Kandiq: Duhen 100 vjet që ushtria serbe të spastrohet nga krimet e luftës
Natasha Kandiq, ish-drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka thënë se gjykimet e Speciales dhe ato në Serbi duhet të shkojnë paralelisht. Ajo ka theksuar se do të duheshin 100 vjet që ushtria serbe të spastrohej nga të gjitha krimet e luftës.
“Deri në vitin 2011 prokuroria tentonte që t’i gjykojë krimet e luftës dhe kishte edhe familje nga Kosova që përcillnin gjykimet. Nga viti 2010-2011 këtu absolutisht asgjë nuk ndodhë krahasuar me ato që ishin konstatuar nga Tribunali i Hagës. Tribunali kishte pasur dy gjykime të mëdha të gjeneralëve të ushtrisë e policisë. Aq kishte dëshmi e fakte të konstatuara saqë do të duheshin 100 vjet që ato vërtet të zgjidhen dhe që ushtria e policia të spastrohen nga të gjitha krimet e luftës. Megjithatë, në 2011-n këtu ndalen aktakuzat dhe gjykimet janë minimale, pothuajse s’ka asgjë me çka Serbia mund të thotë se do të konfirmojë përgjegjësinë e ushtrisë e policisë”, ka thënë Kandiq në “Interaktiv” të KTV-së.
Ajo ka shtuar se në Kosovë me arsye ka pakënaqësi kur do të gjykohen pjesëtarët e UÇK-së e që në anën tjetër në Serbi u ndal procedimi i krimeve të luftës që ishin kryer në Kosovë. “Këto dy gjëra duhet të shkojnë bashkë. Gjykimet në Hagë dhe gjykimet në Serbi duhet të shkojnë bashkë. Kosova duhet të ballafaqohet me përgjegjësinë e vet, por edhe Serbia sepse nuk përfundoi me faktin që Tribunali i Hagës dënoi gjeneralët. Serbia ka kuadër të madh të ushtarëve e policëve që janë përgjegjës e assesi kjo çështje të përfundojë me dënimin e urdhëruesve të vrasjeve. Askush në Kosovë nga përbërja e ushtrisë dhe policisë nuk ka shtënë si njeri i lirë, por sepse kjo ishte e lejuar dhe e zgjeruar që krim nuk është të vritet një shqiptar”, ka thënë Kandiq.
Kandiq ka theksuar se ky është momenti i fundit që gjykimet të fillojnë sepse dëshmitarët po zhduken. “Nosha i ka mbuluar ata që do të mund të flisnin me bindje në gjykatë. Ky është momenti i fundit sepse ndaj gjykimeve në Hagë, Serbia duhet të përgjigjet me gjykime në vend sepse normalizim të raporteve ndryshe nuk mund të ketë mes dy vendeve”, ka thënë Kandiq.