RTV Zëri · Kryefaqja

Tomorr Dosti: Kam qenë me Enver Hoxhën, për eshtrat e Çerçiz Topullit në Shkodër

2013-02-09 · Arkivi historik RTVZIK

NGA: FATOS VELIU-Pra e ndërpremë nga numri i kaluar zoti Dosti, pikërisht në momentin kur ju, pra Viktori u lidh me familjen e vëllait tuaj në Nju Jork, ku jetonte Hasan Dosti. Si vijoi kur në telefon doli nusja e vëllait, e cila kishte dëgjuar nga i vjehrri vetëm emrat tuaj të përkëdhelisë?  Ju shpjegova se në atë mesnatë kur ra telefoni në shtëpinë e tim vëllai, me të cilin kishim biseduar vetëm 47 vjet më parë kur ishin larguar në '44-ën, ndodheshin e shoqja e tij dhe im atë tashmë 96-vjeçar, i cili ishte në gjumë. Luani ka qenë me shërbim, kështu që telefonin e mori Rozi. Ora në Amerikë në atë çast ka qenë 03:00 pas mesnate. Rozi fillimisht nuk po kuptonte se me kë po fliste. Kështu, kur ne i thamë se jemi fëmijët e Hasanit, ajo nguroi shumë në fillim, madje tha: - Nuk njohim ne Viktor. Kur Viktori i tha "Jam Tori", pra emrin që përdornim në shtëpi, atëherë Rozi shtangu. - Kush je? - i tha përsëri. - Tori, - i tha ky. Rozi menjëherë tha: - Si ka mundësi?! Viktori i tha: - A mund të lidhemi me babin? Ndërkohë ajo i tha: - Është një lajm kaq i madh, sa kam frikë se Hasani nuk do të durojë dot. Prandaj më lini kohë që ta përgatis, dhe a mund të merrni nesër po në të njëjtin orar? - Po, - i tha Viktori. Koha ishte ankth. Ne kishim vetëm një sadisfaksion që na ngushëlloi dhe na dha kurajë, fakti që ishte akoma gjallë. Atë natë kishim shumë emocione, çfarë do i themi, çfarë do na thotë etj. Por të nesërmen kur folëm, nuk kishim shumë kohë për gjëra të tilla. Emocionet na pushtuan tmerrësisht sa që harruam se çfarë do thoshim. Mjaftoheshim vetëm t'i dëgjonim zërin. Flisnim për të dëgjuar pëshpëritjet engjëllore matanë telefonit. Ai, babai ynë, që e kishim ndarë mendjen se nuk do ta takonim ndonjëherë, madje as t'i dëgjonim emrin, ishte aty në krahun tjetër të receptorit. Ne vetëm e pyetëm si ishte. Ai thoshte: - Si je xhani i babit? Na pyeti për të gjithë me emra. Më pyeti edhe për motrat e tij, dy hallat tona. I thamë se "njëra ka vdekur, kurse tjetra është gjallë në Shkodër". Ky ka qenë moment shumë emocional, pra kur vajtëm në Fier. Folëm të gjithë dhe ai na kujtonte fëmijërinë. Na thoshte: - A e mbani mend këtë apo atë, xhan i babit? Nuk qamë vetëm ne, por edhe ata të postës, të cilët thanë: - Si është e mundur që pas kaq vitesh të mos e harroni njëri-tjetrin dhe të keni po të njëjtën dhembshuri si të kishit jetuar bashkërisht tërë këto dekada? Nuk e imagjinoj dot se si 47 vjet radhazi të pengohet njeriu për të folur me familjen e vet. Edhe sot e kam shumë të vështirë t'i mendoj ato çaste, sepse nuk na foli për asnjërin me emrin e plotë, por të gjithëve me emrat përkëdhelës të fëmijërisë. Zoti Dosti, nga çfarë keni mësuar apo nga sa jeni informuar deri tani, ka pasur Hasan Dosti kontakte në emigrim me Ahmet Zogun? Hasan Dosti është takuar katër herë me Ahmet Zogun. Ata e vlerësonin të dy njëri-tjetrin. Gjëja e parë që ka bërë Ahmet Zogu, ka njohur komitetin "Shqipëria e Lirë" dhe ka pranuar referendumin. Hasani ka qenë kundërshtar i Zogut. Megjithatë duhet bërë dallimi midis kundërshtarit dhe armikut. Kur je kundërshtar është ndryshe, sepse ke mundësi bisede dhe kur bisedon sinqerisht, krijohet një atmosferë mirëkuptimi. Kështu që Hasani nuk e ka konsideruar asnjëherë armik Ahmet Zogun, por e ka konsideruar kundërshtar, sepse në parim ai ka qenë anti-monarkist, ka qenë republikan, pasi s'kishte si të ishte ndryshe një njeri që kishte studiuar në Francë. Prandaj nevojat për vendin tënd të bëjnë të takohesh me kundërshtarin dhe të merresh vesh me të. Hasan Dosti ka qenë gjithashtu mik shumë i afërt edhe me Gaqo Gogin. Nga sa jeni informuar juve, a ka pasur ai probleme me Sigurimin? Pra, më mirë do të shprehesha nëse juve keni dijeni për problemet që ai ka pasur me Sigurimin e Enver Hoxhës në Perëndim, pasi siç na rrëfeu kunata juaj, Rozi, u mësua se atë e kanë kërcënuar deri me jetën e fëmijëve që kishte në Shqipëri, që do të thotë se e kishin kërcënuar me jetën tuaj, nëse nuk do të hiqte dorë nga politika. Keni ndonjë informacion? Ne dimë vetëm këto që ka thënë Rozi, të cilat jua shpjegoi dhe juve, madje me shumë hollësi, por përpara se të na i thoshte Rozi, na i ka thënë vetë vëllai ynë, Luani, pra bashkëshorti i Rozit, i cili erdhi në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit në vitin 1991. Në atë periudhë që Luani erdhi në Shqipëri, ndërkohë që solli edhe mesazhet e babait ku bënte thirrje për vëllazërim, Hasan Dosti ndërroi jetë në Amerikë. Vijuam të flisnim vetëm me telefon me të në atë kohë, por më mbrapa do të ndërronte jetë edhe vetë im vëlla Luani. Atëherë që Luani erdhi në Shqipëri dhe u takuam me të pas 47 vjetësh dhe ndërsa na tregonte për jetën e babait në emigrim, na tregoi edhe për presionet e kërcënimet e hapura që i kishin bërë vazhdimisht për të hequr dorë nga politika, që do të thoshte që të hiqte dorë nga lufta që bënte kundër komunizmit në Shqipëri. Është pikërisht një sqarim i tillë që dha para disa ditësh për publikun vetë e shoqja e Luanit, Rozi Dosti, por do të doja të dija në lidhje me ato që ju ka rrëfyer vetë Luani, nëse ka ndonjë detaj të ri, pra ndonjë konkretizim më shumë në lidhje me presionet dhe kërcënimet, pasi do të ishin me shumë interes jo vetëm për lexuesin, por edhe për të vërtetat historike. Ju ka treguar shembuj? Një rast ishte kur Hasani ka qenë për një vizitë në Romë. Aty e kanë gjurmuar dhe e kanë ndjekur hap pas hapi jo vetëm Sigurimi, që ishte me shërbim jashtë, por edhe njerëz të posaçëm të shkuar nga Tirana. Shkurt dhe prerë, i kanë kërkuar që të tërhiqet menjëherë nga jeta politike, sepse në të kundërt i ishin shprehur se do të kishte pasoja në familje. Çfarë pasojash mund të kishte, ia kishin përcaktuar teksa e kërcënonin? Patjetër që ia thoshin, shumë qartë madje. I thoshin se do t'i zhduknin fëmijët. Ishte me të vërtetë një pikë shumë kyçe ku mund të kapeshin, pasi Hasan Dosti mendoj se nuk e kishte kaq të thjeshtë të merrej me Sigurimin shqiptar, kur kishte shtatë fëmijë që jetonin në vendin e tij, të cilët mund të konsideroheshin pengje në duar të Enver Hoxhës. Gjithsesi nga sa jeni informuar, si u përgjigj ai në rastin e Italisë, kur i thanë se do t'i zhduknin fëmijët? Megjithatë, ai kishte gjetur forcë, guxim dhe vendosmëri të rrinte krenar para tyre, duke u shprehur: - Ju mund t'i vrisni fëmijët e mi, por unë nuk ngelem pa fëmijë, se kam të tjerë. - Çfarë të tjerësh? - i kishin thënë. - Të gjithë fëmijët e shqiptarëve, të cilët janë fëmijët e mi dhe për të cilët do të punoj. Prandaj nuk tërhiqem. Unë kam edhe dy milionë fëmijë në vendin tim, pasi kam të gjithë popullin. Pas asaj vendosmërie të çuditshme dhe kaq kurajoze, dini të kenë vijuar më tej kërcënimet? Prej asaj kohe nuk i kanë bërë më presion, sepse e panë kokëfortësinë e tij. Ka pasur ndonjë rrezikshmëri për atentat? Thonë se në Romë kanë tentuar t'i bëjnë diçka, por unë gjë konkrete nuk di. Atentatin mund t'ia bënin kur të donin, sepse Hasani nuk është ruajtur në Shqipëri dhe jo më atje që as nuk diskutohej se merrej me sigurinë e vetes. A e dini se çfarë mendimi konkret kishte për Enver Hoxhën? Çfarë vlerësimi kishte për të? Çfarë keni mësuar nga biseda që bëtë me vëllain tuaj, Luanin, kur ju vizitoi në vitin 1991? Është e çuditshme se, si Luani vetë kur erdhi nga Amerika në '91-shin që na takoi pas 47 vjet ndarjeje, po ashtu edhe Hasani, nuk i jepnin rëndësi fare personit të Enver Hoxhës. Madje ata e anashkalonin si të thuash, si të mos kishte ekzistuar fare, sepse siç shprehej, nuk ishte puna e Enver Hoxhës, por ishte e të gjithë sistemit komunist. Shqipëria nuk ishte një fenomen i veçuar, por ishte brenda aleancës së Paktit të Varshavës. Shembja do të vinte e përgjithshme. Ai pa që fillimisht u tentua në të gjitha rrugët dhe nuk u arrit asgjë, kështu që ajo situatë nuk varej thjesht te Enver Hoxha dhe për këtë ka qenë i qartë shumë mirë. A e kishte njohur personalisht Hasan Dosti, Enver Hoxhën? Po, e kishte njohur shumë mirë, madje ka edhe fotografi me të. Ju, e keni fotografinë? Po, është e botuar në librin kushtuar Hasan Dostit, i titulluar "Hasan Dosti, një jetë për çështjen shqiptare". Është pikërisht ngjarja e njohur, kur paria gjirokastrite ka shkuar në Shkodër për të tërhequr eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit. Aty ka qenë edhe im atë, Hasani, ku me vete më ka marrë dhe mua. Por Enveri i ka hequr të gjithë nga fotografitë dhe ka vënë vetëm veten e tij. Mund të më shpjegoni atë moment që paskeni qenë në Shkodër për eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit, ku dihet se është propaganduar fuqishëm se ka qenë edhe Enver Hoxha? Ishim delegacioni i Gjirokastrës, që po shkonim për të marrë eshtrat e patriotëve të mëdhenj, sepse babi ishte pjesë e këtij delegacioni. Kishin marrë me vete edhe Enverin, si të ri, dhe u nisëm. Ne fjetëm një natë në Shkodër. Të nesërmen në mëngjes vijuam sërish. Kur mbërritëm afër Fushës së Shtoit, mbetëm në vend, se nuk ecte më makina, kështu që zbritëm. Mua më mori Enveri prej dore dhe ecëm. Aty takojmë një malësor, të veshur me kostumin e tyre kombëtar, dhe Enveri e pyet: - Ku janë vrarë nja dy vetë këtu? - Çfarë thua? - i tha ai, ndërkohë që aty për aty vazhdoi duke i thënë: - Mos janë ata dy toskët që i kishin flokët si gra? - Po, - i thotë Enveri. Ndërkohë, malësori i tha: - Janë vendosur në një gropë. Për këtë arsye filluan gërmimet. Me sa mbaj mend unë po merrnin dhe kocka. Në atë moment mua më morën dhe më çuan në krye. Pasi u mbushën dy arka me dhé, ne ikëm duke marrë rrugën e kthimit. Pas kësaj, pa pritur e pa kujtuar, At Anton Harapi thotë: - Ndalni o burra, nga jeni e nga shkoni. Këta meritojnë ceremoninë, siç e kanë dhe siç u takon patriotëve të mëdhenj. Më pas ikim në Shkodër dhe hipim në ballkon. Aty jam edhe unë, sepse mua babai më merrte prej dore, por nuk ekziston fotografia. Fjalimi duhej të mbahej nga Hasan Dosti, por meqë ishte me grip, nuk e mbajti dhe për këtë arsye e mori Enveri. Po pse e mori Enveri fjalën dhe jo një tjetër, meqenëse Hasani ishte me grip? Enveri e merrte thjesht sepse në atë kohë kishte xhaxhain kryetar bashkie të Gjirokastrës dhe për këtë arsye privilegjohej kollaj. Ky për këtë arsye vajti dhe jo se ishte patriot.

Kush është Hasan Dosti

Hasan Dosti ka lindur më 7 tetor 1895 në fshatin Kardhiq të Gjirokastrës. - U diplomua në Sorbonë të Francës për drejtësi dhe shkenca politike. U bë jurist i njohur. - Në vitet 1932 dënohet me 15 vjet burgim, për pjesëmarrje në një organizatë të fshehtë antizogiste të quajtur "Lëvizja e Vlorës", ku lirohet për falje nga mbreti me dekret të posaçëm. - Emri i Hasan Dostit na shfaqet ndërkohë edhe në vitin 1938 si kryetar i Gjykatës së Diktimit (1938). - Ai është bashkëthemelues i organizatës nacionaliste të "Ballit Kombëtar" dhe një nga drejtuesit kryesorë të saj. - Në vitin 1942 Hasan Dosti emërohet ministër Drejtësie në kabinetin e Mustafa Krujës, por dha dorëheqjen vetëm katër muaj më pas, për shkak se siç bëhet e ditur, ai s'ka qenë dakord me pushkatimet dhe reprezaljet që bënte në popull qeveria ku ai bënte pjesë. - Por ai spikat edhe si organizator i gjykatave shqiptare në Kosovë, ku ka mundur të bënte aplikimin e legjislacionit bashkëkohor. - Ndërkohë emri i tij shfaqet edhe në momentin më kyç të historisë së luftës, ku ka qenë delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, ku ndihmoi në formulimin juridik të neneve të marrëveshjes si edhe në debatin për çështjen e Kosovës. - Në atë takim pluralist të Mukjes, Hasan Dosti u zgjodh kryetar i Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë. Së bashku me Mit'hat Frashërin dhe delegatë të tjerë të Konferencës së Mukjes, ndihmoi në ngjizjen e marrëveshjeve në Shqipërinë e Veriut në frymën e Marrëveshjes së Mukjes. - Më 28 nëntor 1944 u largua nga Shqipëria bashkë me krerët e Ballit Kombëtar dhe jetoi në emigracionin politik, fillimisht në Evropë e mandej në SHBA. - Pas vdekjes së Mit'hat Frashërit më 3 nëntor 1949, Hasan Dosti u zgjodh kryetar i Komitetit "Shqipëria e Lirë", duke u bërë kështu një nga shënjestrat kryesore të sigurimit komunist dhe të agjenturave të vendeve të lindjes, të influencuara nga blloku komunist. - Hsan Dosti Vdiq në migrim, pikërisht në Los Anxhelos, më 29 janar 1991, kur sa kishte mbushur 96 vitet dhe kur në Shqipëri mësoi për përmbysjen e sistemit komunist, ndërkohë që arriti të bënte telefonatën e parë me fëmijët që kishte lënë në vendin e tij kur ishte larguar në '44-ën.

(d.b/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)