Koment: Almakos.com
Pa dyshim se zgjedhjet e sivjetme lokale do jenë më paradoksalet që janë mbajtur gjer më tani në Maqedoni. Në mos më shumë, shkaku se përderisa partitë politike paralajmërojnë mitingjet parazgjedhore, nëpërmjet rrjeteve sociale, të rinjtë shkupjan, paralajmërojnë protesta që do i mbajnë këtë të premte.
Në këto zgjedhje pra do kemi të rinj që shkojnë nëpër mitingje ku u duartrokasin e u brohorisin favoritëve të tyre partiak dhe shqiptarë të rrahur që përjetë do i kujtojnë vitet kur ata hanin dajak e politikanët mbanin mitingje parazgjedhore. Kështu që paradoksi do jetë i plotë: shqiptarët me dy parti politike në parlament dhe me një në qeveri, duhet të drejtat e veta t’i mbrojnë nëpërmjet protestave në rrugë!
Pyetja që tani shtrohet është se kush na e ndau rininë në ata që protestojnë dhe ata që shkojnë nëpër mitingjet partiake?! Apo, mos vallë kjo rini paguan shtrenjtë gabimet e prindërve të tyre. Pra mos vallë kjo rini, e rritur gjatë viteve të “demokracisë”, më mirë dhe më shpejt se prindërit e tyre e kuptoi se diçka është vënë mbrapsht. Dhe se së shpejti do duhet ua shtrojë prindërve të vet pyetjen: pse votoni dhe për kënd keni votuar!/Almakos