17 policë kanë humbur jetën që nga themelimi i Policisë së Kosovës
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar në lidhur me rastin e mbrëmshëm, ku dy zyrtarë policorë kanë pësuar një aksident në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik, duke rënë në lumin Lepenc dhe të cilët ende nuk janë gjetur.
“Rasti i mbrëmshëm i fatkeqësisë aksidentale me ç’rast akoma nuk dihet për fatin e dy zyrtarëve policorë, na ka trondit dhe shqetësuar shumë. Këtë dhimbje dhe shqetësim jemi duke e bashkëndjerë me familjarët, me gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës dhe qytetarët e vendit tonë”, është thënë në reagimin e kësaj sindikate.
Kjo sindikatë ka bërë me dije se 17 policë kanë humbur jetën që nga themelimi i Policisë së Kosovës.
“Edhe ky rast i rëndë dhe i dhimbshëm ku akoma nuk dihet për fatin e dy zyrtarëve policorë që nga mbrëmë, por edhe rastet e deritashme të punonjësve të rënë në detyrë e që janë 17 deri më tani, janë dëshmi se urgjentisht dhe pa humbur kohë institucionet e vendit duhet të zgjidhin këtë çështje kruciale-jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës”, është thënë në reagimin i Sindikatës së Policisë së Kosovës.