RTV Zëri · Kryefaqja

Shqiptari Alket Rizai,edhe mëtutje mban pengm6 gardianë grek.

2013-03-17 · Arkivi historik RTVZIK

Ka sosur durimi i autoriteteve në Greqi rreth pengmarrjes së gardianëve në burgun e Malandrinos nga shqiptari Alket Rizai dhe orët e fundit forcat speciale kanë nisur operacionin e ndërhyrjes. Ai mban peng nga mbrëmja e djeshme 6 gardianë, ndërsa një prej pengjeve mësohet se është liruar sot. I dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi dhe i njohur për dy arratisjet e mëparshme spektakolare nga burgu, kërkon një automjet për tu larguar, në të kundërt kërcënon se do hedhë në erë burgun.

Mësohet se janë dëgjuar krisma armësh, ndërsa forcat speciale kanë hedhur gaz lotsjellës, situatë kjo që ka sjellë revolten edhe të rreth 500 të dënuarve që vuajnë dënimin në këtë burg.

Rreth orës 14:00 (ora greke) ka filluar një operacion i forcave speciale brenda burgut të Malandrinos në një prej reparteve të të cilit i burgosuri shqiptar Alket Rizai, mban peng pesë gardianë prej mbrëmjes të së shtunës. Ai ka kërkuar një makinë për tu larguar nga burgu si kusht për lirimin e pengjeve.

Sipas informacioneve që nuk janë të shumta dhe janë ende të paverifikuara zyrtarisht, forcat speciale po përdorin për të dytën herë bomba me gaz lotsjellës, madje janë dëgjuar edhe krisma armësh, ndërsa në burg ku vuajnë dënimin mbi 500 persona dëgjohen britma proteste për hyrjen e forcave policore të armatosura deri në dhëmbë.

Sipas Ministrisë së Rendit, forcat speciale kanë hyrë në mjediset e burgut me qëllim largimin e shtatë gardianëve të tjerë që ndodheshin atje gjatë pengmarrjes së pesë kolegëve të tyre si dhe për të nxjerrë me siguri të plotë të burgosurit nga qelitë dhe për t’i çuar ata drejt mencës.

Gjatë kësaj situate, një prej gardianëve të marrë peng, ka mundur të largohet. Sipas disa burimeve, për arsye të presionit psikologjik që po ushtrohet ndaj Rizait, sipas disa të tjerave, e ka liruar vetë ai.

Pesë gardianë të tjerë vazhdojnë të ngelen ende nën kontrollin e të burgosurit shqiptar. Sipas dëshmive ende të pakonfirmuara, Rizai mban një objekt katror prej të cilit dalin disa kabllo dhe deklaron se është një mekanizëm shpërthyes, ndërsa në dorën tjetër ka një pult komandimi. Bashkëpunëtorët e tij thuhet se kanë një thikë.

Ende ngelet e paqartë nëse Rizai u ka dhënë një afat negociatorëve për të sjellë një makinë me anë të të cilës ai dhe dy bashkëpunëtorët e tij, identiteti i të cilëve nuk është bërë i njohur deri tani, duan të arratisen.

Avokati i tij mbrojtës i ka telefonuar dhe i ka kërkuar t’i japë fund çdo gjëje duke mos kryer gjakderdhje, ndërsa të njëjtën gjë ka bërë edhe e dashura e tij greke Sula, e cila është liruar një muaj më parë.

Përveç forcave speciale, brenda ndërtesës dhe jashtë saj, janë ngritur postëblloqe policore në gjithë zonën e Fokidhës ku ndodhet burgu i Malandrinos pasi janë vënë re dy automjete të dyshimta, sipas mediave greke, që prisnin arratisjen e tij.

Pengmarrja e gjashtë gardianëve të burgut ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës, kur i ndihmuar nga dy të burgosur të tjerë, i dënuari me burgim të përjetshëm, Alket Rizai, ka përfituar nga masat e dobëta të sigurise dhe ka kërkuar pas pengmarrjes një makinë për tu larguar.

Ai shprehet i vendosur për të shkuar deri në fund duke deklaruar se “ose largohem nga burgu, ose më vrasin”.

Alket Rizai ka kryer në të kaluarën dy prej arratisjeve më spektakolare nga burgu i Koridhalosë, që të dyja me helikopter, në 4 qershor të 2006 dhe në 22 shkurt të 2009.

Sipas zyrtarëve të policisë greke, Rizai është një prej keqbërësve më të përfolur shqiptarë me një dosje penale të mbushur me akuza për trafik të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje, vrasje dhe arratisje të bujshme.

Është përpjekja e tretë e tij për tu larguar nga burgjet greke, pasi siç deklaron, nuk është fajtor për asnjë prej akuzave dhe krimeve për të cilat i është dhënë dy herë dënimi me burg të përjetshëm.

Biseda e gazetarit grek me Alket Rizain

Ndërkaq në mediat greke po qarkullon biseda audio e një gazetari me Alekt Rizain dhe me një prej pengjeve.

Në këtë bisedë, Alket Rizai është shumë i tensionuar dhe tregon se është i armatosur me lëndë eksplozive C4 dhe me 22 zare metalike që përdoren për bombat artizanale.

Gazetari: Janë mirë pengjet me shëndet? Po ti?

Alketi: Janë të gjithë mirë. Ja, foli vetë.

Gazetari: Si e ke emrin?

Pengu: Nuk dua të them emrin tani. Nuk është kjo çështja, por çështja është se kërkojnë makinë. Po lutemi kaq orë, të ikin e të na lënë të lirë. Kaq e vështirë është kjo gjë? Kaq e vështirë?

Gazetari: Ke granata me vete Alket?

Alketi: Jo, vetëm gjysmë kilogramë C4 dhe 22 zare metalike (bomba artizanale për shpërthim).