Mustafa Bajrami-Ezani dhe Kibla janë dy simbolet më të rëndësishme në jetën e myslimanin. Janë frymëzues indikativë dhe orientues në kohë dhe hapësirë. 

Në rrafshin psikologjik kanë luajtur rol rëndësishëm në mbajtjen tok të shoqërisë myslimane. Nuk ka sekondë e të mos thirret diku në botë ezani, sikur që nuk ka sekondë e të mos jetë dikush i kthyer kah Kibla. Përnjëmend janë të veçantë, sepse janë universalë dhe janë unikë, sepse, përveç tjerash, kanë lidhje edhe me namazin, a namazi është shtylla e fesë islame.

Janë disa momente, disa ngjarje dhe disa fakte që lidhen me disa vende ku mes vete krijohen lidhje të përjetshme. Ezani, Kibla, namazi e të ngjashme janë momentet kyçe që Kudsin e bëjnë shumë të shtrenjtë për myslimanin.

Pra, ezani në rrafshin kohor është fryma e cila shtrihet prej ditëve të para të Islamit e deri më sot, ndërsa në rrafshin hapësinor, prej një skaji të botës në skajin tjetër. Ezani përfshin të gjitha nivelet intelektuale, reflekton në fusha të besimit, nxit veprime të moralshme dhe ndikon në sjelljet tona. Gjithsesi, ezani gjen shtrirje edhe në marrëdhëniet mes njerëzve, mes komuniteteve dhe popujve të ndryshëm. Secili rrafsh nga këto përmban dimensione të shumta, andaj, temë e mirë për ezanin do të ishte ajo që punohet duke i marrë parasysh të gjitha këto dimensione. Por, siç thotë edhe Kur’ani: “Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton)” (el-Bekare, 265), nisma jonë për të trajtuar këtë temë le të konsiderohet një përpjekje modeste jona për të hedhur dritë mbi çështjen e cila, megjithëqë është “pronë” e miliarda myslimanëve, për çudinë e shumëkujt tek ne disa herë është përfolur keqazi nën pretekstin e zhurmës që po i shkaktuaka qytetarit.

Çështja e ezanit është çështje besimi në Një Zot, është thirrje për ta falënderuar Zotin dhe për t’i rënë në sexhde Atij. Kjo çështje ndërthurë relacionet shumëdimensionale të unit mysliman, relacionet shpirtërore, sociale, ekonomike e politike. Me ezanin feja islame shpall vetveten sistem unik, ku, si lëvizje krijuese e përbashkësisë njerëzore do të pranohet gjithandej nëpër botë.

Kur Islami filloi të përhapet, shoqërisë së parë myslimane po i bashkoheshin kultura e civilizime të ndryshme. Njerëz e shoqëri të tëra ndikoheshin shumë nga ezani. Universaliteti i Islamit manifestohej sidomos nëpërmes ezanit. Popujt që hynin nën ombrellën e fesë islame, ndërkaq, vërenin frymën e afërsisë mes vete njashtu siç vërejnë banorët e sipërfaqes së tokës rrotullimin e tyre rreth Diellit. Ezani arriti të bëhet mjet unifikimi. U bë thirrja më e fortë për bashkim, pa marrë përsyshë racën, gjuhën apo ngjyrën e lëkurës së njerëzve.

Në rregull, por çka është ezani?

Ezani është thirrja e cila i lajmëron njerëzit për kohët e namazit. Nuk është kusht i fesë, por është njëri prej riteve më kuptimplota të fesë islame. Edhe pse ka pak fjalë, përfshin themelet e besimit. Fillon me deklarimin e madhështisë së Zotit, thotë se Ai është Një, mohon politeizmin dhe dëshmon se Muhamendi a.s. është i dërguar i Allahut. Ezani proklamon mirëqenien e përgjithshme, na thirr t’i kthehemi vlerave hyjnore, dhe në fund, duke u përqendruar prapë në Njësinë e Zotit, dëshmon se nuk ka Zot tjetër pos Allahut. “Po të dinin njerëzit se çfarë vlere ka ezani dhe rreshti i pare gjatë faljes së namazit me xhemat, ata do të garonin për të”, kishte thënë Muhamedi a.s. Teknikisht, thirrja e ezanit është sunnet-i muekkede në pesë kohët e namazit, për namazet kaza dhe në namazin e xhumasë. Ezani dhe ikameti këndohen në drejtim të kibles. Zyrtarizohet në vitin e parë pas hixheretit të Muhamedit a.s. në Medine.

Tjetër… janë dymbëdhjetë ajete të sures el-Bekare që flasin për Kiblen. Prej ajetit 142 e deri tek 154 Kur’ani vlerëson peshën dhe filozofinë e Kibles. Nëpërmes këtyre ajeteve Kur’ani do të prekë edhe disa tema të tjera që kanë të bëjnë me shoqërinë myslimane, me refleksionet e Kibles së re të tyre si dhe me konsistencën i mësimeve të Islamit karshi imitimeve symbyllazi që i bëjnë njerëzit dhe shoqëritë e ndryshme. Rreshtat në vijim, pra, janë shtjellim i fakteve përse Kur’ani zgjedh një gjuhë kaq specifike teksa flet për Kiblen dhe përse unë e shoh këtë çështje të ndërlidhur ngushtë edhe me Kudsin e jo vetëm me Qaben në Arabi.

Për ezanin thamë se duhet kthyer kah Kibla teksa e lexojmë. Thamë gjithashtu se është fryma e cila në rrafshin kohor shkrihet prej ditëve të para të Islamit, ndërsa në rrafshin hapësinor, prej një skaji në skajin tjetër të botës. Fryma dhe mesazhi i ezanit depërtojnë kudo në botë. Dhe, meqë bota lëvizë në mënyrë harkore, grimcat reflektuese të ezanit shpërndahen gjithandej në ekzistencë. Folur simbolikisht, Kibla e myslimanëve ka domethënien e lëvizjes harkore dhe të orientimit ka një pikë e caktuar. Ka një pikë ku buron frymëzimi për të qenë bashkë dhe për t’u bashkuar barabarsisht edhe me të tjerët.

Për ta kuptuar këtë edhe më mirë, fillimisht duhet të themi se çdo gjë që ekziston në mikrokozmikë dhe makrokozmikë, i nënshtrohet ligjit të lëvizjes, të rrotullimit. Nga lëvizjet qarkore të entitete buron energjia centrifugale dhe centripetale e tyre. Logjikisht dhe nga këndvështrimi matematikor është e vërtetuar se nga lëvizjet rrotulluese krijohet harmonia mes pjesëzave dhe tërësisë së tyre. Siç është e ditur, në natyrë çdo gjë lëvizë, ose në mënyrë harkore ose në ndonjë formë tjetër të lëvizjes. Ama, gjithsesi çdo gjë lëvizë. Është ligj i Zotit ky. Përderisa kozmosi është manifestimi i ligjshmërisë makrokozmike, atomi është manifestimi i ligjshmërisë mikrokozmike. Pjesëzat e atomeve si, neutronet, elektronet dhe të tjerat lëvizin pandërprerë dhe në mënyrë qarkore. Njëjtë sikur ato, në galaktikën e largët gjallëron po e njëjta lëvizje e trupave qiellorë. Ata trupa sillen në hapësira të caktuara dhe rrotullohen përreth ndonjë trupi tjetër qiellorë. Ky ligj i rrotullimit vlen edhe për botën shpirtërore dhe shoqërore. E, meqë “el-Kur’anu kevnun natikun, ve’l kevnu Kur’anun samitun”, Kur’ani është gjuha e natyrës që flet, ndërsa natyra është gjuha e Kur’anit që hesht, atëherë nuk është e çuditshme pse Kur’ani nuk mund të mos e kishte përmendur këtë ligjshmëri të Zotit.

Të gjitha këto i përmenda për të ardhur tek fjala bosht e kësaj teme, tek Kibla e cila përkrah ezanit është hapësira më frymëzuese shpirtërore e Islamit. Është epiqendra rreth së cilës rrotullohen myslimanët dhe së cilës i drejtohen asaj. Myslimanët tek Qabja, që është Kibla e tyre, gjejnë frymëzimin për t’i njohur ligjet e Zotit dhe për t’i vënë në praktikë. Kibla, pra, nuk është Qabja si Qabe, por është hapësira ku është e përqendruar Qabja.

Çka në fakt është Kibla?

Tekstualisht, Kibla është ana e botës kah e cila kthehen myslimanët në namaz. Ajo është simboli i universalitetit të Islamit. Nuk është as Lindje as Perëndim, por është epiqendër. Është pika simbolike dhe faktike rreth së cilës drejtohen dhe rrotullohen myslimanët. Është qendra e cila gjendet në Mekë, është burimi i shpirtit islam dhe frymëzuesja më markante për myslimanët. E rëndësishmja e Kibles qëndron mbi atë se është universale dhe unike, është vendi ku çdo mysliman e ripërtërinë shpirtin e tij individual dhe shoqëror. Individual teksa kthehet kah ajo në namaz, e shoqëror teksa e kryen haxhin. Kjo hapësirë nuk është abstraksion, por është e “prekshme” dhe fle thellë në shpirtin e myslimanit.

Historikisht dihet se myslimanët në fillim kur falnin namazet e tyre ktheheshin kah Kudsi Sherifi. Sipas asaj që mësojmë nga ajetet e Kur’anit, kthimi i tyre kah Kudsi ishte i përkohshëm. E vërteta është se ky ishte një hap strategjik i Muhamedit a.s. në raport me hebrenjtë dhe të krishterët. Nëpërmes këtij veprimi Kur’ani tregon kontinuitetin e Shpalljes. Tregon se Muhamedi a.s. ishte vazhdimi i zinxhirit të profetëve para tij dhe i fundit në historinë e Shpalljes. Ky veprim strategjik i Kur’anit i bënte me dije njerëzit se Muhamedi a.s. ishte i të njëjtës fe që ishte edhe Musai edhe Isai a.s. Kthimi kah Mesxhidul Aksaja në Kuds, Muhamedit a.s. dhe myslimanëve të parë nuk i pengonte fare. Qenësore për ta ishte falja e namazit, vënie e kokës në sexhde për hir të Allahut dhe pika rreth së cilës kishin nevojë myslimanët të tuboheshin. Dhe, kjo është ajo që e bënë të shenjtë dhe të shtrenjtë Kudsin. Kudsi, Kibla e parë e myslimanëve, nuk është diçka politike, nuk mund të shpjegohet vetëm me terme politike e as nuk mund të falet lehtë. Kibla e parë e myslimanëve është pronë shpirtërore përbashkët e myslimanëve. Ajo nuk mund t’i dhurohet askujt e as t’i merret lehtë myslimanëve. Kibla, pra, sikur edhe ezani është pronë e miliardave njerëzve që jetuan dikur e shkruan, e këtyre që jetojnë sot dhe e gjithë të tjerëve që do të vijnë deri në Ditë të Kijametit.

Megjithatë, edhe pse Kudsi e ka këtë peshë për myslimanët, edhe pse ishte drejtimi kah i cili ktheheshin ata në namaz, si qendër inspiruese që ishte dhe si vend i shenjtë që e njihnin myslimanët për të tillë, Kudsi nuk arriti dot të reflektonte energjinë centrifugale dhe centripetale të Islamit. Këtë nder dhe këtë përparësi e pati vetëm Qabja, gjëja më e dashur e profetit dhe nderi e krenaria më e madhe e gjithë myslimanëve.

Pastaj, në kohën kur myslimanët në namazet e tyre ktheheshin kah Kudsi, Kudsi në atë kohë ishte Kibla edhe e të krishterëve dhe hebrenjve. Siç mësojmë nga ajetet 145 dhe 149 të sures el-Bekare, nga frika e mosmarrëveshjeve të mundshme që mund të ndodhnin mes myslimanëve dhe të tjerëve, sepse edhe dukej se një pjesë e të krishterëve dhe hebrenjve do të mbesin në fenë e tyre, Muhamedi a.s. një ditë u kthye me fytyrë kah qielli dhe shpresoi për zgjidhjen e kësaj çështje. Kështu, në muajin Sha’ban të vitit të dytë pas hixhretit zbret ajeti i cili urdhëron myslimanët të kthehen kah Qabja. Tani më definitivisht po përcaktohej drejtimi i Kibles së myslimanëve. “Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë. Pra, kthehu anës së xhamisë së shenjtë dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti. E Allahut nuk mund t’i fshihet ajo që veprojnë ata” (el-Bekare, 144).

Thamë se Kibla është diçka më shumë se vetëm Qabja për myslimanët. Është interesant fakti se kur Kur’ani flet për Kiblen, flet edhe për pozicionin e shoqërisë myslimane që duhet ta kenë. “Ve kedhalike xhe’alnakum ummeten vasaten” ishte përgjigjja ndaj hebrenjve të cilët rrotullimin rreth Qabes e shihnin një formalitet të thatë. Ata nuk e dinin se tubimi rreth një kible për myslimanët kishte rëndësi më të madhe se sa vetëm një kthim teknik kah Qabja. Ata nuk mund ta kuptonin rolin e gjithë kësaj. Të krishterët gjithashtu nuk e kuptonin se kthimi i myslimanëve ka Kibla e re, ishte tolerancë në përmasa të një tërheqje strategjike nga konflikte të mundshme mes tri feve monoteiste. Ky ajet tregon për pozitën e mesme që e mban Islami. Tregon se feja islame ishte lufta e pa kompromis kundër skajshmërive.

Feja islame ishte kompromis në vete mes ekstremeve. Ishte thirrja për zbutjen e teheve të skajshme, jo vetëm politike, por e të gjitha veprimtarive tjera shoqërore. Ç’është e vërteta, Islami u përqendrua në kompromisin mes materies e trupit nga njëra anë dhe shpirtit e frymës nga ana tjetër. Mes dunjasë dhe ahiretit. Mes ndjeshmërisë dhe arsyes, mes vlerave morale-shpirtërore dhe të mirave materiale. Të gjitha këto Islami i shihte si anë të ndryshme të një tërësie të vetme. Njeriu, sipas Islamit është edhe shpirti edhe materia. Ai ka nevojë për të mirat materiale dhe për vlera shpirtërore, sepse, secila nga këto ka domenin e vet dhe funksionet që duhet t’i kryejnë. Shikimi i njëanshëm në njeriun paraqet njëanshmëri të rrezikshme e cila pamundëson të shihet e vërteta si tërësi. Aty ku humbet baraspesha, aty niset rruga pa krye kah katastrofa. E sotshmja është dëshmitare e prishjes së kësaj balance. Dëshmitare e humbjes së pozitës së mesme, aty ku puqet materia me shpirtin.

Pastaj, në ajetin 145 të po kësaj sureje Kur’ani i tërheq vërejtjen Muhamedit a.s. se as hebrenjtë e as të krishterët nuk do ta pranojnë Kiblen e myslimanëve. Ajeti i bën me dije myslimanët se pas do kohe edhe ata do ta kenë Kiblen e tyre. Ajeti lë të nënkuptohet se rrotullimi rreth të mirës, rreth të virtytshmes është gjëja më e rëndësishme. Rrotullimi kah një anë apo një pikë e caktuar gjeografike ka vlerë vetëm për aq sa ajo reflekton të mirën shoqërore. Ky ajet dhe të tjerët si ky lënë të nënkuptojnë sikur Kur’ani po i bënë thirrje të krishterëve dhe hebrenjve duke u thënë: “O ju të krishterë, hebrenjtë dhe o ju myslimanë; silluni kah të doni, por bëni vepra të mira dhe në vepra të mira konkurroni njëri tjetrin (festebeku’l-hajrat). Kjo është qenësorja e të gjitha lëvizjeve, formaliteteve dhe veprimeve tona. Vetëm për aq sa jemi të mirë, për aq sa jemi kontribuues për shoqërinë, për aq kemi kuptuar domethënien e lëvizjes dhe rrotullimit, të cilën e përmend Kur’ani.

Është indikative se këto ajete që flasin për Kiblen, flasin gjithashtu edhe për dëmin që vjen nga pasimi symbyllazi i të tjerëve. Fjala “Leintteba’te ehvaehum”, ishte vërejtje serioze ndaj Muhamedit a.s. dhe gjithë myslimanëve. Kur’ani u thotë se nuk bënë të jenë kopjues e pasues të të tjerëve vetëm pse u bie më lehtë. Duhet të jenë vetëmohues dhe të kenë elan për punë. Kjo vërejtje do të vlente edhe për dijetarët e mëvonshëm myslimanë të cilët mbyllën derën e ixhtihadit dhe filluan pasimin qorrazi të dijetarëve të mëhershëm. Në këtë kohë u përhapën keqinterpretime dhe bidate të ndryshme. Disa nga ata që përtonin të ballafaqoheshin me probleme, duke mos shikuar në nevojat e kohës dhe duke mos i përcjellë dinamikat e saj, u treguan tolerantë edhe aty ku nuk duhej të tregoheshin. Mos të harrojmë, Muhamedi a.s. kishte arsye të tregohej oportunist ndaj devijimeve më shumë se sa dijetarët myslimanë që u treguan të tillë ndaj bidateve. Muhamedi a.s. nuk u tregua luajal ndaj devijimeve dhe të ligave. Ishte këmbëngulës dhe kundërshtar i rreptë ndaj imitimeve. Ai iu rrek problemeve dhe me ngulm punoi t’i zgjidhte ato. Po mos të ishte i tillë Muhamedi a.s, si do të mundte të krijonte një shoqëri të pavarur dhe konsistente në përmasa të një civilizimi? Po ti mbyllte sytë para devijimeve dhe po të heshte para të ligave që vinin nga imitimet symbyllazi, a do të mund të krijonte atë shoqëri kaq të konsoliduar?

Përndryshe, rëndësia e Qabes që është në pozicionin e Kibles, nënkupton rrotullimin e lëvizjes harkore të shoqërisë myslimane, dhe duke u rrotulluar ashtu, shoqëria islame tërheq rreth vetes “grimcat” e saja dhe i mbështetë ato. Edhe pse rrotullimi rreth Qabes në fakt është ritual obligativ, si rrotullim edhe simbolik që është, Qabja i tejkalon përmasat e vetëm një ndërtese. Tekefundit, përveç gurit të zi që ka domethënie historike-fetare, ajo nuk ka ndonjë gjë tjetër të jashtëzakonshme. Si ndërtesë është ndërtesë sikur të gjitha ndërtesat. Ajo që e bënë Qaben të jashtëzakonshme, është pikërisht fryma dhe shpirti që reflekton ajo. Nisur nga këtu dhe duke përfunduar temën, duhet të shtoj edhe atë se njeriu sot është në kërkim të një “kible” të përbashkët rreth së cilës duhej të sillej njerëzimi. Një “Kibël” që do ta frymëzonte njeriu modern për t’i shpëtuar tundjes që e ka kapluar. Njeriu sot është i tendosur, i hutuar dhe është duke e luftuar vetveten si asnjëherë më parë. Ai e ka prurë vetveten aty nga ku nuk e ka të lehtë të dalë pa pasoja. Me dorën e vetë e zhvilloi shkencën dhe teknologjinë, dhe me dorën e vet po e vret vetveten. Megjithatë shpresat nuk bënë t’i humbim. Zoti është i Madh. Ai është ndihmëtari më i mirë.

Sot njeri ka nevojë për një “kible” më shumë se kurdoherë më parë.

Shpërndaje në