Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, ku kërkohen ambiente për zhvillimin e procesit mësimor, pasi një pjesë e studentëve vijojnë ngujimin në ambientet e këtij fakulteti në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre.

Sipas Dekanit, shumica e studentëve që mbajnë të bllokuar Juridikut vijnë nga fakultete të tjera.

“Ne ambientet i kemi të bllokuar jo vetëm me studentë të fakultetit tonë, të cilët në dijeninë time janë të paktë në numër, janë të shumtë ata që nuk janë të fakultetit tonë. Shpresoj nga dita e nesërme të nisë programi mësimor pavarësisht se do të jetë në ambiente të tjera.

Komunikuam me drejtuesit e Universitetit të Tiranës, rektori nuk na është përgjigjur. Unë e marr dhe nuk kam komunikim me të, vetë kam folur me ministrinë e Arsimit po shikojmë mundësinë që të na vihen në diospozicion ambiente të tjera për të zhvilluar programin mësimor”, tha dekani

Një grup studentësh mbajnë të bllokuar ambientet e fakultetit të Juridikut, ndërsa kanë vendosur karrige në derën kryesore të godinës.

Në mëngjes pati edhe një përplasje, pasi një grup tjetër studentësh kërkuan lirimin e ambienteve dhe rinisjen e procesit mësimor.

Shpërndaje në