Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e konsideroi si një tmerr dhe turp. Avokat Ngjela tha se vendimi errëson të ardhmen dhe se vrasjet në 21 Janar ishin një krim shtetëror.
"Jemi përballë një krimi shtetëror. Dje Gjykata nuk ka vërtetuar pafajësinë e tre të pandehurve ose të katër të pandehurve kriminelë, vrasës, por ka vërtetuar krimin shtetëror në të cilin bën pjesë edhe ajo. Sot dëgjuam që tre gjyqtarët keqbërës, paskan marrë iniciativën që të godasin edhe ambasadorin amerikan.
Gjithë opinioni publik shqiptar është në dijeni të kësaj, politika amerikane është në dijeni të kësaj, politika perëndimore e ka kërkuar vazhdimisht 21 janarin si hetim dhe gjykim të pavarur dhe të drejtë dhe në këto momente kuptojmë që Gjykata na paska dalë shumë më lartë se sa ç’pritej. Tre keqbërës po i mësokan politikës botërore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës se çështje drejtësia! Llogariteni se ku jemi", tha Ngjela.