Polakët investojnë 5 milionë euro për riaktivizimin e minierës së magnezitit
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një takim që ka mbajtur të enjten me investitorët e kompanisë polake “Bisek” dhe me banorët e Galicës dhe të Dubovcit, tha se brenda 7 vjetësh kompania “Bisek” do të investojë 5 milionë euro, ndërsa nga ky investim do të krijohen 150 vende pune, kryesisht për banorët lokalë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Miniera e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë, që është një nga minierat më të vjetra në Kosovë, do të riaktivizohet sërish pasi një kompani polake ka shprehur interesimin për të investuar në këtë minierë dhe për të rifilluar prodhimin e kësaj xeheje.
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka mbajtur të enjten një takim me investitorët e kompanisë “Bisek”, një nga kompanitë lidere në Evropë në këtë fushë dhe me banorët e Galicës dhe të Dubovcit ku është biseduar për investimet që do të bëhen.
5 milionë euro investime, 100 vende të reja pune
“Vlera e investimit është 5 milionë euro brenda 7 vjetëve të para. Nga ky investim pritet të krijohen mbi 100 vende te reja të punës. Qeveria ka aprovuar shpronësimin e pronave të banorëve”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Komuna e Vushtrrisë është e përkushtuar për të krijuar ambient të sigurt për investime te huaja.
Përfaqësuesit e kompanisë polake “Bisek” interesimin për riaktivizimin e minierës në Dubovc të Vushtrrisë e kanë shprehur për herë të parë në dhjetorin e vitit 2016, derisa kryetar i Komunës së Vushtrrisë ishte Bajram Mulaku. Përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë thënë se paraprakisht është bërë një hulumtim në atë pjesë dhe se është konstatuar se ka rezerva të mëdha të kësaj xeheje që janë të koncentruar kryesisht në Galicë dhe në Dubovc
Interesimi i polakëve për ta rifunksionalizuar minierën e magnezitit në Dubovc ka gëzuar banorët e Dubovcit, të Galicës dhe të asaj pjese të Drenicës. Kompania “Bisek” e Polonisë kishte bërë disa hulumtime dhe ka ardhur në përfundim se kjo pjesë është e pasur me magnezit dhe për këtë arsye edhe do të investojë për riaktivizimin e minierës.
Rifunksionalizimi i minierës
Zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm i kompanisë së njohur “Bisek” nga Polonia, Zbigniew Rynski, i pati thënë “Zërit” derisa ndodhej në Vushtrri për të biseduar për arritjen e marrëveshjes me autoritetet komunale dhe me banorët se interesimi i kësaj kompanie, e cila tashmë ka hapur edhe përfaqësinë e vet në Kosovë, është që ta rifunksionalizojnë minierën e magnezitit në Duboc. Siç kishte thënë ai, kompania, pas hulumtimeve që kishte bërë ka konstatuar se xehja e magnezitit është shumë e koncentruar në fshatrat Dubovc dhe Galicë dhe se është në interes të banorëve të Vushtrrisë, por edhe të gjithë Kosovës që miniera të rifillojë me prodhimin kësaj xeheje. “Ne jemi të interesuar që këto resurse të pasura që shtrihen në mbi 50 hektarë t’i shfrytëzojmë, ku do të përfitojnë materialisht pronarët e tokave, por edhe përmes punësimit”, pati thënë Rynski, duke shtuar se nëse arrihet ujdia me pronarët për shpronësimin e tokave të tyre, fillimisht do të punësohen rreth 150 punëtorë, kryesisht familjarë të pronarëve të tokave që do të shpronësohet.
Miniera e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë ka qenë funksionale deri pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht atë e kishin mbajtur anglezet, po me largimin e tyre minierën e kishte marrë Mbretëria e Serbisë. Në Drenicë thonë se Serbia ishte përkujdesur që pikërisht për shkak të minierës t’i ndajë Galicën dhe Dubovcin nga Drenica dhe t’ia bashkëngjisë Komunës së Vushtrrisë.
Poeti dhe publicisti Bedri Tahiri, i cili është nga Galica, i ka thënë “Zërit” se Serbia këtë ndarje e kishte bërë me qëllimin që ta varfërojë Drenicën, e cila gjithmonë shquhej me luftën kundër pushtuesve. “Kjo pjesë e Drenicës është përplot xehe të magnezitit dhe Serbia ishte përkujdesur që ta mbyllë minierën me qëllimin që Drenica të varfërohet. Në kohën kur minierën e kanë pasur anglezët ka qenë një nga minierat me prodhimin më të madh të xehes së magnezitit, jo vetëm në Kosovë. Por, Serbia e kohës së Krajlit dhe ajo e pas-Luftës së Dytë Botërore kanë punuar kundër shqiptarëve dhe qëllimi ka qenë që ato pjesë që janë shquar me mosdurimin ndaj pushtuesve t’i varfërojë sa më shumë”, ka thënë Tahiri.
Në Dubovc ende shihen gjurmët ku ndodhej miniera. Një prej minierave, e cila ndodhet në afërsi të shkollës së vjetër të Dubovcit, e cila ishte djegur dhe rrënuar gjatë luftës, shihet qartë hyrja në minierë. Në anën tjetër ka ende minatorë të asaj kohe të cilët janë gjallë dhe të cilët kujtojnë punë në minierë dhe për prodhimin e madh të xehes së magnezitit në minierën e Dubovcit. Sipas banorëve të Dubovcit, aty ka pasur edhe një rrugë të ndërtuar në kalldrëm që lidhte Dubovcin me Vushtrrinë. Baza e asaj rruge prej gurëve ka shërbyer edhe pas luftës së fundit në Kosovë, nëpër të cilën në vitin 2006 ishte trasuar rruga e re që lidh Skenderajn me Vushtrrinë.