Bedri Islami-Ndoshta janë ditët më të ethshme të këtij viti: çasti kur do të vendoset nëse hapen apo jo negociatat me BE është fare i afërt dhe në këtë vlim të politikës asgjë më nuk është e papritur.

Ka disa javë që opozita luan në dy krahët, për fat të keq luan fort e keq; në një pjesë të fjalorit të saj, shumë të pakët dhe kalimthi, ajo është shprehur se i mbështet aspiratat e Shqipërisë për të qenë pjesë e procesit të gjatë në BE, në pjesën më të fortë të saj, mjerisht, ka bërë e po bën gjithçka, deri në mohimin e vetvetes për të prishur gjithçka që mund të prishet dhe një gëzim ogurzi, deri në gjëmë, e ka përfshirë sa herë që dëgjon se në një vend apo në një tjetër janë shfaqur dyshime apo ka ende ngurrim, qoftë ky edhe i arsyeshëm.

Është e çuditshme se si mund të ndodhë kjo me një forcë politike, e cila, megjithëse vetë nuk e besonte dhe nuk e dëshironte, shpalli aspiratën për të bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Në lëvizje kundër devizës së tyre janë vënë të gjithë, që nga plaku Berisha dhe deri tek njomzakët që aspirojnë të jenë rishtas deputetë. Një ethe deri në kllapi i ka përfshirë gjithnjë e më shumë dhe, si duke dhënë një kumt të mirë, çirren se nuk do të hapen negociatat, se burimet e tyre të brendshme e kanë dhënë këtë si një gjë të sigurtë; kanë vënë në lëvizje figura politike, qoftë edhe të dorës së tretë, për të thënë mesazhin e tyre, si një Krishbaum; kanë thirrur në ndihmë harresa të së djeshmes, por gjithnjë ujkërojnë, si Doris Pack dhe, kur nuk i del e gjithë kjo, atëherë bëhen vetë tellallë të një kumti që e duan me gjithë shpirt, ndërkohë që askush tjetër nuk e do veç tyre.

Në këtë gëzim të lig kam pritur gjithnjë me besim se, duke qenë disi më të arsimuar, figurat politike të LSI-së, do të jenë diçka më të moderuar, në mos tjetër do të zgjedhin heshtjen, mirëpo dëshira për pushtetin e humbur i ka bërë të jenë në një linjë që është larg asaj që kanë predikuar. Nëse ata vetë kanë vendosur që kalit të tyre të betejës t’i prijë një “ figurë” si Vasili, ëndërrimtari për shef qeverie, kjo është punë e tyre, por, të paktën, të gjejnë kohën për t’i thënë se, përmes shfaqjeve të tij, po heq perden e një force politike që ka në emërtimin e saj Integrimin.

Në 5 vitet e fundit PD është drejtuar në paraskenë nga Basha dhe në passkenë nga Berisha. Një përputhje e çuditshme për nga karakteri, lloji dhe shfaqja e tyre politike. Njëri, i vjetri, i rrahur me djallëzinë, tjetri, me të pështirën. I pari, edhe në mes të ditës, nuk e ka për gjë, në fakt nuk e ka pasur kurrë, të thërrasë përmbysjen si mjet drejt pushtetit dhe e ka provuar disa herë; tjetri, i riu, njeriu që të gënjen edhe për orën, e ka lidhur politikën me financën e xhepit të tij, të gruas, kunatit dhe tani ka dalë në skenë edhe kunata me të vëllanë.

Nëse i pari, për pesë vite kishte vetëm një kauzë të tijën: thirrjen për përmbysjen e qeverisë së tashme, edhe përmes dhunës, çka e ka e ripërsërit në çdo mundësi që i shfaqet; i dyti, mund të thyhet lehtësisht nëse ia vlerësojnë fort pallatin e vjehrrit, të ndërtuar me leje abuzive, nëse i japin ndonjë dikaster burimdhënës apo i delegojnë një licencë për shkollë private të nivelit të lartë.

Në 5 vite, as njëri e as tjetri dhe as të dy bashkë, për fat të keq edhe të qeverisjes, nuk kanë ngritur asnjë kauzë legjitime, nuk kanë hedhur në tregun e politikës asnjë mendim të saktë dhe nuk kanë pasur një vijë të tyre të qëndrueshme. Kaosi dhe shfaqja e Mul Nokës ai figurë përdalluese kanë qenë tiparet e një lëvizjeje politike pa bosht, pa ide dhe pa mesazh.

Më shumë se e gjithë opozita në 5 vite ka bërë në pak muaj Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili vazhdon të jetë institucioni me shkallën më të lartë të besimit në Shqipëri dhe që, ndryshe nga sa ka ndodhur kur kryetarët e mëhershëm janë bërë gati të largohen, dhe kanë bërë kompromise me qeverinë, tani e gjitha vazhdon si në një ditë të parë. Opozita, as këtë resort të shkëlqyer të dhënash nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë, të paktën për të qenë mbështetëse e një strukture që ka ndërtuar tani një fizionomi të qartë, pavarësisht se drejtohet nga një ish-deputet dhe ish-ministër i saj.

Të gjitha fillesat e lëvizjes politike të PD-së, në pesëvjeçarin e Bashës kanë përfunduar në një flluskë të çuditshme, edhe kur ata kanë zgjatur dhe është dukur se mund të sjellin diçka ndryshe.

“Gjetja” më e madhe e Bashës ishte Çadra. Ndoshta shumë njerëzve u kujtohet edhe sot. Në një mbrëmje hyra në atë çadër. Po shikoja me vemendje se çfarë bëhet dhe se cili motiv i ka mbledhur ata njerëz në atë gjysëm shesh, ku njerëzit ishin më të pakët se karriket e stolat dhe ku era e qofteve halimjane ishte dominuese.

Kam menduar shpesh, e besoj se jo pa të drejtë, se kjo ka qenë edhe fizionomia politike e Bashës e, përmes tij, edhe e kësaj PD-je që krijoi. Zhurmë pa ide, ashtu si çadra pa njerëz.  Njeriu i fillesave, pasi kaloi përmes pistoletës së Strazimirit, një çoroditje politike e shkallës së lartë, aq më tepër në sheshin e lojërave për fëmijë; pasi hyri në rrumpallën e Pazarit të Ri, defiçitoi në zgjedhjet e shkuara politike; krijoi skenarin budalla të mbajtjes në funksion të një figure, të cilën, si mos më keq, e penalizoi Departamenti i Shtetit dhe që ishte kthyer në aga; pasi krijoi modelin e deputetit sipas Mulit dhe tani shejtan budallait të çunit të atij tjetrit; ngriti një ngrehinë marroqe, babale 1 dhe po përgatit të tjera Babale. Ndoshta dikush një ditë do të përgjigjet për këtë, qoftë edhe deputet.

Edhe pula qorre e gjen një kokërr, thotë një fjalë e hershme. Pulat qorre të shqupasve ende nuk e kanë gjetur dhe, duke mos pasur as mendësi se si ndërtohet një shkallinë politike tani i janë sulur teatrit, duke menduar se, duke qenë pjesë e atjeshme, ndoshta bëhen edhe tani më të kulturuar.

Përse ndodh e gjithë kjo? Përse PD i është kundërvënë kaq verbërisht mos hapjes së negociatave dhe cilat shkaqe e shtyjnë atë drejt një versioni dërmues, pas së cilës ata po kapen si drejt një fitoreje? Vërtet është kaq e furishme urrejtja e tyre ndaj shefit të qeverisë, Edi Rama dhe ndaj të majtës në pushtet? Janë vërtetë të djathtë ata dhe po synojnë që vlerat e një konservatorizmi europian ta sjellin në këtë vend? Është diçka përtej saj apo mllefi i ka mbërthyer nga që shohin se si pjesë të pushtetit i kanë rrëshqitur thellësisht nga duart?

Kam shumë miq që më thonë se ata, aq dijnë dhe aq bëjnë. Të jetë vetëm kjo? Që Basha nuk di dhe as që lodhet të dijë, këtë e besoj. 5 vite si shef i opozitës kanë qenë fati më i madh i Edi Ramës dhe fati i keq i këtij vendit. Por rreth tij dhe rreth forcës së tij politike ka mjaft këshilltarë, edhe nga ata që paguhen si lobistë, të cilët e kanë sjellë dikur në pushtet dhe e kanë mbajtur aty edhe kur është dashur të dalë jashtë ligjit, si në vitin 1997.

Problemi është se cilët këshilltarë bëjnë ligjin sot në PD-në e shqupasve, përse ata kanë kaq shumë forcë dhe autoritet në këtë parti dhe cili shkak i bën ata si një atu e padiskutueshme?

Ka shumë kohë që mendjet e urta në këtë vend nuk janë më pjesë e mendimit politik të PD-së. Janë disa analistë, ndonjëri prej tyre shfaqet edhe si intelektuali dhe shkrimtari më i shquar i Shqipërisë, por ata njihen për mllefin e verbërinë politike ndaj shokut të tyre të djeshëm, Ramës, se sa si vizionarë që mund të lënë mënjanë hasmërinë dhe të sjellin mendimin. E çuditshme është, por jo e rastësishme se që në momentin kur ata bëhen pjesë e kupolës së mendimit në PD shfaqen patjetër si nuk kanë qenë më herët, dmth, shfaqen të tensionuar, rrëmihës, çjerrës, sharës dhe mohues. Nuk e di pse ndodh kjo, ndoshta sipas asaj fjalës së urtë se “ sheh rrushi – rrushin e piqet”, por shpesh herë ky është rrush i hidhur.

Nëse, qoftë për një çast, të shkon mendja se truri lëvizës i PD-së janë figura të tilla si Flamur Noka, Salianji, Balliu, Strazimiri, Basha, Alibeaj, me një prapavijë të Berishës së vockël, atëherë ajo kafkë mendimi , ose nuk ka gjë brenda, ose i janë sjellur prapsht.

Por, le të kthehem edhe një herë tek pula qorre që në fund e gjen një kokërr dhe tek këndezët tanë që duan me çdo kusht, me çdo egërsi dhe mllef që vendi i tyre të mos jetë në fillimin e qenies si vend i BE.

Shkaku është gjithnjë në gjenezë dhe, për deri sa gjeneza nuk ndryshon, por trashëgohet, atëherë linja mbetet e njëjtë.

PD, fillimet e saj politike i kishte në zyrat e katit të tretë të Komitetit Qendror dhe hija e tribunarëve të byrosë politike i ndoqi ata deri në skajin tjetër të botës së tyre. Kjo hije, si mendësi dhe si praktikë vazhdon të jetë e njëjtë, e pranishme dhe metodologji pune. Nuk e heq dot as Basha dhe as nuk e largon Berisha. I dyti e solli, i pari e mban.

PD fillimet e saj financiare i kishte tek donacionet serbe, të nisura nga pjesa e lartë e saj dhe me korrierë njerëz të afërt në lidhje familjare me liderët e ardhshëm, që erdhën drejt saj në janarin e vitit 1991 dhe që për to, i ndjeri Hajdari, kur e kërcënuan, tha preras se “unë kam qenë Njëshi dhe Njëshi di shumë gjëra”.

Sot, e gjithë ngrehina e PD-së mban në vete dhe, në enigmën e saj, një lëvizje financiare lobiste nga klane të ndryshme ruse.

E njëjta tabllo: ka ndryshuar vetëm dërguesi; dje ishte nipi, sot është daja i madh!

Është ndër ato rastet e rralla kur një pulë qorre e gjen larg një kokërr të saj.

%d bloggers like this: