RTV Zëri · Kryefaqja

Thaçi: Në Kosovë nuk do të lejohet ”Republika Serbe”

2013-03-23 · Arkivi historik RTVZIK

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit tha se Kosova, shtet i pavarur dhe sovran është realitet, faktor paqeje dhe stabiliteti. Ai deklaroi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se nuk do të lejohet ‘Republika serbe’ në Kosovë.

(I plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi në raportin e tij para Këshillit të Sigurimit, ka thënë se Plani i Ahtisaarit i ofron të gjitha të drejtat serbëve të Kosovës.

Kryeministri ka thënë se Beogradi ka propozuar autonomi për serbët e Kosovës, por kjo gjë është në dëm te të gjithëve.

“Kjo gjë do të krijonte një Republika Srpska në Kosovë e cila do të shkatërronte tërë të arriturat dhe do të nxiste konflikt. Kjo është një tendencë që nxit përçarje etnike dhe nuk do të tolerojmë një gjë të këtillë”.

Sipas tij marrëveshjet për vulat doganore, pastaj ato për kadastrën dhe ajo për njohjen e diplomave janë hapa që Serbia po e pranon legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës.

Megjithatë, Serbia sipas Thaçit është duke e penguar Kosovën në disa pika, sidomos ato ndërkombëtare. Ai ka përmendur rastin kur strukturave paralele në Veri, personave të zhdukur, çështjen e energjisë dhe telekomunikacionit, dhe vonesën e zbatimit të marrëveshjeve nga ana serbe.

“Me të drejtë presim që Serbia të bëj këtë gjë dhe të tregoj vullnet për marrëveshjet e saj që janë arritur dhe të shkatërroi strukturat e saj në Veri të Kosovës”, tha Thaçi.

Sipas tij, situata në veri krijon paqëndrueshmëri dhe kërcënim serioz për situatën e sigurisë në rajon.

“Barrikadimet e orkestruara nuk janë vetëm pengesa fizike, por ato dërgojnë mesazhe për ndarje mbi baza etnike”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe agjendën evropiane të Kosovës që sipas kryeministrit është prioritet i qeverisë. “Agjenda Europiane është agjendë jo vetëm integruese por edhe reformuese”.

Ai ka thënë se është nder që përfaqëson një shoqëri e cila përkrah 100 për qind anëtarësimin e Kosovës në struktura euro-atlantike.

Në fund kryeministri ka përmendur rezolutën e Parlamentit Europian, përderisa ka thënë se ai nuk dëshiron që në Ballkan të nxisë konflikte të reja.

“Kosova është në proces të integrimit në Bashkimin Europian. Kosova ka ndërtuar një shtet demokratik. Në të ardhmen e afërt ne presim që KS ta bëj Kosovën anëtare të Kombeve të Bashkuara si një shtet të barabartë më të tjerët”, tha ai.

Daçiq: Nuk i nënshtrohemi dialogut

Daçiq ka thënë se qeveria e Serbisë brengoset për procesin e privatizimit duke thënë su ai është kundër ligjësh. Ai ka thënë se Trepca është e Republikës së Serbisë dhe ajo ende paguan për të.

Po vazhdon seanca e sotme e Këshillit Sigurimit, e raportimit të rregull për situatën në Kosovë, ku po marrin pjesë, përveç pesëmbëdhjetë vendeve anëtare edhe kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se pasi ka shqyrtuar raportin e fundit të zotit Zarif ka parë që faktet tregojnë se gjendja është jo stabile e brishtë për serbët në Kosovë.

“Serbia është e determinuar për paqe dhe stabilitet në rajon për të hyrë në Bashkimin Evropian. Republika e Serbisë ka politikë të bazuar në kompromis dhe respekton të drejtat e serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë ai duke shtuar se Serbia është përkushtuar që problemet të zgjidhen me dialog.

“Dialogu është mundësia e vetme që sheh Serbia për zgjidhjen e problemeve. Duam që të zbatohen të gjitha marrëveshjet. Në Bruksel kemi biseduar për shumë çështje. Nikoliq është takuar me Jahjagën dhe kjo dëshmon se qëndrimi politik i Serbisë respekton ndryshueshmirën në Kosovës sipas rezolutës 1244”, ka thënë ai duke kërkuar që roli i UNMIK-ut duhet të mbetet i pandryshuar, pa marrë parasysh problemet buxhetore

Edhe në këtë paraqitje të tij ai nuk ka lënë pa akzuar autoritetet e Kosovës, të cilat, sipas tij, nuk ka krijuar ambient të sigurtë për serbët e Kosovës. Ai ka pohuar se ata nuk gëzojnë të drejtat e tyre, as në lëvizje të lirë dhe as përdorim të gjuhës së tyre amtare dhe se po u shkelen të drejtat elementare të njeriut.

“Sot janë bërë nëntë vite nga ngjarjet e marsit kur janë vrarë 19 persona, janë vrarë shumë serbë dhe janë spastruar shumë fshatra dhe janë shkatërruar shumë monumente përfshirë ato nën mbrojtjen e UNESK-s… Askush nuk është dënuar dhe ne duam që krimi të mos mbetet pa u dënuar”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe janarin e këtij viti, kur autoritetet e Kosovës nuk i kanë lejuar presidentit serb Tomisllav Nikoliq që të marr pjesë në liturgjinë e Kërshëndellave në Kosovë.

Daçiq ka thënë se qeveria e Serbisë brengoset për procesin e privatizimit duke thënë su ai është kundër ligjësh.

Ai ka thënë se Trepca është e Republikës së Serbisë dhe ajo ende paguan për të.

Ai ka këruar nga EULEX që të punoj më shumë dhe të mos e vë në pyetje neutralitetin për statusin.

Në pjesë e fundit të fjalimit të tij, Daçiq ka thënë se Republika e Serbisë do të vazhdojë bashkëpunimin e hapur dhe të sinqertë duke pasur qëllimin për paqe, pas shumë viteve të tensioneve në Ballkan. “Duam paqe… Jemi për të vazhduar procesin e pajtimit por për të arritur këtë qëllim duhet gatishmëri e palëve në dialog. por nuk do t’i nënshtrohemi procesit”, ka pohuar ai duke pohuar se Serbia nuk do ta njoh Pavarësinë e Kosovës të cilën e ka quajtur si të vetëshpallur.

Fillon seanca e Këshillit të Sigurimit

Ka filluar seanca e sotme e Këshillit Sigurimit, e raportimit të rregull për situatën në Kosovë, ku po marrin pjesë, përveç pesëmbëdhjetë vendeve anëtare edhe kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic.

Përfaqësuesi i UNMIK-ut, Farid Zarif deklaroi se incidentet në Kosovë po vazhdojnë.

Përfaqësuesi special i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, në raportin e tij ka theksuar shumë sfida me të cilat po përballet Kosova.Ai ka theksuar se në dialogun për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë janë arritur kompromise të ndjeshme dhe se sfidat kryesore janë në terren. Sipas tij, në tejkalimin e këtyre sfidave duhet të punohet bashkërisht nga ndërkombëtarët dhe vendorët.

“Ne dhe partnerët tonë i japim mesazh Prishtinës dhe Beogradit që të inkurajojmë që të jenë më të përgjegjshëm që të mbrojnë popullatën”, ka thënë ai.

Zarif ka përmendur disa incidente, të cilat, sipas tij, e kanë rrezikuar sigurinë në vend. Ai ka përmendur vandalizmin ndaj varrezave duke i konsideruar si veprime të papranueshme por ka falënderuar Policinë e Kosovës për efikasitet.

Në këto momente është duke folur kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

KS diskuton sot për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskuton sot raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Takimi fillimisht ka qenë i paraparë për datën 22 shkurt, por për shkak të vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd, është shtyrë për një muaj.

Në raportin e rregullt tremujor për Kosovën, sekretari Ban ka thënë se janë bërë hapa përpara me shndërrimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd në nivel të lartë politik.

Në takim pritet që të flasin edhe dy kryeministrat, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic.

Para raportimit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon e ka cilësuar dialogun Kosovë – Serbi si proces sfidues por edhe të rëndësishëm politik.

Ban: Dialogu një proces sfidues, por i rëndësishëm politik

Sekretari i Përgjithshëm takon Kryeministrin e Serbisë 22 mars 2013

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon për zhvillimet në Kosovë, ku përfshihet një periudhë regjistruese tre muajshe nga 16 tetori deri më 15 janar. Qysh në fillim të raportit, në frymën e zhvillimeve të kohëve të fundit në rajon, Ban përshëndet dialogun që po zhvillohet midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të cilin e quan ‘një progres i rëndësishëm’.

Seanca e sotme e Këshillit do të fillojë pas orës dhjetë paradite sipas kohës lokale, ndërkaq në të do të marrin pjesë përveç pesëmbëdhjetë vendeve anëtare edhe kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq të cilët mbrëmë kanë ardhur në New York.

Në raport Ban i uron liderët e të dyja palëve të cilët thotë se i kanë hyrë një ‘procesi sfidues, por të rëndësishëm politik, me qëllim të zgjidhjes të çështjeve më të vështira të cilat frenojnë progresin në marrëdhëniet midis tyre.”

Shefi i Kombeve të Bashkuara thekson se ‘megjithëse ekzistojnë shumë çështje ende të pazgjidhura, rivendosja e bisedimeve përbën një ‘sinjal të fuqishëm se të dyja palët angazhohen për një dialog paqësor për tejkalimin e peshës së konfliktit të kaluar’.

Në takimin e sotëm Kosovën e përfaqëson kryeministri Hashim Thaçi i cili pritet të mbajë një fjalë para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Pasdite ndërkaq po në selinë e Kombeve të Bashkuara kryeministri Thaçi do ta takojë Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës botërore, Ban ki Moon.