Mimoza Kelmendi-Nuk është as rastësi dhe as fatkeqësi që partitë kryesore në Shqipëri apo Kosovë theksojnë përkatësinë e tyre në demokracinë evropiane me vlerat e përbashkëta themelore, ndërsa ndryshimet dhe polemikën i përcaktojnë me interpretimin e ndryshëm të këtyre vlerave. Këto vlera themelore nuk mund të realizohen asnjëherë plotësisht dhe përfundimisht. Shoqëria pafundësisht e lirë, tejet e drejtë dhe solidare, nuk do të ekzistojë kurrë. Mbi atë çfarë i shërben lirisë, çfarë është e drejtë dhe çfarë nxit solidaritetin, do të polemizohet gjithmonë.

Drejtësia absolute nuk mund të ekzistojë, sepse njerëzit asnjëherë nuk do të jenë të një mendjeje se cila është ajo. Kësaj i shtohet edhe fakti që çfarë dikur konsiderohej si drejtësi, prej një brez më vonë cilësohej padrejtësi. Vlerat themelore u ngjajnë atyre çka Emanuel Kanti i ka quajtur “ide rregullatore”. Ato drejtojnë mendimin dhe veprimin tonë, pa u fiksuar ndonjëherë përfundimisht apo pa realizuar. Por kjo nuk do të thotë se ato janë utopi. Ekzistojnë liria, drejtësia dhe solidariteti, megjithëse asnjëherë në masë të mjaftueshme, asnjëherë të pakontestueshme dhe asnjëherë përgjithmonë. Vlerat themelore nuk përbëjnë në vetvete koncepte, por konceptet mund të orientohen, të frymëzohen dhe të korrigjohen me to. Tri vlerat themelore përshtaten si kritere vlerësimi për çdo koncept politik.

Sot dëgjojmë shpesh, kryesisht nga gra e burra shumë simpatikë, se politika duhet të jetë edhe zbavitëse. Ata, sigurisht, kanë të drejtë. Politika do të ishte e padurueshme nëse nuk do të ekzistonte kënaqësia në diskutim, polemikë, bindje, vendimmarrje, në veprim e dhënie forme e, para së gjithash, në sukses. Megjithatë nuk është e dëmshme nëse herë pas here filozofet gjermanë si Shmidt, Veber, Poper etje, na rikujtojnë se politika nuk është biznes, përkundrazi ose të paktën edhe një çështje jete a vdekjeje. Pikërisht sepse bëhet fjalë se si jetojnë njerëzit dhe se si janë të vendosur të mos jetojnë pasi ndihen “qenësisht të mohuar”, pasi ka gjithmonë palë të interesuara që prodhojnë me cinizëm të tilla ndjenja, politika është një veprimtari e rrezikshme e madje “me kokë në trastë”. Xhohn dhe Robert Kenedi, Aldo Moro, Indira Gandi, Olaf Palme, Anvar Sadat, Jitzhak Rabin dhe shumë të tjerë janë dëshmia më e qartë.

Dy të tretat e revolucionarëve komunistë që themeluan komitetin qendror në kohën e Leninit, nuk mundën t‘u mbijetonin “spastrimeve” të Stalinit. Në parlamentet e Republikës Federale Gjermane u ulën, pas Luftës së Dytë Botërore, jo pak gra e burra që kishin mbijetuar nga kampet e përqendrimit apo burgimet ndëshkimore disavjeçare, ndryshe nga shokët e tyre që nuk mundën të mbijetonin. Për ta politika ishte një angazhim për të cilin ia vlente ta paguaje me jetën.

Që sot gjithçka është ndryshe, për këtë nuk duhet t’i vijë keq askujt. E megjithatë mbetet e vërtetë: kush merret me politikë, pasi mbron një ide apo ideal të caktuar, nuk fillon një karrierë të zakonshme. Kush nuk është në gjendje të durojë armiqësinë, shpifjet cinike, nuk është për politikë. Kush nuk është në gjendje t‘u bëjë ballë disa vjet kërcënimeve me vdekje, nuk duhet të kërkojë poste të rëndësishme. Kush i konsideron të neveritshme dhe të papranueshme metodat e sotme të rafinuara për vrasjen, të paktën politike, të një individi, ai nuk duhet ta vërë veten në shënjestër të tyre. Edhe në politikë ajri bëhet gjithnjë e më i rrallë, sa më lart të ngjitesh. Kush nuk e duron dot këtë, nuk ka pse të ngjitet.
Politika nuk është vetëm “luftë”, por është gjithmonë edhe “luftë”.

Shpërndaje në