Disa militantë të Partisë Demokratike janë përplasur fizikisht me një grup veteranësh dhe pasardhës dëshmorësh të cilët kishin shkuar për të kryer homazhe tek varrezat “Dëshmorët e Kombit”.

Demokratët janë indinjuar kur kanë parë se si veteranët e luftës kanë përkujtuar edhe ish-komandantin e tyre të luftës dhe diktatorin Enver Hoxha. Ndërkohë që ata po largoheshin nga homazhet, janë ndeshur me simpatizantët e PD, mes tyre anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD).

Këta të fundit i kanë shtyrë dhe goditur, duke iu marrë nga duart edhe pankartat e simbolet e tjera komuniste.

Në këtë moment nisën edhe përleshjet fizike mes mbështetësve të PD dhe veteranëve. Bie në sy ish-deputeti demokrat Ndriçim Babasi i cili godet një prej nostalgjikëve të Enverit i cili pas disa sekondash u pa i gjakosur në kokë.

Mësohet se sherri ka ndodhur disa minuta përpara se në varreza të mbërrijë kryedemokrati Lulzim Basha.

Njëri nga personat e përfshirë në incident raportohet të jetë shoqëruar nga forcat e policisë, që kishin për detyrë mbarëvajtjen e ceremonisë përkujtimore.

Shpërndaje në