Respektimi i të drejtave të njeriut në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përshtatet me aspiratat e rajonit për integrim evropian, theksohet në raportin e publikuar sot për të drejtat e njeriut për vitin 2013 të organizatës Hjuman Rajts Uoç.
Në rajon është vërejtur përparim i caktuar në proceset gjyqësore për krime lufte. Megjithatë, përparim më i dobët është vërejtur në lidhje me zvogëlimin e diskriminimit dhe sulmet ndaj minoritetit rom dhe gjetjen e zgjidhjes për përmbushjen e kërkesave të refugjatëve. Hjuman rajts uoç shprehi shqetësim për shkak të rasteve të regjistruara të dhunës kundër gazetarëve në vitin 2012.
Nëse vendet nga Ballkani Perëndimor kanë qëllim serioz të bëhen pjesë e Evropës, ato duhet të bëjnë përpjekje që situata në sferën e të drejtave të njeriut t'u përgjigjet standardeve evropiane, deklaroi Lidija Gol, përfaqësuese e Hjuman rajts uoç për Ballkanin dhe Evropën Lindore.
Përparimi në proceset gjyqësore për krime lufte në gjykatat lokale dhe në Tribunalin Ndërkombëtar për krime lufte në ish Jugosllavinë mbeten çështje kyçe e Hjuman rajts uoç, theksohet në raport.
Organizata vëren se në Bosnjë dhe Hercegovinë vitin e kaluar janë shqiptuar aktvendime për 13 vepra për krime lufte, ndërsa në maj të vitit të kaluar, në Tribunalin e Hagës filloi procesi kundër ish liderit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, ndërsa rasti kundër ish presidentit të Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq vazhdoi gjatë tërë vitit.
Në raportin e Hjuman rajts uoç theksohet se Kroacia, gjithashtu, ka realizuar përparim në vitin 2012 në proceset kundër kriminelëve të luftës, pasi gjykatat lokale parashtruan vepra kundër 15 të dyshuarve deri në katër gjykata për krime lufte.
Hjuman rajts uoç thekson se është realizuar përparim i caktuar edhe në veprat për krime lufte në Serbi dhe Kosovë. Organizata e thekson shqetësimin lidhur me situatën në vendet nga rajoni, lidhur me refugjatë dhe njerëzit, të cilët kërkojnë azil, si dhe për trajtimin ndaj fëmijëve emigrantë pa shoqërim. (INA)