Migrena vjen si rezultat i ndryshimeve të caktuara fiziologjike brenda trurit, gjë e cila prodhon simptomat dhe dhimbjet karakteristike të saj.

Në përgjithësi ndodh që dhimbjet e kokës të tipit migrenoz të manifestohen me provokime shumë të thjeshta, si për shembull një aromë e caktuar, një ndezje e papritur drite, apo një lëvizje jo e zakonshme e qafës. Ndërkohë që shumë pacientë mund të përjetojnë edhe të përziera, ose të vjella.

Dhimbjet migrenoze të kokës zakonisht përfshijnë njërën anë të kokës, teksa në disa raste mund të shfaqet me dhimbje edhe në të dyja anët e kokës.

Tek një kategori e caktuar pacientësh, sëmundja mund të shoqërohet me simptoma paralajmëruese. Në jo pak raste fillon në mënyrë dramatike, si një goditje e fortë dhe e menjëhershme e kokës.

Janë identifikuar shumë faktorë si shkaktarë të dhimbjeve migrenoze, një pjesë të të cilëve i gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Për të lehtësuar këto dhimbje, pacientëve u rekomandohet një regjim i rregullt ushqimor, e në mënyrë të veçantë i gjumit.

Duhet të shmangni disa ushqime që provokojnë dhimbje koke, si: alkooli, çokollatat, produktet e qumështit, kikirikët. Kujdes duhet treguar edhe me marrjen e sasive të duhura të lëngjeve, pasi dehidrimi renditet ndër shkaqet që favorizon migrenën.

Faktorët që ndikojnë

  1. Fillimisht veçohen luhatjet normale hormonale, të cilat ndodhin me cikle të rregullta menstruale dhe që mund të predispozojnë një grup grash të përjetojnë dhimbje koke të tipit migrenoz.
  2. Po ashtu disa lloje të kontraceptivëve oralë (pilula kontraceptive që merren nga goja) mund të shtojnë riskun për dhimbje migrenoze. Kjo është edhe arsyeja se pse preken shpesh nga këto dhimbje femrat e moshave të reja dhe seksualisht aktive.
  3. Ushqime të veçanta mund të jenë shkaktarë të migrenës, si për shembull lloje të ndryshme verërash të ndryshme, çokollatat, djathëra të ndryshëm, mishra të tymosur, produktet e qumështit, alkooli, orët e tepërta apo të pakta të gjumit, etj.
  4. Edhe ekspozimi ndaj stimujve të fortë, të tillë si: drita të forta verbuese, zëra apo tinguj të lartë, ndryshimet barometrike të presionit atmosferik, janë përshkruar si faktorë shpërthyes të dhimbjeve migrenoze. Por, duhet theksuar gjithashtu se jo çdo individ që vuan nga migrena do të përjetojë një dhimbje migrenoze të radhës kur ekspozohet ndaj faktorëve të tillë. Identifikimi individual i faktorëve që çojnë nëshpërthimin e dhimbjeve migrenoze për çdo individ mund të jetë mjaft i dobishëm për parandalimin e tyre.
  5. Shkaku specifik se pse shkaktohet migrena nuk dihet por, mendohet se ndodhin ndryshime specifike të substancave kimike (neurotransmetuese) që përcjellin mesazhet në qelizat e trurit. Pikërisht këto ndryshime mund të ndikojnë tek disa njerëz që të përjetojnë dhimbje koke të tipit migrenoz.
%d bloggers like this: