Shkruan: Bardhyl Mahmuti

“Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”

Prezantimi publik i dy fotografive nga ana e Flora Brovinës në ditën kur Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi rezolutën kundër gjenocidit serb tronditi opinionin publik shqiptar.

Edhe pse bëhej fjalë për dy ngjarje për të cilat opinioni publik ka qenë i informuar edhe më parë, tronditja e opinionit publik në Kosovë mori përmasa të jashtëzakonshme për shkak se  rishfaqja e fotove u bë në kohën kur Kuvendi i Kosovës diskutonte për miratimin e rezolutës kundër gjenocidit serb.

Njëra nga këto foto kishte fotografinë e maskuar të një vajze shtatëvjeçarë që kishte vdekur pas dhunimit që i kishin bërë forcat serbe, ndërsa fotografia e dytë lidhej me prezantimin e një skene dhunimi të një femre nga tre ushtarë, përderisa familjarët e saj ishin detyruar të shihnin skenat e dhunës.

Rasti i vajzës që kishte vdekur si pasojë e dhunës seksuale që forcat serbe aplikuan në kuadër të politikës së gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës ishte i njohur për opinionin publik shqiptar që në vitin 2016, sepse këtë rast e kishte dëshmuar publikisht nëna e saj, e cila gjithashtu  ishte dhunuar në vitin 1999 së bashku edhe me vajzën tjetër të saj të moshës 10 vjeçare.

Në prill të vitit 2012, gjatë fjalës së saj në një tryezë të organizuar nga “Instituti për demokraci” (Instituti D4D), Flora Brovina kishte publikuar fotografinë e lartpërmendur ku prezantohet dhunimi i një femre nga tre ushtarë. Edhe pse fotografia dhe fjala e Flora Brovinës u bë publike, në atë kohë askush nuk reagoi për të nxjerrë të vërtetën në shesh, madje as shteti serb.

Sikur të ishte bërë një hulumtim serioz rreth vërtetësisë së kësaj fotografie, qysh në vitin 2012 do të kishte dalë në shesh fakti se askush tjetër përveç Shërbimit Sekret të Serbisë nuk mund të qëndrojë prapa përzgjedhjes së një fotografie të nxjerrë nga një dosje e përpiluar nga qarqet antiamerikane me titull “video për dhunimet  e grave irakiane nga ushtarët amerikan” (Rape of Iraqi women by U.S. soldiers video).

Vetëm ata që janë naivë mund të besojnë se gjoja ishte e rastësishme përzgjedhja e fotografisë ku akuzohen ushtarët amerikan për dhunime ndaj grave irakiane. Pse nuk u zgjodh “rastësisht” ndonjë foto e dhunimeve që ushtarët rus kanë aplikuar në Afganistan ose në Siri? Përzgjedhja e skenës ishte me qëllim të dyfishtë: të bëjë shqiptarët fajtorë për shpërndarjen e dosjeve degraduese për ushtarët amerikan.

Heshtja e atëhershme për publikimin e fotografisë në vitin 2012 tregon qartë se përderisa akuzat për gjenocidin serb në Kosovë mbeten në nivel individual, edhe sajesat që kanë për qëllim të dëmtojnë vërtetësinë e këtij krimi mbeten në heshtje.

Konteksti i përgjithshëm dhe atmosfera që u krijua me iniciativat që të miratohet një rezolutë që e përkufizon qartë krimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe njëherësh kërkohet që të themelohet një gjykatë që do t’i ndëshkonte kriminelët e implikuar në krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë bënë që vëmendja e opinionit publik të përqendrohet maksimalisht rreth kësaj çështjeje.

Dhe pikërisht në këtë moment fotoja e përzgjedhur nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe i përcjellë  përmes njerëzve të këtij shërbimi deri në duart e Flora Brovinës  hyri në funksion të strategjisë politike që ka për qëllim shkatërrimin e të vërtetës për gjenocidin serb në Kosovë.

Flora Brovina ka ra në grackë të një strategjie të tillë dhe për shqetësimin që ka shkaktuar me publikimin e kësaj fotoje ajo kërkoi falje publike. Madje ajo shprehu gatishmërinë e saj të ballafaqohet me përgjegjësi.

Flora Brovina kërkoi falje publike. Do të ishte mirë të mendonin rreth përgjegjësisë së tyre të gjithë ata që kanë qenë në dijeni për këtë foto dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë për të verifikuar autenticitetin e saj, së paku nga viti 2012 kur e kanë botuar në mediat e tyre. “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!” (Bibla, Besëlidhja e Re, Gjoni 8:7)

Për Zhak Zhak Rusonë “gënjeshtra është fshehje e të vërtetës që duhet të del në shesh”.  Në këtë rast Shërbimi Sekret i Serbisë arriti të fusë në grackë edhe njerëz që kanë qenë viktima të dhunës serbe, me të vetmin qëllim që të pengojë daljen në shesh e të vërtetës për dhunën seksuale të aplikuar në Kosovë si formë e gjenocidit.

Megjithatë, as linçimi i Flora Brovinës për gabimin që ka bërë dhe asnjë gënjeshtër nuk mund të pengojë të del në shesh fakti i vajzës shtatëvjeçare që kishte vdekur si pasojë e dhunës seksuale, i dhunimit të nënës së saj dhe motrës së saj dhjetëvjeçare; asnjë gënjeshtër nuk mund të pengojë të del në shesh fakti i vajzave që pas dhunimit ishin hedhur të gjalla në bunar; asnjë gënjeshtër nuk mundi të pengojë të del në shesh dëshmia e Vasfije Krasniqit; asnjë gënjeshtër nuk mund të pengojë të del në shesh dhuna seksuale që forcat ushtarake dhe policore serbe aplikuan ndaj mijëra grave të tjera shqiptare e që kishte për qëllim të goditej femra shqiptare si nënë e ardhshme, të cilës duhej t’i cenohej integriteti fizik dhe mendor për ta penguar të krijojë vazhdimësinë e grupit.

Është në nderin e çdokujt që ka qenë në dijeni të përhapjes së kësaj fotoje të ndihmojë në ndriçimin e plotë të zinxhirit transmetues, sepse kjo do të ishte forma më e sigurte për të parë se si u infiltrua kjo gënjeshtër në ditën e Rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë dhe të na shërbejë si mësim për në të ardhmen.

Nga Bardhyl Mahmuti-Dick Martyt është shëndosh e mirë sa herë duhet të shpifë kundër shqiptarëve, ndërsa kur duhet të ballafaqohet me të vërtetën ai paraqitet “i sëmurë”!

Në kohën kur Kuvendi i Kosovës është në prag të miratimit të një rezolute për gjenocidin serb në Kosovë, kur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka aktualizuar domosdoshmërinë e ndëshkimit të atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovës dhe dëshmive të Vasfije Krasniqit para Kongresit Amerikan për dhunën seksuale dhe tmerrin e përjetuar gjatë luftës, propaganda serbe është lëshuar në një fushatë të egër me qëllim që të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik në sajesat e saja.

Në funksion të kësaj strategjie propaganda serbe përsëritë shpifjet për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga ana e UÇK-së” dhe fton në “ndihmë” edhe ata “që kanë marrë shpërblime dhe mirënjohje në Zvicër dhe në botë”. Siç njoftojnë mediat Dick Marty paska paralajmëron “dëshmi” të reja për krimet e luftës në Kosovë. 

Opinionit publik shqiptar i kujtohet fakti që në Lozanë të Zvicrës, më 31 tetor 2018 Dick Marty bëri përurimin e librit të titulluar “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga). Shfrytëzova rastin t’i jepja librin tim dhe t’i kërkoja ballafaqim lidhur me të pavërtetat që përhapin shkrimet e tij për shqiptarët në përgjithësi dhe luftën e UÇK-së në veçanti. Ai e pranoi ftesën time dhe deklaroi publikisht në prezencën e personaliteteve që kishin ardhur për përurimin e librit të tij se do të ballafaqohet me mua sapo të ketë lexuar librin tim.
Pasi kaluan më shumë se pesë muaj nga takimi në Librarinë “Payot” të Lozanës vendosa t’i shkruaj për t’i kërkuar përgjigje lidhur me premtimin e dhënë.

