ditë pas publikimit të memos se Departamentit Amerikan të Shtetit me kritika të ashpra ndaj liderishpit politik shqiptar lidhur me tonet e nacionalizmit, Kryeministri Sali Berisha, duke folur në një seancë plenare të Kuvendit për 5-vjetorin e pavaresisë së Kosovës, deklaroi se askush nuk mund ta ndalojë të jemi nacionalistë.
Berisha tha se nacionalizmi ynë nuk është luftënxitës e shfarosës, siç është nacionalizmi i fqinjëve tanë dhe se ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnje vendi.
"Nacionalizmi shqiptar është forca udhëheqëse e çdo qytetari të këtij vendi, e çdo politikani të këtij vendi për të realizuar qëllimet më fisnike të kombit tonë, për të realizuar projektin e madh të integrimit europian, për të realizuar bashkimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin, për të realizuar aspiratat e shumë gjeneratave, të cilët sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Ky nacionalizëm nuk ka pretendime territoriale, nuk bazohet në doktrinat shfarosëse siç bazohen nacionalizmat që na rrethojnë, ky nacionalizëm bazohet në vlerat më qytetare", tha Berisha.
Rama: Seanca e Kuvendit, tinzare. PS nuk u ftua
Kryetari i opozitës Edi Rama reagoi disa orë pas zhvillimit të seancë solemne me rastin e Pavarësisë së Kosovës, aktivitet për të cilin Partia Socialiste nuk ishte e pranishme.
Rama bëri me dije se PS nuk u njoftua se do të mbahej një seancë për Kosovën dhe se deklaratat për nacionalizmit të Kryeministrit në Kuvend ishin vetëm për llogari elektorale.
"Maxhoranca përdori pavarësinë e Kosovës për të bërë një seancë tinzare. Kjo qeveri e turpëron të gjithë kombin me veprimet e saj", u shpreh Rama, në një deklaratë për media.
“5 vjetori kërkonte jo një seancë të improvizuar, për Kryeministrin dhe Kryetaren, një seancë jubilare të mirëfilltë me organizim dhe të ftuar special, dhe sigurisht me përgatitjet e duhura. Por kjo nuk ndodhi sepse Kosova, Shqiptaria apo vetë kombi i ndarë në 5 shtete, siç kuturiset ta përshkruaj kryeministri në ikje, për këta që qeverisin sot Shqipërinë, janë vetëm material elektoral”, tha Rama.