Nga MASH sqarojnë se ka raste kur punimin e doktoraturës e paraqet edhe profesori, edhe studenti dhe në ato raste i njëjti punim del plagjiat i njëri tjetrit
Softueri i Ministrisë së Arsimit për një vit e gjysmë ka zbuluar se 51 për qind e 290 punime të doktoraturës kanë qenë të mara nga punime të tjera shkencore, ndërsa autorët nuk kanë pas shënuar se çfarë materiali kanë përdorur. Mbi 100 prej autorëve të këtyre punimeve janë shqiptarë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë maqedonas.
Siç njofton e përditshmja “Dnevnik”, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), pritet të ndërmarrë masa për të gjitha doktoraturat e dyshimta, dhe në rast se rezultojnë plagjiatë, atëherë institucionet arsimore që kanë dhënë këto tituj apo komisionet e formuara pranë kësaj ministrie do ti marrin titullin shkencor personit apo shkencëtarit të caktuar.
Nga MASH sqarojnë se ka raste kur punimin e doktoraturës e paraqet edhe profesori, edhe studenti dhe në ato raste i njëjti punim del plagjiat i njëri tjetrit.
Burime të MASH-it bëjnë të ditur se mbi 100 e doktoraturave që kanë rezultuar si plagjiat janë nga studentë shqiptarë, ndërsa pjesa më e madhe janë studentë maqedonas.
Për një vit e gjysmë sistemi ka gjeneruar 3. 033 raporte, ose ka vërtetuar 3.550 dokumente. Aty janë aplikuar 40 libra, 1.034 magjistratura, 54 punime shkencore 245 punime diplome, 1.674 punime seminarike, 225 dokumente të tjera, 188 disertacione doktorature dhe 872 pjesë të pa kategorizuara.
Në vendet e BE vazhdimisht po shpërthejnë skandale lidhur me plagjiaturat e punimeve shkencore.
Ditë më parë u zbulua ministrja e arsimit e Gjermanisë, Anete Shavan, e cila ka rezultuar me punim plagjiaturë të doktoraturës.
Në Maqedoni deri tani nuk ka ndodhur që ndonjë shkencëtari ti merret titulli shkencor. Mirëpo, Ministria e Arsimit dhe Shkencës së shpejti do të nis një fushatë të tillë, duke pasur në qendër të vëmendjes të gjithë titujt shkencor të punonjësve të shkencës nëpër universitete dhe atyre që kanë përfituar titujt shkencor në universitetet shtetërore, private dhe të huaja.