Në përgjigjen e tij të datës 10 prill Dick Marti më shkroi: “ende nuk e kam lexuar librin tuaj, thjesht për arsye se kam qenë i sëmurë dhe nuk kam pasur ende kohë”.

Është fakt që Dick Martzy ka pohuar publikisht se ka qenë i sëmurë para se t’i qasej shkrimit dhe publikimit të librit “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga), mirëpo gjithashtu është fakt i pamohueshëm se, siç e ka thënë në disa prezantime publike, ai ndihet shumë mirë. Madje gjendjen e tij e shkëlqyer e ka dëshmuar duke qenë i pranishëm në përurimin e librit të tij në shumë qytete të Zvicrës dhe në intervista televizive. Nuk u mjaftua me përurimin e librit në Zvicër por shkroi në shoqërim të delegacionit të Serbisë në Këshillin e Evropës në Strasburg dhe, pos tjerash, edhe atje e bëri përurimin e librit. Madje ai është shëndosh e mirë sa herë duhet të shpifë kundër shqiptarëve.

Po e përsëris atë që i kam shkruar Dick Martyt: Ikja nga ballafaqimi nuk është karakteristikë e atyre personaliteteve që pretendojnë se janë burra të fjalës dhe që shesin moral. 
Sa më përket mua e lë të hapur mundësinë e ballafaqimit me cilindo qoftë që ka shpifur rreth luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Madje nëse do të ndihej më i sigurt, Dick Marty mund të vijë në debat së bashku me ish- ambasadorin e Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiqin dhe pjesëtarë të Shërbimit Sekret të Serbisë të cilët redaktuan raportin për gjoja “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve në Kosovë”.

P.S. 
Gazeta “Večernje Novosti” e datës 11 maj njofton se “hetimi që ka zhvilluar Dick Marty, hetim dinjitoz për romanin më të mirë të spiunazhit, zuri faqet e para të shtypit botëror”.
Libri im “Mashtrimi i madh”, që zhvesh në tërësi raportin e përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe i shpërndarë në emër të Dick Martyt, zuri vend në depot e institucioneve të Kosovës!

Nga Bardhyl Mahmuti-Në kohën kur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli ka aktualizuar domosdoshmërinë e ndëshkimit të atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovës dhe në prag të miratimit nga Kuvendi i Kosovës i një rezolute për gjenocidin serb në Kosovë, gjithnjë e më tepër dëgjohen prononcime rreth  asaj nëse jemi vonuar me këtë iniciativë.

Ajo që më bëri të reagoj në këtë rast ka të bëjë me deklaratën e Drita Hajdarit, prokurore në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Në intervistën dhënë TV Kohavizion më 6 maj 2019 lidhur me bartjen e kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët për të gjykuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, prokurorja Hajdari nxjerr në shesh absurditetin e aspektit normativ që ka Kosova. Në bazë të ligjeve të Kosovës “përderisa nuk zihen personat e dyshuar për krime dhe nuk intervistohen për dyshimet që ka hetuesia, ndaj tyre nuk mund të krihen aktakuza”!!!

Ligje më të papërgjegjshme nuk mund të formulojë asnjë jurist kompetent në fushën e vet. Sipas kësaj logjike, Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë nuk është dashur të përpilojnë aktakuza as kundër Radovan Karaxhiqit, as kundër Ratko Mlladiqit dhe as kundër Sllobodan Millosheviqit, Nebojsha Pavkoviqit, Sreten Lukiqit, Vladimir Lazareviqit dhe kriminelëve tjerë “para se t’i gjenin dhe t’i intervistonin për dyshimet që kishin” prokurorët e Hagës.

Krahas absurditetit të ligjeve të Kosovës kur kemi të bëjmë me këtë aspekt të çështjes, deklarata e prokurores Hajdari, se “për mbledhjen e provave dhe dëshmive në terren duhet një trajtim i shpejtë” nën arsyetimin se “koha punon kundër nesh”, është një deklaratë tërësisht  absurde për rastet në fjalë.

Vetëm ata që nuk e njohin natyrën e krimeve që janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë mund të kërkojnë përshpejtimin e procesit “për të shfrytëzu edhe memorjen e dëshmitarëve por edhe moshën e tyre”.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që nuk vjetërsohen kurrë dhe këto krime kërkojnë qasje serioze dhe kurrsesi “trajtim të shpejtë”. Për këtë arsye mendimet rreth asaj nëse iniciativa e Kadri Veselit është e vonuar apo në kohë të duhur zhvendosin problemin në një rrafsh të panevojshëm. 

Meqenëse në intervistën e lartpërmendur u veçua Masakra e Reçakut, po kufizohem vetëm në këtë rast. Vrasja e civilëve në fshatin Reçak përbën një akt gjenocidar, që është trajtuar hollësisht.

Në funksion të ndriçimit të plotë të këtij krimi, Bashkimi Evropian ngarkoi një ekip të Mjekësisë Ligjore nga Finlanda. Ky ekip udhëhiqej nga Helena Ranta dhe në kuadër të tij ishin edhe Antti Pentilla, Kaisa Lalu, Juha Rainio, per­soneli teknik, tekniku i kriminalistikës, fotografë etj.

Pas përfundimit të punës, shefja e ekipit të Mjekësisë Ligjore finlandeze, Helena Ranta, deklaroi: “Me autopsinë e trupave, me gëzhojat që u gjetën në vendin e krimit, me hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh (…) Çështja e Reçakut është tema e shoshitur më së miri në historinë e Gjykatës së Hagës”.

Është tragjike intervista e njërit nga viktimat e mbijetuar të krimit të gjenocidit në Reçak i cili deklaron se nuk do të ishte në gjendje të identifikonte kriminelët për shkak se kanë kaluar shumë kohë nga ajo periudhë.

Është tragjike për arsye se krimet gjatë luftës në Kosovë janë bërë nga shteti i Serbisë e jo nga individë që veprojnë krye në vete. Dihet fare mirë se komandanti i aksionit policor në Reçak ishte gjenerali i policisë serbe Goran Radosavljeviq- Guri.

Madje kur u pyet nga gazetari i gazetës serbe “Blic” se si ishte e mundur që një bashkëpunëtor i ngushtë i Nebojsha Pavkoviqit, SretenLukiqit dhe Vladimir Lazareviqit, që kishin për­funduar në Hagë për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk ishte arrestuar,Goran Rado­savljeviq- Guri pohoi publikisht: “Lukiqi dhe Pavkoviqi janë në Hagë për shkak të përgjegjësive komanduese. Ata nuk kanë mundur ta dinë se cilët janë autorët e vrasjeve! Unë në Kosovë kam qenë zëvendës i Sreten Lukiqit dhe funksioni më ka shpëtuar nga Haga”.

Pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, për meritat që kishte në luftën kundër shqiptarëve në Kosovë, Goran Radosavljeviq- Guri u emërua komandant i Qendrës Mësimore të Forcave Speciale të Policisë së Serbisë në Petrovo Selo. Kjo qendër ishte njëra nga qendrat më të njohura për trajnime të forcave speciale të Policisë së Serbisë.

Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe të bërë në kohën e kryeministrit Zoran Gjingjiq në qershor të vitit 2001, në dy varrezat masive që u zbuluan në Petrovo Selo u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta,(mbytja me torturë),  kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur”.  Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).

Kjo ekspertizë dëshmoi se Goran Radosavljeviq-Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.

Për t’i ikur përgjegjësisë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Goran Radosavljeviq- Guri iku në Libi, dhe atje u angazhua të trajnonte forcat speciale të Mouammar Khadhafit.

Shpërthimi i revoltës që njihet si “Pranvera arabe” e detyroi Goran Radosavljeviq- Gurin që të kthehej nga Libia në Serbi. Në vend të arrestimit për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe në Qendrën Petrovo Sello  ai u prit si hero! Nga ofertat e shumta, ai zgjodhi të bëhej anëtar i Komitetit që kryeson Partinë Përparimtare Serbe, të kryesuar në atë kohë nga Alеksandar Vuçiqi.

Nëse dikur funksioni e ka shpëtuar Goran Radosavljeviq- Gurin nga përgjegjësia për krimet e bëra në Reçak, ndërsa ikja në Libi për t’iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë për krimet në Qendrën Petrovo Sello, sot  kërkohen hetues dhe  prokurorë kompetent për të ngritur akuza kundër kriminelëve që ishin në zinxhirin komandues gjatë luftës në Kosovë.

Për rastin e aktit të gjenocidit në fshatin Reçak aktakuza duhet të mbështet në Raportin e ekipit të Mjekësisë Ligjore nga Finlanda, në deklaratat e dëshmitarëve dhënë hetuesisë së  Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë dhe në deklaratat publike të Goran Radosavljeviq- Gurit.

Për nxitje të urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, të diskriminimit dhe të armiqësive kundër shqiptarëve me çka u krijuan parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale pas Luftës së Dytë Botërore, Prokuroria Speciale duhet të ngrejë aktakuzë kundër Milovan Dracunit, ish-gazetarit të Radio Televizionit të Beogradit, të cilin, për “meritat e mëdha në luftën e Kosovës” u dekorua nga gjeneralkoloneli Nebojsha Pavkoviqi (i dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krimet në Kosovë).

Rikujtoj se më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të “Radio Televizionit të Beogradit”, të “Radio Televizionit të Novi Sadit” si dhe kundër gazetarëve të gazetave “Politika”, “Večernje Novosti” dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.

Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracunin, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë.

Jo vetëm që Milovan Dracuni nuk pësoi asgjë për implikimin e tij në nxitjen e kryerjes së krimeve të gjenocidit në Kosovë, por përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!

Sikurse edhe Goran Radosavljeviq-Guri, Milovan Dracuni u anëtarësua në Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe sot e kësaj dite ushtron funksionin e kryetarit të Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.

Një aktakuzë e veçantë që lidhet me përpjekjet për të fshehur gjurmët e aktit gjenocidar në Reçak duhet të përpilohet kundër Danica Marinkoviqit, gjykatëses hetuese të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ekipit serb të Mjekësisë Ligjore të përbërë nga dr. Sllavisha Dobriçanin, shefi i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, që u emërua në këtë funksion pas dëbimit të profesorëve dhe të studentëve shqiptarë nga ky institut; dr Vujadin Otasheviq, profesor i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Nishit, (Serbi); dr. Dushan Dunjiq-i, profesor i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Beogradit, (Serbi); dr. Milosh Tasiq, profesor i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Novi Sadit (Vojvodinë) dhe dy patologëve bjellorusë, dr. Vladimir Kuzmichev dhe dr. Oleg Levkovich.

Vetëm me padi kundër atyre që përgatitën, nxitën, ekzekutuan dhe u përpoqën ta fshehin krimin e gjenocidit në Kosovë mund të hapet rruga drejt ngadhënjimit të drejtësisë dhe mbylljes së njërit nga kapitujt më tragjik të historisë sonë kombëtare.

Pak ditë pasi ka kërkuar që të penalizohen të gjithë ata që e mohojnë gjenocidin serb në Kosovë, duke marrë shkas nga deklarata e ministrit Todosijeviq, i cili shkarkua pasi mohoi Masakrën e Reçakut, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, ka hartuar edhe një projekt-rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.

Më poshtë po e sjellim të plotë tekstin:

Projekt-Rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë

Duke pasur parasysh se:

– në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 9 dhjetor 1948,  me “gjenocid” nënkuptohet kryerja e cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente:

(a) vrasja e anëtarëve të grupit; 
(b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit; 
(c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij; 
(d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe 
(e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetri;

kur krimi është bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht, në aspektin fizik ose biologjik një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

– faktet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë, në operacionet luftarake të ndërmarra, me qëllim që të shkatërrohen shqiptarët si grup kombëtar, etnik dhe fetar i ndryshëm nga serbët, kanë vrarë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 gra shqiptare dhe rreth 10 000 civilë të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave;

– Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, në të cilën nuk përcaktohet asnjë numër, asnjë përqindje, në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid;

– shmangien e çdo minimizimi të përmasave të gjenocidit që kanë përjetuar popujt e tjerë në periudha të ndryshme historike dhe duke qenë përjetësisht mirënjohës për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, që i dha fund politikës serbe të gjenocidit në Kosovës;

Për këto arsye, Kuvendi i Kosovës konstaton se vrasjet e fëmijëve, e grave, e pleqve dhe e civilëve shqiptarë të moshave të ndryshme gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

2.

Duke u nisur nga faktet se:

– gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë ushtruan dhunë seksuale ndaj rreth 20 mijë femrave shqiptare;

– Neni II paragrafi (b) i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit cilëson si forma të gjenocidit edhe cenimin e rëndë të integritetit fizik ose mendor;

– viktimat e dhunës seksuale kanë përjetuar vuajtje të mëdha, traumatizëm të rëndë dhe plagë të pashlyera psikologjike;

– Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën i cilësoi dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutuve ndaj Tutcive si akte gjenocidi, për shkak të faktit se dhunimi paraqet cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës;

Kuvendi i Kosovës hedh poshtë si të papranueshme të gjitha pazarllëqet që janë bërë mes Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Qeverisë së Serbisë, për të ndryshuar kualifikimin e dhunimeve seksuale dhe konstaton se dhuna seksuale ndaj femrave shqiptare përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

3.

Duke u bazuar në:

– Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombet e Bashkuara,  të datës 18 dhjetor 1992, në të cilën theksohet qartë se dëbimi masiv nga shtëpitë e veta të civilëve të pambrojtur dhe zbatimi i politikës së neveritshme të spastrimit etnik është një formë gjenocidi;

– Rezolutën e Konferencës Botërore të të Drejtave të Njeriut të organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Vjenë më 14-25 qershor 1993, në të cilën theksohet në mënyrë të qartë se praktika e spastrimit etnik, si rezultat i agresionit serb kundër popullatës myslimane dhe kroate të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, përbën gjenocid dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit;

– faktet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, forcat e armatosura të Serbisë dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë;

Kuvendi i Kosovës konstaton se dëbimi i shqiptarëve dhe spastrimi etnik i Kosovës përbën krim të gjenocidit dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

4.

Duke u mbështetur në:

– Deklaratën për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukja me Forcë, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën 47/133 të datës 18 dhjetor 1992;

– të drejtën ndërkombëtare që e klasifikon zhdukjen me forcë të personave si krim kundër njerëzimit;

– fakte të shumta të pakontestueshme, që dëshmojnë se në funksion të fshehjes së krimit dhe të shmangies nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë në kryerjen e gjenocidit, institucionet e Serbisë zhvendosën me forcë në territorin e Serbisë mijëra civilë shqiptarë të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave, të gjallë dhe të vrarë;

– fakte se, përveç një numri të caktuar që u kthyen të gjallë pas përfundimit të luftës, pasi kishin përjetuar trajtime çnjerëzore nëpër burgjet e Serbisë, mijëra kufoma civilësh shqiptarë janë gjetur në varreza masive anembanë Serbisë;

– faktin se 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1600 personave, të cilët vazhdojnë të mbeten të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë;

Kuvendi i Kosovës konstaton se zhdukja me forcë e civilëve shqiptarë përbën krim kundër njerëzimit dhe shkelje të rëndë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e personave nga zhdukja me forcë.

5.

Duke konstatuar se:

– pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk është bërë asnjë dënim politik i gjenocidit të dëshmuar të regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë;

– institucionet politike dhe të drejtësisë në Serbi vazhdojnë të mohojnë krimin e gjenocidit në Kosovë dhe, rrjedhimisht, refuzojnë riparimin e dëmeve të shkaktuara;

Duke konsideruar se pranimi i krimit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë përbën një akt thellësisht njerëzor, që lehtëson përballimin e dhembjes për të mbijetuarit e gjenocidit dhe nderon kujtimin e viktimave të gjenocidit;

Kuvendi i Kosovës kërkon nga shteti i Serbisë:

  • të pranojë faktin se ky shtet ka kryer gjenocid në Kosovë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit në periudhën 1998-1999;
  • të ndriçojë plotësisht fatin e të gjithë atyre që ende konsiderohen të zhdukur;
  • të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e krimit të gjenocidit në Kosovë;
  • të riparojë ato dëme të gjenocidit që ende mund të riparohen.

6.

Duke rikujtuar se:

– më 15 janar 1999 forcat serbe kryen aktin gjenocidar në Reçak, gjatë të cilit u masakruan 42 civilë shqiptarë;

– ky akt gjenocidar mobilizoi komunitetin ndërkombëtar, për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë dhe për këtë qëllim organizoi Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje;

– faktin që regjimi i Sllobodan Millosheviqit refuzoi zgjidhjen paqësore të Çështjes së Kosovës dhe vazhdoi politikën e gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë;

– ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për t’i dhënë fund krimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë;

Kuvendi i Kosovës kërkon që 15 janari të shpallet si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

 7.

Duke u nisur nga fakti se informimi i drejtë dhe i gjithanshëm është kusht i domosdoshëm kundër negacionizmit, si tërësi e qëndrimeve dhe e shpjegimeve të dhëna për të mohuar dhe shkatërruar vërtetësinë e gjenocidit:

Kuvendi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet politike dhe shkencore të Kosovës, që të angazhohen maksimalisht për ndriçimin e tërësishëm të gjenocidit në Kosovë dhe të sigurojë përkrahjen politike për njohjen e faktit që shqiptarët e Kosovës ishin viktima të gjenocidit.

8.

Duke pasur parasysh faktin se mohimi i krimit të gjenocidit dhe krimit kundër njerëzimit konsiderohet si fyerje më e rëndë që mund t’u bëhet viktimave të këtij krimi, familjarëve të tyre dhe tërë kombit ndaj të cilit është ushtruar gjenocidi:

Kuvendi i Kosovës do të përgatitë plotësimin e ligjit, për të përfshirë ndëshkimin e të gjithë atyre, të cilët minimizojnë apo e arsyetojnë gjenocidin e kryer kundër shqiptarëve në Kosovë apo kundër cilitdo popull në botë, ndaj të cilit historia dëshmon se është kryer gjenocid.

Bardhyl Mahmuti-Kush ishte ilegal në territoret shqiptare nën Jugosllavi? Grupet, organizatat dhe lëvizjet që angazhoheshin për çlirim kombëtar, apo ata që pushtuan territoret tona dhe që përpiqeshin të zbatonin ligjet e tyre në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar?

Në pjesën e parë të shkrimit theksova se çështja e legalitetit/ilegalitetit nuk ka për kriter vlerësimi formën e veprimtarisë, por ligjshmërinë e një veprimi. Gjithashtu përmenda se në raport me ligjshmërinë e veprimeve që shkëputën territoret shqiptare nga Shqipëria dhe ua ndanë si plaçkë shteteve fqinje, të gjithë veprimtarët për gjatë më shumë se një shekull e kanë cilësuar si të paligjshme.

Bardhyl Mahmuti në krye të demostratave të vitit 1981

Në kohën kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkanin Perëndimor Lidhja Shqiptare e Prizrenit hidhte poshtë si të paligjshëm çdo vendim që nuk përfillte vullnetin e popullit shqiptar të ndarë në katër njësi administrative (vilajete) të Perandorisë Osmane për të jetuar në një shtet të pavarur.

Me pushkë në dorë u kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit për të ndarë Kosovën dhe pjesë tjera të viseve shqiptare nga Shqipëria me qëllim që të kënaqnin aspiratat grabitqare të fqinjëve tanë.

Pa u zgjatur në detaje rreth atyre ngjarjeve po theksoj vetëm faktin se mijëra luftëtarë shqiptarë u vranë në periudhën 1878-1881, sepse kundërshtonin si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve tona.

Në përputhje të plotë me frymën e programit dhe qëndrimeve politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të gjitha format e organizimeve të mëvonshme politike shqiptare e kanë konsideruar si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve shqiptare dhe okupimin e tyre nga shtetet fqinje të Shqipërisë.

Për periudhën që shkon prej kohës së okupimit të territoreve shqiptare nga Serbia e deri në Luftën e Dytë Botërore po citoj historianin britanik Noel Malcom. Në veprën e tij të titulluar “Kosova, një histori e shkurtër” ai thotë: “E vërteta – sa u përket fakteve legjitime- është ndryshe. Kosova ligjërisht kurrë s’ka qenë e bashkuar me shtetin serb” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.275). Për këtë arsye, “nëse një shtet kishte okupuar ilegalisht ndonjë pjesë të një vendi tjetër kur i është bashkuar Lidhjes (së Kombeve), atëherë asnjë shtet tjetër nuk do të ishte i obliguar për ta mbrojtur atë okupim ilegjitim” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.276).

Kur kemi të bëjmë me ilegalitetin e aneksimit të territoreve shqiptare Jugosllavisë, vlen të theksohet se edhe vetë Partia Komuniste e Jugosllavisë në disa vendime të miratuara në kongreset e saja para Luftës së Dytë Botërore kishte ardhur te konkluzioni se shqiptarëve u ishte bërë padrejtësi e madhe. Po rikujtoj se në përputhje me qëndrimet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për respektimin e të drejtës së kombeve për vetëvendosje, Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit mbajti Konferencën e saj në Bujan, në të cilën delegatët shqiptarë, serbë, malazezë dhe boshnjakë të Kosovës miratuan në mënyrë unanime rezolutën përmes të cilës përcaktohej qartë se pas përfundimit të luftës, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit do të bashkoheshin me Shqipërinë, në përputhje me vullnetin politik të popullit të saj.

Miratimi i Rezolutës së Bujanit për bashkimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë kishte edhe karakter ndërkombëtar, për faktin se në këtë mbledhje merrte pjesë Majori Baili, përfaqësues i Misionit Anglez që përfaqësonte Aleancën Antifashiste.

Dihet se në vend të respektimit të së drejtës së popullit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, komunistët jugosllavë, në mënyrë të jashtëligjshme (ilegale), imponuan administrimin ushtarak në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit.

Ky administrim vazhdoi deri në të ashtuquajturin “Kuvend i Prizrenit”, ku 137 “delegatë” të emëruar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, prej të cilëve vetëm 32 persona ishin shqiptarë, vendosën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkëngjiten Serbisë.
Përmes kësaj mbledhjeje në “Kuvendin e Prizrenit”, komunistët jugosllavë përpiqen të legjitimojnë ripushtimin e territoreve tona.

Nga cili do këndvështrim i të drejtës që të shihen vendimet e kësaj mbledhjeje del qartë se vendimet e saj ishin VENDIME ILEGALE, për arsye se ishin në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit të shprehur për bashkim me Shqipërinë.

Të gjitha grupet, organizatat dhe lëvizjet politike shqiptare në territoret që mbetën nën Jugosllavi, që u themeluan pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike pushtetin jugosllav dhe instalimin e këtij pushteti në territoret tona e kanë cilësuar si ripushtim. Pra nga këndvështrimi i të drejtës së kombeve për vetëvendosje, e drejtë që qëndron në themelet e të drejtës ndërkombëtare, pushteti jugosllav në territoret shqiptare ishte PUSHTET ILEGAL. Dhe rrjedhimisht ligjet e këtij shteti kanë pasur karakter ILEGAL/TË PALIGJSHME.

Asnjë grup, asnjë organizatë dhe asnjë lëvizje asnjëherë nuk ka kërkuar leje nga pushteti jugosllav që të themeloheshin për realizimin e të drejtave tona kombëtare, por janë krijuar dhe kanë vepruar me qëllim të vetëm çlirimin e territoreve me shumicë shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Që nga korriku i vitit 1945, kur gjatë administrimit ushtarak të viseve shqiptare u mbajt i ashtuquajturi “Kuvend i Prizrenit”, komunistët jugosllavë trumbetonin pandërprerë se gjoja “bashkimi me Serbinë ishte bërë me vullnetin e popullit shqiptar”! Kjo propagandë kishte vetëm një qëllim: t’i jepej legaliteti pushtetit ilegal që nuk respektoi vullnetin e shprehur në Konferencën e Bujanit.

Përveç individëve që ishin të integruar në strukturat e pushtetit të serbëve, të maqedonasve dhe të malazezëve dhe që trumbetonin se gjoja shqiptarët kishin vendosur të mos bashkoheshin me Shqipërinë, por të jetonin të copëtuar në mes tri republikave sllave, asnjë shqiptar nuk mund ta konsideronte të ligjshëm pushtetin e instaluar me dhunë nga komunistët jugosllavë. Përkundrazi, ky pushtet ishte PUSHTET ILEGAL në raport me vullnetin e popullit tonë, dhe vetëm si i tillë mund të cilësohej nga grupet, nga organizatat dhe nga lëvizjet politike shqiptare.

Disa reagime lidhur me shkrimin tim më imponojnë të ndalem në sqarimin edhe të termit “klandestin”. Edhe pse kohët e fundit një numër gazetarësh përdorin këtë term për të emëruar emigrantët që hyjnë fshehurazi në një shtet të caktuar, kjo fjalë është me origjinë nga fjala latine “clandestinus” që do të thotë “i fshehtë” dhe që nuk ka asnjë lidhje as me çështjet e autoktonisë e as me ardhacakët në një vend të caktuar.

Kur bëhet fjalë për format e fshehta të veprimtarisë së grupeve, të organizatave dhe të lëvizjeve politike shqiptare në Jugosllavinë e dikurshme veçohen futja dhe shpërndarja e literaturës së ndaluar, shtypja dhe shpërndarja e gazetave të tyre, shtypja dhe shpërndarja e trakteve e komunikatave dhe aktivitete të kësaj natyre… Megjithatë nuk duhet të harrohet se krahas veprimtarisë së fshehtë të kontestimit të legalitetit të pushtetit jugosllav, grupet, organizatat dhe lëvizje politike shqiptare, në kontekste të caktuara historike, kanë zbatuar edhe forma të veprimtarisë së hapët të kontestimit të legalitetit të këtij pushteti. Si shembull do të përmend demonstratat e vitit 1968, ato të vitit1981 dhe protestave të viteve në vijim, demonstratat e vitit 1988, greva e përgjithshme e minatorëve të Trepçës dhe demonstratat e vitit 1989 kundër “Kushtetutës së Tankeve”, demonstrata e 1 Tetorit 1997 etj. që janë vetëm disa shembuj të kontestimit në mënyrë të hapur të legalitetit të pushtetit jugosllav.

Qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në demonstratat të cilat botërisht e bënë të njohur se për shqiptarët pushteti jugosllav është pushtet ilegal dhe se nuk gëzonte asnjë legjitimitet.

Dhe lufta kundër pushtetit ilegal jugosllav mbi trojet tona arriti kulmin e vet në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit.

Edhe pse Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi na kanë konsideruar si “ilegal”, ne kemi qenë legal (të ligjshëm) në përputhje me vullnetin e popullit tonë.

Serbia vazhdimisht i ka konsideruar si “ilegale” të gjitha format e organizimeve politike që kanë kontestuar legjitimitetin e saj në Kosovë. Edhe sot e kësaj dite ajo vazhdon të trajtojë vendimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës si “vendim të njëanshëm dhe ilegal”, edhe pse legalitetin e këtij vendimi e legjitimoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Prandaj, nëse të kaluarën dikush ka përdorur gabimisht termin “ilegal” për grupet, për organizatat dhe për lëvizjet që kanë pasur për qëllim çlirimin e trojeve tona nga pushtuesit jugosllavë, tani është koha që të harmonizohet terminologjia dhe për këto struktura politike të përdoret mbiemri cilësor “çlirimtar”, sepse është term më adekuat me qëllimet që kanë pasur grupet, organizatat dhe lëvizjet që nga ripushtimi i trojeve tona nga komunistët jugosllavë. Legaliteti i këtyre grupeve, organizatave dhe lëvizjeve buron nga e drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje.

Bardhyl-Mahmuti-Ditëve të fundit më kanë ardhur mesazhe të cilat gjoja mbështeten në  materialet ekskluzive të burimeve të vendimmarrjes ndërkombëtare në bisedimet Kosovë – Serbi. Për të qenë më bindëse në atë që shpërndahet në emër të “vendimmarrjes ndërkombëtare”, shkrimi shoqërohet edhe me një hartë të territoreve që parashihen “të shkëmbehen me marrëveshje”!

Prezantimi i hartës është bërë me mjeshtri që të krijohet iluzioni se në këtë shkëmbim territoresh Kosova fiton më shumë se sa Serbia! Këtu kemi të bëjmë me një manipulim të fëlliqtë në funksion të krijimit të një klime të favorshme për t’i dhënë territoret e Kosovës Serbisë dhe për të “marrë” territoret që padrejtësisht janë ndarë prej saj.

P.S. Në këtë rast nuk e përdora termin “i kulluar” ose i “pastër”, sepse nuk ka asgjë të pastër e as të kulluar në këtë manipulim të fëlliqtë!  

Të dashur miq,

Para dy ditësh Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi deklaroi se “gjatë luftës dhe pas saj kanë ndodhur abuzime të individëve të caktuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me emrat e individëve të caktuar, janë shkruar komunikata dhe deklarata edhe nga banhofa jashtë vendit pa dijeninë dhe aprovimin nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , të cilat kanë qenë në kundërshtim me vullnetin dhe vendimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kontekst ai përmendi  komunikatën numër 59, si komunikatë abuzuese që ka lënduar luftëtarin e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuptimin moral dhe kombëtar Gani Gecin dhe familja e tij dhe i shprehu ndjesë dhe keqardhje pse kjo gjë nuk është sqaruar deri tani”.

Mbrëmë përmes messengerit të Facebookut më thirri Gani Geci. Sipas pohimeve të tij, dikush nga njerëz kompetent i paskan thënë se komunikatën numër 59 e paskam shkruar unë!

Nëse pohimi i tij është i vërtetë atëherë kemi të bëjmë me një praktikë shumë të ulët dhe tejet të ndyrë. Në këtë rast kemi  të bëjmë jo vetëm me praktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, por edhe drejtimin e gishtit për nxitje konflikti.

Siç i sqarova edhe Gani Gecit, pa marrë parasysh e cilës natyrë ka qenë dhe çfarë përmbajtje ka pasur, asnjë komunikatë nuk është shkruar nga ana ime. Këtë e dinë fare mirë të gjithë ata që kanë shkruar komunikata dhe deklarata politike.

Në bisedë me Ganiun nuk ishte vendi që ta potencoj atë që e kam thënë publikisht që në vitin 2010, me rastin e vdekjes së Ambasadorit të SHBA-ve për Ballkan, Richard Holbrooke. Atëherë sqarova se në selinë e NATO-s në Bruksel u përpilua komunikata përmes të cilës Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpallte në mënyrë të njëanshme armëpushim për t’i dhënë mundësi zgjidhjes së Çështjes së Kosovës përmes dialogut.

Atë komunikatë nga Selia e NATO-s ia kam diktuar përmes telefonit anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Kadri Veseli, i cili gjatë asaj dite, me modifikimet e caktuara, e ka bërë publike. Edhe pse z. Veseli, pasi e dëgjoi në tërësi komunikatën, më porositi që ta publikoja unë refuzova për të vetmen arsye se nuk doja që komunikatat dhe deklaratat e UÇK-së të shpërndaheshin nga vendet jashtë Kosovës, për arsye se teknika e identifikimit se prej nga vijnë informatat mund të na nxirrte jo serioz.

Me një fjalë, as edhe në rastet kur më është thënë të shkruaj komunikatë nuk e kam bërë.

Po e përsëris atë që i thash Gani Gecit. Nëse do ta kisha shkruar atë komunikatë dhe nëse do të isha i bindur se ajo komunikatë bazohet në fakte kurrë nuk do të pendohesha dhe kurrë nuk do të kërkoja falje, edhe sikur krejt arsenalin e armatimit të botës ta kishe në duart tua.

Unë kurrë nuk do të shkruaja një komunikatë që bazohet në të pavërteta dhe shpifë për të tjerët! Edhe në rastin më të pamundshëm, nëse do ta kisha shkruar komunikatën numër 59 me të gjithë ato të pavërteta që përmban kjo komunikatë, unë nuk do të prisja 20 vjet për të kërkuar falje. Do ta bëja menjëherë dhe do t’i merrja përgjegjësitë që do të më binin për shpërndarje të dezinformatave që kanë lënduar luftëtarin e orëve të para, Gani Gecin dhe familjen e tij. Është koha që secili të merr përgjegjësitë edhe për gabimet që janë bërë

Nga Bardhyl Mahmuti-Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit veprimet që përbëjnë gjenocidin “kanë për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik, të një grupi nacional, etnik, racor ose fetar, si të tillë”.

Në datën 27 janar bota përkujton ditën e çlirimit të Kampit famëkeq të Përqendrimit në Auschwitz (Aushvic). Ky kamp përqendrimi u shndërrua në sinonim të gjenocidit nazist kundër popullit hebre, sepse në të u zhvendosën me tren mbi një milion pjesëtarë të këtij populli, shumica dërmuese e të cilëve u vranë.
Në këtë përvjetor po veçoj vetëm disa aspekte që lidhen me krimin e gjenocidit.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gjykatat ndërkombëtare dhe të shteteve veç e veç ndoqën dhe ndëshkuan regjimin që kreu gjenocid dhe zinxhirin komandues nga kreu i shtetit e deri te kriminelët që ekzekutuan krimin më të shëmtuar që njeh e drejta penale ndërkombëtare. 
Ky ndëshkim duhej të përcillte mesazhin se bota nuk do të tolerojë përsëritjen e krimeve të kësaj natyre. Në funksion të këtij mesazhi u miratua Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. 
Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit përcakton se cilat akte hyjnë në këtë kategori krimi. Për arsye se një numër i politikanëve, gazetarëve dhe atyre që marrin fjalën në rastet e përkujtimit të akteve gjeocidare në Kosovë përdorin terminologji joadekuate, e shoh të udhës që të ndalem shkurtimisht në këtë konventë, sepse kjo do të na mundësojë që të shohim mjetet e manipulimit që përdorin mohuesit e gjenocidit serb në Kosovë.
Ajo që më duket thelbësore të tërheq vëmendjen ka të bëjë me faktin se sipas kësaj konvente “që të kualifikohet si gjenocid, akti kriminal duhet të jetë kryer me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup i caktuar nacional, etnik, racor ose fetar, si i tillë.” Pra, është pikërisht “QËLLIMI” që të SHKATËRROHET tërësisht ose pjesërisht grupi «SI I TILLË” ajo që e karakterizon gjenocidin dhe që e dallon nga krimet e tjera. (Neni II i Konventës).


Siç shihet, as termi “zhdukje” as termi “shfarosje”, terme që përdoret shpesh në hapësirën politike dhe mediatike të Kosovës, nuk hynë në definicionin e krimit të gjenocidit. “Shfarosja” si nocion hyn në kuadër të krimeve kundër njerëzimit, që paraqesin krime të një shkalle më ulët në krahasim me krimin e gjenocidit. Prandaj, ata që përdorin nga padituria e tyre këtë term kur flitet për krimet serbe duhet ta dinë se përdorin një nocion që e ulë përgjegjësinë kriminale të shtetit serb.
Në këtë përkufizim nuk përcaktohet ASNJË NUMËR, ASNJË PËRQINDJE në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid. Në këtë kontekst po përmend studimin e Nicodème Ruhashyankikos, që u publikua si studim i Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së .


Në “Studimin e çështjes së parandalimit dhe ndëshkimit të krimit të gjenocidit» Ruhashyankiko thekson se “përkundër asaj që qëllimi i Konventës është parandalimi dhe ndëshkimi i akteve të gjenocidit të drejtuara kundër një numri të madh personash, asgjë nuk e ndalon që këto dispozita të interpretohen dhe të aplikohen në rastin e vrasjeve individuale. Edhe në rastet kur rezultati është VRASJA E NJË PERSONI TË VETËM, fakti se qëllimi i kriminelit është drejtuar kundër jetës së më shumë se një anëtari të grupit, nuk paraqet asnjë pengesë që dispozitat e Konventës të aplikohen edhe në këtë rast (…) 
Megjithatë, një pjesë e autorëve mendojnë se për ta cilësuar krimin si gjenocid atëherë një numër më i madh personash duhet të jenë goditur nga ky veprim. Sipas disa autorëve, që të cilësohet krimi si gjenocid, ata mendojnë se duhet të kemi “qindra apo mijëra viktima” gjatë aksioneve që kanë për qëllim shkatërrimin e një grupi si të tillë.

Cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim t’i “banalizojë” gjenocidet e aplikuara kundër popujve tjerë në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi. Manipulimi me numrin e vrasjeve dhe heshtja e qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë, paraqet një formë të banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të gjenocidit.
Kriminelët e regjimit të Beogradit dhe mohuesit e gjenocidit serb e dinë se nëse nuk arrihet të dëshmohet “qëllimi” për të shkatërruar tërësisht apo pjesërisht shqiptarët e Kosovës, asnjë arsyetim ideologjik apo politik nuk është i mjaftueshëm për ta kualifikuar krimin e Serbisë si gjenocid. Për këtë arsye, strategjia për të mohuar “qëllimin” dhe fshehja e gjurmëve u shndërruan “në sistem të shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës… në sistem të shkatërrimit të bindjes lidhur me krimin dhe të futjes së dyshimit për vërte¬tësinë e krimit…”
Krahas vrasjeve që synonin shkatërrimin fizik të shqiptarëve të Kosovës, forcat serbe aplikuan edhe formën e “gjenocidit biolo¬gjik”. 
Në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, cenimi i integritetit fizik dhe mental të anëtarëve të një grupi nacional, etnik, racor apo religjioz përbën akt të gjenocidit. Sot askush nuk mund ta kontestojë faktin se dhunimi dhe dhuna seksuale mbi një femër përbën cenim të rëndë të integritetit fizik apo mental të personit të dhunuar. Dhunimet seksuale në Bosnje, në Kroaci dhe Kosovë u bënë si mjet bashkë¬kohor i luftës që kishte për qëllim “shkaktimin e dëmeve të pariparueshme ndaj anëtarëve të grupit. Aq më tepër kur ky keqtrajtim është bërë me atë qëllim.” Dhunimi dhe dhuna seksuale përbëjnë shkelje të konventës së lartpërmendur sepse dhunimi i shkakton viktimës traumatizëm dhe plagë të pashlyera psikologjike.
Duke u bazuar në faktin se dhunimi paraqet një cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mental të viktimës, Gjykata Penale Ndërkombëtare për Rwandën e cilësoi dhunimin si formë e gjeno¬cidit. Ndërsa, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nën ndikimin politik, hoqi cilësimin e këtyre krimeve si gjenocid.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për Rwandën i cilësoi dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutu-ve ndaj Tutcive si akte gjenocidi për shkak të faktit se dhunimi paraqet cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës. Të konsiderohen si krime lufte aktet e njëjta që forcat ushtarake dhe policore serbe bënë në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë dëshmon për një raport të caktuar të forcave politike dhe për presionin që iu bë Gjykatës Penale Ndër-kombëtare për ish-Jugosllavinë për të hequr akuzën për gjenocid.

Me një fjalë, krimet e kryera në Kosovë nuk kanë qenë jashtë kontrollit të strukturave politike, ushtarake dhe policore serbe, por ishin rezultat i një plani që kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë dhe ndryshimin e strukturës së popullsisë së Kosovës. Të gjitha aktet e dhunës që forcat serbe kryen ndaj shqiptarëve të Kosovës (vrasjet, plagosjet, keqtrajtimet, dhunimet seksuale, poshtërimet, cenimet e integritetit fizik dhe mental të tyre, dëbimit nga Kosova etj) kishin për qëllim të shkatërronin një pjesë të shqiptarëve për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Vrasja sistematike e civilëve të paarmatosur shqiptarë, vrasja e 1392 fëmijëve, e 1739 grave dhe e mijëra pleqve që nuk paraqisnin asnjë rrezik ushta¬rak, dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe zhdukja e 1657 kufomave civile dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin fizik dhe biologjik në Kosovë me qëllim të shkatërrimit të shqiptarëve të Kosovës, si të tillë.
Sa i përket “qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor ose fetar”, që përbën thelbin e gjenocidit, nuk ka asnjë dallim mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit.

Bardhyl Mahmuti– Në 20 vjetorin e aktit gjenocidar në Reçak, nënkoloneli serb Goran Radosavljeviq-Guri dhe kriminelët tjerë që kryen gjenocidin kundër shqiptarëve jetojnë të lirë në Serbi. Ndërsa në Hagë, prokurorë ndërkombëtarë të bazuar në dosjet e sajuara prej Shërbimit Sekret të Serbisë marrin në pyetje gjeneralë të UÇK-së! Kjo është hipokrizi ndërkombëtare ndaj krimit të gjenocidit!
Po sjell për lexuesin pjesë nga dy artikujt e gazetarit Pierre Hazan, i cili në janar të vitit 1999 ishte i dërguari special në Kosovë i gazetës franceze “Libération”.

Në artikullin e titulluar “Masakra e Reçakut: rrëfimi i një dëshmitari çelës….”, Pierre Hazan-i sjell rrëfimin e dëshmitarit: “Rreth orës 15:45, një çerek ore pas përfundimit të të shtënave, forcat serbe u larguan nga fshati (…) Ne vendosëm të hynim në Reçak. Një duzinë civilësh ishin aty në një gjendje tronditëse. Njëri nga ta na zgjati diçka. Njëri nga njerëzit e mi e mori. Papritmas konstatuam se ishte pjesë kafke. Përkthyesi ynë na shpjegoi se ky njeri sapo kishte gjetur kufomën e vëllait të vet, me kokë të copëtuar. Ne pamë një trup. Plumbi i kishte krisur mbi kokë dhe tërë kafka ishte copëtuar. Fshatarët na thanë se nja njëzet burra ishin arrestuar (…) Ora ishte rreth 17:30. Bënte terr i zi. I mora 5 të plagosur. Të gjithë civilë. Këtë të premte, për herë të parë dhe të vetme, një grua na tha se burrat ishin dërguar për ekzekutim. Ajo ishte në gjendje tejet të shqetësuar. Vajza e saj ishte e plagosur. Jemi afruar rreth 400 ose 500 metra afër përroit, por nuk pamë gjë. Në orën 18:00 u larguam nga Reçaku…”“Të shtunën në orën 8:45”- vazhdon tregimin vëzhguesi i OSBE-së, që gazetari e paraqet vetëm me emrin «Mike»- “ne u kthyem përsëri në Reçak. Ushtarët e UÇK-së ishin aty. Ata i zbuluan të vdekurit në të njëjtën kohë me ne (…). Disa media pretendojnë se ata kanë organizuar një inskenim për ta bërë të besueshme masakrën. Duhet të kishin qenë gjeni të inskenimit, të pajisur me një talent të jashtëzakonshëm për aktrim (…). I morëm gëzhojat si prova. Ndoshta nja dy duzina gëzhoja dhe karikatorë. Ushtarët e UÇK-së i morën 9 shokët e tyre. Kufoma pa koka. I pashë nja njëzet kufoma në përrua, të ekzekutuara me nga një plumb në kokë. Mandej kufoma të tjera përreth. Këta, sipas asaj që shihej, kanë tentuar të iknin. Pastaj zbrita në fshat, aty ku viktimat ishin vrarë me nga një plumb në kokë ose duke u përpjekur të iknin. Pashë trupin e një djaloshi 12-vjeçar, i vrarë me një plumb pas qafe, pranë kufomës së babait të vet. Pashë kufomën e një burri pa kokë, të cilën e gjeti vëllai i tij. I kishin mbetur flokët e hequra me lëkurën e kafkës. A janë gjymtuar këta trupa apo kafshët ua kanë ngrënë mishin? Nuk e di! Vëllai i vuri ndërmjet shpatullave atë që kishte mbetur nga koka…” 
Në artikullin “Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”, Pierre Hazan-i filloi dëshminë e fshatarëve të Reçakut me thëniet e një fëmije të vrarë në këtë aksion. “Kujdes mami, ata do të vrasin!”, ishin fjalët e fundit të Halim Beqirit, 12-vjeçar. Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha. ‘Ata e vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë’” rrëfente nëna e tij, Eminja.
“Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 20 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do të na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma nga të katër anët”, tha Rama, një burrë rreth dyzet vjeç. “Pjesa tjetër e grupit u dërguan në përrua. Policët serbë i prisnin që t’i vrisnin.”
“Të shtunën, trupat e këtyre njëzet burrave ishin ende njëri mbi tjetrin, në pozicionin që ishin vrarë. Ishin ekzekutuar nga afër. Një vdekje e përgatitur dhe e ekzekutuar me gjakftohtësi. Në orën 17:00 serbët u tërhoqën. Të mbijetuarit filluan të lëvizin. Një nga shtëpitë e para të fshatit, afër xhamisë, ishte ajo e Banush Azemit, 62-vjeçar. Kufoma e tij, pa kokë, ishte pranë shtëpisë së tij. Vëllai i tij, Bedriu, 55-vjeçar, kërkonte kokën. Fshatarët e gjetën më vonë. Në fshat ishte edhe një kufomë e një burri të gjymtuar. Një adoleshent sapo kishte gjetur kufomat e tre vëllezërve të tij…” “E shtunë pasdite”, vazhdon Pierre Hazan-i. 
“Ora ishte gati 15:00 kur erdhi gjenerali Walker, shefi i Misionit të OSBE-së. Të mbijetuarit nga kjo ngjarje e dërguan Walker-in te përroi ku ishin të shtrira mbi njëzet viktima”. “Janë vrarë me nga një plumb në kokë ose pas qafe”, deklaroi pa asnjë dyshim William Walker-i… 
Më gjerësisht Kapitulli i Tretë i librit «Mashtrimi i Madh»

Politologu shqiptar, Bardhyl Mahmuti, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Evropa” duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, ka thënë se vetëm gjatë dhjetë viteve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka përfituar mbi 5 miliardë euro nga tregu i Kosovës.

“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se këto miliarda euro të Kosovës shfrytëzohen edhe për armatosjen e Serbisë me armët më të sofistikuara ruse; shfrytëzohen edhe për mobilizimin diplomatik që të tërhiqen njohjet nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës; shfrytëzohen edhe për pengimin e anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare; shfrytëzohen edhe për pagesat e strukturave të pushtetit serb në Kosovë… Me një fjalë, çdokush që blenë produkte serbe, kontribuon me paratë e veta të forcohet Serbia që të na luftojë edhe më fuqishëm”, ka thënë Mahmuti.

Politikologu i njohur shqiptar, ka propozuar që taksa prej 100 për qind për produktet serbe të shkojë në një fond të veçantë për dëmshpërblimin e viktimave të gjenocidit serb.
Duke komentuar reagimin e zonjës Federica Mogherini, e cila në emër të BE-së kërkoi që taksat të hiqeshin menjëherë, Bardhyl Mahmuti ka thënë se pa marrë parasysh se nga kush dhe të cilës natyrë do të jenë presionet ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, një gjë është e sigurtë: “NUK KA ASNJË FORCË DHE ASNJË PRESION QË DETYRON QYTETARIN E KOSOVËS TË BLEJË PRODUKTE SERBE!”.

Serbia ka përfituar mbi 5 miliardë euro nga tregu i Kosovës

Qeveria e Kosovës ngriti taksat për produktet e ndërmarrjeve të Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës në masën prej 100 për qind. Shumica e interpretimeve këtë vendim e ndërlidhin me dështimin e Kosovës që të anëtarësohet në Interpol. Çka mendoni ju?
Bardhyl Mahmuti: Meqenëse vendimi i Qeverisë së Kosovës pasoi dështimin diplomatik në Dubai, shumëkush e sheh këtë vendimin të lidhur me zhvillimet rreth përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në institucione dhe në organizata ndërkombëtare. Mendoj se gjërat duhet të shihen të ndara. Edhe sikur të mos kishim pengesat për t’u anëtarësuar në Interpol, një taksë e veçantë për produktet e shtetit që ka ushtruar gjenocid në Kosovë del si domosdoshmëri. Kjo taksë duhet të shkojë në fond të veçantë për dëmshpërblimin e viktimave të gjenocidit serb.
Përveç vendimeve qeveritare, në raportet tregtare me Serbinë një përgjegjësi vendimtare kanë të gjithë qytetarët e Kosovës. Vetëm gjatë dhjetë viteve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka përfituar mbi 5 miliardë euro nga tregu i Kosovës.
Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se këto miliarda euro të Kosovës shfrytëzohen edhe për armatosjen e Serbisë me armët më të sofistikuara ruse; shfrytëzohen edhe për mobilizimin diplomatik që të tërhiqen njohjet nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës; shfrytëzohen edhe për pengimin e anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare; shfrytëzohen edhe për pagesat e strukturave të pushtetit serbe në Kosovë… Me një fjalë, çdo kush që blen produkte serbe kontribuon me paratë e veta të forcohet Serbia që të na luftojë edhe më fuqishëm.

Iniciativat për bojkotin e produkteve serbe kanë qenë prezente edhe para edhe pas luftës çlirimtare të Kosovë

Sipas jush, krahas masave shtetërore në raport me produktet serbe, a duhet që edhe qytetarët e Kosovës të jenë shumë më aktiv?
Bardhyl Mahmuti: Gjithsesi që kërkohet një proaktivitet më i madh dhe përgjegjësi më e lartë shtetërore edhe nga qytetarët e Kosovës. Të mos harrojmë, iniciativat për bojkotin e produkteve serbe kanë qenë prezente edhe para edhe pas luftës çlirimtare të Kosovës, por fatkeqësisht asnjëherë nuk patën efektin që do të duhej të kishin.

A mund të na sqaroni se në cilën kohë para luftës çlirimtare të Kosovës dhe kush ka ndërmarrë iniciativë për bojkotin e produkteve serbe?
Bardhyl Mahmuti: Në kulmin e fushatën antishqiptare të Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit për të hequr autonominë e Kosovës, në kohën kur minatorët e Trepçës filluan grevën e përgjithshme dhe u shndërruan në strumbullar të mobilizimeve për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona kombëtare, më 27 shkurt 1989, në Pallatin “Cankariev Dom” të Lublanës, mbi 400 mijë sllovenë nënshkruan peticionin në mbrojtje të Kosovës. Ky solidaritet i paparë deri në atë kohë e tërboi regjimin e Beogradit. Të gjitha institucionet republikane dhe partiake të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi sollën vendim që të bojkotohen mallërat e Sllovenisë. Në këtë kontekst historik, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e vetmja organizatë atdhetare shqiptare e asaj kohe që vepronte në klandestinitet, lëshoi komunikatë përmes të cilës kërkonte nga të gjithë shqiptarët që të bojkotonin mallërat e Serbisë, Maqedonisë dhe të Malit të Zi.
Fatkeqësisht edhe në atë periudhë edhe pas gjenocidit serb në Kosovë ky aspekt i luftës nuk ka pasur shtrirjen e duhur.

Sipas jush, çfarë efekti do të duhej të kishte qendrimi rezufues i qytetarëve të Kosovës ndaj produkteve serbe?
Bardhyl Mahmuti: Po sjellë shembull takimin me një numër senatorësh belg që ishin për vizitë në Kosovë në vitin 1999. Në atë kohë ishte aktualizuar kërkesa për bojkotimin e produkteve të Serbisë dhe kërkuan nga unë qëndrimin e Qeverisë së Përkohshme, ministër i Punëve të Jashtëm të së cilës isha.
Në atë kohë shpreha skepticizmin tim për realizimin e një gjëje të tillë, sepse çdo gjë ishte nën kontrollin e UNMIK-ut. U thash se sikur të kishim mundësi do të ndalonim hyrjen e çdo produkti serb në Kosovë. A mund të imagjinoni reagimin e izraelitëve nëse dikush do të përpiqej të fuste në vendin e tyre produkte që kanë simbolin e kryqit të thyer të Hitlerit? E njëjta gjë vlenë edhe për ne. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe simbolet e këtij shteti janë simbole të shtetit që kreu gjenocidin në Kosovë.
Të nesërmen e takimit i shoqërova në Komunën e Rahovecit. Atje patën mundësi të shihnin një pjesë të vogël të tragjedisë së madhe të shqiptarëve. Pas kësaj vizite, Senatorja Anne-Marie Lizin më tha në prezencë të krejt delegacionit: “Edhe sikur ajri i pastër të vinte vetëm nga Serbia dhe jeta ime të ishte e varur prej tij, të isha shqiptare nuk do ta blija! Do të më dukej përbuzje ndaj të gjitha viktimave!”
As në kohën kur nuk kishim asgjë nën kontroll, e as më vonë kur kërkesa për bojkotin e mallrave serbe u bë njëra nga kauzat e Lëvizjes Vetëvendosje, bojkoti nuk u realizua! Të shpresojmë që këto masa shtetërore do të nxisin vetëdijesimin e njerëzve që të ndërpresin kontributin financiar për shkatërrimin e shtetit të Kosovës.
Të jeni të bindur se në atë moment kur Serbia nuk do të ketë fitime nga Kosova, ajo do të heqë dorë nga financimi i politikës shkatërruese në Kosovë.

Nuk ka asnjë forcë dhe asnjë presion që detyron qytetarin e Kosovës të blejë produkte serbe!

Është për t’u habitur se me çfarë shpejtësie reagoi zonja Federica Mogherini, e cila në emër të BE-së kërkoi që taksat të hiqeshin menjëherë. A mendoni se Kosova do të ballafaqohet me presione nga BE-ja dhe institucionet tjera ndërkombëtare?
Bardhyl Mahmuti: Të gjitha institucionet e shtetit serb janë mobilizuar maksimalisht për ta paraqitur Serbinë si viktimë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës është vendim i peshuar mirë dhe nuk ka asgjë që mund të jetë në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore. Asnjë masë nuk është e tepërt për ata që e cënojnë lirinë e popullit të Kosovës apo që i bëhen pengesë shtetit të Kosovës për anëtarësim mëritor në institucionet politike, ekonomike, të sigurisë dhe ato kultore ndërkombëtare.
Megjithatë presionet ndaj Kosovës nuk përjashtohen. Sidomos nga ata që asnjëherë nuk kanë ngritur zërin kundër padrejtësive dhe shkeljeve të rënda që ka bërë Serbia në mosrespektimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Pa marrë parasysh se nga kush dhe të cilës natyrë do të jenë presionet ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës, një gjë është e sigurt: NUK KA ASNJË FORCË DHE ASNJË PRESION QË DETYRON QYTETARIN E KOSOVËS TË BLEJË PRODUKTE SERBE!
Sido që të zhvillohen ngjarjet, çdo shqiptar duhet t’i thotë njëherë e përgjithmonë JO PRODUKTEVE SERBE! Të mos bëhemi financues të shkatërrimit të ardhmërisë sonë dhe gjeneratave që vijnë pas nesh!