Një ekip me ish- zyrtarë dhe ekspertë të NASA-s ka formuar një kompani private, që ka në plan të dërgojë njerëz në Hënë për një çmim që është vërtet kozmik. Për 1.5 miliard dollarë, ky biznes i ri ofron një udhëtim për dy persona në Hënë, për kërkime shkencore ose edhe për prestigj kombëtar. Udhëtimi i fundit në Hënë i NASA-s ishte 40 vite më parë. SHBA ishin i vetmi vend në botë që arriti të ulë njerëz në Hënë, duke mundur Bashkimin Sovjetik në një garë hapësinore që mbajti pezull planetin. Por që kur gara mes tyre mbaroi, ka pasur vetëm interes sporadik për Hënën. Presidenti Barack Obama i anuloi planet e NASA-s për rikthim në Hënë, duke thënë se Amerika ka qenë aty. Por tani kompania me president ish- administratorin e NASA-s, Alan Stern, thotë se ka shumë vende që dëshirojnë të bashkohen me klubin e atyre që kanë qenë në Hënë. Deri më tani ka pasur shumë sipërmarrje private që synojnë hapësirën, por kanë dështuar.
2013-02-01 · Arkivi historik RTVZIK