Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me kryetar Bardhyl Mahmutin, përmes një deklarate për media ka thënë se propaganda e shtetit serb në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë është intensifikuar, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës miratoi “Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë” më 8 maj 2019.
Në këtë deklaratë të kësaj qendre, është theksuar se krimi i gjenocidit që njihet në opinionin publik si “Masakra e Reçakut”, ka qenë dhe mbetet objekt i sulmeve të vazhdueshme të strategjisë̈, që synon mohimin e vërtetësisë së saj.
“Në kuadër të kësaj strategjie duhet të shihet edhe deklarata e fundit e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilëson krimin e gjenocidit në fshatin Reçak si ‘trillim i sajuar nga William Walkeri’. Kjo deklaratë e Aleksandar Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi. Përkundrazi është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë, sidomos pas 17 janarit të vitit 1999, kur Qeveria e Serbisë e shpalli William Walkerin ‘persona nongrata’ dhe i dha afat prej 48 orësh që të largohej nga Kosova”, thuhet në deklaratën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” mbështet reagimet e shumta ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila ka për qëllim mohimin e gjenocidit në Kosovë.
“Me qëllim që të jemi koherentë lidhur me qëndrimet tona, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që të mobilizohemi si shtet dhe si shoqëri, që më 15 janar të shënojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”, thuhet në këtë deklaratë.
Deklarata e plotë:
Duke u nisur nga fakti, se gjenocidi është krimi më i rëndë që njeh njerëzimi dhe që është i ndëshkueshëm sipas të drejtës penale ndërkombëtare, Serbia si shtet ka ngritur një sistem të tërë veprimtarish, në funksion të shkatërrimit të vërtetësisë së gjenocidit që kreu gjatë luftës në Kosovë. Përpjekja për të humbur dhe shkatërruar gjurmët e krimeve ka qenë dhe mbetet strategji e vazhdueshme e Serbisë, me qëllim mohimin e gjenocidit. Gjatë luftës në Kosovë këtë funksion e ka orkestruar Ministria e Informatave e Qeverisë së Serbisë, me në krye me Aleksandar Vuçiqin, ndërsa pas përfundimit të saj, për këtë qëllim janë angazhuar ministri të shumta dhe sektorë të veçantë të shtetit serb, të cilin e drejton po i njëjti person: Aleksandar Vuçiq.
Propaganda e shtetit serb në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë është intensifikuar, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës miratoi “Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë” më 8 maj 2019. Nga rezoluta e lartpërmendur do të veçojmë vetëm faktin, se “Kuvendi i Kosovës kërkoi që 15 janari të shpallet “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”, për arsye se në këtë datë, në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, forcat serbe kanë kryer një nga krimet më të shëmtuara gjenocidare që kishte ndodhur deri në atë kohë, që revoltuan komunitetin ndërkombëtar dhe e mobilizuan, për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, krimi i gjenocidit, që njihet në opinionin publik si “Masakra e Reçakut”, ka qenë dhe mbetet objekt i sulmeve të vazhdueshme të strategjisë, që synon mohimin e vërtetësisë së saj. Në kuadër të kësaj strategjie duhet të shihet edhe deklarata e fundit e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilëson krimin e gjenocidit në fshatin Reçak si “trillim i sajuar nga William Walker-i”. Kjo deklaratë e Aleksandar Vuçiqit nuk paraqet asnjë risi. Përkundrazi është përsëritje e fjalëpërfjalshme e asaj që ka thënë disa herë gjatë luftës në Kosovë, sidomos pas 17 janarit të vitit 1999, kur Qeveria e Serbisë e shpalli William Walker-in “persona nongrata” dhe i dha afat prej 48 orësh që të largohej nga Kosova.
Tani që po mbushen 21 vjet nga krimi i gjenocidit në Reçak, shteti serb dhe presidenti i saj dëshirojnë ta mbulojnë të vërtetën për Reçakun me propagandë, duke menduar se pluhuri i kohës mund të ketë mbuluar edhe të vërtetën për këtë krim të planifikuar e të zbatuar nga shteti serb. Arsenali propagandistik i shtetit serb duke u përpjekur ta shkatërrojë të vërtetën, ka sajuar gënjeshtrën se gjoja të vrarët paskëshin qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe se gjoja pas përfundimit të betejës, trupave të tyre u janë hequr uniformat dhe u janë veshur GJENOCIDI NË KOSOVË – PLAGË E HAPUR 1200 Genève E-Mail: [email protected] Online: www.kosovogenocide.com – 2 – rroba civile. Se kjo është një gënjeshtër dhe një fyerje e rëndë ndaj viktimave, këtë e dëshmojnë edhe ekspertët mjeko-ligjorë finlandezë, që ishin ngarkuar nga Bashkimi Europian për të bërë një ekspertizë të pavarur. Sa për ilustrim për ata që nuk kanë pasur mundësi të informohen hollësisht rreth rezultateve të analizave të kësaj ekspertize, do të citojmë deklaratën e udhëheqëses së këtij ekipi mjeko-ligjor, Helena Ranta: “Me autopsinë e trupave, me gëzhojat që u gjetën në vendin e krimit, me hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh, çështja e Reçakut është tema e shoshitur më së miri në historinë e Gjykatës së Hagës (…). Të vdekurit bartnin veshje civile, shtatë-tetë shtresa njëra mbi tjetrën, sepse ishte dimër. Autopsia vërtetoi se ata ishin vrarë me këto tesha. Gjatë hulumtimeve u gjetën plumba në gropën e përroit, nën sipërfaqen e dheut, aty ku u gjetën viktimat. Kategorikisht, përjashtohet mundësia që 23 njerëzit e gjetur në përrua të jenë vrarë në ndonjë vend tjetër. Nuk janë vendosur më vonë në këtë përrua dhe nuk ka pasur asnjë inskenim. Civilët shqiptarë janë vrarë nga afër dhe nuk ka asnjë rëndësi nëse ishin vrarë nga distanca një apo dy metra. Sido që të jetë, ata nuk janë vrarë në betejë”.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” mbështet reagimet e shumta ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila ka për qëllim mohimin e gjenocidit në Kosovë. Me qëllim që të jemi koherentë lidhur me qëndrimet tona, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që të mobilizohemi si shtet dhe si shoqëri, që më 15 janar të shënojmë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Gjenevë, 8 dhjetor 2019 Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”
Kryetari Bardhyl Mahmuti
A ishin premtime të rrejshme deklaratat e Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi?
Bardhyl Mahmuti-Nëse Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi nuk i shfrytëzon kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore për të urdhëruar masat ndëshkuese kundër Sylë Hoxhës, për cilësim të rrejshëm si “vetëvrasje”, të vrasjes së Astrit Deharit, atëherë Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të ndërmerr masat adekuate kundër Kryeprokurorit të Shtetit për shkelje të ligjeve të Kosovës. Ndërkaq, në rast se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk vepron në përputhje me obligimet e veta ligjore, atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese, duhet të shkarkojë Kryeprokurorin e shtetit për mosrespektimin e obligimeve ligjore. Në të kundërtën, Kosova shndërrohet edhe de jure në shtet ku nuk ndëshkohet krimi!
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi
Publikimi i rezultateve të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari” pati ndikimin e drejtpërdrejtë që lënda e kësaj çështjeje të transferohet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë. Këtë vendim e shoqëroi njoftimi i zyrës së Kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi, i datës 30 tetor 2019, se “do t’i shfrytëzojë kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore, që të zhvillohen hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të rastit”.
Prokuroria Themelore e Prizrenit dorëzoi përkthimin në gjuhën shqipe të dokumentit zyrtar të Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Ky përkthim është falsifikim i një dokumenti zyrtar dhe ky falsifikim përbën vetëm një aspekt të falsifikimit të këtij dokumenti.
Më 31 tetor 2019 kam bërë një shkresë publike Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi dhe Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Afrim Shefkiu, të cilën ua kam dërguar edhe në adresën elektronike zyrtare.
Në shkresën time kërkova që të ndërmerren të gjitha masat e parapara me ligj për autorët e falsifikimit të raportit të ekspertizës zvicerane.
Si dëshmi të falsifikimit solla ndryshimin e datës së raportit të 14 qershorit 2019 të ekspertizës së lartpërmendur dhe zëvendësimin e kësaj date, me datën 14 shtator 2019. Në të njëjtën kohë është ndërruar edhe numri i referencës së ekspertizës së parë, duke e prezantuar si të ishte pjesë e ekspertizës së dytë! Ky falsifikim është bërë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, me qëllim të fshehjes së faktit që raporti është mbajtur i fshehur 4 muaj. Për të krijuar iluzionin se të dy raportet e ekspertizës zvicerane kanë ardhur në të njëjtën ditë, faqja zyrtare e internetit e Prokurorit të Shtetit ka publikuar një kopje të zarfit ku shihet data e dërgesës dhe e rrugëtimit të këtij zarfi. Sikur në brendi të këtij zarfi të kishin qenë të dy raportet e ekspertizës zvicerane, Prokuroria Themelore e Prizrenit do ta kishte sqaruar opinionin publik dhe nuk do të kishte pasur nevojë të falsifikonte dokumentin, duke ndryshuar muajin qershor me atë të shtatorit. Ndryshimi i muajit është vetëm njëra nga dëshmitë se falsifikimi është bërë qëllimisht. Dëshmia e dytë që përforcon konstatimin e lartpërmendur lidhet me raportin plotësues të datës 9 shtator 2019. Në paragrafin ku flitet për raportin e parë të ekspertizës, atë të datës 14 qershor, është bërë ndryshimi tjetër.
Ta sqarojmë.
Në fillim të ekspertizës plotësuese EI190001, me numër reference: PPN/I no.461/16, të datës 9 shtator 2019, thuhet: “Më 5 shkurt 2018, nga z. Metush Biraj, Prokuror shtetëror i Republikës së Kosovës, kemi marrë një mandat në kuadër të ndihmës reciproke ndërkombëtare që ka të bëjë me vdekjen e: Astrit Deharit, i lindur më 26 shkurt 1990, i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren (Kosovë), vdekja e të cilit është konstatuar më 5 nëntor 2016, në ora 15:55.
Më 25 shkurt 2019 kemi marrë një pako që përmbante sende të cilat janë shqyrtuar gjatë analizave të ADN-së. Ky plotësim i ekspertizës shqyrton vetëm analizat e ADN-së”.
Në paragrafin e tretë, që përmban pjesën e falsifikuar të dokumentit, në gjuhën frënge, thuhet tekstualisht:
“Le 14 juin 2919, nous avons rendu un premier rapport (expertise EI180001), singé par les Profs T. Fracasso et S. Graherr et le Dr D.Aguiar”.
Në frëngjisht, folja “rendre” do të thotë “t’i kthesh dikujt diçka”. Në rastin konkret, kjo folje është përdorur në kohën e kryer, të mënyrës dëftore (passé composé de l’Indicatif) dhe meqë bëhet fjalë për një raport me shkrim, në ketë kontekst “nous avons rendu” do të thotë “kemi dorëzuar”. Pra kjo fjali përkthehet kështu:
“Më 14 qershor 2019, KEMI DORËZUAR një raport të parë (ekspertizën EI180001), të nënshkruar nga profesorët T. Fracasso dhe S. Grabherr dhe nga Dr D. Aguiar”.
Për të humbur gjurmët e fshehjes së raportit për 4 muaj rresht, në përkthimin zyrtar të Prokurorisë Themelore të Prizrenit kjo fjali është përkthyer në këtë mënyrë:
“Më 14 qershor, NE KEMI BËRË një raport të parë (ekspertizë EI180001), i nënshkruar nga Profesor T. Fracasso dhe S. Grabherr dhe Dr D.Aguiar”.
Po sqaroj për lexuesin se folja “rendre” (“t’i kthesh dikujt diçka”) në asnjë rast të vetëm nuk ka sinonim foljen “faire”, që në frëngjisht do të thotë “bëj”. Prandaj, në rastin konkret, duke e zëvendësuar foljen “dorëzoj” me foljen “bëj”, ata kanë falsifikuar dokumentin në atë mënyrë që lexuesi në gjuhën shqipe të mos e merr vesh se raporti është dorëzuar më 14 qershor 2019. Ky falsifikim nuk mund të shpjegohet me gabimet e rastësishme, por një gjë e tillë është bërë me vetëdije të plotë dhe me qëllimin të fshehjes të së vërtetës.
Falsifikim i dokumentit zyrtar i ekspertizës zvicerane është vepër penale, e ndëshkueshme me nenin 434 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Që nga data 31 tetor 2019, opinioni publik i Kosovës është njoftuar për dëshmi të pakontestueshme që kanë të bëjnë me këtë vepër penale. Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të vu para përgjegjësisë ata që kanë kryer këtë vepër penale. Përkundrazi, prokuroria është duke heshtur një vepër penale që ka lidhje me rastin më të rëndë penal që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Mënyra e tillë e veprimit e Kryeprokurorit të shtetit dhe e Prokurorisë Speciale të Kosovës, që ka lëndën e rastit “Astrit Dehari”, është në kundërshtim të plotë me ligjet e Kosovës dhe mesazh i kundërt me deklaratat e Kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi se “do t’i shfrytëzojë kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore, që të zhvillohen hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të rastit”.
Përpjekja e prokurorisë për të lënë në heshtje një vepër penale i bën përgjegjës para ligjeve të Kosovës dhe forcon bindjen se zinxhiri i atyre që janë të përfshirë në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit ngjitet deri në kreun më të lartë të institucioneve tona të drejtësisë.
Çështja e dytë që ka të bëjë me mosveprimet e institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës në rastin “Astrit Dehari”, lidhet me moszbatimin e Ligjit Nr.06/L-57, për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
Raportet e ekspertizës zvicerane hodhën poshtë mundësinë që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje dhe kërkuan që të bëhen hetime për të ndriçuar rrethanat e dyshimta të vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit.
Hedhja poshtë e cilësimit të këtij rasti si vetëvrasje e vë para përgjegjësisë së drejtpërdrejt kryeprokurorin e atëhershëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i cili, më 18 nëntor 2016, u përpoq të mbyllte rastin “Astrit Dehari”, si “vetëvrasje”.
Pas argumentimit nga ekspertët zviceran se Astrit Dehari nuk ka pasur mundësi objektive të bënte vetëvrasje me mjetet që pretendojnë “ekspertët” e Kosovës, del qartë se vdekja e dhunshme e Astrti Deharit është vrasje. Rrjedhimisht përgjegjësia e prokurorit Sylë Hoxha është e qartë.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi nuk duhet të pres që një person fizik ose juridik të ushtrojë ankesë, për të ndërmarrë masa disiplinore ndaj një kryeprokurori. Në përputhje me nenin 9, paragrafi 1.4 të ligjit për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, Kryeprokurori i Shtetit duhet të ndërmerr masat disiplinore kundër Sylë Hoxhës për cilësim të rrejshëm si “vetëvrasje”, të vrasjes së Astrit Deharit.
Nëse Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi nuk i shfrytëzon kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore për të urdhëruar masat ndëshkuese kundër Sylë Hoxhës, atëherë Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të ndërmerr masat adekuate kundër Kryeprokurorit të Shtetit për shkelje të ligjeve të Kosovës. Ndërkaq, në rast se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk vepron në përputhje me obligimet e veta ligjore, atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese, duhet të shkarkojë Kryeprokurorin e shtetit për mosrespektimin e obligimeve ligjore. Në të kundërtën, Kosova shndërrohet edhe de jure në shtet ku nuk ndëshkohet krimi!
Post Scriptum
Kur them që në rast të mosfunksionimit të institucioneve të drejtësisë i takon Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, që në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese, të realizojë shkarkimin e Kryeprokurorin e shtetit për mosrespektimin e obligimeve ligjore kam për bazë këto fakte: Në bazë të neni 83 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës, ndërkaq në bazë të nenit 83, pika 2, nga momenti kur nuk funksionon një institucion i caktuar, është kompetencë e presidentit që t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë kushtetuese që të garantohet funksionimi normal i institucionit përkatës. Në rastin konkret, nëse institucionet e drejtësisë refuzojnë të zbatojnë ligjet, i takon presidentit të Kosovës që të gjejë mënyrën e zbatimit të kompetencave kushtetuese, që të vihet drejtësia në vend.
Bardhyl Mahmuti- Pretendimi i Flamur Blakajt, se e paskëshin “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme” dhe se gjoja mendimi i ekspertëve zviceranë dhe i Komisionit Mjekësor të Kosovës “përputhen në pjesën dërmuese”, është një gënjeshtër e kulluar.
Raportet e ekspertizës zvicerane jo vetëm që nuk përputhen në pjesën dërmuese të konstatimeve me raportin e autopsisë të kryer nga ekipi mjeko-ligjor i Kosovës, por, përkundrazi, nuk mund të gjendet asnjë pikë e vetme, ku përputhen qasjet e të dy ekipeve mjeko-ligjore.
1. Ekipi mjeko-ligjor zviceran nuk pajtohet me ekipin mjeko-ligjor të Kosovës rreth diagnozës së vdekjes së Astrit Deharit, sipas të cilëve ai “kishte vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë) dhe se shkaktimi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës”.
Ekspertiza zvicerane nxori në shesh një numër të konsiderueshëm mangësishë të ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në interpretimin e plagëve të shkaktuara nga shishja plastike në gojë dhe erdhën te përfundimi i ndryshëm, që hap rrugën e hulumtimit të mekanizmave të tjerë të përdorur për t’i zënë frymën Astrit Deharit. Një ndër mekanizmat e tjerë që përmendin ekspertët zviceranë, e që ka të bëjë me procesin fatal të zënies së frymës, lidhet me mavijosjet që vërehen në vendet karakteristike për lëndimet, që janë shkaktuar gjatë kapjes në qafë, të llojit “çelësi i krahut” ose formave të tjera të dhunës në qafë.
Ekspertët zviceranë hodhën poshtë diagnozën e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës edhe për gjoja “ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës”. Faktet se dëshmitarët dhe infermierja e Qendrës së Paraburgimit në Prizren kishin konstatuar se Astrit Dehari kishte puls dhe merrte frymë para se të nxirrej nga dhoma u krye krimi, janë fakte të pakontestueshme, që përgënjeshtron konstatimet e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës rreth “ndaljes së menjëhershme të punës së zemrës”.
2. Raporti i autopsisë i Astrit Deharit, i përpiluar nga Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi ka gjithsej 4 faqe e gjysmë tekst. Dhe në këtë “ekspertizë” prej katër faqesh e gjysmë, ekipi mjeko-ligjor zviceran gjeti 15 përkufizime të gabueshme, të cilat numërohen në 15 pika, të paraqitura në faqet 24-25 të raportit të datës 14 qershor 2019. Dhe bëhet fjalë vetëm për gabimet sa u përket lëndimeve që shihen nga ekzaminimi i jashtëm i trupit.
3. Si mund të pretendojë dikush, që mban titullin e mjekut-ligjor, se gjoja “kanë kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, duke i cilësuar si “lëkurë e dëmtuar” katër pllakat e kuqërremta që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari? Ekipi mjeko-ligjor zviceran e hedh poshtë përkufizimin e ekipit mjekësor të Kosovës dhe këto lëndime i cilëson si pllaka pergamene, të cilat nuk janë shenja lëndimesh sipërfaqësore të lëkurës, por pamja që merr lëkura disa orë pas vdekjes në vendet ku janë shkaktuar lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta.
4. Përveç Flamur Blakajt, Naim Halitit dhe Musa Gashit, cili ekspert mjeko-ligjor, që respekton Kodin Etik dhe Deontologjik të Mjekësisë, do t’i përkufizonte si “lëkurë e dëmtuar” pllakat pergamene në qafë dhe në parakrah të Astrit Deharit? Ekspertiza zvicerane e hedh poshtë përkufizimin e “ekspertëve” të lartpërmendur dhe vjen në konkluzionin se këto lëndime nuk janë lëndime sipërfaqësore, por pllaka pergamene që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve, të cilat kanë qenë të shkaktuara në vendet karakteristike për lëndime, që bëhen gjatë shtrëngimeve në qafë, siç janë kapjet e llojit “çelësi i krahut”, ose me anë të formave të tjera të dhunës në qafë.
5. Me konstatimet e tyre, se gjoja këto lëndime në trupin e Astrit Deharit janë shkaktuar gjatë bartjes së trupit, gjatë përpjekjeve për ta kthyer në jetë ose gjatë tkurrjes muskulore të menjëhershme, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi, që pretendojnë se paskëshin “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, kanë mundur të bindin prokurorët e llojit të Sylë Hoxhës, apo atyre që u ka pëlqyer të dëgjojnë konstatime të formuluara në këtë mënyrë.
Nuk e di nëse janë skuqur nga inati kur kanë lexuar në raportin e ekspertizës zvicerane, se ekipi mjeko-ligjor i Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë shpreh qëndrimin e qartë, se “nuk ka mekanizëm bindës, që do të shpjegonte se si është e mundur që këto plaka pergamene të jenë shfaqur gjatë bartjes së trupit, gjatë përpjekjeve për ta kthyer në jetë ose gjatë tkurrjes muskulore të menjëhershme. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me zona, ku bëhen kapjet gjatë bartjes (në rastin e transportit); nuk kemi të bëjmë me zona ku bëhen ndërhyrjet mjekësore në rastet urgjente (në rastin e përpjekjeve për ta kthyer në jetë) dhe as zona të skajshme të trupit, si: hunda, veshi, molla e Adamit, bërryli, të cilat do të ishin përplasur me pengesa në rastin e bartjes ose shtangimit muskulor… Edhe pse teorikisht ato mund të shkaktoheshin nga bartja e trupit, nga veprimet për ta kthyer në jetë ose nga tkurrja muskulore, as pamjet e lëndimeve, as vendi ku gjenden këto lëndime nuk pasqyron, në radhë të parë, lëndime të shkaktuara nga njëri prej këtyre tre mekanizmave”.
Pas gjithë kësaj, Flamur Blakaj, pa u skuqur fare, deklaron në mënyrë të rrejshme, se gjoja mendimi i ekspertëve zviceranë dhe i Komisionit Mjekësor të Kosovës “përputhen në pjesën dërmuese”!!!
6. A mund të cilësohet se e “kanë kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, kur nga lëndimet që shihen nga ekzaminimi i jashtëm në nofullën e poshtme, “ekspertët” e Kosovës përmendin vetëm lëndimin që shihet në këndin e nofullës së poshtme, në anën e djathtë të saj, rreth 4 cm nga cepi i poshtëm i laprës së veshit dhe i japin diagnozën “skuqje (eritemë)”. A thua janë skuqur nga inati ose nga turpi, kur kanë lexuar raportin e ekspertizës zvicerane, që hedh poshtë një diagnozë të tillë dhe argumentojnë se nuk kemi të bëjmë me “skuqje (eritemë), por me mavijosje (ekimozë), që ndodhen në vendet karakteristike për lëndimet që janë shkaktuar gjatë kapjeve dhe lëndimeve në qafë. Përveç diagnozës së gabuar për këtë lëndim, “ekspertët” e llojit të Flamur Blakajt, Naim Halitit dhe Musa Gashit, pa u skuqur fare, nuk e paskëshin parë “një ekimozë me ngjyrë të kuqe në kafe, në formë vezake, në skajin e pjesës së përparme të nofullës së poshtme”!!! Edhe pse nuk e kanë përmendur fare këtë lëndim, që shihej në skajin e pjesës së përparme të nofullës së poshtme të Astrit Deharit, ata pretendojnë të kenë “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”!!! Degradimi deri në këtë shkallë i një mjeku, e bën të skuqet çdo mjek që punon në përputhje me etikën dhe deontologjinë mjekësore.
7. Për ta “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, në “ekspertizën” e tyre prej 4 faqesh e gjysmë, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi nuk gjetën vend të përmendin as lëndimin në pjesën e kokës, afër veshit të majtë, me ngjyrë të kuqërremtë, në formë lineare dhe horizontale. Ata nuk përmendin fare as çarjen sipërfaqësore në skajit anësor të pjesës së djathtë të gjuhës, që ndodhet përpara shqyerjes së përshkruar në raportin e autopsisë; ata nuk përmendin fare as njollat e kuqe në vjollcë në mukozën e rafemedianës të qiellzës së butë dhe të pjesës së pasme paramediane të djathtë të qiellzës së butë! Dhe pa u skuqur fare, pretendojnë se “kanë kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme”.
8. Sa u përket plagëve sipërfaqësore, për të cilat ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës deklarojnë me “besueshmëri” se “janë dëmtime të vetëshkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë”, ekspertët zviceranë pajtohen me “ekspertët” e Kosovës vetëm rreth mjetit me të cilin janë shkaktuar lëndimet: një mjet i mprehtë! Por kur duhet të përcaktohet se kush i shkaktoi këto lëndime, dallimet janë thelbësore. Ajo që për ekipin mjeko-ligjor është “e vetëshkaktuar”, për ekspertët zviceranë është mjaft e dyshimtë, sepse “karakteri sipërfaqësor i këtyre plagëve nga njëra anë, dhe fakti se z. Astrit Dehari kishte njohuri mjekësore, nga ana tjetër, e bëjnë të vështirë të besohet që këto lëndime të jenë shkaktuar nga autori, me qëllim që të shkaktojë vetëvrasjen”. Për lëndimet, që me lehtësi Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi deklarojnë se janë “të vetëshkaktuara”, për ekspertët zviceranë nuk përjashtohet ndërhyrja e faktorit të jashtëm në shkaktimin e lëndimeve të tilla. Përkundrazi, ata mbështetin domosdoshmërinë e ndriçimit të “hipotezës, nëse këto lëndime janë shkaktuar nga një person tjetër, me qëllim të maskimit të krimit”. Nëse sillen fakte të pakontestueshme, që këto lëndime janë shkaktuar nga një person tjetër, atëherë hipoteza vërtetohet si e saktë. Në të kundërtën, ajo përjashtohet.
9. Përjashtimi i hipotezës për përfshirjen e personave të tjerë në këtë krim nuk mund të bëhet në mënyrën siç është vepruar, pa asnjë fakt, nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, apo vetëm për shkak se paska thënë Flamur Blakaj, anëtari i Komitetit Etik në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe anëtar i bordeve etike të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës.
Një hipotezë e tillë duhet të përjashtohet, vetëm nëse me fakte të pakontestueshme dëshmohet që persona të tjerë nuk kanë qenë të përfshirë në procesin fatal. Deri te një përgjigje e saktë për këtë dilemë mund të vihet vetëm nëse bëhen analiza e hollësishme gjenetike të të gjitha sendeve që janë gjetur në dhomën e krimit, me kusht që dikush të mos i ketë shkatërruar gjurmët.
10. Nuk do të zgjatem të rendis të gjitha dallimet thelbësore që përmbajnë raportet e ekspertizës zvicerane, në krahasim me raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. I takon Flamur Blakajt apo kujtdo qoftë tjetër që mendon si ai, të publikojë një shembull të vetëm, ku përputhen mendimet e dy ekipeve. As për ilaç nuk do të gjejnë një vlerësim të vetëm të ekspertizës zvicerane, që përputhet me atë të “ekspertëve” të Kosovës!
11. Sikur të kishin zbatuar Kodin e Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore, atë të miratuar nga Asociacioni Botëror i Mjekësisë, një raport të tillë të autopsisë nuk do ta kishin bërë “as në kushtet e kërcënimit dhe as që do të kishin lejuar keqpërdorimin e njohurive mjekësore”.
12. Por, me sa shihet nga mënyra e veprimit të tyre në rastin e Astrit Dehari, studentit që ishte në prag të përfundimit të Fakultetit të Mjekësisë, në vend që të trajtohet me respektin që e meriton çdo qenie që ka vdekur në rrethana të dyshimta, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi zbatuan parimin e shtrembëruar të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, që kërkon nga mjeku “të ruajë të gjitha fshehtësitë që i janë besuar edhe mbi vdekjen e pacientit”. Fatkeqësisht, për tri vite rresht, deri në ditën e publikimit të ekspertizës zvicerane, ata ruajtën të gjitha fshehtësitë mbi vdekjen e Astrit Deharit dhe kjo është e vetmja punë që komisioni i lartpërmendur mjekësor “ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme”. Dhe, për habi, ata të cilët nuk zbatuan “Betimin e Hipokratit” gjatë autopsisë së Astrit Deharit, sapo u publikuan raportet e ekspertizës zvicerane, nxorën në shesh fytyrën e hipokritit.
13. Raporti i autopsisë i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me numër reference IML: MA16-286, i datës 7 nëntor 2016, i kryer nga Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi, është raport i rrejshëm, që ka pasur për efekt negativ çorientimin e hulumtimeve për ndriçimin e rastit “Astrit Dehari”. I takon prokurorisë së Kosovës, jo Sylë Hoxhës, që të vendosë rreth përgjegjësisë penale të komisionit mjekësor që përgatiti një raport të rrejshëm. Ndërkaq, Oda e Mjekëve të Kosovës duhet të marrë masa disiplinore kundër Flamur Blakajt, Naim Halitit dhe Musa Gashit, për arsye se raporti i autopsisë që kanë bërë, është keqpërdorim i njohurive mjekësore, që mundësoi fshehjen e krimit dhe, si i tillë, është një akt mjeko-ligjor që është në kundërshtim me nenin 73 të Kodit Etik dhe Deontologjik të Mjekësisë së Kosovës.
14. Kur bëhet fjalë për ngjashmëri të raporteve të autopsisë në rastin “Astrit Dehari”, atëherë duhet të përmendim faktin, se raporti i Besim Ymaj dhe Besim Latifaj është i vetmi raport që ka ardhur në përfundime të njëjta me ato të ekspertizës zvicerane.
Sikur të ishin trajtuar me seriozitetin e duhur përfundimet e raportit të autopsisë që kanë kryer Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, rasti “Astrit Dehari” do të ishte ndriçuar që para 3 vitesh. Fatkeqësisht, eksperti mjeko-ligjor nga Tirana dhe ai nga Londra jo vetëm që nuk u përfillën, jo vetëm që nuk u respektuan dhe jo vetëm nuk u morën në mbrojtje nga kolegët e tyre, por, përkundrazi, ndaj tyre u zbatuan presione të mëdha nga Ministria e Drejtësisë, nga prokuroria dhe nga policia e Kosovës.
15. Pas sqarimeve që kanë bërë ekspertët zviceranë, institucionet e Republikës së Kosovës, të përfshira në përndjekjen e Besim Ymajt dhe Besim Latifajt, duhet t’u kërkojnë falje publike dy ekspertëve mjeko-ligjorë. Ky veprim është minimumi që duhet të bëhet për të vënë në vend cenimin e integritetit profesional.
(VIJON: Përgjegjësia e institucioneve të Kosovës në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit)
Bardhyl Mahmuti- Përgjegjësia e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit
Në vend të hyrjes
Mbi bazën e asaj që njihet si “Betimi i Hipokratit”, themeluesit të mjekësisë si shkencë e pavarur, 25 shekuj më vonë, në shtator të vitit 1948, në Gjenevë të Zvicrës, Asambleja e Përgjithshme e Asociacionit Botëror të Mjekësisë miratoi një variant modern të “Betimit të Hipokratit”, të përshtatur për kohën tonë. Për shkak të vendit ku u miratua, ky dokument njihet si “Deklarata e Gjenevës”. Që nga viti 1948 e deri në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur në Çikago të SHBA-së në tetor të vitit 2017, “Betimi modern i Hipokratit” ka pësuar korrigjime të vogla dhe tashmë ka përmbajtjen e paraqitur në foto.
Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës përpiloi “Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore”, të cilin, më 5 maj 2014 e nënshkruan ministri i Shëndetësisë i asaj kohe, Ferid Agani dhe Zylfije Hundozi, kryetare e Odës së Mjekëve të Kosovës. Duke u mbështetur në “Deklaratën e Gjenevës”, në hyrje të këtij kodi, madje edhe para preambulës, u vu teksti i betimit, “i vlefshëm për çdo mjek”.
Teksti i betimit në “Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore” të Kosovës është një sakatim i çoroditur i betimit të miratuar nga Asociacioni Botëror i Mjekësisë. Ata që kanë mundësi të bëjnë krahasimin e dy teksteve, do të binden për nivelin e ulët etik që përmban teksti i betimit, që sipas kodit të lartpërmendur, është obligues për çdo individ që ka përfunduar studimet për mjekësi dhe që dëshiron të ushtojë profesionin e mjekut.
Nuk do të bëjmë krahasimin e tërësishëm të teksteve dhe nuk do të përmendim tërësinë e parimeve që nuk janë përfshirë në tekstin shqip të betimit. Do të ndalemi vetëm në ato që na duken thelbësore në lidhje me temën që do të trajtojmë më poshtë.
Siç mund ta vërejë çdo lexues, në tekstin shqip janë hequr dy parime thelbësore të betimit të mjekut që parasheh “Deklarata e Gjenevës”:
1. Obligimi që mjeku “t’u dëshmoj profesorëve, kolegëve dhe studentëve të tij respektin dhe mirënjohjen që meritojnë”;
2. Dhe vendosmëria që “as në kushtet e kërcënimit nuk do t’i shfrytëzoj njohuritë e mia mjekësore për të cenuar të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare”;
Krahas mospërfshirjes së parimeve të lartpërmendura, teksti në gjuhën shqipe përmban një paradoks të llojit të vet, që nuk mund të gjendet në kodin e asnjë gjuhe tjetër në botë: Mjeku i Kosovës duhet të betohet që “të ruajë të gjitha fshehtësitë që i janë besuar, edhe mbi vdekjen e pacientit”!!!
Kush i hoqi këto parime nga teksti i betimit për mjekët e Kosovës? Kujt iu duk i parëndësishëm obligimi moral, që të respektohet kuadri pedagogjik, kolegët dhe studentët? Cilit nuk i pëlqeu parimi që mjeku të dëshmojë vendosmëri dhe integritet profesional karshi ndikimeve që vijnë nga sferat, që nuk kanë asgjë të përbashkët me mjekësinë. Kush e hoqi nga “Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore” të Kosovës detyrimin profesional, që “as në kushtet e kërcënimit të mos pranohet shfrytëzimi i njohurive mjekësore për të cenuar të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare”?
Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka Bordin Etik Profesional dhe Bordin për Edukim të Vazhdueshëm Profesional, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës, ka Komitetin Etik. Cili anëtar i këtyre bordeve përpiloi tekstin e betimit që u përfshi në “Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore” të Kosovës? Apo kjo u bë nga ndonjë anëtar i Odës së Mjekëve të Kosovës? Të gjitha këto pyetje mbetet të sqarohen, për të mos i hyrë në hak askujt. Madje, as ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë e as kryetares së Odës së Mjekëve të Kosovës.
Ajo që më nxiti të bëj gjithë këtë sqarim lidhet me Flamur Blakajn, njërin nga anëtarët e komisionit mjekësor të Kosovës, që kreu autopsinë e Astrit Deharit dhe që kishte përpiluar raportin e kësaj autopsie.
Nuk e di nëse mjeku ligjor Flamur Blakaj ka qenë i përfshirë në përpilimin e tekstit të betimit të lartpërmendur, meqenëse ka qenë anëtar i Komitetit Etik në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, anëtar i Bordit Etik Profesional dhe i Bordit për Edukim të Vazhdueshëm Profesional në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikë së Kosovës. Sido që të jetë, veprimet e tij janë në përputhje të plotë me përmbajtjen e sakatuar të parimeve etike dhe deontologjike të mjekësisë.
T’i kthehemi rastit “Astrit Dehari” dhe të shohim zbatimin në praktikë të kodit të lartpërmendur.
Publikimi i raportit të Qendrës Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, në të cilin ekspertët zviceranë shprehin dyshimet e tyre sa u përket rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit dhe argumentuan në mënyrë shkencore se Astrit Dehari nuk ka mundur të bëjë vetëvrasje në mënyrën si pretendojnë ekspertët e Kosovës, e shtyu Flamur Blakajn, njërin nga tre anëtarët e Komisionit Mjekësor të Kosovës, që kryen autopsinë e Astrit Deharit dhe përpiluan raportin e kësaj autopsie të bëjë disa deklarata ne medie.
Në deklaratën e tij të shkurtër për “Gazetën Express”, të datës 29 tetor 2019, Flamur Blakaj tha: “Ju e keni raportin e autopsisë. Mjeku ligjor nuk del me deklarata. Ne në raport të autopsisë nuk kemi deklaru as që është vetëvrasje e as vrasje. Ne e kemi kry punën kur është dashur, në mënyrën më të mirë të mundshme. Mendimi i tyre dhe i yni përputhen në pjesën dërmuese”.
Deklarata e Flamur Blakajt përmban dy pohime, të cilat do të trajtohen në vijim të këtij shkrimi.
1. Pohimi i parë ka të bëjë me thënien se “mjeku ligjor nuk del me deklarata” dhe se në raportin e tyre të autopsisë nuk kanë deklaruar “as që është vetëvrasje e as vrasje”.
Po rikujtoj se në përfundim të raportit të autopsisë (MA16-286), të datës 7 nëntor 2016, në pjesën e titulluar “Shkaqet dhe mekanizmi i vdekjes”, komisioni mjekësor, me anëtarë Flamur Blakajn, Naim Halitin dhe Musa Gashin, përmend vetëm lëndimet që ishin përshkruar në pikën 1 dhe 2 të raportit të autopsisë (lëndimet në anën e djathtë të qafës dhe në pjesën e poshtme të brendshme të parakrahut të dorës së majtë) dhe i përkufizojnë si dëmtime, që me “besueshmëri janë dëmtime të vetëshkaktuara”.
Duke u mbështetur në këtë raport, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, më 18 nëntor 2016, e shpalli vdekjen e Astrit Deharit “VETËVRASJE”!
Me të drejtë shtrohet pyetja: Pse para tri vitesh, në kohën kur kryeprokurori Sylë Hoxha shpalli “vetëvrasjen e Astrit Deharit” si rezultat të raportit të tyre, nuk reagoi as Flamur Blakaj dhe as ndonjëri nga anëtarët e komisionit mjekësor, qoftë me një deklaratë të shkurtër, që të informonin opinionin publik se në raportin e tyre të autopsisë nuk kishin konstatuar “as vetëvrasjen e as vrasjen” e Astrit Deharit? Por heshtën tërësisht. Dhe heshtja në këtë kontekst nuk mund të interpretohet ndryshe, pos si miratim në heshtje.
Nuk nxorën asnjë fjalë të vetme, as kur Dhurata Hoxha, ministre e Drejtësisë në qeverinë e atëhershme të Kosovës, kërkoi nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, “autorizimin e fillimit të hetimeve për z. Tomë Gashi, avokat; z. Besim Ymaj, ekspert i mjekësisë ligjore nga Shqipëria, si dhe Besim Latifaj, patolog në Londër”, për arsye se avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, kishin publikuar raportin e dy ekspertëve të mjekësisë ligjore, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj.
Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi heshtën, sepse ekspertët mjeko-ligjorë nga Tirana dhe Londra kishin ardhur në konstatime diametralisht të kundërta me konstatimet e tyre. Besim Ymaj dhe Besim Latifaj kishin konstatuar se “lëndimet në kokë, në parakrahun e majtë dhe në faqen e jashtme të poshtme të parakrahut të dorës së djathtë, në anën e djathtë të qafës, në këndin e nofullës së poshtme janë shkaktuar me mjete të forta dhe këto klasifikohen si lëndime trupore të natyrës së vetëmbrojtjes”. Ata shprehën dyshimet e tyre rreth mundësisë, që asfiksia të jetë realizuar vetëm me anë të shishes plastike, sepse është vështirë të ndodhë “asfiksi mekanike e shkaktuara nga mbyllja e vrimës së gojës, pa mbyllur vrimat e hundës”. Prandaj përmendin “jastëkun me jargë që është gjetur në dyshemenë e dhomës”, ku i ishte zënë fryma Astrit Deharit, si mekanizëm shtesë që ka mundur “të kontribuojë në rezultatin përfundimtar të mënyrës dhe natyrës së kësaj asfiksie mekanike”.
Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi heshtën edhe kur prokurori që kishte lëndën e Astrit Deharit, z. Metush Biraj, bëri të ditur se “kishte autorizuar policinë e Kosovës që t’i fillonte veprimet hetimore për mjekët Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, si dhe për avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashin”, për arsye se Besim Ymaj dhe Besim Latifaj kishin pasur mendim të kundërt lidhur me lëndimet sipërfaqësore, për të cilat Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi kishin deklaruar “me besueshmëri se janë dëmtime të vetëshkaktuara”.
Sa u përket “lëndimeve sipërfaqësore në trajtë gërvishtjeje vijore dhe shiriti të çrregullt në anën e djathtë të qafës dhe në pjesën e përparme të shkaktuara me mjete prerëse”, Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë autopsisë së Astrit Deharit, tërheqin vëmendjen rreth asaj se, “zakonisht, në vetëdëmtime plagët e qafës më shpesh lokalizohen në pjesën e përparme dhe anësore majtas, kur viktima ka aktive dorën e djathtë dhe anasjelltas, si dhe me drejtim nga lart-poshtë”. Astrit Dehari ka qenë aktiv me dorën e djathtë, ndërsa lëndimet janë në anën e djathtë e jo në anën e majtë, siç ndodh zakonisht, kur plagët ia shkakton vetes. Rrjedhimisht, hipoteza se këto lëndime Astritit mund t’ia ketë shkaktuar dikush tjetër, vë në dyshim besueshmërinë e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës.
Kur sheh mënyrën si vepruan Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Musa Gashi karshi ballafaqimit të kolegëve të tyre me kërcënime nga Ministria e Drejtësisë, nga prokuroria dhe nga policia, për shkak të vlerësimeve të tyre profesionale, me të drejtë shtrohet pyetja nëse këta “ekspertë mjekoligjorë” kanë dhënë provimin ku përfshihet Kodi Etik dhe Deontologjik i sjelljes së mjekëve dhe nëse e kanë bërë “Betimin e Hipokratit”.
Në vend që të veprojnë në përputhje me nenin 49 të Kodit të Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore të Kosovës, të solidarizohen me kolegët e tyre dhe të marrin në mbrojtje Besim Ymajn dhe Besim Latifajn, që u akuzuan në mënyrë të padrejtë, ata parapëlqyen të heshtin. Kjo, në kontekstin konkret, nuk do të thotë asgjë tjetër, pos rreshtim në heshtje përkrah pushtetit, hetuesisë dhe policisë kundër kolegëve të tyre.
Duke pasur parasysh tërësinë e veprimeve të komisionit mjekësor, që lidhet me rastin “Astrit Dehari”, nuk duhet të habitemi pse nuk i morën në mbrojtje kolegët e tyre, Besim Ymajn dhe Besim Latifajn. Nga “ekspertët” e llojit të Flamur Blakajt dhe të atyre që hoqën nga betimi obligimin moral, që të respektohet kuadri pedagogjik, kolegët dhe studentët, mund të priten vetëm veprime të tilla.
Sa i përket kuadrit pedagogjik të Universitetit të Prishtinës, që ka edukuar dhe ka përgatitur profesionalisht gjenerata të tëra studentësh, në kushte të okupimit serb, ata kanë mirënjohjen e përjetshme të një populli të tërë dhe as që u nevojitet mirënjohja e atyre që veprojnë në kundërshtim të plotë me etikën profesionale të mjekut. Ndërsa veprimi në rastin “Astrit Dehari” dëshmon për kulmin e mungesës së respektit ndaj një studenti të mjekësisë dhe, para së gjithash, mungesa e respektit ndaj një njeriu.
Në vijim të shkrimit do të ndalemi në pretendimin e Flamur Blakajt, se komisioni mjekësor që bëri autopsinë dhe raportin e autopsisë së Astrit Deharit e paskësh “kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme” dhe se gjoja mendimi i ekspertëve zviceranë dhe i Komisionit Mjekësor të Kosovës “përputhen në pjesën dërmuese”.
Bardhyl Mahmuti-Të dashur miq, Pas publikimit të raporteve të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari”, Flamur Blakaj, njëri nga anëtarët e Komisionit Mjekësor që ka bërë autopsinë dhe raportin e autopsisë për këtë rast, deklaroi për “Gazetën Express”: “Ju e keni raportin e autopsisë. Mjeku ligjor nuk del me deklarata. Ne në raport të autopsisë nuk kemi deklaru as që është vetëvrasje e as vrasje. Ne e kemi kry punën kur është dashur, në mënyrën më të mirë të mundshme. Mendimi i tyre dhe i yni përputhen në pjesën dërmuese”. Të gjithë ata që kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e mia rreth kësaj teme e dinë sesa të paqëndrueshme janë pohimet e tilla. Nesër do ta publikoj pjesën e parë të shkrimit “Betimi i Hipokratit dhe fytyra e hipokritit”, ku do të trajtohet përgjegjësia e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit. Faktet që kanë përmbajtur shkrimet e publikuara deri tani, lidhur me këtë temë, i kam konsideruar si të rëndësishme dhe që duhet t’i dijë çdo njeri që është i interesuar të ndriçohet rasti “Astrit Dehari” dhe që nuk ka pasur mundësi të njihet me raportin e ekspertizën zvicerane në gjuhën frënge . Prandaj në publikimet e mia kam shënjuar (bërë TAG) një numër miqsh të Facebook-ut, për të cilët kam menduar se mund t’u interesojë kjo temë. Meqenëse në shkrimet që do të vijojnë shpreh edhe mendimet e mia lidhur me përgjegjësitë që bien mbi ata që u përpoqën të fshehin krimin më të rëndë që nga çlirimi i Kosovës, nuk do të shënjoj (bëj TAG) asnjërin, që të mos ndihen keq për shkak të raporteve profesionale, miqësore apo politike që kanë me njerëzit që do të apostrofohen në këto shkrime.Çdo njëri është i lirë ta lexojë, ta shpërndajë apo të mos i hedh syrin fare.
HETIMET E REJA DUHET TË ZBULOJNË VRASËSIT E ASTRIT DEHARIT
1. Pasi analizuan procesverbalet e hetuesisë, raportin e autopsisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, rezultatet e punës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, të dhënat për aspektet fizike, psikologjike dhe sociale, që kanë të bëjnë me vdekjen e Astrit Deharit dhe analizat e ADN-së që janë bërë në Zvicër, ekspertët mjeko-ligjorë të Qendrës Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë dorëzuan te mandatari i këtij hulumtimi dy ekspertiza: EI 180001 TF/SG/jb, të datës 14 qershor 2019 dhe EI 190001 SG/TF/VIC, të datës 9 shtator 2019.
Nga analizat e detajuara të ekipit mjeko-ligjor zviceran dalin përfundimet e mëposhtme, të cilat janë analizuar më gjerësisht në shkrimet paraprake:
– Deklarata e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, e datës 18 nëntor 2016, se gjoja “të gjitha provat dhe ekzaminimet demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje” nuk është e saktë.
– Analiza që kanë bërë ekspertët zviceranë dëshmon në mënyrë të pakontestueshme, se edhe në hipotezën më ekstreme, në rastin nëse Astrit Dehari do të kishte dashur të bënte vetëvrasje, ai nuk do të kishte mundur t’ia zinte frymën vetes me një shishe plastike, në mënyrën siç e kanë shpjeguar ekspertët e Kosovës.
– Një vetëvrasje e tillë, praktikisht, nuk është e mundur, sepse kur ndërpritet furnizimi me oksigjen i organizmit, kemi “zvogëlimin ose ndërprerjen e tërësishme të ardhjes së gjakut të pasur me oksigjen në tru dhe kjo shkakton humbje të vetëdijes dhe të tonusit muskulor (tensionit të lehtë muskulor, që mundëson funksionimin e tyre edhe në gjendje qetësie). Humbja e tonusit muskulor e bën të pamundur që t’i zihet fryma vetes duke mbajtur një send në rrugët e frymëmarrjes. Nëse shishja është prej plastike, me skaje të lëmuara, e rrumbullakët dhe pa kënde, ashtu siç ishte shishja plastike e mjaltit që u përdor kundër Astrit Deharit, ajo nuk do të kishte qenë në gjendje të qëndronte e bllokuar në faring në atë mënyrë, që të mund të pengonte tërësisht frymëmarrjen”.
– Në aspektin teorik, një vetëvrasje me mjete të tilla do të kishte mundur të ndodhte vetëm në një skenar të imagjinuar: “Në rast se viktima shtrihet në bark dhe në kohën kur e humb vetëdijen, shishja mbetet e bllokuar në mes të kokës dhe tokës dhe, në mënyrë efikase, vazhdon të mbyllë rrugët e frymëmarrjes. Mundësia e realizimit të një skenari të tillë nuk pranohet nga autorët që citohen. Bëhet fjalë për një mundësi pa asnjë gjasë që të ndodhë, sepse duhet, gjithashtu, që të kemi parasysh, se gjatë fazës së shtrëngimeve muskulore që i karakterizon asfiksitë, lëvizjet e trupit do ta pengonin ruajtjen e këtij pozicioni, do të bënin që shishja të rrëshqiste ose të lëvizte dhe të liroheshin rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, përsëri duhet të nënvizojmë se skenari i fundit për të cilin folëm, nuk mund të merret parasysh në rastin e z. Dehari, sepse trupi i tij është gjetur i shtrirë horizontalisht në shpinë (dekumitusdorsal), ashtu siç është thënë nga të gjithë dëshmitarët”.
Pra, sipas ekspertëve zviceranë, edhe në një hipotezë me skenar të imagjinuar, Astrit Dehari nuk e ka pasur të mundur të bëjë vetëvrasje, sepse trupi i tij është gjetur në një pozicion të tillë, që përjashton mundësinë që shishja plastike të vazhdonte t’i pengonte rrugët e frymëmarrjes.
Për shkak të pamundësisë objektive që të kryej vetëvrasje, në konkluzionet e ekspertizës së tij, ekipi mjeko-ligjor zviceran thekson se “vërtetësia e hipotezës së vetëvrasjes së z. Astrit Deharit, me mjetet që thonë mjekët ligjorë të Kosovës, duket e vogël” dhe që në konkluzionin e parë ata deklarojnë hapur se “kanë dyshime sa u përket rrethanave të vdekjes së z. Astrit Dehari”.
2. Për ekipin mjeko-ligjor shishja plastike nuk është mekanizmi i vetëm që është përdorur për t’i zënë frymën Astrit Deharit.
Lëndimet që Astrit Dehari ka pasur në pjesën e sipërme të ballit, në pjesën e poshtme të anës së djathtë të fytyrës, në pjesën e djathtë anësore të qafës, në parakrahun e djathtë dhe në shuplakën e dorës së djathtë, nuk janë lëndime sipërfaqësore që lidhen me bartjen apo transportin e trupit, por mavijosje, që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta, të cilat kanë qenë të shkaktuara në vendet karakteristike për lëndime, që bëhen gjatë kapjeve në qafë, të llojit “çelësi i krahut”, ose nëpërmjet formave të tjera të dhunës në qafë”.
Nga tërësia e lëndimeve të lartpërmendura, dhuna e shkaktuar në qafë është shenjë e pakontestueshme se, përveç shishes plastike, është përdorur edhe së paku një mekanizëm tjetër për të penguar rrugët e frymëmarrjes së Astrit Deharit. “Për shkak të këtij fakti, një mekanizëm i tillë i lëndimit nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”, – këmbëngulin ekspertët zviceranë.
3. Duke e argumentuar në mënyrë shkencore, se Astrit Dehari nuk ka mundur të bëjë vetëvrasje, në mënyrën si e kanë përshkruar ekspertët e Kosovës, dhe as që e ka pasur të mundur t’i shkaktojë vetes lëndimet e lartpërmendura, del qartë se vdekja e dhunshme e Astrit Deharit është vrasje.
4. Në rezultatet e analizës së ADN-së (Nr. Labo: 19-T03497), të përfshira në raportin e ekspertizës plotësuese (EI 190001), të datës 9 shtator 2019, përmenden një varg lëshimesh që janë bërë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Për ilustrim ata përmendin fakti që Agjencia e Kosovës për Forenzikë nuk ka bërë analiza të ADN-së në mostrën e marrë nga ora e Astrit Deharit, me arsyetimin se gjoja mostra përmbante “pak ose aspak ADN”.Për këtë çështje ata deklarojnë: “Nga mostra që kemi marrë prej të njëjtës orë, ne kemi mundur të nxjerrim profilin e ADN-së së një burri të panjohur, i emëruar në raport si H1. Ky rezultat lë të nënkuptohet se, sigurisht mund të nxirren profile të ADN-së edhe nga gjurmët e tjera që nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Analiza të tilla mund të bëhen edhe nga ADN-ja, që tanimë janë nxjerrë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ose nga mostrat që ka realizuar Qendra Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, për aq kohë sa ruhet materiali”. Për këtë arsye kemi konkluzionin e tretë të ekipit mjeko-ligjor zviceran, nëpërmjet të cilit ky ekip shpreh gatishmërinë e tij për të kontribuuar në ndriçimin e rastit “Astrit Dehari”.
5. Ndriçimi i rastit “Astrit Dehari” nuk mund të ketë qasje tjetër, pos një hetim i plotë për të zbuluar vrasësit e Astrit Deharit. Çdo qasje tjetër do të ishte humbje kohe dhe nuk mund të interpretohet ndryshe, pos si përpjekje për të mbajtur të fshehur autorët e këtij krimi.
6. Nëse vërtet ka vullnet që të ndriçohet vrasja e Astrit Deharit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Afrim Shefkiu, do të duhej t’i jepte menjëherë mandat Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, që ekipi i ekspertëve të tyre të bëjë analizat e gjurmëve gjenetike në sendet që janë gjetur në dhomën e krimit, të cilat nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, duke përfshirë edhe jastëkun me jargë që është gjetur në tokë, në dhomën ku Astrit Dehari është gjetur i vdekur nga zënia e frymës.
7. Krahas ndihmës për analiza gjenetike, Prokurori i Shtetit do të duhej të kërkonte ndihmën ndërkombëtare për një ekspertizë të dosjes së hetuesisë. Kjo dosje është përplot me kundërthënie, shfrytëzimi i së cilave do ta përshpejtonte nxjerrjen para përgjegjësisë të atyre që kanë kryer këtë krim të shëmtuar. Vetëm atëherë mund të merren si serioze angazhimet publike të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezit, “për zhvillimin e hetimeve të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti”.
(VIJON: Përgjegjësia e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës në fshehjen e krimit)
Konkluzionet e përkthyera me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit janë të shtrembëruara dhe nuk duhet të citohen nga askush.
Pas publikimit të raportit të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari”, emisioni “Pressing” i T7, i datës 24 tetor 2019, iu kushtua këtij raporti. Të ftuar të drejtuesit të emisionit, z. Leonard Kërquki, ishin prindërit e Astrit Deharit (Avniu dhe Xhemilja) dhe avokati që përfaqëson familjen Dehari, z. Tomë Gashi.
Z. Leonard Kërquki ma mundësoi të lidhem drejtpërdrejt nëpërmjet telefonit dhe të jap disa sqarime lidhur me përkthimin skandaloz të konkluzioneve të këtij raporti.
Përkundër asaj se disa medie në Kosovë publikuan përkthimin tim të këtyre konkluzioneve, ende vazhdohet të citohen konkluzionet e shtrembëruara nëpërmjet përkthimit, të cilat u shpërndarë zyrtarisht nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe u publikuan në faqen zyrtare të internetit të Prokurorit të shtetit. E shoh të udhës t’i kthehem edhe një herë kësaj çështjeje. T’i marrim konkluzionet një nga një.
Në tekstin origjinal në gjuhën frënge thuhet:
“ CONCLUSIONS Sur la base de l’ensemble des éléments à notre disposition et suite aux analyses effectuées dans nos laboratoires, nous pouvons admettre les conclusions suivantes: 1. Comme indiqué dans notre expertise EI 180001, nous avons des doutes concernant les circonstances du décès de M. DEHARI Astrit. En effet, l’hypothèse d’un suicide de M. DEHARI Astrit par le moyen avancé par les médecins légistes parait peu vraisemblable et l’intervention d’une tierce personne dans le processus fatal doit être évoquée”.
Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, hyrja dhe konkluzioni i parë është përkthyer kështu:
“Në bazë të të gjitha elementeve që kemi në dispozicion dhe në vazhdimin e analizës së kryer në laboratorët tona ne mund të pranojmë konkluzionet e më poshtme:
1. Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”.
Përkthimi që kam bërë unë:
“Duke u mbështetur në tërësinë e elementeve që na janë vënë në dispozicionin tonë dhe pas analizave të bëra në laboratorët tanë, ne miratojmë konkluzionet që vijojnë:
1. Siç është theksuar në ekspertizën tonë EI180001, ne kemi dyshime sa i përket rrethanave të vdekjes së Z. Astrit Dehari. Në fakt, vërtetësia e hipotezës së vetëvrasjes së Z. Astrit Deharit, me mjetet që thonë mjekët ligjorë, duket e vogël dhe ndërhyrja e një personi tjetër në procesin fatal duhet të përmendet”.
Nga përkthimi zyrtar i konkluzionit të parë krijohet përshtypjen se gjoja ekspertët zviceran e lënë si diçka subjektive prezencën e personit tjetër (“personit të tretë” siç është përkthyer “une tierce personne”), të cilën “duhet ta kemi parasysh”.
Realisht ekspertiza vjen te konkluzioni se ndërhyrja e personit tjetër duhet të përmendet, që do të thotë se ai objektivisht ka qenë prezent. Ky objektivitet bazohet në rezultatet e ADN-së që ekspertët zviceran kanë gjetur në mostrat që janë marrë nga ora e Astrit Deharit.
Objektiviteti i personit tjetër në procesin fatal lidhet edhe me konkluzionin e dytë.
Në tekstin origjinal në gjuhën frënge, në konkluzionin e dytë thuhet:
“2. Les analyses ADN effectuées dans notre laboratoire ont permis de mettre en évidence un profil ADN sur un échantillon décrit par les experts au Kosovo comme contentant trop peu ou pas d’ADN”.
Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, konkluzioni i dytë është përkthyer kështu:
“2. Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmbanë pak ose shumë pak ADN”.
Ky përkthim, me një sintaksë që nuk përkon me sintaksën e gjuhës shqipe, krijon huti.
Përkthimi që kam bërë unë:
“2. Analizat e ADN-së, të kryera në laboratorët tanë, kanë mundësuar të nxjerrin në pah një profil të ADN-së në një mostër, të cilën ekspertët e Kosovës e përshkruajnë sikur të përmbante pak ose aspak ADN”.
Fillimisht duhet të theksohet se nëpërmjet përkthimit të shtrembëruar (“pak ose shumë pak ADN”) është munduar të fshihet fakti që Agjencia e Kosovës për Forenzikë nuk kanë bërë analiza të ADN-së në mostrën e marrë nga ora e Astrit Deharit, me arsyetimin fse gjoja mostra ka përmbajtur “pak ose aspak ADN”.
Në bazë të rezultateve të analizës së ADN-së (Nr. Labo: 19-T03497, të përfshira në ekspertizën plotësuese EI 190001, të datës 9 shtator 2019) ekspertiza zvicerane thekson se “Nga mostra që kemi marrë prej të njëjtës orë, ne kemi mundur të nxjerrim profilin e ADN-së së një burri të panjohur, i emëruar në raport si H1. Ky rezultat lë të nënkuptohet se, sigurisht mund të nxirren profile të ADN-së edhe nga gjurmët e tjera që nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Analiza të tilla mund të bëhen edhe nga ADN-ja, që tanimë janë nxjerrë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ose nga mostrat që ka realizuar Qendra Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, për aq kohë sa ruhet materiali”.
Për këtë arsye kemi konkluzionin e tretë të ekipit mjeko-ligjor zviceran, nëpërmjet të cilit ata shprehin gatishmërinë e tyre të kontribuojnë në ndriçimin e rastit “Astrit Dehari”.
Në tekstin origjinal në gjuhën frënge, në konkluzionin e tretë thuhet:
“3. Au vu de ce qui précède, nous estimons qu’une nouvelle enquête est nécessaire afin de clarifier les circonstances du décès de M. DEHARI Astrit. Nos équipes et nos laboratoires sont à disposition des enquêteurs en charge de l’affaire. Le matériel mis à disposition du CURML va rester préservé en attendant de nouvelles instructions de la part de notre mandant”.
Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, konkluzioni i tretë është përkthyer kështu:
“3. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen.
Materiali që është vënë në dispozicion nga CURML do të ruhet në pritje të udhëzimeve të reja nga ana e mandatit ton”.
Përkthimi që kam bërë unë:
“3. Duke pasur parasysh atë që u tha më lart, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i domosdoshëm për të ndriçuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me këtë çështje.
Duke pritur udhëzime të reja nga ana e atyre që na e kanë dhënë mandatin për këtë hulumtim, materiali që është vënë në dispozicion të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë do të ruhet”.
Siç shihet, kur kemi të bëjmë me materialet që do të ruhen nga ana e Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë, përkthimi është tërësisht i gabuar. Në tekstin frëngjisht thuhet qartë se kemi të bëjmë me materialet që i janë vënë në dispozicionin e kësaj qendre nga ai që u kanë dhënë mandatin të bëjnë ekspertizën. Për të ngatërruar çdo gjë, në përkthim pohohet se gjoja këto materiale “do të ruhet në pritje të udhëzimeve të reja nga ana e mandatit ton” që do të thotë mandatit të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë.
Nuk mund të pritej konkluzion tjetër nga ata që kanë filluar t’i ngatërrojnë gjërat që në fjalinë e parë të përkthimit të ekspertizës së 14 qershorit 2019.
Paragrafi i parë i ekspertizës EI180001 sqaron se kush, kujt i jap mandat të bëjë këtë hulumtim.
