Shkruan: Xhelal NEZIRI-Kjo garë e politikës me religjionin për dominim në sferën publike nxit pyetjet për të cilat, së paku deri më tani, nuk ka përgjigje të bazuara në argumente: Nga buron fuqia aq e madhe ndikuese e klerikëve fetarë në bërjen e opinionit publik? Është rezultat i oratorisë së ushtruar gjatë studimeve për teologji? Apo i përdorimit të porosive fetare për qëllime të politikës ditore? Ose i pafuqisë dhe diskreditimit intelektual? Mbase fuqia e tyre buron nga mentaliteti klientelist i votuesit shqiptar?

Vetëm në Kosovë dhe Maqedoni kishim dukurinë që pjesëmarrësit në luftërat e 1999-ës dhe të 2001-shit të transformohen në politikanë. Një fenomen i tillë nuk ishte i pranishëm në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë apo edhe në Serbi. Njerëzit e ushtrive të këtyre vendeve, që morën pjesë në luftërat e përgjakshme ballkanike, vazhduan karrierat e tyre ushtarake e policore. Politikën, ndërkohë, e morën përsipër intelektualë vizionarë e të guximshëm, të cilët ishin deri diku nën ndikimin e po atyre strukturave ushtarake që kishin bërë luftën.

Kjo situatë ka edhe anën tjetër të medaljes – instalimi i njerëzve të luftës si faktorë kryesorë të proceseve të shtetndërtimit, paqes dhe progresit mbase ka qenë i imponuar nga konteksti kohor dhe rrethanat. Në mungesë të guximit intelektual dhe forcës së argumentit, forca e pushkës është sipërfaqësuar si alternativa e vetme e mundshme për vendosjen e një kontrolli gjysmë-institucional mbi territoret e banuara me shqiptarë. Guximi i revolucionarëve për t’i shtyrë proceset përpara ka ngadhënjyer ndaj konformizmit të intelektualëve.

Pa dashur të gjeneralizoj transformimin e ushtarakëve në politikë (pasi ndër ato njerëz ka edhe intelektualë e ekspertë të fushave të ndryshme), atë që dëshiroj ta hap si dilemë është dominimi i sferës publike shqiptare nga disa kategori njerëzish jotipikë për sferat publike të vendeve evropiane.

Nëse në dekadën e parë të shekullit 21 kishim faktorizimin e njerëzve të revolucioneve ushtarake, në dekadën e dytë sfera publike ka tendenca të dominohet nga klerikët fetarë – hoxhallarët. Pushteti klerikal në Europë përfundoi në shekullin XVIII, kur ndikimin mbi opinionin publik e mori mendimtari laik.

Në librin e tij “Intelektuali”, shkrimtari Paul Johnnson këtë periudhë të ngritjes së intelektualit e përshkruan si një mbushje të boshllëkut që kishte lënë religjioni në sferën publike:

“Intelektuali laik mund të ishte deist, skeptik ose ateist, por ishte i gatshëm jo më pak se një peshkop apo kardinal t’i mësonte njeriut se si të sillej. Që në fillim ai e shpalli veten si martir i sakrifikuar për interesat e njerëzimit dhe i veshur me misionin ungjillor për ta përmirësuar njerëzimin nëpërmjet mësimeve të tij. Heroi i tyre ishte Prometeu që vodhi zjarrin qiellor dhe e solli në tokë”.

Johnson sjell në libër intelektualë që me fuqinë e tyre të ndikimit transformuan shoqërinë perëndimore, nga Zhan-Zhak Rusoi, Zhan-Pol Sartri e deri te Karl Marksi e Lev Nikollaeviç Tolstoj.

Ka qenë një kohë kur intelektuali ka kërkuar dhe ka marrë vendin e merituar në hapësirën publike. Një proces që në hapësirën tonë nuk është as në fillimin e tij.

Këtu nuk duhet ngatërruar të drejtën e teologut të merret me politikë me obligimin e hoxhës të jetë apolitik. Pra, një teolog mund të merret me politikë përderisa nuk ushtron funksionin e klerikut fetar.

Nga ana tjetër, kemi edhe dukurinë e politikanit që fut hundët në fe, apo në punët e klerikut. Së këndejmi, punët nuk janë të ndara si në vendet normale ku për “çështjet e tokës” vendos politika, kurse për ato “të qiellit” të vendos religjioni.

Nuk kam parë të ketë ndonjë matje të opinionit publik lidhur me besueshmërinë e institucioneve të caktuara, por jam i sigurt se nëse do të bëhej një anketë e tillë hoxhallarët do të fitonin besimin e pjesës më të madhe të të anketuarve në Maqedoni dhe Kosovë.

Duke i replikuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj lidhur me deklaratat e tij për historinë krishtere të shqiptarëve, hoxha Shefqet Krasniqi tha: “Merru me politikë e jo me punë të fesë, se po e bëna një parti t’i fitoj zgjedhjet.” Kjo deklaratë që u dha në formë paralajmërimi në fakt sinjalizon se janë pikërisht hoxhallarët që gradualisht po e marrin dominimin e sferës publike.

Nëse në vendet tjera para zgjedhjeve janë universitet apo mediet si cak i partive garuese, në Maqedoni fokusi i politikës kthehet kah Bashkësia Fetare Islame dhe imamët e saj. Qëllimi është të ndikohet tërthorazi te xhemati i tyre me qëllim të shënimit të një rezultati më të mirë zgjedhor. Së këndejmi, religjioni në zgjedhjet e fundit ishte i pranishëm më shumë se kurdo herë më parë në diskursin publik, duke bërë që feja të përdoret edhe më drejtpërdrejtë si instrument për përfitime politike.

Kjo garë e politikës me religjionin për dominim në sferën publike nxit pyetjet për të cilat, së paku deri më tani, nuk ka përgjigje të bazuara në argumente: Nga buron fuqia aq e madhe ndikuese e klerikëve fetarë në bërjen e opinionit publik?

Përgjigjja e këtyre pyetjeve përfshinë të gjithë elementet nga pak. Intelektuali shqiptar ka kohë që ka humbur ndikimin. Goditjen e parë e mori nga njerëzit e revolucioneve ushtarake dhe politika, kurse tani e pësojnë dobësimin e radhës nga njerëzit e fesë.

Por, mendoj se klientelizmi i votuesit shqiptar është një faktor kyç, i cili tregon për logjikën se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që votojnë atë kandidat nga i cili mund të kenë një përfitim konkret personal. Sipas kësaj, votuesi nuk mund të ketë një benefit individual nga një intelektual, profesor universitar apo ekspert i cili flet për vlera dhe interes të përgjithshëm. /KDPolitik.com/

Shpërndaje në