Kreshnik Spahiu, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, ka deklaruar për Shqip se fenomeni “Grilo” në Itali ka ngjashmëri me fenomenin e pakënaqësisë popullore që gjen pasqyrim te partitë e reja të opozitës.
“Shtetasi Berisha dhe qeveria e tij janë si të mbyturit që duan të tërheqin pas vetes në fund të oqeanit të gjithë kundërshtarët e tyre. Berisha është njohur me sondazhet e fundit, ku shihet qartë se nuk ka asnjë mënyrë për të qëndruar në pushtet dhe për këtë ka filluar të shantazhojë të gjithë aktivistët e Aleancës Kuqezi. Një javë më parë, brenda 24 orësh shtetasi Berisha vuri në lëvizje tre polici dhe prokurori të rretheve të ndryshme për të proceduar personalisht kryetarin e Aleancës Kuqezi. Berisha tashmë është i dënuar nga populli dhe pas tre muajsh e pret penalizimi. Duke mos pasur se çfarë të humbasë, ai është në momentin më të rrezikshëm për shoqërinë. Deri tani rezultojnë mbi 147 aktivistë të AK-së të ndaluar nga policia në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Fundi i Berishës është qelia e burgut, për këtë arsye, largimi i tij do të jetë i bujshëm dhe me ceremoni”, thekson Spahiu.
Për sa iu përket koalicioneve, Spahiu shprehet: “Në kutinë e votimit, qytetarët votojnë për partitë dhe jo për koalicionet. Debati mbi koalicionet është tërësisht jo profesional dhe i stisur. Taktikat elektorale njohin përllogaritje votash mbi koalicione, por populli voton në fletën e votimit vetëm dhe vetëm për partitë. Deklaratat e liderëve politikë në televizione nuk marrin vëmendjen tonë, pasi ne jemi një lëvizje popullore që punojmë me qytetarët në terren. Koalicionet janë tymnaja për të shkëputur vëmendjen e publikut nga problemet njerëzore dhe sociale. Le të themi se brenda 6 muajsh LSI-ja ka deklaruar 6 qëndrime antagoniste koalicionesh me njëra-tjetrën: 1. LSI-ja, koalicion me PD-në. 2. LSI-ja, koalicion me çamët e PDIU-së, 3. LSI-ja, koalicion me grekët e PBDNJ-së, 4. LSI-ja, koalicion me FRD-në e Topit, 5. LSI-ja, koalicion me PS-në. 6. LSI-ja, në zgjedhje vetëm. E pra, shikoni sesa komike është skena politike në Shqipëri dhe sesi media manipulon opinionin publik dhe nuk denoncojnë mashtrimet publike”.
Ai theksoi se synimi i Aleancës Kuqezi është të konvertojë anëtarësimet dhe sondazhet në vota. Ndërsa, përsa i përket fenomenit Grillo ai e identifikon atë dhe me realitetin shqiptar.
“Fenomeni italian buron nga pakënaqësitë e mëdha që kanë qytetarët italianë për shtetin, qeverinë dhe politikën në tërësi. Një mur i madh skepticizmi është ngritur midis popullit dhe politikës italiane. Për Shqipërinë e shqiptarët Italia dhe zhvillimet politike e ekonomike kanë ndikim shumë të madh dhe të pashmangshëm. Edhe në Shqipëri ka një rritje të konsiderueshme të mosbesimit të qytetarëve te politika, ka skepticizëm të shtetasve ndaj shtetit, ka pakënaqësi në rritje kundër lidershipit politik të tranzicionit shqiptar. Aleanca Kuq e Zi është identifikuar plotësisht si lokomotiva e opozitës shqiptare, sepse ka ditur që të mbledhë rreth saj edhe ndjenjat e pakënaqësisë, edhe vizionet e reja dhe të fuqishme të zhvillimit. Në këtë kontekst, AK-ja vijon të mbetet forca e tretë politike në vend, duke lënë pas me shumë diferencë partitë e tjera të vjetra e të reja. Por, ndryshe nga fenomeni italian i Grilos, Aleanca Kuqezi është parti politike me identitet të artikuluar qartë, me profil të njohur dhe të respektuar kombëtarisht e ndërkombëtarisht. Pritshmëria e AK-së, që do të jetë faktori kryesor për garantimin e një mazhorance të cilësuar në Parlament dhe për formatin e ardhshëm të qeverisë, është tërësisht realist dhe i mundshëm. Natyrisht, AK-ja kërkon garantimin e votimit të lirë dhe të ndershëm, për të cilin po punon me disa skenarë dhe ekspertë shqiptarë e të huaj”, deklaron Spahiu