Kryeministri Edi Rama, bashkë me qeverinë është zhvendosur në qytetin e Lezhës ku do të qëndrojë për dy ditë.

Zhvendosja e qeverisë është një rutinë e vendosur nga Rama, ku çdo muaj bashkë me ministrat shkojnë në një qytet, ku kjo gjë bëhet, sipas kryeministrit, për tu njohur më shumë me problemet e tyre.

Edhe pse Rama u prit me protesta në qytetin e Lezhës, ai doli në një konferencë për shtyp, ku bëri me dije se qeveria, në kuadër të Reformës së Ujit, ka vendosur që matësit për familjet në nevojë të jenë falas.

Po ashtu, Rama foli edhe për investimet e qeverisë që po bëhen në infrastrukturë në zonën e Lezhës.

“Miratuam një vendim për stimulimin e agro-turizmit, do të ketë një plan kombëtar për zhvillimin. Besoj që do të mbështesim ecurinë në këtë drejtim, pasi potencialet këtu janë realisht të mëdha. Subjektet do të pajisjen me një certifikatë të posaçme. Kemi bindjen që këtu potenciali është i madh dhe ka një hapësirë për rritjen e punësimit. Në javët në vijim do të miratojmë edhe programin për agro-turizmin.

Një tjetër vendim është ai i përcaktimit të një liste pas një procesi relativisht të gjatë bashkërendimi me kryebashkiakët të 100 fshatrave ku ne do të stimulojmë zhvillimin e integruar rural për të modelin e ri që më pas do të shtrihet edhe në pjesën tjetër të hapësirës rurale. Fishta është një prej këtyre 100 dallëndysheve të para. Ky model ka të bëjë me infrastrukturën, me ndërhyrjet në dobi të trashëgimisë kulturore.

Do ndërtohet aksi Milot-Balldren dhe Shëngjin-Velipojë, do të ketë edhe një numër projektesh në infrastrukturë, rindërtimi i terminalit të pasagjerëve. Ata që kishin marrë për të bërë këtë rrugë po inpenjohen duke stimuluar protestat. Pavarësisht se kur e kishin në dorë për ta bërë rrugën i bënë atë që nuk duhet.

Nga ana tjetër janë edhe disa projekte ujësjellësish. Duhet ët shkojë deri në fund reforma e ujit, sot ne kemi miratuar edhe një vendim me rëndësi për subvencionimin e kontratave nga shteti dhe vendosjen falas të matësve për familjet në nevojë. Është një masë brenda reformës.”, -tha Rama.

 

Shpërndaje në