Të bësh miq mund të jetë një gjë relativisht e lehtë, sidomos nëse je njeri i çlirët, por të ruash marrëdhënien përgjatë kohës është komplet tjetër gjë. Ashtu si çdo marrë dhënie e rëndësishme, edhe miqësia kërkon kohë, përkushtim, përkujdesje. Dhe nëse shumë shpesh e dimë mirë atë që duhet të bëjmë, të jemi gjithmonë gati në momentet e vështira për të dëgjuar dhe ngushëlluar, ndonjëherë jemi të vetëdijshëm se çfarë NUK duhet të bëjmë. Bëhet fjalë për sjellje të vogla, por shumë të fuqishme, më tepër fryt i mosvëmendjes sesa keqdashjes, por që mund të jenë fatale për miqësinë.

Mos e nënvlerësoni asnjëherë miqësinë. Edhe nëse duket më pak e mundimshme se një marrëdhënie dashurie, miqësia ka nevojë për kohë dhe përkushtim. Ja sjelljet që duhen evituar për të mos shkatërruar miqësinë…

Mosbesimi

Mosbesimi shpesh lind nga egoizmi për të nxjerrë gjithmonë në vend të parë nevojat personale dhe jo ato të miqve. Të mos i hapësh telefonin një mikeshe, të mos e marrësh në telefon për ditë të tëra, të mos mbash premtimet e bëra dhe të tjera sjellje të tilla mund ta dëmtojnë me të vërtetë miqësinë, edhe pse sipas nesh kemi gjithmonë qëllimin e mirë që na udhëheq. Por, nëse nuk jemi të gatshëm për gjeste të tilla të vogla, çfarë vlere ka miqësia atëherë?!

Rivaliteti

Një mik ka përfituar një rritje detyre, ka marrë një provim të rëndësishëm, sapo është fejuar, dhe ne nuk jemi realisht të lumtur për të, por ndiejmë një ndjenjë zilie shumë të fortë. Të mendosh se duam edhe ne ato gjëra që miku ynë ka, në njëfarë mase është e natyrshme. Por të mendosh se duam që ai të mos arrijë asgjë të mirë, është shumë më ndryshe. Në të kundërt, nëse jemi ne që kemi pasur sukses, është shumë e drejtë që ta ndajmë me mikun lumturinë tonë, por pa e ekzagjeruar dhe pa u mburrur, sidomos nëse është diçka që i pëlqen dhe që e synon prej kohësh edhe ai.

Mosshkëmbimi i ndereve

Sa herë i kemi kërkuar borxh ndonjë veshje apo bizhuteri mikes sonë, gjithmonë e kemi marrë. Madje as nuk është ankuar ndonjëherë kur ia kemi mbajtur më shumë nga sa na është nevojitur. Por kur vjen radha te ne, nuk është se na lumturon shumë ideja që të sakrifikojmë diçka tonën. Bujaria duhet shkëmbyer, pasi shumë shpejt miqtë tanë do të ndihen me të drejtë të shfrytëzuar.

Egoizmi verbal

Nuk hezitojmë aspak të kalojmë orë të tëra në telefon me mikeshën e zemrës, nëse bëhet fjalë për t’u ankuar për të dashurin tonë apo ish të dashurin e saj, për kolegen apo gjobën që mund të ketë marrë, por po ta mendosh thellë-thellë, nuk arrijmë ta mbajmë mend se kur ka qenë hera e fundit që e kemi telefonuar vetëm për ta pyetur se si është.

Një marrëdhënie e sigurt

Shpesh miqësitë e vërteta janë shumë të hershme. Kemi qenë pranë njëri-tjetrit për vite me radhë apo për dekada, duke bashkëndarë gëzimet dhe dhimbjet në faza të ndryshme të jetës. E kemi ndihmuar gjithmonë njëri-tjetrin, e megjithatë hera e fundit që jemi kujtuar për të ka qenë për ditëlindje. Shpesh, ndoshta për pakujdesi, ndoshta për të mos u dukur së tepërmi sentimentalë, nuk i themi se sa shumë e duam mikun apo mikeshën e zemrës. Kjo ndoshta vjen edhe për arsye se e kemi të sigurt që ashtu si dhe ne, mikesha jonë ndjen të njëjtën gjë. Tek e fundit, të përbashkëtat dhe provat që i kemi dhënë njëri-tjetrit e bëjnë të sigurt marrëdhënien e miqësisë, edhe pse fjalët e mira të thëna ballë për ballë mungojnë.

Paratë e marra hua

Zakonisht nuk duhet t’u kërkoni asnjëherë miqve para borxh, pasi nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në marrëdhënien tuaj apo në gjendjen financiare të secilit prej jush. Ndërsa huatë e vogla, natyrisht, janë komplet tjetër gjë. Është bukur që një mik ofron drekën duke e ditur se në këtë periudhë nuk jeni në gjendje dhe aq të mirë financiare, por duhet të keni parasysh se duhet t’ia ktheni këtë nder herët a vonë.

Tradhtia

Nuk ka mënyrë më të dhimbshme dhe brutale sesa të prishësh një miqësi. Tradhtia mund të jetë edhe thjesht një mendjelehtësi, siç mund të jetë fakti që i thua dikujt sekretet private që ju ka rrëfyer mikesha juaj e zemrës.

Shpërndaje artikullin në: