RTV Zëri · Kryefaqja

Berisha në paranojë, 150 gardistë në ruajtje, përfshihen dhe trupa speciale të Ushtrisë

2013-01-31 · Arkivi historik RTVZIK

Paranojat dhe makthet e kryeministrit për një atentat të mundshëm, kanë vënë në lëvizje institucionet e sigurisë. Strategjia kryesore e Ministrisë së Brendshme për t’i rritur masat e sigurisë për jetën e kryeministrit Berisha gjatë vitit 2013, është reflektuar në terren duke e çuar në 150 numrin e gardistëve që ruajnë kryeministrin dhe familjen e tij. Ashtu siç edhe parashikohet në planin e Ministrisë së Brendshme, i miratuar në fund të vitit të kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë, kryeministri Berisha çdo lëvizje e bën i blinduar me punonjës të Gardës së Republikës, civilë të armatosur, snajperë dhe bllokues valësh telefonash. Në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, më konkretisht, është parashikuar që siguria për ruajtjen e jetës së kryeministrit Berisha dhe të personaliteteve të tjera të larta shtetërore, të rritej me 10 për qind. Në këtë kuadër, që në ditët e para të këtij viti, shpura e gardistëve që patrullojnë rreth pallatit ku jeton familja kryeministrore dhe rreth Kryeministrisë, është rritur ndjeshëm. Masat, por përpos Gardës së Republikës dhe Policisë, për të kujtuar jetën e kryeministrit Berisha mësohet se është angazhuar edhe Ushtria. Oficerë në radhët e Forcave të Armatosura, përdoren si forca mbështetëse të grupit të shoqërimit, për të siguruar jetën e kryeministrit Berisha gjatë mitingjeve apo aktiviteteve të tjera politike. Një dokument kofidencial, që mban datën 7 mars 2012, parashikon blindimin e kryeministrit Berisha me roje shtetërore. Dokumenti parashikon angazhimin e 109 punonjësve të Gardës për të ruajtur kryeministrin Berisha. Konkretisht dokumenti angazhon 24 oficerë dhe 85 nënoficerë, të gjithë anëtarë të Njësisë së Parë, Njësisë së Dytë, Njësisë së Tretë, Njësisë Speciale dhe Sektorit të Analizës. Këta ju shtohen grupeve të shoqërimit personal të kryeministrit. Grupet e shoqërimit sipas ligjit përbëhet nga 24 efektivë të Gardës. Numri në total i rojeve është rritur me 10 përqind, sikundër janë rritur edhe masat e tjera të sigurisë. Ruajtja e Berishës

Familja e kryeministrit banon në një pallat shumëkatësh në rrugën Mustafa Matohiti vetëm 300 metra pas Kryeministrisë. Pas 21 Janarit, kjo rrugë është blinduar me civilë dhe gardistë, ku edhe banorët e lagjes e kanë të vështirë të kalojnë. Kalimi i makinave mund të ndodhë në një rast ekstrem dhe pas një kontrolli të imtësishëm. Në të dyja hyrjet e rrugës qëndrojnë disa civilë, të cilët kanë për detyrë të monitorojnë si dhe të kontrollojnë lëvizjet e dyshimta. Ndërkaq, para dhe pas pallatit të kryeministrit qëndrojnë grupe të tjerë civilësh dhe gardistësh. Nëse në dyja anët e rrugës guxon të qëndrosh apo të shkrepësh një aparat fotografik, civilët e Berishës alarmohen dhe reagojnë menjëherë. Ndërkohë, ashensori dhe korridoret e pallatit janë të blinduar nga të tjera rrjete rojesh. Kur anëtarët e familjes së kryeministrit hyjnë dhe dalin nga ndërtesa, vigjilenca e rojave është maksimale. Ata qëndrojnë me armë në duar dhe kontrollojnë të gjithë zonën. Ndërkohë, kur kryeministri është brenda, numri i rojave bëhet disafish më i madh.

Masat pas 21 Janarit

Paniku që kapi qeverinë shqiptare pas protestës masive të qytetarëve shqiptarë në 21 janar të vitit të kaluar, është pasqyruar më së miri te “masat” që kanë marrë Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes për të armatosur ushtrinë dhe policinë. Menjëherë pas kësaj proteste që u përgjak nga qeveria duke qëlluar me armë zjarri mbi protestuesit paqësorë, e duke shkaktuar vdekjen e katër prej tyre, ministrat Lulzim Basha e Arben Imami kanë urdhëruar blerjen në shumë të mëdha të pajisjeve policore për kontrollin dhe shpërndarjen e turmave. 1.6 milionë euro janë shpenzuar nga qeveria për të blerë në mënyrë aspak transparente pajisje të kushtueshme që nisin nga kostumet anti-turma, ku përfshihen helmetat, mburojat dhe shkopinjtë e gomës, e deri te megafonët dhe maskat e gazi. Por përveç vlerës së lartë dhe dukshëm abuzive me të cilën janë blerë këto pajisje, ajo që bie në sy është procedura shumë jotransparente. Kështu kompania me të cilën është lidhur kontrata e ka selinë në Belize, mostrat që shoqërojnë kontratën janë të një kompanie në Izrael, malli që ka mbërritur në Tiranë ka si origjinë të shkruar në lejen e importit Kinën, ndërsa paratë janë derdhur duke patur si përfituese degën në Marganashvilli  JSC TBC Bank në Tbilisi Gjeorgji.

Numri i shoqëruesve sipas ligjit

1 - Presidenti 24 2 – Kryetari i Kuvendit 14 3 – Kryeministri 24 4 – Kryetari i Gjykatës Kushtetuese 3 5 – Zv/kryeministri 9 6 – Ministri i Rendit Publik 9 7 – Zv/kryetarët e Kuvendit 3 8 – Anëtarët e Këshillit të Ministrave 3 9 – Kryetari i Gjykatës së Lartë 3 10 – Prokurori i Përgjithshëm 9 11 – Kryetari i SHISH 3 12 – Kryetari i KLSH 3 13 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë 3 14 – Avokati i Popullit 3 15 – Kryetari i KQZ 3 16 – Kryetari i partisë më të madhe të mazhorancës 3 17 – Kryetari i partisë më të madhe të opozites 3 18 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës 3 19 – Ish-Presidenti 4 20 – Ish-Kryeministri 4 21 – Ish-Kryetari i Kuvendit 2 22 – Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese 2 23 – Ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë 2 24 – Ish-Prokurori i Përgjithshëm 2 25 – Ish-Ministri i Rendit Publik 2 26 – Ish-Kryetari i SHISH 2

9 objektivat e Ministrisë së Brendshme për 2012

1.      Reduktimi i trafiqeve të paligjshme dhe sidomos të trafikut të qenieve njerëzor nga/përmes vendit tonë. 2.      Rritja e sigurisë në rrugë, duke uluar në masën 2 % numrin e aksidenteve rrugore. 3.      Reduktimi i nivelit të sjelljeve antishoqërore dhe krimit të rrugës në masën 5 %, duke zhvilluar dhe mbajtur në komunistet një shërbim efektiv policor.

4.      Rritja e efektshmërisë së auditimeve dhe kontrolleve të organeve të vartësisë, institucioneve vendore dhe të organeve të tjera të qeverisjes vendore 2 % mbi 2012 (masa për shkelje financiare). 5.      Të rritet niveli i koordinimit të punës midis institucionit të prefektit dhe organeve qendrore, Këshillin e Ministrave, ministritë dhe organet e tjera qendrore, për zbatimin e programit të qeverisë në masën 2 % për shumë se në vitin 2012. 6.      Mirëfunksionimi eficent dhe i sigurtë i regjistrit kombëtar i gjendjes civile, zhvillimi dhe përmirësimi i moduleve të këtij sistemi dhe sistemin kombëtar të adresave. 7.      Plotësimin e kërkesave për trajnim të nëpunësve të administratës publike, për të përmirësuar aftësitë e tyre profesionale. 8.      Rritjen e nivelit të sigurimit të personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë në një nivel 10 % më të lartë se ai i vitit 2012. 9.      Zbatimit të masave parandaluese, mbrojtëse të emergjencave civile dhe lehtësimit të situatave të krijuara nga pasojat e fatkeqësive dhe emergjencat civile në 10 %.  Adriatik Doçi