Në tekstin origjinal në gjuhën frënge, në paragrafin e parë sqarohet:
“Nous avons reçu de M. Metush Biraj, Procureur national de la République du Kosovo, un mandat daté du 05 février 2018, dans le cadre d’une demande d’entraide internationale. Ce mandat est adressé au Centre Universitaire Romande de Médecine Légale avec la demande d’entreprendre toutes les investigations indépendantes nécessaires pour faire la lumière autour du décès de: M. DEHARI Astrit, né le 26 février 1990”.
Në variantin zyrtar të përkthimit në gjuhën shqipe, ky paragraf është përkthyer kështu:
“Në kemi pranuar nga z. Metush Biraj, Prokuror kombëtar i Republikës së Kosovës, një pako të datës 5 shkurt 2018, në kuader të një kërkese të ndihmës së ndërsjellë ndërkombëtare. Kjo pako i është drejtuar Qendrës Universitare Romand të Mjekësisë Ligjore me kërkesë për të ndërmarrë të gjitha hetimet e pavarura të nevojshme për të ndriçuar vdekjen e : Z. DEHARI Astrit, I lindur me 26 shkurt 1990…”.
Përkthimi që kam bërë unë:
“Nga z. Metush Biraj, prokuror shtetëror i Republikës së Kosovës, kemi marrë mandatin që mban datën 5 shkurt 2018.
Në kuadër të një kërkese për ndihmë reciproke ndërkombëtare, nga z. Metush Biraj, prokuror shtetëror i Republikës së Kosovës, kemi marrë një mandat, që mban datën 5 shkurt 2018. Ky mandat i është drejtuar Qendrës Universitare Romand të Mjekësisë Ligjore me kërkesë që të ndërmerren të gjitha hulumtimet e pavarura, të nevojshme për të hedhur dritë rreth vdekjes së Astrit Deharit, i lindur më 26 shkurt 1990…”.
Nuk është për t’u habitur nga ata që ngatërrojnë “mandatin” me “pako”, të kenë “paketuar” fjalitë që nuk u kanë konvenuar atyre që janë përpjekur të fshehin vrasjen e Astrit Deharit. Në përfundim të këtij shkrimi por sjell në tërësi konkluzionet e përkthyera nga unë:
Konkluzione
Duke u mbështetur në tërësinë e elementeve që na janë vënë në dispozicionin tonë dhe pas analizave të bëra në laboratorët tanë, ne miratojmë konkluzionet që vijojnë:
1. Siç është theksuar në ekspertizën tonë EI180001, ne kemi dyshime sa i përket rrethanave të vdekjes së Z. Astrit Dehari. Në fakt, vërtetësia e hipotezës së vetëvrasjes së Z. Astrit Deharit, me mjetet që thonë mjekët ligjorë, duket e vogël dhe ndërhyrja e një personi tjetër në procesin fatal duhet të përmendet.
2. Analizat e ADN-së, të kryera në laboratorët tona, kanë mundësuar të nxjerrin në pah një profil të ADN-së në një mostër, të cilën ekspertët e Kosovës e përshkruajnë sikur të përmbante pak ose aspak ADN.
3. Duke pasur parasysh atë që u tha më lart, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i domosdoshëm për të ndriçuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me këtë çështje.
Duke pritur udhëzime të reja nga ana e atyre që na e kanë dhënë mandatin për këtë hulumtim, materiali që është vënë në dispozicion të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë do të ruhet.
Kush e fshehu jastëkun me jargë, që ishte në dhomën e krimit?
Bardhyl Mahmuti-Ekspertiza zvicerane dhe vrasja e Astrit Deharit
Me pretendimin se është mbështetur në rezultatet e autopsisë së ekipit mjeko-ligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe në rezultatet e hulumtimeve të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, e cilësoi vdekjen e Astrit Deharit si “pasojë të asfiksisë mekanike nga dëmtimet e vetë shkaktuara”.
Ky konstatim u hodh poshtë nga ekspertët zviceranë, të cilët erdhën në përfundimin, se Astrit Dehari jo vetëm që nuk ka bërë vetëvrasje, por objektivisht as që e ka pasur të mundur t’ia zinte frymën vetes me një shishe plastike të rrumbullakët dhe pa kënde e me skaje të lëmuara, baza e së cilës kishte diametër 6 cm.
Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me çështje të vullnetit, nëse Astrit Dehari dëshironte apo nuk dëshironte të vendoste një shishe të tillë në rrugët e frymëmarrjes dhe të mbante të bllokuara këto rrugë. Këtu kemi të bëjmë me pamundësi objektive: Në aspektin fiziologjik, bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes do të bënte ndërprerjen e furnizimit të organizmit me oksigjen dhe kjo do të shkaktonte humbje të vetëdijes dhe të aftësisë së muskujve të duarve për ta mbajtur shishen në rrugët e frymëmarrjes. Këtë çështje të shkencës së mjekësisë, që lidhet me vetitë dhe funksionimin e organeve të qenieve të gjalla, e di çdo student i ciklit të parë të studimeve të mjekësisë, që ka dhënë provimin e fiziologjisë. Kam bindjen e plotë, se këtë fakt të shkencës së fiziologjisë e kanë ditur edhe anëtarët e ekipit mjeko-ligjor, që kanë bërë raportin e autopsisë së Astrit Deharit. Është çështje tjetër pse, në rastin konkret, ky fakt është lënë në heshtje dhe nuk është thënë në mënyrë të prerë se Astrit Dehari nuk ka pasur asnjë mundësi t’i zinte frymën vetes me atë shishe plastike.
Përveç këtij fakti, ekspertiza zvicerane nxjerr në shesh lëshimet e mëdha që janë bërë gjatë autopsisë së Astrit Deharit. Aspekte të ndryshme të dobësive dhe shtrembërimeve që përmban raporti i autopsisë i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës janë përmendur në shkrimet e mia paraprake për këtë temë. Në shkrimin e sotëm po kufizohem vetëm në atë që ka të bëjë me lëndimet në gojë, për të cilat pretendohet të jenë shkaktuar nga shishja plastike.
Kur bëhet përshkrimi i dëmtimeve të brendshme që i ishin shkaktuar Astrit Deharit, në pikën 6 të raportit të lartpërmendur të autopsisë thuhet: “Në rrënjën e gjuhës, paralelisht në të dy anët e saj, rreth 6.5cm nga maja e gjuhës ndodhen shqyerje paralele identike, me buzë të çrregullta të përmasave: në anën e djathte 15x10mm me thellësi 4mm, kurse në anën e majtë: 15x8mm me thellësi 6mm. Këto dy dëmtime paralele më me besueshmëri janë të shkaktuara nga veprimi mekanik i një mjeti me konsistence solide (të fortë), i cili duke mbyllur zgavrën e gojës në thellësi, ka hasur në rezistencë në qiellzën e fortë, ndërsa në vendin me rezistence më të vogël, që është gjuha, ka shkaktuar shqyerje paralele në të dy anët”.
Konstatimet e tilla hidhen poshtë nga ekipi mjeko-ligjor zviceran. Në ekspertizën zvicerane saktësohet se “shqyerjet e rrënjës së gjuhës dhe i skajit të djathtë të gjuhës janë pasojë e veprimeve të shkaktuara nga një send i mprehtë ose një send që shpon dhe që pret”. (Të mos harrojmë se shishja plastike ishte me skaje të lëmuara, e rrumbullakët dhe pa kënde). “Mungesa e depërtimeve hemorragjike në periferi dëshmon për lëndime të shkaktuara në periudhën pas vdekjes. Nga vendi ku ndodhen dhe nga simetria e plagëve, sipas të gjitha gjasave ato janë shkaktuar nga nxjerrja e gjuhës gjatë autopsisë. Për ilustrim, i njëjti lloj lëndimi shihet në një pjesë të autopsisë së gjuhës, të publikuar në literaturë (Kurihara dhe autorë të tjerë, 1992). Disa çarje që lidhen me nxjerrën e gjuhës dhe të faringut në lartësinë e qiellzës janë të një aspekti të ngjashëm dhe shihen në videot dhe fotografitë e autopsisë. Hipoteza e propozuar nga mjekët ligjorë, se çarjet janë shkaktuar nga presioni mbi gjuhë, pas mbylljes së tërësishme të pjesës së thellë të gojës (qiellzës së fortë) me një send të fortë, nuk na duket e mundur, për arsye të mungesës së shenjave të vitalitetit përreth lëndimeve, si dhe për shkak të morfologjisë së këtyre lëndimeve. Përndryshe, në literaturën mjeko-ligjore nuk kemi gjetur gjurmë të një mekanizmi të tillë”.
Përveç pasaktësive të lartpërmendura të ekipit mjeko-ligjor të Kosovës, ekspertiza zvicerane thekson edhe lëndimet në gjuhë dhe në qiellzë, të cilat nuk janë përmendur fare nga ekipi mjeko-ligjor i Kosovës. Bëhet fjalë për “një çarje sipërfaqësore në skajin anësor të pjesës së djathtë të gjuhës, që ndodhet përpara shqyerjes së përshkruar në raportin e autopsisë” dhe “njolla të kuqe në vjollcë në mukozën e rafemedianës (term mjekësor, që përkufizon vijën që ndan mes për mes qiellzën e butë) të qiellzës së butë dhe të pjesës së pasme paramediane të djathtë të qiellzës së butë, që paraqet zona të depërtimeve hemorragjike”, të cilat shihen edhe nga ekzaminimi i jashtëm, por që nuk i paskan parë “ekspertët” e Kosovës!
Sipas ekspertizës zvicerane, “këto lëndime janë rezultat i goditjeve me sende të forta, jo të mprehta, dhe mund të kenë ardhur nga goditja e pjesës së poshtme (baza e shishes) të shishes plastike në mukozë”.
Përveç dallimeve rreth plagëve të shkaktuara në gojë, ekipi mjeko-ligjor zviceran nuk pajtohet me konstatimet e autopsisë rreth sendeve që janë përdorur për t’ia zënë frymën Astrit Deharit. Sipas autopsisë, “vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë)”. Në konkluzionet e ekspertizës zvicerane theksohet se “vdekja e z. Astrit Dehari është rezultat i asfiksisë dhe më e besueshme është që kjo të jetë bërë nëpërmjet zënies së frymës të llojit ‘smothering’”. Ndërkaq, sa i përket mënyrës se si është realizuar zënia e frymës në rastin konkret, ata kanë divergjenca më të mëdha me ekipin mjeko-ligjor të Kosovës.
Për ekipin mjeko-ligjor të Kosovës, “bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes është bërë nga një mjet me konsistencë solide (i fortë)”, pra nga shishja plastike. Rreth kësaj çështjeje, ekspertiza zvicerane vjen te një konkluzion tjetër: “Sendi i gjetur në gojë (shishja e mjaltit), mund të jetë përdorur për të mbyllur rrugët e frymëmarrjes së z. Astrit Deharit”. Por në analizën e tyre ata shpjegojnë në mënyrë bindëse se shishja plastike nuk ka mundur të mbyllte tërësisht rrugët e frymëmarrjes.
“Në rastin e z. Dehari, shishja është gjetur e futur në gojë nga baza e saj, diametri i së cilës është 6 cm. Matjet anatomike të laringut të kryera nga grup autorësh (Eckel He, Sittel C., Zorowka P. dhe Jerke A. dhe të prezantuara në veprën “Dimensions of the larynge alframe work in adults”, 1994) mundësojnë të vlerësohet se diametri normal i vrimës së laringut te njeriu është mesatarisht 3,82 cm (minimum 27 mm dhe maksimumi 63 mm). Në propozimin që kjo matje bazohet në distancën ndërmjet strukturave kërcore, që kufizojnë vrimën e laringun (briri i sipërm i kërcit të tiroides), të dhënat janë mbivlerësuar, sepse ato nuk përfshinë indet e buta, të cilat mbulojnë strukturat kërcore. Pra, baza e shishes plastike do të duhej të gjendej mbi epiglotë. Një argument tjetër që shkon në drejtim të këtij konstatimi, është prania e madhe e materieve ushqimore në bronke. Në të vërtetë, që të ndodhë një thithje e tillë e materialeve ushqimore nga bronket, është e nevojshme që hapësira ndërmjet mureve të laringut të jetë e lirë”. Rrjedhimisht, ky është një fakt objektiv, që dëshmon se shishja plastike nuk ka mundur t’i zinte frymën tërësisht. Përveç këtij fakti, janë edhe deklaratat e përmendura në shkrimin paraprak, që dëshmojnë se Astrit Dehari kishte pasur puls dhe kishte marrë frymë, në kohën kur është zbuluar me shishen plastike në gojë.
Fakte të tjera, në të cilat mbështetet ekipi mjeko-ligjor zviceran për të argumentuar pohimin se, përveç shishes plastike, në zënien e frymës Astrit Deharit kanë mundur të përdoren edhe mekanizma të tjerë janë lëndimet në pjesën e sipërme të ballit, në pjesën e poshtme të anës së djathtë të fytyrës, në pjesën e djathtë anësore të qafës, në parakrahun e djathtë dhe në shuplakën e dorës së djathtë, të cilat nuk janë lëndime sipërfaqësore, por pllaka pergamene, që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta. Këto lëndime vërtet nuk mund të shpjegohen nëpërmjet një veprimi vetëvrasës me sende të mprehta dhe me zënie fryme. Hipoteza e lëndimeve të shkaktuara nga bartja e trupit, nga tërësia e veprimeve për ta ringjallur dhe nga shtrëngimet e rastësishme nuk e shpjegojnë tërësinë e këtyre konstatimeve dhe nuk duket plotësisht bindëse. Nga ana tjetër, këto ekimoza (mavijosje) vërehen në vendet karakteristike për lëndimet, që janë shkaktuar gjatë kapjes me duar në qafë, të llojit “çelësi i krahut”, ose formave të tjera të dhunës në qafë. Për shkak të këtij fakti, një mekanizëm i tillë i lëndimit nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.
Nga tërësia e lëndimeve të lartpërmendura, dhuna e shkaktuar në qafë është shenjë e pakontestueshme e përdorimit edhe të një mekanizmi tjetër për të penguar rrugët e frymëmarrjes së Astrit Deharit.
Ekipi mjeko-ligjor zviceran erdhe te këto konkluzione në bazë të materialeve që u janë dërguar nga ata që kanë dosjen e plotë të rastit “Astrit Dehari”.
Megjithatë, një element shumë i rëndësishëm i skenës së krimit nuk i është dërguar Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës: JASTËKU ME MBETJE JARGËSH QË U GJET NË DYSHEME, NË DHOMËN E KRIMIT!
Në faqen 16 të raportit të 14 qershorit 2019 përshkruhet lista e gjërave që i janë vënë në dispozicion ekipit mjeko-ligjor të Zvicrës. Në këtë listë mungon JASTËKU ME JARGË, që është gjetur në tokë, në një dhomë ku ka pasur një të vdekur nga zënia e frymës!!! Nuk ka asnjë dyshim, se ky element do të shërbente për shtrimin e hipotezës edhe për një mekanizëm të tretë të përdorur në vrasjen me zënie fryme të Astrit Deharit. Sidoqoftë, ky jastëk mund të mbajë edhe gjurmët e ADN-së, të vlefshme për të ndriçuar krimin.
Duke parë se si dikush është përpjekur të fshehë gjurmët e krimit, ajo që shtrohet publikisht në këtë kontekst ka të bëjë me dilemën që kam, nëse ka mbetur i padëmtuar ky jastëk (në kuptimin e gjurmëve gjenetike) dhe nëse ende është në materialet e dosjes së Astrit Deharit.
Nëse vërtet jastëku ka mbijetuar në përpjekjen për fshehjen e krimit dhe nëse nga ai nuk janë zhdukur gjurmët gjenetike, kam bindjen e plotë se analiza e hollësishme e kësaj prove materiale do të ndriçonte, ndër të tjera, nëse vërtet shishja plastike në gojën e Astritit Deharit të shtirë, me krahë të hapur, siç e përshkruajnë dëshmitarët, ka qenë njëri nga mekanizmat e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, apo është shfrytëzuar si mjet për të fshehur mekanizmat e tjerë të kësaj vrasjeje kaq të shëmtuar dhe çnjerëzore.
Mendoj se me serinë e shkrimeve lidhur me manipulimet që i bënë ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari” kam kryer obligimin tim si qytetar i Kosovës dhe si politolog. Ekspertizës zvicerane do t’i referohem edhe në shkrimet që do të bëj në të ardhmen, deri në ngadhënjimin e plotë të drejtësisë për Astritin.
Ekspertiza zvicerane zhvesh fshehjen e krimit për rastin “Astrit Dehari”
Bardhyl Mahmuti-Si rezultat i hulumtimeve të tyre, ekspertët zviceranë erdhën në përfundimin, se Astrit Dehari jo vetëm që nuk ka bërë vetëvrasje, por objektivisht as që e ka pasur të mundur të bënte vetëvrasje me sendet dhe me mënyrën që kanë përshkruar institucionet e Kosovës, të përfshira në rastin “Astrit Dehari”. Rrjedhimisht, vdekja e dhunshme e Astrit Deharit është vrasje. Mënyrat dhe mjetet që janë përdorur gjatë kësaj vrasjeje nuk kanë mundur të jenë rezultat i një personi të vetëm. Prandaj një hetim i drejtë i këtij krimi duhet të nxjerrë në shesh të vërtetën rreth asaj sesa persona u përfshinë në vrasjen e Astrit Deharit.
Siç u përmend në shkrimin paraprak, ekipi mjeko-ligjor i Kosovës përpiloi diagnozën e vdekjes së Astrit Deharit, “si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë) dhe se shkaktimi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës” (në tekstin e autopsisë: ndaljen “reflektore të punës së zemrës”). Ndërsa nga të gjitha lëndimet që shiheshin në trupin e Astrit Deharit, ata zgjodhën të përmendin vetëm lëndimet në anën e djathtë të qafës dhe në pjesën e poshtme të brendshme të parakrahut të dorës së majtë dhe i përkufizuan si “dëmtime (gërvishtje) sipërfaqësore të lëkurës të vetëshkaktuara”. Konstatimet e lartpërmendura i dhanë mundësinë kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, që, më datë 18 nëntor 2016, të shpallë vdekjen e Astrit Deharit si “vetëvrasje”.
Duke analizuar tërësinë e materialeve që u ishin dërguar nga Kosova dhe duke u mbështetur në literaturën shkencore, ekipi mjeko-ligjor zviceran rrëzon njëra pas tjetrës të dyja diagnozat. Ekspertët zviceranë tërheqin vërejtjen se “raporti i autopsisë përmend ndërprerjen e menjëhershme të zemrës, të shkaktuar nga shishja e vendosur në gojë, si mekanizëm kryesor të vdekjes. Në literaturën shkencore ky mekanizëm i vdekjes njihet me emrin “bolus death” dhe përkufizohet si vdekje e shkaktuar nga bllokimi i laringut ose i pjesëve më të poshtme të faringut, i shoqëruar me një ndalim të menjëhershëm të punës së zemrës”.
Diagnozë e tillë hidhet poshtë nga ekspertët zviceranë, sepse “në këtë rast nuk do të kishim të bënim me vdekje prej asfiksisë”.
Përjashtimin e vdekjes së Astrit Deharit me një ndalim të menjëhershëm të punës së zemrës (“bolus death”), siç është thënë në raportin e autopsisë, ekspertët zviceranë e mbështesin në praninë e shenjave të mëposhtme të asfiksisë në trupin e Astrit Deharit, që konsiderohen shenja “klasike” të asfiksisë”: “Petekiet (njolla të kuqe në vjollcë) në cipat e holla të sipërme dhe të poshtme të kokërdhokut të syrit të majtë; në cipën e hollë të poshtme të qepallës së djathtë dhe në cipën e hollë të sipërme të qepallës së majtë, në cipat e holla të sipërme të të dyja qepallave dhe në cipën e hollë të sipërme të kokërdhokut të djathtë, zgjerimi i enëve të gjakut dhe edema në mushkëri (që u shpreh gjatë autopsisë me derdhje gjaku nga zgavrat e hundës dhe nga goja)”.
Fakti i dytë ku mbështeten ekspertët zviceranë për të rrëzuar diagnozën e ndalimit të menjëhershëm të punës së zemrës së Astrit Deharit, ka të bëjë me mbylljen e rrugëve të frymëmarrjes. Sipas raportit të autopsisë, “shishja ka mbyllur zgavrën e gojës në thellësi”, ndërkaq ekspertët zviceranë pohojnë se baza e shishes plastike (me diametër 6 cm) ka qenë mbi epiglotë (epiglota është një strukturë kërcore anatomike në rrënjën e gjuhës, që mundëson ndarjen e faringut dhe të laringut gjatë gëlltitjes) dhe, rrjedhimisht, nuk ka mundur të bëjë bllokimin e laringut ose të pjesëve të poshtme të faringut. Konstatimi i pranisë së madhe të materieve ushqimore në bronke dhe mushkëri, është argument ku mbështeten ekspertët zviceranë, sepse “që të ndodhë një bronkoaspiracion i tillë, është e nevojshme që hapësira ndërmjet mureve të laringut të jetë e lirë”.
Fakti i tretë ku mbështeten ekspertët zviceranë për të rrëzuar diagnozën e ndalimit të menjëhershëm të punës së zemrës së Astrit Deharit, ka të bëjë me konstatimet se kur i është tërhequr shishja nga goja, Astrit Dehari ka pasur puls dhe ka marrë frymë. Kjo vërtetohet në bazë të dëshmive të gardianit të burgut, Daut Kastrati, i cili pohoi se, “kur i ka tërhequr shishen nga goja, Astrit Dehari ende kishte puls, lëvizte dhe se ajri dilte nga goja e tij” (Procesverbalet e datës 5 nëntorit 2016). Të njëjtën gjë pohoi edhe Bukurie Kodraliu, infermierja e Qendrës së Paraburgimit në Prizrenit (anëtarja e parë e personelit mjekësor që e ka ekzaminuar Astrit Deharin), e cila e “ka verifikuar pulsin e Astrit Deharit në qafë dhe ka konstatuar se ai kishte puls dhe se merrte frymë” (Procesverbali i datës 9 nëntor 2016).
Nga sa u tha më lart, del qartë se ekspertiza zvicerane hedh poshtë diagnozën e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës për “ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës si shkaktar i vdekjes së Astrit Deharit”.
Pas çmontimit të pretendimeve për “ndalimin e menjëhershme të zemrës”, ekipi mjeko-ligjor zviceran përqendrohet në cilësimin “e asfiksisë së Astrit Deharit me shishe plastike si vetëvrasje”. Kur bëhet fjalë për zënien e frymës, ekspertët zviceranë fillimisht sqarojnë se nga pikëpamja teorike, “asfiksia përkufizohet si ndërprerje e furnizimit, e mbartjes së oksigjenit drejt organeve të trupit dhe e shfrytëzimit të tij. Truri është organi më i ndjeshëm në situatat kur kemi mungesë të oksigjenit. Ai është organi i parë që preket nga mungesa e oksigjenit”. (Në raport jepen referencat bibliografike për të gjitha përkufizimet, të cilat nuk do t’i citoj, që të mos e ngarkoj shkrimin. Lexuesit e interesuar për burimin e këtyre përkufizimeve mund t’i gjejnë në raportin e publikuar në internet).
Në grupin e parë, nga katër grupet e asfiksive që përmend ekipi mjeko-ligjor zviceran, hyn “zënia e frymës e llojit “smothering”, që ka të bëjë me bllokim të rrugëve të frymëmarrjes mbi epiglotë”.
Siç e pamë në shkrimin paraprak, sajuesit e interpretimit të rastit “Astrit Dehari” u përpoqën ta prezantojnë sikur gjoja Astrit Dehari fillimisht kishte tentuar t’i shkaktonte vetes lëndime me brisk rroje dhe pastaj kishte zbatuar metodën e zënies së frymës të llojit “smothering”. Interpretime të tilla hidhen poshtë nga ekspertët zviceranë për dy arsye thelbësore:
Së pari, “në literaturën shkencore asnjëherë nuk është përshkruar vetëvrasja komplekse, që përfshin një zënie fryme të llojit “smothering”, të cilit t’i ketë paraprirë përdorimi i një sendi të mprehtë” dhe, së dyti, “vetëvrasjet komplekse karakterizojnë individë me sëmundje psikiatrike, siç janë çrregullimet e personalitetit, depresioni ose skizofrenia. Ndërkaq, z. Astrit Dehari nuk paraqiste asnjë problem psikiatrik dhe as shenja të depresionit”. Përkundrazi, në bazë të “raportit për gjendjen psikologjike të të paraburgosurit Astrit Dehari”, të datës 6 shtator 2016, dhe procesverbaleve të hetuesisë, të gjithë të intervistuarit dëshmojnë se Astrit Dehari ishte person, të cilin e karakterizonte “një gjendje psikologjike e mirë dhe e qëndrueshme”, “ishte njeri me vullnet të mirë”, “person që nuk ka pasur dhe nuk kishte probleme psikiatrike”, “person që nuk ka pasur mendime ose përpjekje për vetëvrasje”…
Sa i përket mekanizmit të asfiksisë, në rastin e z. Astrit Dehari kemi të bëjmë saktësisht me një mekanizëm të zënies së frymës të llojit “smothering” me një send me përbërje të fortë (një shishe plastike, baza e së cilës ishte me diametër 6 cm).
