RTV Zëri · Kryefaqja

Shqiptarët as fitojnë, as humbin prej zgjedhjeve të parakohshme

2013-02-26 · Arkivi historik RTVZIK

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nuk do ti sillnin as dobi dhe as humbje shqiptarëve të Maqedonisë, pasi përfundimisht është konstatuar se ata nuk kanë asnjë rol të rëndësishëm në këtë shtet. Gjithçka varet nga partitë maqedonase ndërsa gjendja e shqiptarëve do të mbetet në status kuo.

Analisti Kim Mehmeti thotë se përderisa në Maqedoni nuk definohet demokraci dy etnike situate për shqiptarët nuk do të ndryshojë aspak, pavarësisht se cila parti maqedonase apo shqiptare është në pushtet.

“Partitë maqedonase e kuptuan se qëllim kryesor i partive shqiptare është që të vijnë në Qeveri dhe këtu përfundon i gjithë interesi kombëtar, ndërkombëtarë, internacional i shqiptarëve. Pasi e kuptuan këtë, ato (partitë maqedonase) ofrojnë vetëm benifite për partinë, por jo për popullin. Kështu që partitë maqedonase nuk do të lëshojnë pe, por do të vazhdojnë ta luajnë këtë strategji që do ti sjellë benifite partisë që do të jetë në qeveri, ndërsa për popullin shqiptar nuk do të hetohet ndonjë  ndryshim, derisa këtu rrënjësisht nuk definohet demokracia konsensuale dy nacionale, dy etnike. Përderisa situate është siç është momentalisht sundues- vasal gjithnjë do të jetë kështu”, thotë Mehmeti për “Lajm”.

Sipas tij për shqiptarët më e rëndësishme se zgjedhjet është a kanë zgjidhje?

d.m.th a u ofrohet ndonjë projekt i ri, apo projekt alternativ për në të ardhmen në këtë Maqedoni. “Zgjedhjet e këtilla siç janë që vetëm të përcaktohet një rreth  i njerëzve që nxjerrin përfitime me hyrjen apo daljen nga Qeveria, ato nuk janë kurrfarë zgjedhjeje për shqiptarët e Maqedonisë, ato janë për zgjedhje që do të ofrojnë një zgjidhje. Shqiptarët ende zgjedhin atë  që u ofron partia, sepse këtu kemi demokraci me lista të mbyllura. Për shqiptarët do të jetë njëlloj”, thekson Mehmeti.

Po ashtu, edhe analisti Ismail Sinani është i mendimit se zgjedhjet e parakohshme nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm për shqiptarët, pasi siç thotë ai, situate politike në Maqedoni varet nga vendimet që do të marrin liderët maqedonas.

“Prej disa muajsh shqiptarët janë bërë elementi më i papërfillshëm këtu në Maqedoni, se rrjedhimisht në situatën aktuale në të cilën gjendet Maqedonia askush, (kur them askush mendoj për bllokun politik maqedonas) nuk çan kokën se çfarë  mendojnë shqiptarët. Këtë prej disa muajsh e kanë dëshmuar edhe kryeministri Nikolla Gruevski, edhe lideri i opozitës maqedonase Branko Crvenkovski. Të gjithë ne që i ndjekim zhvillimet këtu në vend e shohim se situate politike në Maqedoni varet  nga vendimet që do ti marrin njëri apo tjetri, apo të dy së bashku. Në këtë frymë konsideroj se zgjedhjet e parakohshme nuk çojnë ndonjë peshë shumë të madhe politike për shqiptarët, sepse nuk pres që të ndryshojë shumë nga ajo që shoh në skenën aktuale politike në Maqedoni ndër shqiptarët”, thotë Sinani për “Lajm”.

Ai thotë se pavarësisht nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare , situata politike do të jetë në status kuo.