Deputetët britanikë përgatiten të votojnë sot për ta miratuar ose jo marrëveshjen e Theresa Mayt për shkëputjen nga Bashkimi Europian. Vota më domethënëse ndonjëherë pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës, pas përfundimit të një debati gati 5-ditor mbi “Brexit”-in.

May u ka bërë thirrje të gjithë politikanëve ta mbështesin marrëveshjen e saj, në të kundërt rrezikojnë “të zhgënjejnë popullin britanik”. Por, duke qenë se shumë prej deputetëve të saj pritet t’u bashkohen partive opozitare për të votuar kundër marrëveshjes, pritet gjerësisht që ajo të dalë e humbur në këtë votim.

Deputetët do të mund të sugjerojnë edhe amendamentet që mund ta përmirësojnë marrëveshjen, përpara se votimi të nisë rreth orës 19 (20 me tonën).

Kryeministrja iu adresua deputetëve të Parlamentit pasditen e së hënës, në përpjekjen e fundit të saj për të siguruar mbështetje për marrëveshjen, e cila përfshin qoftë akordin e tërheqjes me kushtet e përcaktuara mes Britanisë dhe BE-së, sikurse edhe një deklaratë politike për marrëdhëniet e ardhshme.

Edhe këtë të martë, në mëngjes, May pritet t’iu adresohet anëtarëve të kabinetit të saj, përpara se debati të rifillojë nga mesdita. Por, shumë prej deputetëve konservatorë dhe atyre të Unionistëve Demokratikë mbeten të palëkundur në kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes.

Rreth 100 deputetë konservatorë dhe 10 “DUP”-istë mund t’iu bashkohen laburistëve dhe partive të tjera në opozitë gjatë votimit për ta rrëzuar marrëveshjen.

Marrëveshja, gjithsesi e pësoi një humbje të rëndë natën e së hënës, në Dhomën e Lordëve, ku u mbështet një mocion i laburistëve me 321 vota pro dhe 152 kundër.

Edhe pse kjo votë nuk ka peshë, pasi janë deputetët që do të thonë fjalën e fundit, mocioni që refuzon gjithashtu një skenar shkëputjeje pa marrëveshje shpreh “keqardhjen” se marrëveshja e Mayt do të dëmtonte prosperitetin ekonomik në të ardhmen, sigurinë e brendshme dhe ndikimin global të Britanisë së Madhe.

%d bloggers like this: