Nga Bardhyl Mahmuti– Në Likoshan dhe Qirez kanë ndodhur akte të gjenocidit e jo “hakmarrje” siç pretendon Enver Hoxhaj!

Në vazhdën e mohimit të gjenocidit, ish ministri i Arsimit të Kosovës, ish ministri i Jashtëm i Kosovës dhe aktualisht ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, publikoi qëndrimin e tij lidhur me krimet që kishin bërë forcat serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez! Dhe pa fije turpi aktet e gjenocidit të shtetit serb Enver Hoxhaj i cilëson si “hakmarrje për shkak të humbjeve që kishin pësuar nga përballja me UÇK-në”.

Termi “hakmarrje” nënkupton se paraprakisht i ke hyrë në borxh atij që nxjerr hak. Shqiptarët nuk i kanë pasur asnjë borxh Serbisë dhe as popullit të saj: nuk kanë shkuar as në Beograd, as në Nish dhe në asnjë vendbanim të Serbisë të sulmojnë njerëz të paarmatosur. Përkundrazi, ushtria dhe policët e Serbisë kanë ardhur në vatrat tona dhe nuk kanë lënë gjë të zezë pa bërë mbi popullin tonë, me qëllim që të na shkatërrojnë si shqiptarë.

Në rastin konkret, përdorimi i termit “hakmarrje” nga Enver Hoxhaj nënkupton mungesë projekti të Serbisë për të kryer gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe se nuk kemi të bëjmë me akte të gjenocidit por gjoja ata u “hakmorën ndaj qytetarëve të pafajshëm e të pafuqishëm, për të rikonfirmuar identitetin e vet në raport me shqiptarët”!

Nuk mund të ketë turp më të madh për një ish ministër të Arsimit, për një ish ministër të Jashtëm dhe për një politikan që kërkoi votat e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë kryeministër se sa  cilësimi i akteve të gjenocidit si “hakmarrje për të rikonfirmuar identitetin e vet në raport me shqiptarët”!!!

Në Likoshan dhe Qirez kanë ndodhur akte të gjenocidit dhe nëpërmjet të cilësimit të këtyre akteve gjenocidare si “hakmarrje” Enver Hoxhaj “RIKONFIRMON IDENTITETIN E VET NË RAPORT ME MOHIMIN E GJENOCIDIT TË SERBISË NDAJ SHQIPTARËVE”!

Nga Bardhyl Mahmuti

Të dashur miq, Shtrembërimi i të vërtetës historike dhe fyerjet që u bëhen shqiptarëve në librin “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë-për vitin II të gjimnazit të reformuar” ka nxitur reagime të shumta. Reagimet janë tërësisht të arsyeshme, sepse trajtimi i shqiptarëve, që botërisht dihet se janë autokton të këtij vendi, si njerëz me prejardhje çerkeze, rome, turke apo të maqedonas që janë bërë shqiptarë gjatë pushtimit të Perandorisë Osmane është më tepër se fyes! Ky trajtim shpërfaq logjikën e nxitjes së urrejtjes ndëretnike dhe luftënxitëse.E shoh të udhës t’i kujtoj lexuesit reagimin që kam bërë në shtator të vitit 2009 kundër të ashtuquajturës Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë.

R e a g i m „ENCIKLOPEDIA MAQEDONASE“ – ÇORBË DERRASH E KUZHINËS LUFTËNXITËSE TË SHKUPIT!

Që nga krijimi i Maqedonisë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, si surrogat i gatuar në kuzhinën komuniste të Beogradit, një numër individësh që bartnin tituj shkencor u orientuan në krijimin e identitetit maqedonas. Ky surrogat politik e etnik u krijua mbi territore të uzurpuara shqiptare, bullgare e greke dhe duke uzurpuar komponentë të identiteti kulturor dhe historik të popullit shqiptar, popullit bullgar dhe popullit grek. Të gjithë ata që njohin historinë e Ballkanit e dinë fare mirë se në këto hapësira vetëm një popull ndërroi tri herë identitetin e vet: deri në vitin 1940 identifikohej si serb, nga viti 1941 deri në vitin 1944 si bullgar e pas vitit 1945 si maqedonas.

