RTV Zëri · Kryefaqja

Shqiptarët e Plavës kërkojnë ndihmë nga Tirana e Prishtina

2013-02-02 · Arkivi historik RTVZIK

Shqiptarë të Plavës në Malin e Zi kanë protestuar sot kundër shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nga ana e institucioneve lokale e shtetërore të Malit të Zi. Në një liste prej shtatë pikash, që ata i kanë drejtuar autoriteteve shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, thuhet: “Ftohet Tirana dhe Prishtina zyrtare që të merren më seriozisht me problemet e popullit të vet në Serbi dhe në Malin e Zi”.

Gjatë protestës kanë folur kryetarët e degëve të partive shqiptare të Plavës e Gucisë. Kërkesat kryesore që u prezantuan gjatë kësaj proteste ishin:

1. Kuvendi Komunal i Plavës të shfuqizojë vendimin antikushtetues të aprovuar më 23 nëntor 2012.

2. Gjykata Kushtetuese të respektojë Kushtetutën dhe të anulojë vendimin e Kuvendit Komunal të Plavës, të datës 23 nëntor 2012.

3. Kuvendi Komunal në asnjë mënyrë të mos i miratojë rezultatet e Referendumit për statusin e komunës së Gucisë, për shkak të shkeljes së procedurës zgjedhore.

4. Ministria e Punëve të Brendshme ta anulojë vendimin nr. 011/12-2279, të datës 29 tetor 2012, në bazë të ankesës së subjekteve politikë të Plavës dhe Gucisë, në lidhje me elaboratin për arsyeshmërinë ekonomike të Komunës së Gucisë.

5. Ftohen boshnjakët që të mos i përkrahin iniciativat e disa individëve për ndarje dhe përçarje, duke pas parasysh të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e përbashkët.

6. I bëhet apel faktorit ndërkombëtar që të shfrytëzojë ndikimin e vet tek institucionet e Malit të Zi, kundër shkeljes së të drejtave tona, përndryshe integrimi i Malit të Zi drejt BE-së do të mbetet në një rrugë qorre.

7. Ftohen Tirana dhe Prishtina zyrtare që të merren më seriozisht me problemet e popullit të vet në Serbi dhe në Malin e Zi.

Gjatë tubimit nuk munguan thirrje me përmbajtje patriotike si “Shqipëri Etnike” apo të tjera si, “Duam të drejtat tona”, “Plavë-Guci, jemi një”, “Shkelja mbi të drejtat tona nuk është terren i sigurt”, etj