Politika në vend pritet të përballet për herë të parë me një rast të paprecedentë, atë të djegies së mandateve të deputetëve, propozim i kryedemokratit Basha për grupin e tij parlamentar e aleatët. Por çfarë parashikon Kushtetuta e Republikës dhe a gjen zgjidhje në kodin zgjedhor djegia e mandateve.

Neni 71 i Kushtetutës thotë shprehimisht se, Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.

Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Referuar Kodit Zgjedhor, Kuvendi i Shqipërisë njofton KQZ-në në rastin e dorëzimit të mandatit të deputetit, dhe kjo e fundit nis punën për zëvendësimin e vendit vakant të krijuar në parlament.

Neni 164 i Kodit Zgjedhor sqaron mandati i deputetit ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

“Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës” citohet në nenin 164 të Kodit Zgjedhor.

“Gjithashtu Kodi Zgjedhor parashikon se mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”, thuhet më tej në nenin 164 të Kodit Zgjedhor.

Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 2017 nuk pati koalicione ndërsa aleatët hynë në listat e kandidatëve të partive kryesore në vend.

Shpërndaje në