Nga kalemxhinjtë e quajtur akademikë të këtij surrogati politik e etnik që për pesë vite tri herë ndërroi identitetin e vet nuk mund të pritet objektivitet shkencor por vetëm hajdutllëk të territoreve, të kulturës dhe të historisë së popujve tjerë. Kontestimi i historisë dhe vlerave kombëtare të popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë fqinjë nga Kuzhina e luftënxitëse e Shkupit përmes Çorbës së Derrave të ambalazhuar me etiketën “Enciklopedia Maqedonase” është neveritëse dhe e rrezikshme.

Bashkimi Demokratik Shqiptar u rikujton të gjitha institucioneve të demokracive perëndimore, sidomos institucioneve të atyre vendeve që dhënë kontribut të madh për të ndërprerë luftën në Maqedoni, se Kuzhina luftënxitëse e Shkupit që e quan veten Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë (ASHAM), në mënyrë analogjike si Kuzhina luftënxitëse e Beogradit që e quante veten Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë (ASHAS), falsifikimin e realitetit historik e bën në funksion të mobilizimeve politike kundër popujve tjerë.

Bashkimi Demokratik Shqiptar u rikujton të gjitha institucioneve të demokracive perëndimore, se pas Çorbës së Derrave të ambalazhuar me etiketën “Enciklopedia Serbe”, Kuzhina luftënxitëse e Beogradit përgatiti Memorandumin famëkeq si recetë për Çorbën e Masakrave kundër popujve tjerë.

Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron se Çorba e Derrave të ambalazhuar me etiketën “Enciklopedia Maqedonase” paraqet fazën e parë të projekteve antishqiptare që Kuzhina luftënxitëse e Shkupit përgatit.

Bashkimi Demokratik Shqiptar u rikujton kalemxhinjve të Shkupit që vetes i thonë akademikë dhe mentorëve të tyre politik se në mënyrë analogjike si kalemxhinjve të Beogradit që vetes i thonin akademikë dhe mentorëve të tyre politik se Çorbat e Masakrave kundër popujve tjerë do t’ju mbesin në fyt.Populli shqiptar ka forcë dhe energji që përballë rreziqeve që i kanosen të dalë fitimtarë!

Kryetar Bardhyl MahmutiTetovë – 21 Shtator 2009-Bashkimi Demokratik Shqiptar

E vetmja gjë që ka ndryshuar nga koha e këtij reagimi lidhet me ndryshimin e emrit të këtij shteti!

Megjithatë, asnjë shkencëtar serioz nuk mund ta kontestojë faktin se sllavët që kanë ardhur nga Karpatet, që janë larg në veri të territoreve tona, nuk mund të jenë autoktonë, edhe nëse shteti ka marrë emrin:Maqedoni e Veriut! Përkundrazi! Siç thotë historiani i njuhur francez Alain Ducellier kur flet për pretendimet serbe ndaj Kosovës, historia na mëson se sllavët, në raport me territoret ilire, janë pushtues që kanë ardhur shumë vonë!

Ja linku i librit të gjeografis:

https://prosvetnodelo.com.mk/CMS/Upload/Uchebnici/new04/Geografija%20za%20II%20godina%20albanski%20jazik.pdf

Bardhyl Mahmuti komenton deklaratën e presidentit serb.

Aleksandar Vuçiqi, Joseph Goebbels i Ballkanit, i njohur për politikën e vrasjes së 100 myslimaneve të Bosnjës për çdo serb të vrarë dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës paska deklaruar se më parë pranon ta vërë kokën në cung, sesa të njohë pavarësinë e Kosovës!
Është koha që t’i vihet koka në cung Goebbelsit të Ballkanit dhe të nxirret përpara përgjegjësisë penale si pjesë e zinxhirit komandues që kreu gjenocid në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë!
Gjenocidi ka emër: Serbi!

Në prononcimin e parë publik të Enver Hoxhajt, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, ai mohoi gjenocidin dhe krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke i ulur ato në nivel të “masakrave dhe krimit kundër njerëzimit”.

Si njëri nga themeluesit e PDK-së reagova kundër qëndrimit të tillë dhe i kërkova që si ushtrues i detyrës së kryetarit të partisë të respektojë qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe të institucioneve të Kosovës dhe të përdorë terminologjinë e saktë, GJENOCID, sa herë që i referohen asaj që ka bërë Serbia në Kosovë. (Këtë reagim e kanë publikuar disa media më 8 nëntor 2020, por meqenëse i referohem Gazetës Express, po e sjell atë të botuar në këtë gazetë https://www.gazetaexpress.com/bardhyl-mahmuti-i-kerkon-kryetarit-te-pdkse-ti-referohet-me-gjenocid-krimeve-te-serbise/).

Pas bërjes publike se në librin e tij “Ngritja e një shteti…” Enver Hoxhaj mohon gjenocidin që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë duke e cilësuar si “Përpjekje për gjenocid”, prita me interes të madh ballafaqimin e tij televiziv në Pressing/T7.

Ishte moment i volitshëm që ai të tërhiqej nga terminologjia e gabueshme dhe të kërkonte falje publike për mohimin e këtij gjenocidi. Mirëpo jo vetëm që nuk kërkoi falje, por, përkundrazi, në këtë ballafaqim televiziv Enver Hoxhaj shpërfaqi një arrogancë të pashoq.

Duke rrahur gjoks se ai përfaqëson me dinjitet interesat e PDK-së, Enver Hoxhaj, me një “fizkulturë akademike”, u përpoq të zhvendosë çështjen në rrafshin akademik dhe, shprehu gatishmërinë të debatojë për këtë temë “kurdo që Akademia e Shkencës ka dëshirë të mblidhet dhe të diskutojmë rreth librit” të tij.

Fillimisht po tërheq vëmendjen se “të përfaqësohen me dinjitet interesat e një partie politike”, nuk mjafton që dikush të jetë ushtrues detyre i funksionit më të lartë partiak, apo i çfarëdo funksioni tjetër partiak apo shtetëror, por duhet të prezantojë koherencë me vijën që ka përcaktuar partia.

Edhe në reagimin tim të 8 nëntorit të vitit të kaluar ia kam tërhequr vërejtjen se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si figurat emblematike të luftës së UÇK-së dhe themelues të PDK-së përdorin terminologjinë e saktë: GJENOCID sa herë që i referohen asaj që ka bërë Serbia në Kosovë dhe se në të ardhmen ai duhet t’i harmonizojë qëndrimet e veta me qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe do të përdorë terminologjinë e saktë për gjenocidin në Kosovë.

Nëse Enver Hoxhaj nuk kërkon falje publike për mohimin që i bën gjenocidit të shtetit serb, atëherë ai nuk është përfaqësues i denjë i PDK-së, ai nuk është, ashtu siç pretendon, “adresa e duhur për t’i zgjidhur problemet që ka Kosova”!

Ndërsa sa i përket “fizkulturës akademike” për ta tërhequr debatin gjetiu, po them se Enver Hoxhaj ka fat të madh që shteti i Kosovës ende nuk i ka përkufizuar qartë me ligj masat ndëshkuese kundër atyre që mohojnë gjenocidin, se nuk do të mund të sillej me fodullëk para kamerave.

Nuk ka njeri normal që mund të imagjinojë një ministër të Jashtëm të Izraelit të deklarojë se Gjermania naziste ka bërë “përpjekje për gjenocid” kundër hebrenjve. Nuk ka njeri normal të imagjinojë një ministër të jashtëm të një shteti demokratike që kanë të përkufizuar në mënyrë të qartë ndëshkimin me ligj të mohimit të gjenocidit të kryer ndaj hebrenjve ta kualifikoj këtë krim të shëmtuar si “përpjekje për gjenocid”!

Çështja e gjenocidit nuk është çështje numrash apo vendimesh të instancave të caktuara juridike. Çështja e gjenocidit është çështje e qëllimi që përkufizohet në mënyrë të qartë në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Në tekstin e titulluar “Elemente të krimeve”, që është dokument zyrtar i Asamblesë së Shteteve Anëtare të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, (Élément des crimes, Documents officiels de l’Assemblée des États Parties au Statut de Rome de la Cour pénale internationale, New York, septembre 2002) theksohet në mënyrë të qartë se kemi

krim të gjenocidit kur:

“1. Autori ka vrarë NJË APO MË SHUMË persona.

2. Personi apo personat e vrarë i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.

3. Autori kishte për qëllim të shkatërronte tërësish ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar…”.

Siç shihet, edhe në rastet kur vetëm një njeri është vrarë në funksion të shkatërrimit të një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar si të tillë,  me normat e të drejtës ndërkombëtare penale, akti cilësohet si gjenocid. Prandaj çështja e gjenocidit nuk ka të bëj me manipulim të statistikave, ku njerëzit shtohen dhe zbriten me veprime matematikore, me qëllim që të banalizohet “shtimi i krimeve” dhe “zbritja e jetëve të njerëzve të pafajshëm”.

Plani i gjenocidit i përpiluar nga Serbia nuk ka mbetur vetëm si “përpjekje”, por është realizuar me pasoja shumë të mëdha në njerëz! Prandaj cilësimi si “përpjekje për gjenocid” në rastin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës është mohim i gjenocidit!

Në tekstin e lartpërmendur “Elemente të krimeve” saktësohet se në cilat raste cenimi i integritetit fizik dhe mendor cilësohet gjenocid. Sipas këtij dokumenti zyrtar të së drejtës penale ndërkombëtare kemi gjenocid nëse:

1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;

2. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;

3. Autori i krimit kishte për qëllim të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial fetar…”

Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese” (“Élément des crimes“, Publication de la Cour pénale internationale, f. 2).

Siç shihet, edhe në rastet kur vetëm ndaj një femre të një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar si të tillë ushtrohet dhunë seksuale me qëllim të cenimit të integritetit fizik dhe mendor kemi gjenocid!

Plani i gjenocidit nëpërmjet ushtrimit të dhunës seksuale nuk ka mbetur vetëm si “përpjekje”, por është realizuar nga forcat serbe me pasoja shumë të mëdha në njerëz!

Prandaj cilësimi si “përpjekje për gjenocid” ndaj mbi 20 mijë femrave të dhunuara shqiptare në Kosovë është mohim i gjenocidit.

Çështja e gjenocidit është çështje që godet tërë njerëzimin dhe si i tillë duhet të denoncohet kurdo qoftë.

Kualifikimi i denoncimit të gjenocidit gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë si “goditje ndër brez” është neveritës, sepse MOHIMI I GJENOCIDIT ËSHTË THIKË PAS SHPINE dhjetëra mijëra familjeve shqiptare që humbën fëmijë, gra, burra dhe pjesëtarë të të gjitha moshave; MOHIMI I GJENOCIDIT ËSHTË THIKË PAS SHIPNE për dhjetëra mijëra femra të dhunuara shqiptare dhe për një popull të tërë që përjetoi gjenocidin e planifikuar dhe të kryer nga Serbia.

P.S.

Për ata që nuk e dinë po u tregoj se akti themelues i kësaj partie ka vetëm dy nënshkrime: nënshkrimin e Hashim Thaçit dhe të Bardhyl Mahmutit, ndërkaq propozimi i emrit “Partia Demokratike e Kosovës” u bë nga Fatmir Limaj dhe u miratua në Konventën e parë të partisë.

Destan Hajdini – fjalë për veprën Eskadronët e vdekjes Viti 2020/21 do të mbahet mend në mos për asgjë tjetër, për dy ngjarje diametralisht të kundërta; në njëren anë pandemija ndërsa në anën tjetër botimi i veprës së Bardhyl Mahmutit ” Eskadronët e vdekjes”.

Bardhyl Mahmuti

Ky libër mbanë edhe nëntitullin Kronikë e nji kasaphane. Eskadronët e vdekjes me 508 faqe paraqet veprën më të realizuar, jo për shkak të temës, por mbi të gjitha për shkak të mënyrës së trajtimit të saj. Në këtë vepër autori na e paraqet në mënyrë kronologjike realitetin objektiv që karakterizohej me luftën çfarosëse kundër popullit tonë. E veçanta e saj qëndron që përmes gojës së nji gazetari serb Mifi L ti prezantoj gjithë ato veprime gjenocidale ndaj nji pjese të popullit tonë në mbarim të shekullit xx.

Kjo vë në spikamë zërin e ndërgjegjes së disa gazetarëve e intelektualëve serb si Natasha Kandiqi, Mirosllav Filipoviqi, Sonja Biserko, Sllavko Quruvija e ndonji tjetër që nuk e përtypnin dezinformimin e mashtrimin e Vuçiçit.

Kështu që autori përmes kësaj vepre arrinë ta zhveshë deri në palcë shpirtin nihilist dhe gjenocidal të pushtetit dhe okupatorit serb dhe në mënyrë të aprgimentuar të denoncoj krimet makabre tëregjimit të Millosheviqit ndaj popullit tonë liridashës, duke përcjellur mesazh të fuqishëm për domosdoshmërinë e gjykimit dhe dënimit të këtyre krimeve kundër njerëzimit, në mënyrë që të mos përsëriten në asnji vepnd dhe ndaj askujt.

Kjo vepër paraqet mundësi për rifreskimin e memories për tmerrin e përjetuar, ndërsa gjenerata e re e pasluftës të njihet me veprimet e pushtuesit serb për realizimin e objektivit të shndërrimit të Kosovës në vend pa shqiptarë. Secila familje në tërë hapsirën shqiptar duhet ta posedojë këtë vepër si dëshmi rrënsethëse e nji tmerrin nëpër të cilin kaloi nji pjesë e popullit tonë jo më shumë se dy dekada më parë!

Ka dalë nga shtypi romani “Eskadronët e vdekjes”, i autorit Bardhyl Mahmuti.

Në “Eskadronët e vdekjes” autori gërsheton teknikën e romanit historik dhe kronikës si gjini letrare, të cilat i mundësuan t’i ofrojë lexuesit një pjesë të tragjedisë njerëzore që përjetuan shqiptarët gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit të shtetit serb në Kosovë.

Romani bazohet në rrëfime krejtësisht të vërteta dhe pasqyron në mënyrë të shkëlqyer një sintezë të praktikave që përdorte regjimi i Sllobodan Millosheviqit edhe ndaj kundërshtarëve politikë serbë.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” vendosi të botojë këtë roman më 15 janar 2021, në ditën për të cilën Kuvendi i Kosovës ka vendosur të jetë dita e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Në veçanti falënderojmë mbështetësit e këtij projekti, falë ndihmave financiare të të cilëve romani u botua në gjuhën shqipe dhe është përkthyer në gjuhën angleze.
Siç jemi zotuar, botimi i romanit me lidhje të veçantë dhe me dedikim ka filluar t’u dërgohet mbështetësve të projektit tonë dhe shpresojmë që, përkundër vështirësive të shkaktuara në shërbimet postare nga masat kundër pandemisë, libri t’u shkojë përpara datës 15 janar, kur libri shpërndahet nëpër librari.

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, njëherësh publicisti Bardhyl Mahmuti ka reaguar serish ndaj raportit të senatorit zviceran Dick Marty për të ashtuquajturin trafikim organesh dhe shtëpinë e verdhë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se raporti i Dick Marty është përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe se janë dashur vite që kjo çështje të ndriçohet tërësisht.

“Më 24 tetor të vitit 2018, gjatë përurimit të librit të tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, në televizionin serb “TV HAPPY”, ish- ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfen për mënyrën si iu dhanë Dick Martyt “provat e përgatitura nga institucionet e Serbisë për trafikimin e organeve dhe për shtëpinë e verdhë”. Ikja nga ballafaqimi nuk është karakteristikë e atyre personaliteteve që pretendojnë se janë burra të fjalës dhe që shesin moral. Sa më përket mua e lë të hapur mundësinë e ballafaqimit me cilindo qoftë që ka shpifur rreth luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Madje nëse do të ndihej më i sigurt, Dick Marty mund të vijë në debat së bashku me ish- ambasadorin e Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiqin dhe pjesëtarë të Shërbimit Sekret të Serbisë të cilët redaktuan raportin për gjoja “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve në Kosovë””, ka shkruar Bardhyl Mahmuti.

Nga Bardhyl Mahmuti-Është bërë praktikë e patjetërsueshme në Serbi që çdoherë kur dështojnë përpjekjet serbe për ta ndarë Kosovën, Aleksandar Vuçiqi del me deklaratë se “Serbia është gjithmonë e gatshme të negociojë për zgjidhje të ndryshme kompromisi me Kosovën, por duhet të jetë një kompromis – pa ultimatum”! Të strukur nën strategjinë e mohimit të gjenocidit dhe shmangien e përgjegjësive konkrete në krimin e gjenocidit, ish-ministri i propagandës serbe në kohën e kryerjes së gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq-Goebbelsi i Ballkanit, harron se:

– Nuk ka kompromis më të madh politik sesa hapja e negociatave për integrim në Bashkimin Europian të një shteti që ka qenë i përfshirë në gjenocidet kundër popullit kroat dhe atij boshnjak dhe që ka kryer drejtpërdrejt gjenocid kundër popullit shqiptar në Kosovë;

– Nuk ka kompromis më të madh politik sesa hapja e negociatave në kohën kur Serbia udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi dhe pinjollët tjerë të Sllobodan Millosheviqit që ishin të përfshirë në krimin e gjenocidit në Kosovë;

– Nuk ka kompromis më të madh politik sesa vazhdimi i bisedimeve për integrim e Serbisë në vlerat euroatlantike, ndërkohë që ky shtet vazhdon të fshehë në territorin e vet varrezat masive me civilë shqiptarë;

Për të drejtën ndërkombëtare gjenocidi i kryer ndaj shqiptarëve nuk mund të ketë trajtim tjetër në krahasim me gjenocidet që janë kryer në të kaluarën. Prandaj, pa bashkëpunimin e plotë të Serbisë për ndriçimin e fatit të 1600 civilëve shqiptarë dhe nxjerrjes përpara përgjegjësisë të atyre që janë përgjegjës për vrasjen e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe mijëra civilëve të tjerë të moshave të ndryshme si dhe zbatimin e dhunës seksuale ndaj mbi 20 000 grave shqiptare, BE-ja dhe SHBA-t duhet të ndërpresin të gjitha bisedimet që i hapin rrugën Serbisë për t’u integruar në institucionet e euroatlantike.

Përpara se të emërohej ambasadori Richard Grenell si i dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, qëndrimi amerikan ka qenë i qartë: Kosova duhet të heqë taksën doganore për mallrat serbe, ndërsa Serbia të ndal fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Në fillim të misionit të tij, këtë qëndrim e pati edhe ambasadori Grenell. Mirëpo, që nga vizita e tij në Beograd dhe sidomos që nga takimi i tij me kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq, qëndrimi i të dërguarit të SHBA-ve për dialogun në fjalë ka ndryshuar. 

Serbia jo vetëm që nuk e ka ndalur fushatën agresive kundër Kosovës, por, përkundrazi, e ka ngritur intensitetin e sulmeve, ndërkaq ambasadori Richard Grenell heshtë!

Në raport me Kosovën, Serbia jo vetëm që nuk zbaton parimet e CEFTA-s për marrëdhëniet tregtare, por u nxjerr njëmijë e njëqind pengesa tregtarëve shqiptarë, ndërkaq ambasadori Richard Grenell heshtë!

Jo vetëm që nuk e ka thënë asnjë fjalë lidhur me agresivitetin e Serbisë, por në të gjitha rastet që i është dhënë mundësia, ai nuk e ka fshehur miqësinë e vet për kryeministren serbe dhe eka thënë haptas se “Ana Bërnabiq është shoqja e tij e mrekullueshme”!

Deklaratat e kësaj natyre bien ndesh me parimin e paanshmërisë në ndërmjetësim të bisedimeve të dy palëve, sidomos në rastin konkret ku palët i ndanë hendeku i gjenocidit që shteti serb kreu kundër shqiptarëve në Kosovë!

Nga ana tjetër, për çdo deklaratë të dikujt në Kosovë, e që nuk i shkon përshtati Serbisë, reagimi i ambasadori Grenell është i menjëhershëm. Madje ai ka reaguar edhe kundër ofendimeve që i kanë bërë në rrjetet sociale për orientimin homoseksual të tij dhe në intervistën ekskluzive me gazetarin Berat Buzhala për emisionin “Pressing” të T7 deklaroi se është krenar që është homoseksual dhe kërkoi të dënohet homofobia.

Orientimet homoseksuale të Richard Grenellit dhe Ana Bërnabiqit janë e drejtë e tyre e pakontestueshme, të cilën duhet ta respektojnë të gjithë. Edhe miqësia e tyre është e drejtë që u përket ekskluzivisht atyre dyve. Mirëpo, orientimet dhe preferencat seksuale nuk kanë çka futen në këtë mes të dialogut politik! Prandaj, orientimet seksual të Richard Grenellit apo të kujtdo qofshin tjetër, janë çështje që i përkasin ekskluzivisht sferës private dhe intime të çdo personi dhe nuk duhet të përcaktojnë orientimet politike dhe strategjike të një shteti.

Nga Bardhyl Mahmuti-Deklaratat skandaloze antishqiptare që në vazhdimësi ka bërë Shkëlzen Gashi, morën përmasa më të mëdha për shkak të funksionit të tij si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurtit.

Shumica e njerëzve që kanë reaguar, kanë shprehur revoltën kundër deklaratave të tilla dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre bënë apele publike për shkarkimin nga ky funksion.
Ajo që më shtyri të reagoj ka të bëjë me pasojat e një deklarate të tillë.

Një numër gazetash serbe e shfrytëzuan rastin për të përgjithësuar qëndrimet e Shkëlzen Gashit si të ishin qëndrime të gjithë shqiptarëve! Sa për ilustrim po sjell foto nga kryeartikulli i gazetës serbe “Kurir” i titulluar SHQIPTARËT I PRANUAN KRIMET E UÇK-së! Këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi: Dik Marti ka drejtë, kemi 1000 CIVILË SERBË TË VRARË!”

Në “Librin e Bardhë” të Shërbimit Sekret Serb, të botuar dhe të shpërndarë në mars të vitit 2000, domethënë 9 muaj pas përfundimit të luftës kur ende në pushtet ishte Sllobodan Millosheviqi, u publikuan listat e civilëve të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur që i atribuoheshin UÇK-së. Në këtë botim zyrtar të shtetit serb, që përfshin periudhën nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999, pra deri në datën që për Serbinë konsiderohet përfundimi i luftës, numri zyrtar i serbëve dhe malazezëve që pretendohej se UÇK-ja kishte vrarë është 75, ndërkaq fiks 100 persona të tjerë të këtyre përkatësive etnike ishte rrëmbyer apo zhdukur nga UÇK-ja.

Që të duket sa më tragjik “veprimi i terroristëve shqiptarë”, në listën e personave të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur përmenden njerëz të moshave të shtyra, të cilët nuk kanë qenë në gjendje të mbrohen. Në këtë listë përmendet Miroslav Shmigiq, 80 vjeç, Sultana Shmigiq, 76 vjeç, Aleksandar Shmigiq, 75 vjeç, Jovan Vasiq 74 vjeçar, Vitko Kostiq, 70 vjeç, Stajko Andjelkoviq, 69 vjeç, Darinka Vujoshevi, 69 vjeç, Dragoljub Voshtiq, 69 vjeçar, Zhivorad Krstiq, 68 vjeç, Radomir Voshtiq, 67 vjeç e kështu me radhë.
Vlen të theksohet se që nga data 1 janar 1998 e deri më 10 qershor 1999, në Librin Amëz të të vdekurve në komunën e Deçanit, të Pejës, të Rahovecit, të Skenderajt dhe të Drenasit, pra në komunat ku intensiteti i luftës ishte më i madh, asnjë serb nuk ishte regjistruar si i vdekur nga vdekje natyrore!

Imagjinoni për një çast në çfarë situate jemi! Pushteti që zbatoi gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë e akuzonte UÇK-në për vrasjen, rrëmbimin dhe zhdukjen e 175 civilëve serbë dhe malazezë, ndërkaq, 20 vjet më vonë, Shkëlzen Gashi e rriti numrin e tyre në 1000!!! Për këtë arsye mediat serbe i dhanë publicitet aq të madh!

Pohimet e tilla nuk përfaqësojnë shqiptarët, por dalje në sipërfaqe në kontekst të ri historik të logjikës që ka mbjellë Serbia në Kosovë!

Këtu nuk kemi të bëjmë me të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin! Këtu kemi të bëjmë me shpifje skandaloze me qëllim të njollosjes së UÇK-së. I takon prokurorisë që të shqyrtojë mundësinë për të bërë padi për shpifje, në të kundërtën këtë gjë duhet ta bëjnë shoqatat e dala nga lufta!