Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka botuar librin tim “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”. Botimi i këtij libri është bërë me qëllim të harmonizimit dhe përdorimit të saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të saktë.
Në këtë libër sqarohet përdorimi i gabuar i termave
“shfarosje”, “zhdukje, “asgjësim”, në vend të termit “shkatërrim”; dallimi i
nocionit “gjenocid” nga ai “holokaust” dhe “shoah”; përdorimi i gabuar i termit
“eksod” në vend të “spastrimit etnik” dhe termave të tjerë, që janë tejet të
rëndësishëm dhe ne duhet t’i përdorim saktë ata.
Të gjithë të interesuarit për këta terma, librin mund
ta shkarkojnë falas në faqen e internetit të qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” (https://kosovogenocide.com/).
Përkundër asaj se më datë 8 maj 2019 Kuvendi i Kosovës
miratoi rezolutën, që përkufizon si krim të gjenocidit atë që shteti serb ka
bërë gjatë luftës në Kosovë, kohët e fundit ka filluar të përdoret shprehja
“tentim për gjenocid”, që nuk është asgjë tjetër, përveçse mohim i gjenocidit.
Përkufizimi juridik i gjenocidit, si kategori e së
drejtës penale ndërkombëtare, e gjen bazën e vet në Konventën për Parandalimin
dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Sipas të drejtës penale ndërkombëtare, te termi
“gjenocid” përfshihet cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj
konvente: a) vrasja e anëtarëve të
grupit; b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të
grupit; c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin
zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij; d) ndërmarrja e masave për
pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga
njëri grup në tjetrin, kur krimi
është bërë, me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup
kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.
Është e vërtetë se konventa e lartpërmendur parashikon
dënimin edhe të akteve që mbesin pa u realizuar, pra si “tentim gjenocidi” [neni III, paragrafi (d) i kësaj
konvente]. Mirëpo në rastin e krimeve gjatë luftës në Kosovë
vrasjet, dhunimet, spastrimi etnik dhe shkatërrimet nuk kanë mbetur “në tentativë”, por janë kryer nga
forcat serbe.
Pa marrë parasysh divergjencat e juristëve rreth
numrit të viktimave që ky krim të cilësohet si gjenocid, ajo që vlen të
theksohet ka të bëjë me faktin se, edhe në tekstin e titulluar “Elemente të
krimeve”(Élémentdescrimes, Publication
de la Courpénaleinternationale), që është dokument zyrtar i Asamblesë së Shteteve Anëtare
të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, theksohet se kemi krim
të gjenocidit kur:
1. Autori ka
vrarë një apo më shumë persona.
2. Personi apo
personat e vrarë i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose
fetar.
3. Autori
kishte për qëllim të shkatërronte tërësish ose pjesërisht këtë grup kombëtar,
etnik, racor ose fetar…
Nga cilido këndvështrim juridik që të trajtohet numri
i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasjet
e 1739 grave shqiptare, vrasjet e mijëra civilëve të tjerë shqiptarë të të
gjitha moshave dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin në Kosovë, sepse
kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve të
Kosovës si grup kombëtar, etnik apo fetar i ndryshëm nga serbët.
Përveç vrasjeve kur kryhen me qëllim për shkatërrimin
e tërësishëm ose të pjesshëm të grupeve të përkufizuara me konventën e
lartpërmendur, cenimi i integritetit
fizik dhe mendor i anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor apo
religjioz, si i tillë, përbën gjenocid në përputhje me Konventën për
Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit [Konventa për Parandalimin dhe
Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, paragrafi (b)]. I njëjti përkufizim është
përfshirë tekstualisht edhe në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare
[Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, paragrafi (b)],
ndërsa në sqarimet e dhëna rreth asaj se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në
dokumentin e Kombeve të Bashkuara, të titulluar “Elemente të krimeve”, thuhet:
“Elementet e gjenocidit përmes cenimit të integritetit
fizik dhe mendor janë në rastet kur:
1. Autori i
krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më
shumë personave;
2. Ky person
ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;
3. Autori i
krimit kishte për qëllim ta shkatërronte tërësisht
ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial, fetar;
4. Një sjellje
e tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të drejtuara
kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të tillë.
Pa u kufizuar
në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të
dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese” (“Elemente të krimeve”).
Me një fjalë, me të gjitha normat e së drejtës
ndërkombëtare, dhuna seksuale është gjenocid dhe jo “tentim për gjenocid”. Në
Kosovë dhuna seksuale nuk ka mbetur vetëm si “tentim dhunimi”, por kemi të
bëjmë me dhunimin e rreth 20 mijë femrave shqiptare. Përdorimi i shprehjes “tentim
për gjenocid” është mohim i dhunimeve seksuale, që u bënë me qëllim të
shkatërrimit të njërës nga shtyllat e familjes shqiptare.
Me Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme
Kombeve të Bashkuara, “largimi i dhunshëm i popullsisë nuk është pasojë e luftës,
por qëllim për të pushtuar më shumë territor” në funksion të shkatërrimit të
hapësirës së domosdoshme jetësore të një grupi të caktuar kombëtar, etnik,
racor ose fetar dhe nëpërmjet këtij akti të shkatërrojë tërësisht ose
pjesërisht grupin si të tillë. Në përputhje me të gjitha të dhënat që zotëronin
lidhur me agresionin serb, në rezolutën e lartpërmendur autoritetet e Kombeve
të Bashkuara e cilësuan si “formë të
gjenocidit politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik’”…
Dëbimi i rreth 1 milion shqiptarëve nga Kosova nuk
mbeti “në tentativë”, por ishte realizimi i kësaj forme të neveritshme të gjenocidit.
Mund të vazhdoj me renditjen e argumenteve të shumta
dhe të vijmë tek i njëjti pëfundim: në
Kosovë nuk ka pasur “tentim për gjenocid”, por shteti serb ka kryer gjenocid
ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye politikanët, gazetarët, intelektualët e
fushave të ndryshme dhe kuadri pedagogjik që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin
e botëkuptimeve dhe të opinioneve, duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e
terminologjisë së saktë dhe të shmangin përdorimin e gabuara të terminologjisë
që mohon gjenocidin në Kosovë.