Studimi: Cka mëshefet në bërthamën e Tokës?
Prej kohësh tashmë shkencëtarët i ka munduar një pyetje: Çfarë ka në qendër të Tokës? Dhe, studimet e bëra ndër vite anojnë më shumë nga teoria që planeti ynë ka një “top” hekuri brenda bërthamës së tij metalike.
Nën koren më të jashtme, mantelin dhe bërthamën e jashtme të lëngshme të shkrirë ndodhet qendra metalike e ngurtë e Tokës, e cila në fakt ka një shtresë të fshehur, ose një “bërthamë të brendshme, brenda bërthamës ekzistuese. Në këtë përfundim ka dalë një studim i ri, i botuar të martën në revistën Nature Communications.
Sipas këtyre zbulimeve të fundit, Toka në fakt ka pesë shtresa kryesore, dhe jo katër. Detajet e nxjerra nga ky studim pritet që t’u vijnë në ndihmë shkencëtarëve për të zbërthyer disa prej mistereve më të vjetra rreth planetit tonë dhe mënyrës sesi ai është formuar.
Kjo pjesë e re e bërthamës është zbuluar duke përdorur grupe të reja të dhënash, të mbledhura nga monitorimi i valëve sizmike gjatë tërmeteve ndërsa ato kalonin nëpër qendrën e Tokës.
Valët sizmike janë dridhje që rrjedhin brenda ose përgjatë sipërfaqes së Tokës dhe nëpër shtresat e brendshme të saj si rezultat i tërmeteve, vullkaneve ose fenomeneve të tjera.
“Në këtë studim, për herë të parë, ne raportojmë vëzhgime të valëve sizmike që vijnë nga tërmetet e fuqishme që kalojnë nga njëra anë e globit në tjetrën deri në pesë herë si rikoshëtë,” shpjegon bashkautori i studimit Dr. Thanh-Son Phạm, sizmolog dhe student postdoktoral në Shkollën Kërkimore të Shkencave të Tokës në Universitetin Kombëtar Australian në Canberra.
Arsyeja se përse kjo shtresë nuk është vëzhguar dot më parë me kaq detaje lidhet me faktin që përbërja e saj është shumë e ngjashme me atë shtresë që e rrethon. Kjo qendër e re e Tokës, sipas studimit, ka shumë gjasa të jetë 644 km e gjerë, dhe ka formën e një “topi” metali. Pjesa e tij mbështjellëse përbëhet nga aliazh hekur-nikeli, dhe elementë të tjerë.
Për të vlerësuar përmbajtjen e bërthamës së Tokës, studiuesit vëzhguan se sa shpejt valët sizmike udhëtonin nëpër të, në drejtime të ndryshme dhe zbuluan se bërthama, brenda bërthamës e ndryshon shpejtësinë e këtyre valëve në një mënyrë të ndryshme nga shtresa mbi të, guaska e jashtme e bërthamës qendrore.
Zbulimi i shtresës së re, më shumë se 1.600 kilometra nën këmbët tona është i rëndësishëm. Prania e një bërthame të veçantë, përpos asaj të brendshmes mund t’u japë shkencëtarëve një panoramë më të qartë të fushës magnetike të Tokës dhe se si ajo ka evoluar deri më sot.
Zbulimi i ri “na jep gjithashtu një paraqitje të shkurtër të asaj që mund të ketë ndodhur me planetët e tjerë”, tha Pham.
“Merrni Marsin si shembull. Ne nuk e kuptojmë ende pse (fusha magnetike e Marsit) pushoi së ekzistuari në të kaluarën.”