Fluturimi i avionëve të natës mbi Tiranë lajmëronte nisjen e projektit për bazën ushtarake të aleancës në Kuçovë.

Fluturimet mund të cilësohen në mënyrë simbolike si edhe pikënisja e projektit prej 51 milionë eurosh që aleanca e NATO-s ka parashikuar të zbatojë në bazën ajrore shqiptare, e cila do të kthehet në bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s, gjeneral Tod Wolters, erdhi në Tiranë për të lajmëruar nisjen e punës në këtë bazë: “Kuçova ka disa karakterisitka të veçanta. Është në një vendndodhje të mrekullueshme gjeografike, që të lejon të bësh atë çfarë kemi menduar, përfshi këtu edhe klimën e mirë. Në bazën e Kuçovës do të ulen, do të ngrihen dhe do të stacionohen avionë luftarakë të NATO-s. Nga aty do të kryejmë edhe shërbime të tjera në shërbim të aleancës sonë, që përfshijnë edhe survejimin e hapësirës ajrore, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të rajonit, nëpërmjet aparaturave dhe pajisjeve që do të instalohen atje”.

Ndërsa për ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, baza e NATO-s në Kuçovë do të jetë një siguri më tepër jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin: “Kuçova do të jetë bazë e NATO-s. Ky investim është i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e vendit tonë, por edhe për rajonin. Aleanca Euroatlantike është zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë për Ballkanin”.

Punimet në bazën ajrore të Kuçovës pritet të nisin në fund të këtij viti dhe parashikojnë një kohëzgjatje deri në 5 vjet.

%d bloggers like this: