dhe gërshetohen specializmi dhe shikimi i tërësisë. Ato kërkohen reciprokisht, duke qëndruar në marrëdhënie komplementare. Specializimi pa universalizëm është i verbët. Universalizmi pa specializëm është flluskë sapuni”.

Në qoftë se detyrë e kritikës si aktivitet intelektual është të tregojë “se si, në ç’mënyrë, ekziston estetikisht vepra dhe çka ekziston në atë vepër”, postulat teorik dhe metodologjik i Qosjes si historian i letërsisë del të jetë kombinimi i pjesës me tërësinë, i sinkronisë me diakroninë, i strukturës së brendshme letrare me rrethanat jashtëtekstore, pra i tekstit me kontekstin, por edhe kombinimi i dijes së gjerë universale me shkathtësitë e specializimit të ngushtë profesional.

Këtij parimi ai i është përmbajtur kur ka analizuar veprat e De Radës, të Naimit, të Serembes, të Çajupit, të Asdrenit, të Ndre Mjedës, të Fan Nolit, të Gjergj Fishtës etj., që i takojnë periudhës së Romantizmit ose asaj që Profesori e quan: Romantizmi-Realizmi-Simbolizmi, por edhe kur merr në shqyrtim krijimtarinë e shkrimtarëve bashkëkohorë, poetë e prozatorë, nga Esad Mekuli, Enver Gjerqeku e Ramiz Kelmendi e deri te Din Mehmeti, Rrahman Dedaj e Anton Pashku, pa harruar as krijimtarinë letrare të Adem Demaçit, njeriut që dhuntinë e tij krijuese ia fali kauzës kombëtare, por la gjurmë edhe në letërsi.

Mjafton të lexohet me kujdes studimi Poetika e risemantizimit, për të parë se ky studiues shfrytëzon rezultatet e semiologjisë dhe të teorisë së receptimit, për të ardhur në përfundim se pohimet e tipit “u rri larg metodave moderne” (hiq mbase fazën e tij fillestare si kritik), s’janë tjetër veçse paragjykime.

Natyrisht se Rexhep Qosja si studiues dhe kritik letrar është ngritur kundër keqpërdorimit të metodave moderne të studimit të letërsisë në mjedisin tonë, ashtu siç është ngritur edhe kundër spekulimeve që janë bërë dje e që vazhdojnë të bëhen me gjuhën dhe terminologjinë e saj dhe këto keqpërdorime i ka dëshmuar më se një herë me analiza konkrete të teksteve të disa kritikëve kinse modernë, të cilët në mjedisin tonë provincial shfaqen me aureolën e dijes dhe të qytetërimit modern evropian.

Rexhep Qosja e konsideron mision të kritikës letrare dhe të mendimit intelektual në përgjithësi mbrojtjen e vlerave dhe çmistifikimin e pseudovlerave, të cilat kritika mediokre e klanore i shpall, jo rrallë, vlera kulmore. Ithtar i flaktë i frymës kritike dhe kundërshtar i rreptë i dogmës në shkencë dhe në art, por edhe në marrëdhëniet shoqërore, ai ka shqiptuar shumë fjalë kritike në adresë të ideve prapavajtëse dhe dukurive frenuese e çintegruese, aq të pranishme në jetën tonë politike e kulturore.

Shembull eklatant i kësaj dukurie është qëndrimi gjithnjë e më negativ i qarqeve të caktuara ndaj gjuhës standarde shqipe dhe kërkesa absurde për rishikimin e normës gjuhësore të kodifikuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, si dhe ideja qesharake e “krijimit të identitetit të ri kombëtar”, identitetit kosovar, që janë shprehje tipike të filozofisë provinciale dhe ideologjisë çintegruese, të cilat, si të tilla, e dëmtojnë rëndë jo vetëm imazhin e shqiptarëve si komb, por edhe kohezionin e tyre shpirtëror.

I edukuar në frymën e ideve të Rilindjes dhe korifenjve të saj, Rexhep Qosja si shkrimtar, publicist dhe intelektual është ithtar i idesë së bashkimit kombëtar, madje ideolog i saj, si kusht për integrimin e shqiptarëve si komb në gjirin e familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës janë.

Kritik si gjithmonë ai i kundërvihet mendësisë së robit, vardisjes dhe mimikrisë, duke kërkuar që parullat t’i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta e këmbëngulëse për shtetin e së drejtës dhe demokracinë e vërtetë.

Vijmë kështu te një aspekt i rëndësishëm i opusit krijues të Rexhep Qosjes: publicistika, pa të cilën portreti i tij krijues nuk do të ishte i plotë, ashtu siç nuk mund të jetë i plotë kurrsesi ky portret pa krijimtarinë e tij letrare në prozë e dramë, që paraqet një dimension shumë të rëndësishëm të veprës së tij, por edhe pa shkrimet për probleme të kulturës dhe tekstet e tij polemike, të cilat, për arsye kohe, nuk do t’i shqyrtojmë me këtë rast.

Duhet theksuar, ndërkaq, se vepra e akademik Rexhep Qosjes, pavarësisht nga forma në të cilën është shkruar: kritikë, eseistikë, histori letërsie, ditar, biografi, prozë, dramë a publicistikë, ka karakter kompakt dhe përfshin një korpus temash, idesh e mesazhesh, që, në instancën e fundit, sillen rreth vlerave më sublime të jetës njerëzore: lirisë, të drejtës dhe të vërtetës.

Të njësishme e bën këtë vepër edhe gjuha dhe stili i saj, që e shquajnë qartësia e shprehjes dhe e mendimit, thellësia e gjykimit, sistemi i fortë i argumentimit, por edhe shprehja e bukur e elokuente. Rexhep Qosja është nga ata shkrimtarë, që, siç thoshte Hemingueji, i karakterizon prirja për të gjetur kurdoherë fjalën e vërtetë e jo motrën a kushërirën e saj.

Njeriu mund të pajtohet ose të mos pajtohet gjithmonë me mendimin e tij; mund të mos jemi, pra, gjithmonë në një mendje me qëndrimin e tij për ndonjë çështje të veçantë apo me vlerësimin për ndonjë vepër a autor, por nëse jemi të drejtë e parimorë, nuk mund të mos ushqejmë respekt e mirënjohje për punën e tij të madhe dhe për fjalën e tij të fuqishme, të pazëvendësueshme.

Dhe, në fund, para se ta mbyllim këtë fjalë, le të shtrojmë një pyetje: Ç’do të ishte kultura shqiptare pa Rexhep Qosjen?

Duke iu përgjigjur shkurt kësaj pyetjeje, do të thoshim: e varfër, minore dhe jokritike.

Pa veprën e tij kultura shqiptare do të ishte më e varfër për një dimension të rëndësishëm estetik, teorik, etik, letrar dhe artistik.

Ai është përfaqësues i gjedhes kritike të mendimit mbi artin, shkencën dhe jetën kulturore, politike e shoqërore.

Kritik letrar e historian i letërsisë; prozator e dramaturg; eseist e publicist; intelektual jokonformist dhe polemist pasionant, Rexhep Qosja është një personalitet me ndikim të madh në jetën letrare e kulturore shqiptare.

Në shkrimet e tij artikulohet qartë vetëdija mbi ekzistencën e një letërsie dhe të një kulture kombëtare shqiptare, që ka një traditë të përbashkët dhe që krijohet në një gjuhë të përbashkët letrare standarde, kurse me emrin e tij lidhet konsolidimi i kritikës letrare në letërsinë shqipe në Kosovë dhe modernizimi i shkencës letrare shqiptare në përgjithësi.

Për të gjitha këto, Rexhep Qosja mund të quhet institucion i kulturës shqiptare dhe si i tillë ai ka hyrë tashmë qysh për së gjalli në lagjen e të pavdekshëmve.

Ju falemnderit!

(Fjalë e mbajtur në Seminarin kushtuar Akademik Rexhep Qosjes në Universitetin e Tetovës, në Tetovë, më 25. 9. 2024)

Shpërndaje artikullin në: