RTV Zëri · Kryefaqja

SALAJDIN SALIHU-Të pastër në bërllok, të ndotur në luks

2013-02-26 · Arkivi historik RTVZIK

Avdil Baftjarit asnjëherë nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë emri do t’i përmendej në media, ashtu siç përmenden sa e sa emra të tjerë, për çdo natë e për çdo ditë. Përmenden kur nuk thonë gjë. Përmenden kur bëjnë kinse thonë diçka. Përmenden edhe kur heshtin. 

Kur emri iu përmend në media, ai kishte ikur përgjithmonë nga kjo botë, që ishte treguar e egër kundrejt tij.

I lodhur nga skamja dhe i privuar nga e drejta për të pasur punë dinjitoze, ai e mendonte bukën e përditshme për familjen dhe fëmijët e tij të vegjël. Nuk kishte kohë për të tjera gjëra, sepse ora e tij e maste kohën ndryshe. Mbase besonte se për gjërat që nuk kishte mundësinë të mendonte, do të mendonin fëmijët e tij.

Në një ditë të zakonshme, si gjithë ditët e tjera të tij, të mbështjella me shqetësimin e përhershëm ekzistencial, u nis drejt pikës së grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave për të gjetur shishe plastike e hekurishte, me të cilat siguronte mbijetesën, por e humbi jetën aksidentalisht.

Avdyli kishte kohë që nuk jetonte. Ai mbijetonte. Ashtu sikurse mbijetojnë shumë të ngjashëm si ai, që për të ruajtur pastërtinë shpirtërore, detyrohen të sigurojnë bukën e përditshme duke mbledhur hekurishte nëpër deponi. Ishte viktima e radhës e indiferencës së kësaj shoqërie që shndërrohet në deponi gjigante, ku luksi shkëlqen nëpërmjet punëve të pista.

La jetimë katër fëmijë të vegjël, katër krijesa të njoma, që humbën prindin e dashur, në sytë e trishtuar dhe të përlotur të të cilëve shihet imazhi i vërtetë i kësaj shoqërie; të kësaj shoqërie indiferente, cinike, pa sens solidariteti. Janë sy që të krijojnë trishtim të pafundëm dhe të arratisin gjumin. Sy si pasqyra ujore, ku reflektohen të gjithë spektrat e dhimbjes së krijesës së pafajshme, engjëllore. Sy të privuar prej ëndrrave e dëshirave fëmijërore. Sy që reflektojnë dhembjen dhe dashurinë për prindin e humbur, për prindin fatkeq, që po këta sy, këtë prind, e kanë detyruar të kërkojë një shans mbijetese, aty ku të zë frymën era e rëndë e bërllokut dhe e kalbësisë.

Nëse Abdyl Baftjari nuk është fshirë nga regjistri i të gjallëve, ende mund të jetë votues potencial. Emri i tij mund të keqpërdoret, siç është keqpërdorur jeta e tij. Është keqpërdorur sepse ai, si çdo qenie njerëzore, ka merituar një punë dinjitoze. E ka merituar për hir të atyre syve të pafajshëm, që duhet të shohin një botë më të bukur nga çfarë e kanë parë.

Si shumë të tjerë, kishte mundur të bënte punë të pista në mes të luksit. Por ai deshi të jetonte i ndershëm, prandaj vdiq i pastër mes një deponie mbeturinash.

Ai nuk është rast unikal. Janë me mijëra që kërkojnë punë, por punë nuk ka, sepse dikujt i duhen njerëz që vuajnë nga skamja. I duhen njerëz që kanë nevojë për organizatat humanitare. I duhet të përvuajtur, që kanë nevojë për gjellëtore publike. Të këtillët manipulohen më lehtë. Manipulohen me një premtim. Manipulohen me një thes miell. Manipulohen duke ua falur bukën e përditshme. Manipulohen duke ua premtuar të ardhmen e ndritur.

Kjo është shoqëri të pasurish të paktë e rrjepacakësh të shumtë.

Por edhe në këtë shoqëri ka njerëz që zgjedhin të jetojnë ndershëm dhe të pastër në mes të bërllokut. Të jetojnë me punën dhe mundin e tyre. Dhe jo të jetojnë të ndotur në mes të luksit.

Nuk e kam njohur të ndjerin. Nuk di asgjë për të. Por njerëz sikurse ai i respektoj, përkundër atyre që bëjnë punë të pista në mes të luksit. Për të ushqyer fëmijët do të kërkoja shishe plastike nëpër deponi. Pa kurrfarë turpi.

Fëmijët e të ndjerit, që meritojnë gjithë të mirat në jetë, duhet të mburren me babanë e tyre dhe nuk duhet ta urrejnë dhe ta fajësojnë drejtuesin fatkeq të makinës që shkaktoi akdidentin tragjik. Faji është gjetkë...