RTV Zëri · Kryefaqja

Humbet djalin, vajzën dhe burrin brenda 24 orësh

2013-03-16 · Arkivi historik RTVZIK

Tre anëtarë të së njëjtës familje ndërruan jetë brenda 24 orëve për arsye natyrore, në një rastësi pothuajse të pamundur për t’u konceptuar. Si transmeton TCH, shtypi britanik raportoi ditën e premte historinë e trishtë të familjes Dennis, ku një grua humbi tre njerëzit e saj të dashur, dy fëmijët dhe bashkëshortin, në të njëjtën ditë.

E bija, një mëngjes të shkurtit u ankua për dhembje, sipas saj shkaktuar nga gurët në veshka. Shërbimet e urgjencës e morën në shtëpi, por sipas dëshmisë së nënës, ajo ishte në humor të mirë dhe bisedoi me mjekët gjatë transportit në spital. Të nesërmen, një telefonatë, në mënyrë të pabesueshme informoi familjen se vajza kishte ndërruar jetë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Burri 79-vjeçar, Carl Dennis, sapo mësoi lajmit për të bijën pësoi një infarkt dhe ndërroi jetë disa minuta më pas.

E dëshpëruar, zonja Christine Dennis i kërkoi një familjari që të lajmëronte të birin, që banonte në një zonë tjetër të qytetit.

Djali i saj, Nigel Dennis nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk e kishte mësuar vdekjen e dyfishtë të babait dhe motrës. Megjithatë, kur familjari hyri në banesën e tij, e gjeti edhe Nigelin të pajetë.

Vdekja e këtij të fundit, po ashtu në rrethana natyrore (vetëvrasja u përjashtua nga agjentët e policisë), nuk u përcaktua saktësisht se nga cila arsye ndodhi.