Analiza që bëjnë ekspertët zviceranë dëshmon në mënyrë të pakontestueshme, se edhe në hipotezën më ekstreme, në rastin nëse Astrit Dehari do të kishte dashur të bënte vetëvrasje, ai nuk do të kishte mundur t’ia zinte frymën vetes, në mënyrën si e kanë shpjeguar ekspertët e Kosovës.
Një vetëvrasje e tillë praktikisht nuk është e mundur, sepse kur ndërpritet furnizimi i organizmit me oksigjen, kemi “zvogëlimin ose ndërprerjen e tërësishme të ardhjes së gjakut të pasur me oksigjen në tru dhe kjo shkakton humbje të vetëdijes dhe të tonusit muskulor (tensionit të lehtë muskulor, që mundëson funksionimin e tyre edhe në gjendje qetësie). Humbja e tonusit muskulor e bën të pamundur që t’i zihet fryma vetes duke mbajtur një send në rrugët e frymëmarrjes. Nëse shishja është prej plastike, me skaje të lëmuara, e rrumbullakët dhe pa kënde, ajo nuk do të kishte qenë në gjendje të qëndronte e bllokuar në faring në atë mënyrë, që të mund të pengonte tërësisht frymëmarrjen”.
Në aspektin teorik, një vetëvrasje me mjete të tilla do të kishte mundur të ndodhte vetëm në një skenar të imagjinuar: “Në rast se viktima shtrihet në bark dhe në kohën kur e humb vetëdijen, shishja mbetet e bllokuar në mes të kokës dhe tokës dhe, në mënyrë efikase, vazhdon të mbyllë rrugët e frymëmarrjes. Mundësia e realizimit të një skenari të tillë nuk pranohet nga autorët që citohen. Bëhet fjalë për një mundësi pa asnjë gjasë që të ndodhë, sepse duhet gjithashtu të kemi parasysh, se gjatë fazës së shtrëngimeve muskulore që i karakterizon asfiksitë, lëvizjet e trupit do ta pengonin ruajtjen e këtij pozicioni, do të bënin që shishja të rrëshqiste ose të lëvizte dhe të liroheshin rrugët e frymëmarrjes. Megjithatë, përsëri duhet të nënvizojmë se skenari i fundit për të cilin folëm nuk mund të merret parasysh në rastin e z. Dehari, sepse trupi i tij është gjetur i shtrirë horizontalisht në shpinë (dekumitus dorsal), ashtu siç është thënë nga të gjithë dëshmitarët”.
Pra, sipas ekspertëve zviceranë, edhe në një hipotezë me skenar të imagjinuar, Astrit Dehari nuk ka mundur të bëjë vetëvrasje, sepse trupi i tij është gjetur në një pozitë të tillë, që përjashton mundësinë që shishja plastike të vazhdonte t’i pengonte rrugët e frymëmarrjes.
Në raportin e ekspertizës së tyre, ekipi mjeko-ligjor zviceran thekson se në literaturën shkencore që kanë konsultuar, “kanë hasur vetëm në dy raste të përdorimit të zënies së frymës të llojit “smothering”, si mënyrën e vetëvrasjes. Në rastin e parë kemi të bëjmë me vendosjen e ngjitësit rreth kokës, që i pengonte rrugët e frymëmarrjes, ndërsa në rastin e dytë kemi të bëjmë me futjen e një shamie hundësh dhe dorezat prej llastiku në rrugët e frymëmarrjes mbi epiglotë. Në rastin e fundit vërejmë se karakteristikë e shamisë së futur në rrugët e frymëmarrjes është ndjeshmëria ndaj lagështisë, që ka bërë të ngjitet nga mukoza dhe të pamundësojë hapjen spontane të rrugëve të frymëmarrjes nëpërmjet rrëshqitjes së materialit të përdorur”.
Të gjitha rastet e tjera të zënies së frymës të llojit “smothering”, që përmenden në raportin e ekspertëve zviceranë, janë raste të vrasjeve. Për ilustrim, ata përmendin sende që janë futur në rrugët e frymëmarrjes, gjurmë që janë gjetur në këto raste e kështu me radhë, për të arritur te konkluzioni i tyre: “Në serinë e rasteve që sjell Boghossian et al (2010), një rast bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes ishte kryer me kravatë, ndërkaq në rastin e dytë bllokimi ishte bërë me doreza. PËR MË TEPËR, SIPAS BOGHOSSIAN ET AL (2010) DHE DIMAIO AND DIMAIO (2001), ZËNIA E FRYMËS E LLOJIT “SMOTHERING” MË TEPËR ËSHTË KARAKTERISTIKË E VRASJEVE SESA E VETËVRASJEVE. MEGJHITHATË, DO TË SHËNOJMË SE SIPAS DiMaio and DiMaio (2001), vrasja me zënie fryme e llojit “smothering” është shumë e vështirë të realizohet te një i rritur me aftësi të plota”.
Për lexuesit që kanë pasur mundësi t’i lexojnë shkrimet e mia paraprake lidhur me falsifikimin e raportit të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari”, është e qartë se teksti me shkronja kapitale është hequr qëllimisht.
Pas reagimit tim lidhur me përkthimin skandaloz të raportit të ekspertizës të Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës, përkthyesi zyrtar i këtij dokumenti,Ismail Ismaili, deklaroi: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”.
I takon hetuesisë të ndriçojë tërësisht se kush e hoqi fjalinë thelbësore, se zënia e frymës e llojit “smothering” më shumë është karakteristikë e vrasjeve sesa e vetëvrasjeve dhe përgjegjësit për këtë falsifikim të japin llogari në përputhje me nenin 434 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sa për arsyet pse është hequr konkluzioni i literaturës shkencore rreth kësaj çështjeje, është e qartë: kanë dashur ta fshehin faktin, se zënia e frymës e llojit “smothering”, viktimë e së cilës ka qenë Astrit Dehari, më tepër është karakteristikë e vrasjeve sesa e vetëvrasjeve.
Në përkthimin zyrtar në gjuhën shqipe të raportit të ekspertizës zvicerane ky konkluzion është sakatuar kështu: “Në serinë e rasteve të Boghossian et al. (2010) obstruksioni i rrugëve ajrore ishte kryer në një rast me kravatë dhe në dy raste të tjera me doreza. Sipas Boghossian et al.(2010) dhe të DiMaio and DiMaio (2001), vrasje me ngulfatje të llojit “Smothering” është shumë e vështirë mbi një të rritur, duke pasur parasysh aftësitë e tij”.
Kanë hequr konkluzionin, se kjo formë e zënies së frymës është kryesisht karakteristikë e vrasjeve dhe e kanë lënë fjalinë e fundit, me shpresë se do të tërheqin vëmendjen në faktin se “zënia e frymës e llojit “smothering” është shumë e vështirë të realizohet te një i rritur me aftësi të plota”. Por edhe ky konstatim kthehet kundër falsifikatorëve të ekspertizës zvicerane, sepse qëndrimi i lartpërmendur nënkupton se, për të zbatuar metodën vrastare të zënies së frymës të llojit “smothering” ndaj një personi të shëndoshë, siç ka qenë Astrit Dehari, është dashur të jenë të përfshirë më shumë se një person.
Për ekipin mjeko-ligjor zviceran, zënia e frymës e llojit “smothering” është vetëm njëri nga mekanizmat që është përdorur në rastin “Astrit Dehari”. Në mënyrë të qartë ata theksojnë: “Megjithatë, një kombinim me mekanizmat e tjerë nuk mund të përjashtohet. Në të vërtetë, autopsia ka zbuluar praninë e lëndimeve abrazive të shkaktuara nga goditjet me mjete të forta, jo të mprehta, në pjesën e sipërme të ballit, në pjesën e poshtme të anës së djathtë të fytyrës, në pjesën e djathtë anësore të qafës, në parakrahun e djathtë dhe në shuplakën e dorës së djathtë. Këto lëndime vërtet nuk mund të shpjegohen nëpërmjet një veprimi vetëvrasës me sende të mprehta dhe me zënie fryme. Hipoteza e lëndimeve të shkaktuara nga bartja e trupit, nga tërësia e veprimeve për ta ringjallur dhe nga shtrëngimet e rastësishme nuk e shpjegojnë tërësinë e këtyre konstatimeve dhe nuk duket plotësisht bindëse. Këto ekimoza (mavijosje) vërehen në vendet karakteristike për lëndimet që janë shkaktuar gjatë kapjeve në qafë, të llojit “çelësi i krahut” (“clé de bras” në gjuhën frënge), ose formave të tjera të dhunës në qafë. Si përfundim, hipoteza e vetëvrasjes së z. Astrit Deharit me mjetet e paraqitura nga mjekët ligjorë duket shumë pak e besueshme. Sipas mendimit tonë, për këtë arsye, rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari janë shumë të dyshimta, për shkak të ndërhyrjes së një personi tjetër në procesin fatal”.
Ekspertiza e ekipit mjeko-ligjor zviceran nxori në shesh, se vdekja e dhunshme e Astrit Deharit nuk ka qenë vetëvrasje. Në dy raportet e ekspertizës së tyre, ekspertët e ekipit mjeko-ligjor zviceran vunë theksin në lëshimet e rënda që janë bërë gjatë procesit të hetimeve, gjatë mbledhjes së provave materiale në skenën e krimit, gjatë analizave të ADN-së dhe të gjurmëve të gishtave që ka bërë “Agjencia e Kosovës për Forenzikë” gjatë autopsisë së trupit të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, konkluzioneve të ekipit të tij mjeko-ligjor dhe përfundimeve që nxjerr Prokuroria Themelore e Prizrenit për gjoja “vetëvrasjen e Astrit Deharit”.
Si rezultat i hulumtimeve të tyre, ekspertët zviceranë erdhën në përfundimin, se Astrit Dehari jo vetëm që nuk ka bërë vetëvrasje, por objektivisht as që e ka pasur të mundur të bënte vetëvrasje me sendet dhe me mënyrën që kanë përshkruar institucionet e Kosovës, të përfshira në rastin “Astrit Dehari”. Rrjedhimisht, vdekja e dhunshme e Astrit Deharit është vrasje. Mënyrat dhe mjetet që janë përdorur gjatë kësaj vrasjeje nuk kanë mundur të jenë rezultat i një personi të vetëm. Prandaj një hetim i drejtë i këtij krimi duhet të nxjerrë në shesh të vërtetën rreth asaj sesa persona u përfshinë në vrasjen e Astrit Deharit.
Është obligim qytetar i çdokujt që ka mundësi të ndihmojë në ndriçimin e plotë të këtij krimi. Është obligim i institucioneve të shtetit të Kosovës, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura, që ata, të cilët e përgatitën, e realizuan dhe e fshehën vrasjen e Astrit Deharit, të ballafaqohen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar.
(VIJON)
Sa persona u përfshinë në vrasjen e Astrit Deharit?
Nesër do të publikoj shkrimin e titulluar “Ekspertiza zvicerane zhvesh fshehjen e krimit për rastin ‘Astrit Dehari’”, që është vazhdim i shkrimeve që nxorën në pah falsifikimin e raportit mjeko-ligjor zviceran me qëllim të fshehjes së krimit.
Në këtë shkrimin mund të lexoni: “Si rezultat i hulumtimeve të tyre, ekspertët zviceranë erdhën në përfundimin, se Astrit Dehari jo vetëm që nuk ka bërë vetëvrasje, por objektivisht as që e ka pasur të mundur të bënte vetëvrasje me sendet dhe me mënyrën që kanë përshkruar institucionet e Kosovës, të përfshira në rastin “Astrit Dehari”. Rrjedhimisht, vdekja e dhunshme e Astrit Deharit është vrasje. Mënyrat dhe mjetet që janë përdorur gjatë kësaj vrasjeje nuk kanë mundur të jenë rezultat i një personi të vetëm. Prandaj një hetim i drejtë i këtij krimi duhet të nxjerrë në shesh të vërtetën rreth asaj sesa persona u përfshinë në vrasjen e Astrit Deharit”.