RTV Zëri · Kryefaqja

“Plisat” kosovarë kundër Dukës: S’na la të thirrnim Shqipëri Etnike

2013-02-09 · Arkivi historik RTVZIK

Nuk ka paqe midis tifozëve kuqezinj dhe grupimeve të ndryshme të tifozëve të ekipit kombëtar me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Shkaku këtë herë lidhet me qëndrimin që ka mbajtur policia jonë e instruktuar nga FSHF për të larguar flamurin kombëtar që kishin tifozët me vetë në stadiumin e Kurbinit, teksa vetë tifozëve u është bërë presion që të mos lëshojnë thirrje nacionaliste. Krejt të kundërtën bënë tifozët dhe policia maqedonase, ku kërkonin “dhoma gazi për shqiptarët”.

Në fakt tifozët kosovarë (kryesisht), janë të indinjuar jo pse policia ka kërkuar të mos ketë thirrje provokuese, por se nuk u është lejuar mbajtja e flamurit me përmasa të mëdha në stadium. Kështu, tifozët shqiptarë edhe njëherë u zhgënjyen nga Federata Shqiptare e Futbollit (SHF). Kjo pasi shtëpia e futbollit shqiptar kishte kërkuar nga ta që mos të brohorisnin ‘Shqipëri etnike’ gjatë ndeshjes miqësore që u zhvillua të mërkurën mbrëma në Tiranë ndërmjet Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Gjeorgjisë (1:2). Por ky nuk ishte veprimi i vetëm zhgënjyes i FSHF-së për tifozët shqiptarë. Këta të fundit po e akuzojnë shtëpinë e udhëhequr nga Armando Duka se po të mërkurën ka kërkuar nga Policia që nga stadiumi i Laçit – ku u zhvillua ndesha mes Shqipërisë U-21 dhe Maqedonisë U-21 - ta hiqte një flamur të madh kombëtar-shqiptar. Këto veprime të FSHF-së kanë ngjall reagimin e tifozëve.

Të parët që kanë reaguar janë ‘Plisat’ nga Prishtina, të cilët nëpërmjet një shkrimi të publikuar në grupin e tyre në Facebook, e kanë akuzuar direkt kreun e FSHF-së, Armando Duka. “Duka në ndeshjen e Kombëtares kundër Gjeorgjisë tentoi që tifozëve në stadium t’ua ndalojë edhe thirrjet ‘Shqipëri etnike’, gjë që është jashtë logjikës së shëndosh të secilit shqiptar. Po ashtu, në ndeshjen e Kombëtares në Laç kundër Maqedonisë U-21, ai nuk lejoi që në stadium të ketë asnjë flamur kombëtar dhe as parulla për Kombëtaren”, thuhet në reagimin e ‘Plisave’. “Kështu që një njeri që është racist ndaj popullit të tij, kundër flamurit të tij, kundër kombit të tij, ai nuk mund të jetë në udhëheqje të futbollit shqiptar”, theksohet më tej në reagim. “Express” i Kosovës shkon më tej duke shkruar se ka provuar të kontaktojë me FSHF-në rreth kësaj çështje, por kjo ishte e pamundur. Duket qartë se presidenti Duka nuk i ka punët mirë me tifozët, por kjo nuk e ka penguar atë që të jetë koherent në qëndrimin e tij karshi problemeve që shqetësojnë sot për sot Kombëtaren. Në fakt Duka ka insistuar kohët e fundit që elementët kosovarë që luajnë jashtë të ingranohen në ekip, por rasti i Brahimit që la Shqipërinë U-21 tregon qartë se nuk është fajësia e njëanshme, pra vetëm tek FSHF, por edhe tek vetë lojtarët kosovarë që kanë lindur e janë rritur jashtë, që nuk po japin prova se e ndjejnë sa duhet fanellën kuqezi. Adriatik BALLA